VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - VËSHTRIMI ETNOGRAFIK PËR VALLET E LUGINËS SË PRESHEVËSNga Prof. Dr. RAMAZAN H. BOGDANI

                                                                                      

E Enjte, 05.02.2024, 05:12pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 

VËSHTRIMI ETNOGRAFIK PËR VALLET E LUGINËS SË PRESHEVËS

Nga Prof. Dr. RAMAZAN H. BOGDANI


E Martë, 07.12.2011, 03:55pm (GMT+1)

Gjatë kohëve të fundit, Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari e Luginës së Preshevës me seli në Preshevë dhe me kryetar Xhemaledin Salihu, organizoi tubimin shkencor "Çështja e valles popullore në Preshevë dhe në rrethina".

Kjo Shoqatë, përmes rrezatimit tradicional "Preshava bujare dhe kreshnike e kohës antike të Dardanisë", e përjetoi më së miri traditën patriotike dhe kulturore të popullatës vendase, shqiptare. Horizonti i kësaj shoqate përfshin: hulumtimin, evidentimin, regjistrimin, pasurimin, ruajtjen, mbrojtjen dhe zhvillimin e krijimtarisë kulturore të identitetit kombëtar shqiptar. Në këto drejtime, ky institucion përligj më së miri gjallesën e kulturës popullore qysh gjatë sundimit shekullor të Perandorisë Turke dhe të borgjezisë Serbomadhe.

Në këtë tubim isha i ftuar së bashku me Besim Zekthin (Artist i Merituar). Tubimi u mbajt nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Preshevës, zoti Mustafa Ragami, kurse seancat shkencore u zhvilluan nën drejtimin e Prof. Dr. Ramazan Bogdanit, Xhemaledin Salihut dhe Dilaver Kryeziut (ky ligjërues në Fakultetin Filologjik të Prishtinës).

Siç duket edhe nga titulli i temës së tubimit, veç lëndës koreografike nga Presheva, përfshihej edhe një gamë e gjërë, "rrethinash". Me këtë është patur parasysh zona e Karadakut apo e Luginës së Karadakut, e njohur edhe si Kosova Lindore. Sipas nocionit gjeografik dhe etnografik në atë bëjnë pjesë edhe rajonet e Shkupit, Kumanovës, Likovës, Vitisë, Gjilanit dhe Bujanocit. Kjo zonë shtrihet në lindje të Grykës së Kaçanikut dhe shkon përgjatë vargut të maleve në veri të Preshevës. Këto vendbanime kanë një numër të madh fshatrash.

Lënda etnokoreografike dhe më gjërë që u trajtua në atë tubim, i bënte jehonë atyre pasurive të trashëgimisë popullore dhe kryesisht valleve të vendbanimeve shqiptare. Zhvillimi i tubimit, në njërin nga këto vendbanime, si Presheva (bashkë edhe me Karadakun e Anamoravën), është domethënëse sepse në pamje të përgjithshme, në to shquan koreografia popullore shqiptare me begatinë, origjinalitetin dhe pasurinë që i karakterizon.

Pjesëmarrja në tubim ishte e madhe dhe gjithëpërfshirëse. Të tilla, sipas rendit kronologjik të programit, u mbajtën këto kumtesa: R. Bogdani - Tiranë ("Vallja e Shotës - një krijim i bukur kosovar"); Xhemaledin Salihu - Preshevë ("Vallet popullore të herëshme të Preshevës"); Dilaver Kryeziu - Prishtinë ("Mbi disa karakteristika të valleve të Karadakut"); Besim Zekthi - Tiranë ("Vallja e Preshevës, një shembull i folklorit shqiptar"); Zijadin Ismaili - Kumanovë ("Traditat e valleve popullore në Karadak dhe më gjërë"); Sami Piraj - Prishtinë (nuk ishte i pranishëm, megjithatë kumtesa u lexua: "Raporti i grupeve amatore dhe profesioniste"); Demir Krasniqi - Gjilan ("Karakteristika të valleve tona popullore")-(D.Krasniqi pati objekt edhe një kumtesë të dytë me titull "Simbolika e lëvizjeve në vallet tona popullore".); Xhavit Ramadani - Bujanoc ("Vallja e Deli Agushit"); Sali Rustemi - Preshevë ("Vallja popullore").

*

Kumtesat në përgjithësi përmbanin lëndë interesante, ndaj edhe u pritën shumë mirë nga të pranishmit në sallë.

