Sot një vit më parë, më 17 shkurt 2008, ndodhi mrekullia shqiptare e shek. XXI, Kosova dardane, në Ballkanin e mplakun, shpalli para Zotit e Planetit, aktin historik të Pavarësisë e Sovranitetit si Shteti më i ri i botës. Cka, në tre plane gjeostrategjike, përbën realisht: E para, një plotësim të kërkuar e të vonuar të Pavarësisë Kombëtare Shqiptare të 28 nëntorit 1912 në Vlorën e Ismail Qemalit. E dyta: një korrigjim të merituar e të pjeshëm të padrejtësive historike të Fuqive të Mëdha ndaj kombit etnik shqiptar më 1878, 1913, 1918 e deri tek Konferenca e Jaltës më 11 shkurt 1945 e Plani i 13-shes të Komisionit Badinter më 1992. E treta: shënoi fundin e fillimit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë artificiale të 1918-tës, "Bashkimit Sovjetik të vogël", diktaturës millosheviciane, në hartën e globit. E katërta: tregoi fuqinë amerikane e euroatlantike me zbatimin e Marrëveshjes së Rambujesë, me suksesin e ndërhyrjes ushtarake, me zbatimin e Rezolutës 1244 e me suksesin e shpalljes së Pavarësisë, duke dëshmuar se jo vetëm sa shumë ka ndryshuar Bota, por edhe duke premtuar e kontribuar që të ndryshojnë shumë edhe Kosova, si Shtet i Pavarur e Sovran në truallin etnik shqiptar, në Ballkan.
Pavarësia e Kosovës, ashtu sic ishte e pashmangshme është edhe e pakthyeshme, sic është një zgjidhje e meritë shqiptare e euro-atlantike në ecjen drejt shtetësisë së saj, mbetet edhe një angazhim diplomatik ndërplanetar në lartësimin e zhvillimit terësor e integrimit plotor në organizmat ndërkombëtare.
Në këtë proces historik të pandalshëm të epopesë e epokës së shtetësisë së saj, Kosova, në këto dy dekadat e fundit të kapërcimit nga shek. XX në shek. XXI, kaloi nëpër disa hapa e etapa të njëkohëshme e të njëpasnjëshme: nga koloni e Serbisë në Protektoriat Ndërkombëtar i OKB-së e tash 1 vit në Shtet të Pavarur e Sovran; nga një "cështje shqiptare" në disa shekuj në një cështje ndërkombëtare me kulminacione më 1999 e më 2008; nga legjenda sllave si "djep i Serbisë" në një realitet hipotekor e jetësorë si tokë e shqiptarëve të saj etnik; nga ofensiva mesjetare genocidiane millosheviciane për ta përgjakur e spastruar etnikisht si një "tokë të djegur" më 1998 e pranverën e vitit 1999 në një ndërhyrje të parë ushtarako-politike të NATO-s për të mbrojtur tokën e jetën e banorëve të saj etnik e të ardhur dhe vendosjen e UNMIK-ut më 1999 e EULEK-it më 2008 për ta bërë tokë të lirë të njerëzëve të saj të lirë, tokë të pasur të njerëzëve të saj të varfër;
Sot, në këtë përvjetor, në vështrimin historik, diplomatik e juridik, merr rëndësinë e vet të pakufijshme njohja e saj horizontale nga shtete të vecanta të planetit dhe njohja vertikale nga institucione ndërkombëtare si Organizata e Kombeve të Bashkuara, Bashkimi Europian, OSBE, Këshilli i Europës, etj.
Për njohjen ndërkombëtare të shtetit të ri të Kosovës kemi tri dukuri:
E para: shpallja e Pavarësisë së Kosovës e njohja e shtetit të saj, u bënë në mënyrë të sinkronizuar e të koordinuar me Uashingtonin e Brukselin, në linjën euro-atlantike SHBA-BE dhe, më ngushtësisht me vendet e të cilësuarit "Grup i Kontaktit për Kosovën", si me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe e Irlandës së Veriut, Republikën e Francës, Repeblikën Federale të Gjermanisë e Republikën e Italisë, që e kanë, në kuadrin e UNMIKU-t, në 5 administrime sektoriale gjeopolitike e ushtarake territorin e Kosovës.
