VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - 13 DHJETORI I SHKODRËSNga SHYQYRI SELHANI

                                                                                      

E Premte, 04.26.2024, 06:56pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 

13 DHJETORI I SHKODRËS

Nga SHYQYRI SELHANI


E Martë, 12.14.2010, 10:55am (GMT+1)

Janë mbushur 20 vite nga dita kur më 13 Dhjetor të vitit 1991, me qindra e mijëra shkodranë, kryesisht të rinj, u ngritën në një demonstratë të fuqishme antikomuniste, u ndeshën me bishën diktatoriale dhe e mposhtën atë. Rëndësia e kësaj ngjarjeje është jo vetëm nga përmasa e gjerë popullore, por edhe se ajo qe ndër të parat që u zhvillua në një nga vendet më të izoluara të Europës e më gjerë, më diktatorialin, që për rreth 50 vite kishte mbytur në gjak një popull, shkelmuar liritë dhe të drejtat më themelore të njeriut. Komunistët shqiptarë krahas propagandës mashtruese gjoja për mirëqenie ekonomike, demokraci të zhvilluar proletare, përpiqeshin të mbillnin në popull idenë se çdo lëvizje apo kundërvënie ndaj socializmit shqiptar ishte e destinuar të dështojë, se diktatura e proletariatit do të ishte e pamëshirshme, kështu që Shqipëria u kthye në burg të vërtetë ferri për një popull të tërë, duke mbjellë në zemrën e çdo shqiptari ndienjën e frikës, të terrorit. Por komunistët dështuan. Ata nuk kishin arritur të vrisnin shpirtin për liri e demokraci të shqiptarëve e sidomos të shkodranit, të cilët nuk e ulën kokën asnjëherë. U burgosën, u internuan me qindra e mijëra, u vranë e u vranë deri në vitin '90, '91, por qëndruan.

Në tërë vendet e Lindjes komunizmi ishte shembur, kishin nisur rrugën e re drejt demokracisë, zhvillimit të lirë drejt Perëndimit demokratik, Amerikës së ëndërruar në vite e vite. Po Shqipëria? Komunistët po bënin çmos të ruanin pushtetin, me mashtrime e dhunë, por iu plasi...Ju plasi aty ku edhe kishin dyshimin dhe frikën më të madhe, në Shkodër, në atë qytet që në shekuj dhe vite, kishte qenë në rreshtat e parë të historisë së Shqipërisë, që i kishte vënë pushkën që në '45, '46, ishte përgjakur, vuajtur shumë, por kurrë nënshtruar. Ishin ditët e para të dhjetorit, ditë me shi dhe fukarallëk të madh, por fukarallëku për shkodranët kishte dalë në plan të tretë, të katërt. Demokracia ecte kryelartë pothuaj në tërë Europën dhe shkodranët e ndienin kudo atë. Aroma e saj kishte hyrë në Shqipëri dhe pritej një shenjë, një shenjë që ajo të parakalonte kryelartë dhe e qetë në tërë vendin. Dhe era pritej të frynte nga Shkodra. Tërë sytë e shqiptarëve ishin drejtuar aty...Dhe nuk vonoi shumë, ajo filloi...Ato ditë dhjetori dritat e shtëpive fikeshin vonë e shumë vonë, pritej një shenjë...Dhe zbardhi 10 dhjetori...Në Universitetin "Luigj Gurakuqi" ishin mbledhur shumë studentë, të cilët protestonin për kushtet e rënda ekonomike, por ata më të guximshmit, hidhnin edhe parulla politike, të cilat shumë shpejt u bënë mbizotëruese. Pritej ardhja e drejtuesve kryesorë të partisë në rreth. Njerëz të Sigurimit ishin përpjekur që të pengonin pjesëmarrjen e të rinjve, që nuk ishin studentë. Por komunistët drejtues ikën të tmerruar përballë kërkesave të të rinjve studentë. Mbledhja shpejt u kthye në protestë, me ta u bashkuan me dhjetra e qindra të rinj qytetarë që prisnin në korridor dhe para universitetit. Drejtuesit lokalë partiakë ikën të ndjekur nga zemërimi studentor.