Ndonëse anashkalimthi, një pjesë të mirë të valleve të burrave të këtyre zonave, autori i ka patur objekt analizash në ndonjë artikull studimor si dhe në monografi të botuara. Zanafillë e kësaj lënde ka qenë pjesëmarrja e grupeve folklorike në Festivale dhe tubime folklorike që janë zhvilluar në Kosovë dhe në Shqipëri. Sigurisht, që dijet e lëndës përkatëse u brumosën edhe më shumë nga kontaktet me trajtesat e kumtesave të mbajtura në atë tubim.

*

Jehona e Valles së Karadakut të Moravës së Epërme është ndjerë në shumë gazmende dhe festa popullore. Por, siç u mësua edhe nga kumtesat, më së shumti repertori epik i valleve të burrave, i ka bërë jehonë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1878, që përbën një nga periudhat e ndritura të historiografisë shqiptare. Madje, nga kjo ngjarje kanë marrë shkas edhe shumë nga nismat e valleve objekt.

Veçanërisht, fondi i valleve të burrave është i shumtë dhe me emra të mëvetësishëm. Si të tilla njihen: "Vallja e kaçakëve", "Ibrahim Hoxha", "Vallja e Deli Agushit", "Vallja e Mehmetit", "Vallja e marhames", "Vallja e Preshevës", "Vallja e Ternocit", "Vallja gjilanase", "Fujza", "Vallja e Rrafshët", "Vallja e gajdes", "Vallja e topallit", "Vallja e Bilaçit", "Vallja e Miratocës", "Vallja e tokës", "Vallja e dytë", "Vallja e tretë", "Vallja e katërt","Vallja e Moravës". Njihen edhe të tjera, si:

"Vallja e Hasan Agës", "Luhaçka", "Kumanovka", (kjo njihet si e kënduar) "Valle gjunjazash", "Vallja e Zhugës" ose "Zvarrë", "Vallja Tarazajbek", "Vallja e popullarizuar e "Shotës", "Vallja pembe-pembe", etj.

Ashtu si kudo, edhe në këto anë, vallet karakterizohen edhe të gërshetuara me elementë lojërash popullore, me karakter humoristik ose satirik. Njësi të tilla i kemi quajtur tashmë si valle pantomimë. Në këto anë përmendim praktikimin e të tillave, si: "Lojë kapuçësh", "Lojë filxhanësh", "Vrasja e ariut", "Bluarja e grurit", "Zimja e deshve", "Ruaje kapuçin", "Zënia e bletës", "Bid - bidek", "Çap-çap", etj.

Vallet i marrin emrat edhe sipas: valle njëshe, dyshe, treshe etj.; sipas valltarëve virtuozë të njohur, sipas të kapurit për duarsh ("Valle krah për krah", "Gisht për gisht", "Brez pas brezi", "Rrethçe", etj.).

Vallet e burrave përgjithësisht shoqërohen me dy instrumenta tradicionalë: zurle dhe daulle, siç i thonë vendasit. Por, njihen edhe me emrat "Tupanxhi", "Meftare", "Daullexhi", "Ustallarë", "Çallkexhi", etj.

Tek burrat është praktikuar edhe përcjellja e valleve me instrumente baritore siç i quajnë vendasit, të cilat janë: çiftelia, fyelli, gajdja, defi, etj. Vallet janë ekzekutuar edhe pa përcjellje instrumentore, sigurisht më së shumti në rastet kur ato mungonin. Si të tilla, vallet janë shoqëruar me shuplakat e duarve ose me ritmin e të rrahurit të këmbëve.

Përgjithësisht ky fond është i njësuar me atë shqiptar, më konkretisht me mjetet shprehëse koreografike (motivet, formacionet, trajta), të cilat pothuajse janë të ngjajshme.

Por ashtu si kudo, edhe këtu, çdo rajon apo zonë shfaq edhe veçori nuanciale, ç'ka i pasurojnë këto valle.

Presheva e përjetoi më së miri traditën patriotike dhe kulturore të popullatës vendase, shqiptare

Çështja e valles popullore në Preshevë dhe në rrethina

Repertori i valleve të grave sigurisht që është i ndyshëm nga ai i burrave. Në to, si kudo, vallet janë të karakterit lirik, gjë që nënkupton një ekzekutim të qetë dhe të përmbajtur, në përshtatje me psikologjinë e femrës. Në to zoterojnë përcjelljet me këngë, duke i kënduar më së shumti vetë gratë apo vajzat pjesëmarrëse në kërcim.