E dyta, të gjitha njohjet janë kryer në planin horizontal nga 54 shtete të vecanta e nuk kemi pasë asnjë njohje vertikale, në bllok, nga ndonjë organizëm ndërkombëtar.
E treta: gjatë vitit të parë të Pavarësisë kemi pasë njohje kualitative, shtete me peshë në botën e sotme.
Këto 54 shtete përbëjnë mbi 71 për qind të GDP-së botërore, 3 nga 5 vendet antare të përhershme të Këshillit të Sigurimit apo 60 për qind e tyre, 7 shtetet antare të Grupit të Kontaktit G-7, 22 nga 27 vendet antare të Bashkimit Europian apo 81.4 për qind e tyre, 22 nga 26 vendet antare të NATO-s apo 84.62 për qind e tyre, 33 nga 47 shtetet antare të Këshillit të Europës apo 70.21 për qind, 33 nga 56 shtetet antare në OSBE apo 62.5 për qind.
Ndër këto shtete, disa kanë fuqi të madhe planetare si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që në vitin 2006 dhanë 22 për qind të të gjitha donacioneve botërore për OKB-në, që për vitin 2006 në NATO 25 shtete kishin 824 bilionë USD financime, ndërsa SHBA 528 bilionë USD. Ndër 10 shtetet kualitative, si SHBA, Japonia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia, Kanadaja, Koreja e Jugut, Hollanda e Australia japin 64.23 për qind të fondeve të OKB-së.
Ndërsa, në vitin e dytë, të sapo nisur, duhet të përqëndrohemi edhe tek njohjet kuantitative, për sa më shumë shtete të botës. Për këto arsye: Nga 192 shtete antare të OKB-së e kanë njohur mbi një e treta e tyre apo 36 për qind, nga 57 shtete të Konferencës së Vendeve Islamike e kanë njohur vetëm 8 prej tyre (Shqipëria, Turqia, Afganistani, Senegali, Burkina Faso, Emiratet e Bashkuara Arabe, Malajzia, Sierra Leone) apo 14.4 për qind, ndërsa 22 shtete antare të Lidhjes Arabe e ka njohur vetëm Emiratet e Bashkuara Arabe apo 4.55 për qind. Asnjë nga 12 shtetet antare të Bashkësisë së Shteteve të Pavarura, ku hyjnë shtete të pavarura të ish-Bashkimit Sovjetik.
Cështja shtrohet qartë: Kur do të pranohet Kosova si shteti i 193-të i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kjo merr më tepër kohë, por edhe don më shumë punë, Finalizimi sa më i shpejtë i këtij objektivi madhor krijon edhe kushte e premisa më të forta për t'u antarësuar në organizma të tjera ndërkombëtare.
E rëndësishme është se Kosovën, kundërshtarët e pavarësisë së saj, nuk arritën, ta formatojnë në njërën nga tre modelet e kohës:
Modeli i parë: ta linin si "Qipron Veriore", që e ka njohur vetëm Turqia, ashtu sic e kishte njohur Kosovën vetëm Shqipëria.
Modeli i dytë: me revoltat e inspiruara, dirigjuara e sfumuara në vitin 2004, ta bënin "Palestinë" në Ballkan, për ta penguar drejt Pavarësisë e antarësimit në OKB, sepse edhe Palestinën e kanë njohur si shtet rreth një e treta e vendeve antare të OKB-së, ka përfaqësi diplomatike në të gjitha kontinetet, porn ë disa dekada ka arritur ta ketë vetëm statusin e vëzhguesit në OKB.
Modeli i tretë: Nuk mundën as në vitin 2008 ta kthenin si "Taivanin", që e kanë njohur 23 shtete të botës, është moshatar me OKB-në, por ende nuk ka dritë në horizont për të qënë antare e saj.
Cështja shtrohet qartë: Kur do të pranohet Kosova si shteti i 193-të i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kjo merr më tepër kohë, por edhe don më shumë punë, Finalizimi sa më i shpejtë i këtij objektivi madhor krijon edhe kushte e premisa më të forta për t'u antarësuar në organizma të tjera ndërkombëtare.