Brenda një kohe të shkurtër qindra e qindra të rinj, studentë u drejtuan nga rruga kryesore e qytetit që njihet me emrin "Piaca", kaluan Bankën e Shtetit dhe po drejtoheshin nga qendra e qytetit me thirrjet "Poshtë komunizmi", "Liri-demokraci". Shumë shpejt radhët e tyre u shtuan me demonstrues qytetarë. Befas para tyre, nga krahu i djathtë i trotuarit, sot pranë Xhamisë "Ebu Beker" u shfaqën mbi njëzet policë të armatosur. U dëgjua kërcitja karakteristike e armëve që u mbushën. Për një çast mbizotëroi heshtje varri. Ballë për ballë qëndronte rreshti i policëve të armatosur me pushkët drejtuar turmës dhe turma, e zënë në befasi, e hutuar. Grumbulli i tyre u mblodh, u bë më i vogël, ndonjë u hodh edhe në trotuar, por befas ushtoi një zë i fuqishëm "O burra rrëmbeni gurë". Kaq u desh që turma të rigrupohej, me entuziazëm dhe guxim u hodh mbi policët, të cilët ishin ato tani që u hutuan, i mbërtheu frika, paniku dhe ia mbathën me të katra drejt Repartit të Zjarrfikësve. Turma i ndoqi nga pas, duke i sulmuar me gurë. Nga brendësia e Repartit u dëgjua një krismë pushke. Demonstruesit u ndalën dhe u drejtuan nga qendra e qytetit. Tani me studentët ishin bashkuar me qindra shkodranë dhe numri i tyre ishte në rritje. Në lulishten në qendër të qytetit, mbi një stol betoni kishte hyrë një burrë rreth të 40, që fliste për krimet komuniste dhe bënte thirrje për të vazhduar demonstratën deri në fund. Ai ishte një i burgosur politik, pjesëtar i fisit të njohur të Martinëve. Dikush uli me shpejtësi qepenat e "Kafes së Madhe". Përreth një 35-vjeçari, me trup të gjatë, veshur me xhup të bardhë, golf, i drejtohej turmës që të mos thyente dyqane e vitrina. "Kemi thënë, thirre me zë të lartë, se nuk do të thyejmë asnjë xham", por përballë librarisë, ku afishoheshin rregullisht veprat e Enver Hoxhës, turma e shkeli fjalën. Hynë në librari dhe brenda një kohe rekord, rrëmbyen veprat e diktatorit dhe i hidhnin përtokë, përpjetë, i shqyenin dhe shpejt veprave të tij, iu vu zjarri në mes të rrugës.

Demonstruesit po i afroheshin Bashkisë. U dëgjua një zë, "Të vazhdojmë pa thyer gjë", por i menjëhershëm, si i zbritur nga qielli u dëgjua një zë i çjerrë i një gruaje, rreth të 50, e dobët, e thatë, e mbështjellë me një fëshfëshe, të dalë boje, "Lejini të thyejnë, se na mbytën për 50 vjet" dhe zbuloi dhëmbët e çakorduar. Turma u ndal para dyerve të Bashkisë së sotme. Në mure pushtetarët lokalë komunistë kishin vendosur një pllakë me mbishkrimin rruga "Enver Hoxha". U përpoqën ta hidhnin poshtë, ta thyenin, por ato pak gurë të vegjël që u gjetën nuk mundën ta hidhnin poshtë. Turma u drejtua para Prefekturës së sotme, u kthye djathtas dhe mori drejtimin nga Komiteti i Partisë, kur u shfaqën 4-5 të rinj, të cilët se ku kishin gjetur një hekur edhe iu drejtuan pllakës së mermerit dhe pas disa goditjeve e hodhën në tokë. U dëgjuan thirrjet e tyre ngazëlluese. Tani ballë për ballë qëndronte godina e Komitetit të Partisë dhe turma e stërmadhe e egërsuar. "Enver-Hitler", "Poshtë komunizmi", "Liri-demokraci" ushtonin në shesh.

