TENIS - ZYRTARI RUS GJOBITET PËR KOMENTET NDAJ MOTRAVE WILLIAMS
E Shtunë, 10.18.2014, 09:57pm (GMT+1)
Motrat Serena dhe Venus Williams (djathtas) pas një fitoreje në Londër në gusht të vitit 2012
Presidenti i Federatës së Tenisit të Rusisë, Shamil Tarpischev, është gjobitur dhe suspenduar nga tenisi femëror për një vit, pasi yjet e tenisit, Venus dhe Serena Williams, i ka cilësuar si "vëllezërit Williams" dhe se ato ishin "të frikshme" për t'i shikuar.
Kryesuesja e Asociacionit të Tenisit Femëror (WTA), Stacey Allaster, tha mbrëmë se Tarpischev do të gjobitet me 25 mijë dollarë amerikanë dhe do të shkarkohet nga posti i shefit të turneut Kupa e Kremlinit në Moskë.
Stacey Allaster tha se komentet e Tarpischevit ishin "ofenduese" dhe "poshtëruese", dhe se ai do të duhej të kërkonte falje nga motrat Williams.
Komentet lidhur me motrat Williams, Shamil Tarpischev, që është edhe anëtar i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, i ka bërë gjatë një emisioni televiziv, javën e kaluar.
Zoti Tarpischev tha sot se komentet e tij ishin shaka dhe se nuk e kupton se për çfarë arsye ai është dënuar.
Tenistja amerikane, Serena Williams, është renditur në vendin e parë të listës së lojtareve më të mira në botë dhe deri tash i ka fituar 18 tituj Grand Slem. Edhe motra e saj, Venus, po ashtu ka arritur suksese të dalluara në lojën e tenisit.
www.voal-online.ch
|