Antarësimi në OKB kërkon bohemë diplomatike, vetëlobing e lobingje të projektuara e të sforcuara, kushte politike, etj. cka faktori shqiptar në Ballkan e bota euro-atlantike në Bruksel e Uashington, pamvarësisht nga lufta me terrorizmin në Irak e Afganistan, lufta në mes Rusisë e Gjeorgjisë, fushata elektorale në Amerikë, kriza financiare botërore, etj. Kosova nuk ka dalë nga rendi i ditës, por as nuk ka arritur atje ku duhej të shkonte me progresin e njohjeve të reja nga shtete të ndryshme të botës, që t'i kishte hapat më të shpejtë drejt OKB-së.
Deri më tani aleanca serbo-ruse, së bashku me aleatët politikë, ekonomik, ushtarak e nostalgjikë, si në Konferencën e Vendeve Islamike, në Lidhjen Arabe, në Bashkësinë e Shteteve të Pavarura, (CIS), Organizatën e Vendeve të Paangazhuara, (NAM), Organizata e Sigurisë Kolektive (CSTO), Organizata e Kooperimit Shangai (SCO), etj. në përballjen diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimin Europian e NATO-n, nuk kanë dalë të fituar, megjithëse kanë bërë të pamundurën nga lobingjet tek kërcenimet, etj.
Nisur nga të gjitha përballjet diplomatike në skenë e prapaskenë, nga kushtet në e nën tavolina pune, nga lobingjet e shteteve të vecanta apo organizma të ndryshme ndërkombëtare, e gjithë puna në këto dy dekada e në dy vitet e pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ka rezultante të vetën numrin e votave nga shtetet antare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Për antarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara duhet të kapërcehen tre pragje shifrore të votave të antarëve të saj.
Pragu i parë: Të kapet medoemos shifra 65 e njohjeve të shtetit të Kosovës.
Deri më tani, në vitet 2008 e 2009, na ka ndihmuar fati historik se boshti serbo-rusë me aleatët e vjetër e të rinj, nuk kanë pasur fuqi të përballen me aleancat euro-atlantike dhe as nuk mund të harxhojnë aq shumë energji për të penguar antarësimin e Kosovës në OKB se kanë pasë cështjet e tyre të brendshme e të jashtme mjaft problematike, sepse do të kishin ndërmarrë ndonjë nismë aventureske për të sponsorizuar ndonjë akt apo rezolutë kundër antarësimit të Kosovës. Për finalizimin e këtij qëllimi të mbrapshtë nuk iu duhen më shumë se 65 vota nga shtetet antare të OKB-së, një votë më shumë se një e treta e përgjithshme. Deri më tani, kjo shifër bllokuese e kërcënuese nuk po arrihet prej tyre, sepse numri i kundërshtarëvve të investiguar e kalkuluar nuk shkon as në 50 shtete, pasi ka një numër të konsiderueshëm që kanë zgjedhur "abstenimin", disa kanë pranuar heshtjen, disa kanë pak njohuri për cështjen e Kosovës, disa i matin ekuilibrat e forcave të tyre e të rrjedhave të kohës, etj.
Kur të kapet numri 65 i njohjeve të shtetit të ri të Kosovës atëherë do të kemi siguruar garancitë se nuk do të ketë bllokim të antarësimit të saj në OKB.
Pragu i dytë: të kapet shifra tjetër e rëndësishme, me 97 njohje të shtetit të ri të Kosovës.
Në rast se, sipas objektivit fillestar, do të ishte arritur numri 97, atëherë nuk do të kishte asnjë shans Republika e Serbisë për ta kaluar rezolutën e saj famëkeqe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtatorin e vitit 2008, cka nuk mund t'i jepte asnjë premisë për t'iu drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare.
Pragu i tretë, që është edhe hap vendimtar, kërkon 128 + 1 votë, që ka për matematikë dy të tretat e numrit të përgjithshëm prej 192 antarësh të OKB-së.
Kjo i mundëson Kosovës të jetë antari i 193-të në OKB.
Cështja, në këtë linjë, shtrohet edhe ndryshe: Në rast se Federata Ruse, si antare e Këshillit të Sigurimit e ndonjë tjetër antar i përhershëm i tij do të ndërmarrin nisma të tjera kundër njohjes institucionale ndërkombëtare të shtetit të ri të Kosovës në OKB, atëherë si do të kundërpërgjigjet faktori shqiptar në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Malin e Zi, etj.