Si të tilla, në pamje të përgjithshme, në mbarë Luginën e Preshevës, njihen vallet e kënduara: "Ani mori nuse", "Odat me tavan", "Shaho, mori shoqe", "Lule kadife", "Pempe, moj pempe", "Mori zanë"; si edhe të tjera, si: "Vallja e çikave", "Vallja e vejushës", "Vallja e nuseve", etj. Kërcimet e grave njihen edhe me një emër të përgjithshem "Valle pas gardhit", ngaqë femrat i kërcejnë edhe nga të dëgjuarit e daulleve dhe të zurnave që bien në odë të burrave, ndërkohë që gratë "zvarriten" së kërcyeri në oborrin e shtëpisë nga jehona e tingujve muzikorë.

Ashtu si në mbarë trevat shqipëfolëse edhe këtu, praktikohet kërcimi i grave me def, gjë që bashkërastis njëherësh edhe me ndërthurrje të defit e këngës. Emërtimet, veç valle grash, vajzash, çikash, cucash, vejushash, etj., i kanë përgjithësisht sipas vargut të parë të tekstit të këngës përcjellëse, dukuri kjo e përgjithshme shqiptare. Si të tilla luhen disa radhazi njëra pas tjetrës, kryesisht në formacion gjysmërrethi me zhvendosje nga e djathta. Në raste gazmendesh, pjesëmarrja e femrave në kërcim është shumë e madhe dhe zakonisht, ashtu si tek burrat, edhe këtu, çdo njëra valle ka një prijëtare (e para e vargut) të caktuar, ndërkohë që çasti më solemn është atëherë kur një rol të tillë e luan nusja e dasmës.

Nga pikpamja e strukturës, kryesisht vallet e burrave dhe pjesërisht ato të grave, kanë karakter plastik, duke u kombinuar gjatë kërcimit të gjithë gjymtyrët e trupit, ndryshe nga ato serbe apo sllave në përgjithësi, për shembull, që karakterizohen nga kërcime me karakter ritmik. Në vallen shqiptare, karakteri plastik më së shumti shfaqet kur vallet luhen në mënyrë vetjake.

Ashtu si kudo, edhe në këto zona, vallet janë trashëguar brez pas brezi, sigurisht edhe duke u shuar ndonjëra, ndërkohë që shfaqet edhe pasurimi me njësi të tjera. I rëndësishëm është fakti, që ka ende të tilla, të cilat i përkasin riteve të motmotit, duke i ekzekutuar vallet për Shëngjergj, Bajram, etj.

Karakteristikë gjatë zhvillimeve të ceremonialeve të martesave apo të synetisë, edhe këtu praktikohen edhe "Vrapimet me kuaj" dhe "Loja e pelivanëve", në formë garimi. Fituesit në këto raste shpërblehen nga nikoqiri i dasmës. Në raste të tilla, kërcimi është pjesë përbërëse e atyre festimeve, duke u kombinuar me to ose duke u luajtur më vehte. Për këtë, ashtu si kudo, ka patur edhe vende të caktuara ku ato zhvilloheshin dhe kryesisht në natyrë në mënyrë, që pjesëmarrja e shikuesve të jetë sa më e madhe. Kurse lidhur me zhvillimin e kërcimeve në përgjithësi, çdo fshat pothuajse ka patur një vend të caktuar. Kështu, për shembull, në Preshevë një i tillë njihet me emrin Allajt; në Rahovec, Varrezat e Poshtme, etj.

Veçori e valleve të burrave është fakti se ato luhen radhazi njëra pas tjetrës. Rastis që kalimi nga njëra valle në tjetrën të ndërthuret me një ecje të thjeshtë, me hapa të lirë dhe njëri pas tjetrit. Mandej, valltarët menjëherë zënë pozicionet krah më krah ose pas brezi dhe nisin vallen vijuese. Pothuajse çdo kërcim ka një të parë që vendasit e thërrasin prijetori. Sigurisht që, ai duhet të jetë me veti kërcyese më të rralla në krahasim me të tjerët. Ky ka rol të veçantë në kërcim, sepse luan edhe figura të mëvetësishme, përgjithësisht virtuoze, si: hypje në daulle apo në supet e shokëve kërcyes etj. Ky, veç të tjerash, lëviz në dorën e djathtë një shami, e njohur me emrin marhamë, të cilën e lëviz në formë demonstrative gjatë gjithë kërcimit. (Këtej ka dalë edhe një kërcim i veçantë i quajtur "Vallja e marhamës"). Një veprim të tillë rastis ta kryej edhe bajraku i dasmës, i cili lëvizet më me solemnitet në krahasim me marhamën.