Një i ri i guximshëm u shkëput nga turma dhe me shpejtësi, duke u kacavjerë në tubat e ujit që derdheshin poshtë, u ngjit në tarracën anësore të sallës shtesë të mbledhjeve dhe shqeu parrullën "Njeriu ynë i ri, vepra më e shkëlqyer e partisë". Turma e përshëndeti me thirrje ngazëllyese dhe qindra vetë u sulën në katin e parë, ku në pak minuta tërë stendat dhe parullat komuniste përfunduan përtokë. Demonstruesit u përpoqën të ngjiteshin në katin e dytë. Një grusht policësh të instaluar lart hapën zjarr. Demonstruesit u ndalën dhe pastaj iu drejtuan bustit të diktatorit. U dëgjuan dy shpërthime të fuqishme. Koka e diktatorit u shemb përtokë. Turma e demonstruesve festonte. Tërë Shqipëria, komuniteti ndërkombëtar u njoh me demonstratën e fuqishme antikomuniste të Shkodrës. Koha ecte me shpejtësi. Ngjarje të rëndësishme ndoqën njëra-tjetrën. Pluralizmin politik asgjë nuk mund ta ndalte. Kishte dalë në skenën politike shqiptare një forcë e re politike, PD-ja me program tërësisht demokratik Perëndimor. Qindra e qindra nga ato që kishin marrë pjesë në këtë demonstratë hynë në radhët e kësaj partie dhe morën pjesë me dinjitet e kontribute të veçanta në tërë ngjarjet e veprimtaritë që erdhën më pas. Pas zgjedhjeve të para pluraliste, fitores së demokratëve në vitin '92, Dega e PD-së dërgoi në organet e pushtetit figurat më të mira, të afta, të ndershëm, punëtore që ishin shquar në proceset demokratike. Është me shumë rëndësi të theksojmë, që në përzgjedhjet e tyre u zbatuan normat e partisë, demokracia, vota e lirë dhe e pastër lulëzuan në degën e kësaj partie. Është me interes të themi që në ato vite është roli dhe rëndësia e madhe që kishin seksionet, anëtari i partisë, të cilët u mposhtën lehtë nga përpjekjet e individëve, klaneve që po lindin për të vënë në pozicione të rëndësishme persona pa kontribute, pa rezultate pune, pa mbështetje në popull, hipokritë apo servilë, se kështu donte dikush me pozicion të lartë. Së shpejti shqiptarët do të ndodhen para një ngjarje shumë të rëndësishme, para zgjedhjeve lokale. PD-ja ndodhet para dy detyrave shumë të rëndësishme; qeveria demokratike duhet të sigurojë të gjitha kushtet për të pasur zgjedhje të lira dhe demokratike dhe natyrisht të fitojë pjesën dërmuese të komunave, bashkive, qarqeve, këshilltarëve. Mundësitë janë. Qeveria demokratike ka treguar se di të drejtojë, të punojë, të ketë rezultate pozitive, të zhvillojë ekonominë, të rrisë mirëqenien e popullit, sigurinë, të integrojë me sukses vendin në strukturat euroatlantike. Rëndësi të dorës së parë ka përzgjedhja e elementit, që Partia Demokratike i ka me bollëk. T'i largohemi subjektivizmit, klanizmit, interesave të individëve të veçantë, të zhvillojmë realisht, me ndershmëri e demokraci garën në parti, të dëgjojmë fort zërin e seksioneve, të anëtarit të PD, të qytetarit.

SHYQYRI SELHANI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
CORRIERE DELLA SERA, 31.12.1940 - "LA MORTE DI GIORGIO FISHTA"Përgatiti: PAUL TEDESCHINI (12.12.2010)
AZEM HAJDARI KUSHËRI NË 9 BREZA ME HAXHI ZEKËN DHE BAJRAM CURRINNga RAMIZ LUSHAJ (12.12.2010)
SHTEPIA E AZEM HAJDARITNga RAMIZ LUSHAJ (12.11.2010)
AZEM HAJDARI, SHEMBËLLIM FRYMËZIMI E PËRNGJASUES ME GJERGJ ELEZ ALINË (12.09.2010)
SHKODRA MES UJIT DHE SHPRESËS (Fotoreportazh) (12.09.2010)
DITA E DINJITETITNga SALI BERISHA (12.09.2010)
DOSJA E FUNDIT E WIKILEAKS PËR SHQIPËRINËNga LUTFI DERVISHI (12.08.2010)
20 VJET PAS RËNIES SË KOMUNIZMIT INTEGRIMI EVROPIAN MBETET ËNDËRR (12.08.2010)
DHJETORI SHEMBI SISTEMIN KOMUNIST, TANI DETYRË ËSHTË DEMOKRACIANga BARDHYL UKCAMAJ, New York (12.08.2010)
AMBASADORI RAJERSON: MBRESA IME NGA SHQIPËRIA, DASHURIA E JASHTËZAKONSHME PËR SHBA (12.07.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]