Ka një zgjidhje dy planëshe, që mund të na cojnë apo mund të shkojmë drejt saj:
Zgjidhja e mundshme: Kosova të ndërmarrë një referendum mbarëpopullor lidhur me bashkimin me një shtet tjetër fqinjë.
Kjo mund të shihet në dy plane: Ose bashkim me Shqipërinë, (brenda kufinjëve etnikë natyrorë të kombit shqiptar) ose bashkim me Maqedoninë (brenda kufinjëve të Dardanisë së dikurshme).
Në rast se Kosovës, që është i vetmi shtet në botë që e ka hartën gjeopolitike në Flamurin e saj shtetëror, që ka arritur të sigurojnë 128 shtete + 1 për garanci diplomatike e nismëmarrëse, nuk i sigurohen kufinjtë e saj, si Mitrovica e ndonjë tjetër, nuk e pranojnë në OKB, atëherë do të ndryshohen kufinjtë e Ballkanit dhe Shqipëria ose Maqedonia do të kenë fatin e madh të bashkohen me Kosovën.
Historia nuk do të mbetet peng i Serbisë e as e ardhmja e Ballkanit e Europës së Bashkuar nuk do të mbetet në dorën e saj.
Rendi i Ri Botëror nuk do të merret me Jugosllavinë e vjetër artificiale, të krijuar më 1918-tën, pasi vetë fryma e tij e ka shpërbërë në këto dy dekada, nga viti 1991 deri më 2008.
Në të gjithë Europën e sotme vetëm shteti ishullor i Islandës nuk ka probleme etnike, as brenda vetëvetes dhe as me të tjerët, por, njëkohësisht, në të gjithë Europën, nuk po veprohet si me Kosovën përsa iu përket problematikave të prejardhura historikisht e të krijuara në këto vite artificialisht.
Krijimi i Kosovës si një shoqëri multietnike është sa një e drejtë demokratike edhe një e pa vërtetë historike, sa është një detyrim i organizmave ndërkombëtare është edhe mos obligim i tyre për përmbushjen e standarteve të kërkuara, sa c'është një realitet i sanksionuar në planet e rezolutat e ndërkombëtarëve dhe në dokumetat kushtetuese të Kosovës është edhe një realitet i pazbatuar prej tyre.
Faktori i parë: Nga 192 shtete antare të OKB-së numërohen 147 prej tyre që e kanë përbërjen kryesore etnike apo racore më të vogël se shteti i ri i Kosovës.
Në përbërjen etnike të Kosovës, shqiptarët etnikë janë mbi 92 për qind, minoriteti serbë rreth 5.3 për qind, ndersa minoritetet e tjera kapin mbi 2.7 për qind.
Pra, rreth 8 për qind minoritet i kanë të drejtat e tyre të sanksionuara në kushtetutë e akte ligjore, në flamurin shtetëror, në përdorimin e gjuhëve të tyre zyrtare, në festat e shumta zyrtare, në ndarjet administrative të fundit, etj. Është e vështirë të gjesh në botën e sotme një shtet me 5.3 për qind të popullësisë e të ketë gjuhën e tyre për gjuhë zyrtare, po ashtu sic është Faktori i dytë: Në të gjithë botën e sotme, edhe në shtetet më demokratike të globit, nuk mund të gjendet një minoritet si ky i serbëve në Kosovë, që të jetë kaq i "privilegjuar",minoriteti më i privilegjuar në botë, sic janë serbët në Mitrovicën e Veriut, në disa drejtime atributive e aksidentale: a) Është në kufinjtë gjeopolitik të Kosovës e njeh për shtet të vetin, Serbinë, një shtet tjetër. b) Që i vetëvendosë kufinjtë e vet, që i djegë doganat e pushton gjykatat, që ua shkatërron bizneset një etnie tjetër si shqiptarëve, që nuk i lejon shqiptarët të ndërtojnë shtëpitë e veta në tokën e vet etnike, që i vret shqiptarët e ndërkombëtarët e nuk i kapën ligji as i shtetit, as i kanunit dhe as i xhunglës. c) Që ka kontrabandë, trafiqe e korrupsionin më të lartë në Europë e nuk e kapë asnjë dënim nga UNMIK-u i OKB-së, EULEK-si i Europës dhe as nga shteti i Kosovës apo i Serbisë.