Roli i prijetorit luhet nga disa valltarë të rrjeshtit pjesëmarrës, sigurisht secili duke i'u përshtatur më së miri etnopsikologjisë së kërcimit përkatës.

Repertori i valleve të burrave përgjithësisht përshkohet nga një fabul e caktuar, ose që kanë një trajtë të mëvetësishme.

Si të tilla njihen:

-"Vallja e Deli Agushit". E ka prejardhjen nga fshati Bilaç i rrethinave të Preshevës. Për këtë valle, që është shumë e popullarizuar, qarkullojnë në popull disa versione. Kështu, sipas njërit variant në vendlindjen e valles, në fshatin Bilaç, gjatë një tubimi në prani të shumë burrave, thuhet se njëri shpifi ndaj Deli Agushit. Këtë ofendim para publikut, ai nuk ka mundur t'a durojë, ndaj shkon në shtëpi merr pushkën dhe e vret fyesin.

Pas vrasjes, Agushi nuk u dorëzohet sejmenëve turq. U arratis maleve dhe formoi çetën e kaçakëve për mësymje ndaj turqve.

Agushin e zënë me tradhëti në shtëpinë e vet dhe e vrasin në vitin 1865 në Vranjë me urdhër të Mid-hat Pashës, reformator i Nishit.

Agushi, sipas traditës popullore përshkruhet si burrë i madh, i gjatë, i shpejtë, zemërak, i bukur dhe musteqeli. Ishte adhurues i kuajve të shpejtë, mbi të gjitha ishte trim dhe nuk frigohej as nga ushtria e as nga bimbashët. Edhe zaptit që kishin detyrë t'a arrestonin, i shmangeshin takimit me të. Disa herë nga Vraja janë dërguar në Vilaç trimat më të njohur të asaj ane për t'a zënë Agushin, por janë kthyer prapa, duke ikur për të shpëtuar kokën. Si njeri me trimëri të jashtëzakonshme, nuk dinte ç'ka është frika, prandaj turqit, emrit të tij, i kanë shtuar epitetin "Deli", që do të thotë "i çmendur", i krisur, figurativisht, trim i madh.

Për Deli Agushin, populli ka ngritur edhe këngë, njëra prej të cilave thotë: "N'a ra mjeglla rreth Moravës;/ Tan askeri po shkon xhades;/Në Bilaç kur kanë shkue;/ Koçabashi ka nalue./- Ku i ka kullat Deli Agushi?/ -Ç'atje nalt n'krye t'katunit./ Shpin Agushit shpejt e kan rrethue...." (Sipas të dhënave "Vallen e Deli Agushit", e kanë trajtuar në repertorët e tyre Ansamblet Artistike Profesioniste "Kollo" i Beogradit të Jugosllavisë dhe "Tanec" i Shkupit te Maqedonisë).

-Vallja Miratocka" ose thjeshtë "Miratocka". Eshtë valle me motive epike, që i përket kryesisht Preshevës dhe thuhet se ka marrë jetë gjatë zhvillimit të periudhës së Lidhjes së Shqiptarëve të Prizrenit në vitin 1878. Një karakteristikë e saj është se, valltarët i mbulojnë veshët dhe e lidhin kryet me çerve (shami e madhe shumëngjyrëshe).

-"Marhama". Zakonisht luhet nga burrat para se nusja të hyjë në shtëpinë e dhëndërit, si dhe gjatë zhvillimit të "Garimit me kuaj" dhe "Lojës së pelivanëve".

-"Vallja kaçakçe". Pothuajse për nga struktura, është e përafërt me "Vallen e Deli Agushit". Si e tillë kjo valle njihet edhe në Shqipëri, në rrethina të tilla të Myzeqesë, Korçës etj., dhe quhet edhe si "Vallja e Kapo Beut". Po kështu luhen edhe të tjera.

-"Vallja e Preshevës" e quajtur edhe "Vallja me shuplaka". Eshtë e një karakteri të lehtë, por që ndërthuret edhe me grimca të një karakteri dinamik.

Ashtu si repertori i pasur i valleve, për analogji edhe valltarët kanë qenë të shumtë. Të tillë njihen disa në ato vendbanime, të cilët i kanë kryer veprimtaritë edhe në Shoqëri Kulturore Artistike*. Po ashtu, ka patur edhe shumë instrumentistë popullorë, xhibët.

*) Fillimisht në Preshevë si e para shoqëri artistike njihet SHKA "Presheva". Në vijim u quajt Shoqëria "Hamijet", e themeluar më 1937, që kultivonte kryesisht hapësirë muzikore, instrumentistët e së cilës përcillnin vallet.

Kurse, gjithmonë sipas të dhënave, në vitin 1930, një grup këngëtaresh dhe valltarësh nga Presheva, si Osman Fazliu, Zejdi Ahmeti, etj., kanë shkuar deri në Beograd të Mbretërisë së Jugosllavisë dhe kanë marrë pjesë në manifestimet kulturore të organizimit të quajtur "Sako".

Gjithashtu, njihen kohë më parë edhe disa grupe folklorike, të cilat prireshin më së shumti nga përbërja me zurle e daulle. Këto njiheshin me emra të tillë si: Grupi i Zijadin dhe Emin Abazit; Grupi i Sadri Maxhupit, ai i Rafet Maxhup; Grupi i Dilaver Limanit, ai i Zajush Kamberit, etj. Kohët e fundit pas "SHKA "Presheva", është krijuar SHKA "Rexho Mulliqi".

Së fundi, duke e hamendësuar autori edhe fshatin Shurdhan dhe SHKA "Bajram Curri" të këtyre anëve, do të duhet kujtuar se në Festivalin Folklorik Kombëtar Gjirokastër 2000, Karadaku dhe Gjilani u paraqitën me sukses përmes "Valle e Karadakut". Sipas traditës, kjo përbën njëfare makrovalleje që ishte konceptuar me gjashtë njësi koreografike: "Vallja e Deli Agushit", "Vallja e tretë", "Marhama", "Pushimi", "Gjilanka e re", dhe "Fujza". Ato u ekzekutuan radhazi, njëra pas tjetrës, në formacion gjysmërrethi, duke u zhvendosur sipas traditës në rreth nga e djathta. Si prijëtarë, shquajtën Hamit Aliu, Xhemal Rrahimi dhe Shaqir Rustemi. Me këtë rast, po nga ky grup, do të shënoja pjesëmarrjen më 1996 në Festivalin Ndërkombëtar St. Mariel (Shën Marsel) në Francë. Në repertorin e atij Ansambli, nga Kosova ishin Hamit Aliu dhe Zija Aliu nga Vitia, me zurlexhi, Xhemajl Ahmetin dhe daullexhi, Hysen Hyseni.

Në mbyllje të këtij artikulli modest nuk mund të lëmë pa theksuar edhe një herë se organizimi dhe zhvillimi i Tubimit Shkencor "Çështja e valles popullore në Preshevë dhe në rrethina" u krye me sukses të plotë.

Me këtë rast do të sugjeroja që veprimtari të tilla të zhvillohen më tej, duke rekomanduar njëherësh edhe ndonjë Festival Folklorik nga kultura tradicionale rajonale dhe shqiptare në përgjithësi.

____________

*)Lugina e Preshevës përfshin tri komuna: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegje, të cilat administrativisht shkojnë me Republikën e Serbisë (dy të parat kanë popullatë kryesisht shqiptare, kurse e treta-kryesisht serbe).

Prof. Dr. Ramazan H. BOGDANI

"Mjeshtër i Madh"

Prof. Dr. Ramazan H. BOGDANI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
U NDÀ NGA JETA DOM SIMON JUBANI. HUMBËM EDHE NJË HERO... (07.12.2011)
EPIRI DHE ÇAMËRIA SIPAS SAMI FRASHËRITNga ISUF B. BAJRAMI (07.11.2011)
RIPAROHET KISHA E NDRE MJEDËS NË SHKODËR (07.10.2011)
Prof. Dr. Isuf Luzaj "Nderi i Klubit të Shkrimtarëve 'Petro Marko'"FILOZOFIA E ISUF LUZAJT NË SHËRBIM TË ÇËSHTJES KOMBËTAREKumtesë nga VILHELME VRANARI HAXHIRAJ (07.10.2011)
DELEGACIONI I PRESHEVËS VIZITOI TË BURGOSURIT E LUGINËS NË BEOGRAD (07.09.2011)
MAQEDONI: GJUHA SHQIPE, PJESË E MARRËVESHJES PËR QEVERINË (07.09.2011)
MË 8 KORRIK KUJTOJMË VDEKJEN E KRYEIPESHKVIT TË SHKODRËS IMZOT LAZËR MJEDJA (07.08.2011)
DEBATI PËR NDËRTIMIN E NJË XHAMIE NË PRISHTINË (07.08.2011)
PËRKUJTOHET "BETEJA E LOXHËS" ME NË KRYE KOMANDANT TAHIR ZEMAJN (07.08.2011)
SOT JANË VENDE TË SHKRETANga ZEF MULAJ (07.08.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]