Faktori i tretë: Ndërkombëtarët në Kosovë e jashtë saj, të interesuar apo angazhuar për paqen e sigurinë në rajonin e Ballkanit, në Europë e në Botë, duhet të jenë më unik e aktiv, më të drejtëpërdrejtë e më të shpëjtë, më qëndrestarë e efektivë në parandalimin e veprimtarisë së hapur e të fshehtë të Serbisë për të krijuar "Bosnja" në shtetet e saj fqinjë, sic po vepron në Veriun e Kosovës, në Mitrovicën e Veriut me rrethina me enklava serbe.
Faktori i katërt: Nisur nga e vërteta historike, nga e drejta ndërkombëtare, nga planet e praktikat e Serbisë e aleatëve të saj, edhe faktori shqiptar në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e në Malin e Zi dhe në Greqi dhe në Diasporën Shqiptare në Botë, duhet të ngrejmë më shumë, më fort e më lart, zërin për të drejtat e liritë e themelore të shqiptarëve në trojet e veta etnike.
Serbia ngrenë zërin e tregon muskujt për pakicat serbe në Kosovë, mban peng Mitrovicën e Veriut, ndërkohë shkelë me dhunë shtetërore shqiptarët e Luginës së Preshevës, të Kosovës Lindore, në komunat e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, ecën drejt spastrimeve etnike në mënyrë graduale e të pandalshme. Por duhet medoemos ta ngrejmë zërin edhe për krahinën shqiptare të Sanxhakut, që t'iu kujtojmë serbëve e botës së lirë se c'genocid e spastrime etnike kanë ndërmarrë e realizuar ndaj shqiptarëve që nga Kongresi i Berlinit deri tek Marrëveshja e Rambujesë.
Nacionalizmit primitiv serbë, të prirë nga liderë e forca radikale të politikës së tyre shoviniste të përgjakshme ndaj shqiptarëve, që ngrejnë akuza deri në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për Pavarësinë e Kosovës e Luftën heroike të UCK-së, duhet t'iu kundërpërgjigjemi botërisht e me fakte të shumta.
Vetëm në periudhën nga 24 shkurti 1988 deri më 10 qershor 1999 në tokën etnike të Kosovës Dardane u shpërngulën përkohësisht apo përgjithëmonë nga spastrimi etnik serbë rreth 1 milionë shqiptarë të të gjitha moshave, besimeve e gjinive. U kryen mbi 30 masakra si ajo e Recakut, Podujevës, etj. U vranë mbi 10 mijë civilë, ku 3.400 të zhdukur, u plagosën 3.219 vetë, u burgosën 1.360 vetë. 2.019 nëna kosovare kanë 3.007 fëmijë të traumatizuar përjetësisht.U dogjën plotësisht e pjesërisht 1.007 fshatra, 212.314 shtëpi e objekte të ndryshme, mbi 200 objekte kulti të fesë myslimane, etj.
Greqia i shkelë të drejtat e camëve në tokën e vetë etnike, nuk iu jep as të drejtën ligjitime të pronës, të kthimit në tokën e të parëve të vet, etj. dhe ngrenë zërin edhe për të vrarët e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore në tokat shqiptare, na kushtëzon për integrimet euro-atlantike për të ngritur varreza për ushtarët e vet pushtues në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Shteti i ri i Kosovës, i shtetarit të shquar Ibrahim Rugova e luftëtarit legjendar Adem Jashari, nga janari i vitit 1878 deri më 10 qershor 1999 numëron rreth 3 milionë të vrarë nga Serbia e Madhe e krajlëve kriminelë e kriminelëve krajlë të tipit Sllobodan Milloshevic.
Shteti i ri i Kosovës, në dy dekadat e fundit, ka ecur nga Deklarata Kushtetuese për Pavarësi më 2 korrik 1990, nga Rezoluta e 22 shtatorit 1991 për shpalljen e Kosovës Shtet i Pavarur e Sovran tek Deklarata e Pavarësisë më 17 shkurt 2008, nga Kushtetuta e Kacanikut e 7 shtatorit 1990 deri tek Kushtetuta e Kosovës e 15 qershorit 2008, nga Referendumi Mbarëpopullor i Kosovës më 26-30 shtator 1991 për shpalljen e Pavarësisë deri tek "Referendumi" ndërkombëtar për njohjen e Pavarësisë së saj si Shtet i Pavarur e Sovran nga 54 shtete euroatlantike e nga e gjithë bota e lirë në të 6 kontinentet.
Kosova do të jetë Shteti më i ri botës, do të jetë shteti i 193-të i OKB-së, shtet antar i Bashkimit Europian e NATO-s, i Këshillit të Europës e OSBE, etj., sepse i ka 4 shtylla në themelitë e lartësitë e saj.
Shtylla e parë: Faktori shqiptar në Kosovë e në Ballkanin Perëndimor që zenë vendin e parë për numrin e martiravë të lirisë e pavarësisë kombëtare shqiptare, që zenë vendin e dytë për nga potenciali demografik, me rritjen e popullsisë më të lartë në Europë, me moshën më të re në Europë, gati dy herë më e lartë se ajo e Bashkimit Europian, etj.
Shtylla e dytë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që Presidenti Xhorxh Bush e vendosi "Vijën e Kuqe" për mbrojtjen e saj, që Presidenti Klinton e ndërmori Luftën e 24 marsit 1999 për Lirinë e saj, që Presidenti Xhorxh Bush (i Riu) e ndezi "dritën jeshile" për Pavarësinë e saj, që Presidenti Obama premton për integrimin e saj. Që Amerika derdhi e po derdhë më shumë se cdo shtet tjetër i botës, fonde e energji për ndërkombëtarizimin e saj, për luftën e saj, për mbrojtjen e zhvillimin dhe integrimin e saj në hapësirat euro-atlantike e botërore.
Që si vend lider i botës e kohës së sotme dhe i NATO-s është garancia e sigurisë së saj, është fuqia kryesore e ngritjes e cuarjes së saj drejt njohjeve të reja ndërkombëtare, drejt antarësimit në Bankën Botërore e Fondin Monetar Ndërkombëtar, drejt antarësimit në OKB, etj.
Shtylla e tretë: Bashkimi Europian, që e ka Kosovën "Modelin e Vet", që vetëlobon për njohjen e saj ndërkombëtare si Shtet i Pavarur e Sovran, që e ka e marrë përsipër rindërtimin e zhvillimin e saj me Misionin EULEX, me përfshirjen në EURO-ZONË, me investime, etj.
Shtylla e katërt: është vet OKB, që, sipas Rezolutës 1244, nga 10 qershori 1999 deri më 17 shkurt 2008, e coi nga Liria në Pavarësi, sit ë vetmin vend në botë si "Protektoriat Ndërkombëtar" të saj, që Misioni i saj UNMIK, po ia lenë stafetën e përgjegjësisë historike Misionit EULEX të Bashkimit Europian, që agjensitë e saj japin kontribute në Kosovë, etj.
Shtylla e pestë: Është vetë NATO në Kosovë, që ka 10 vjet si mburojë e garanci e Lirisë e Pavarësisë së saj dhe Kosova është rasti i parë i ndërhyrjes së saj ushtarako-politike, është shembulli më i mirë i suksesit të saj.
Këto shtylla të kohës, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian, si NATO e OKB, janë shtylla që e mbajnë botën e sotme në ekuilibra e progrese, ndaj do ta lartësojnë Kosova tregoi në këto dy dekadat e fundit se sa shumë ka ndryshuar Bota dhe kjo Botë Ndryshe, në vitet që vijnë, ndoshta më 2013 a 2014, do të tregojnë se sa shumë do të ndryshojnë Kosova e Kombi Shqiptar në Ballkan, sa shumë do të ndryshojnë Vlora e Ismail Qemalit, Vlora e Flamurit të Pavarësisë Kombëtare Shqiptare të Nëntorit 1912, Vlora e Kaninës dhe e Sazanit, Vlora e Shqiptarisë.
Ramiz Lushaj
Drejtor Ekzekutiv i Qëndres Shqiptare
të Studimeve Amerikane e Britanike,
TIRANË
Vlorë, 17 shkurt 2009