XHON BELUSHI GJENIU SHQIPTAROAMERIKAN I SKENËS DHE EKRANIT BOTËROR
Përveç filmave ku ka luajtur, përveç albumeve muzikore në emër të "Blues Brothers" (Vëllezërit bluz), John Belushi, ndoshta edhe për vdekjen e parakohëshme nga një mbidozë droge, ka zënë vend midis miteve të këtyre dhjetëra viteve të fundit. Djalë i emigrantit shqiptar dhe pronar restoranti Adam Belushit (nga fshati Qytezë i Kolonjës), si dhe e nënës së tij Agnes, John Belushi lindi në Çikago më 24 janar 1949, gjashtëdhjetë vjet më parë, por rritet në rrethinat e Wheaton (Illinois) ku prindërit, transferohen kur John sapo i kishte mbushur gjashtë vjet. Merr diplomën më 1967 dhe tashmë është popullor midis bashkëmoshatarëve të tij për zakonin e tij që t'i bëjë të qeshin në shfaqje të ndryshme të organizuara nga shkolla. Kështu, i trimëruar nga profesori i tij i artit dramatik, vendos ta braktisë projektin e tij për t'u bërë trainer futbolli, me qëllim që t'i përkushtohet karrierës së aktorit dhe kundër dëshirës së babait të tij që do ta donte atë përkrah vetes në drejtimin e punëve të restorantit.
Në shkurt të vitit 1971 thirret në Çikago për t'u provuar për një rol në komedinë "Qyteti i dytë" (Second City) dhe menjëherë merret në rolin e parashikuar. Në atë kohë sapo i kishte mbushur 22 vjet dhe anëtarët e tjerë të trupës së aktorëve të komedisë e kuptojnë se ai djalë kishte lindur për t'ua rrëmbyer atyre skenat. Shfaqja, me përmbajtje të mprehtë satirike, zhvillohet gjashtë ditë në javë dhe ia bën të mundur aktorit John Belushi të imponohet nëpërmjet karakteristikave që do të përkryheshin te ai në të ardhmen: luan rolin e kryebashkiakut të Çikagos, luan Hameltin, e mbi të gjitha Joe Cocker. Ky personazh i fundit bën që aktorin ta marrë regjisori Toni Hendra, i cili e donte për shfaqjen e tij "Lemming", e cila deri në atë çast nuk kishte pasur sukses.
Pikërisht në atë kohë Belushi fillon të përdorë drogat, anfetaminat. Kur e pyEsnin si ia bënte që ndjehej aq i qetë në skenë, ai përgjigjej "sepse është i vetmi vend ku unë e di se çfarë bëj". Interpretimi i Joe Cocker për shfaqjen e re bën që teatrot të tronditen si nga tërmetet prej duartroktijeve. Dhe njerëzit rendin nga të katër anët për ta parë. Zëri i tij duket pikë për pikë si zëri i Joe Cocker. Lëvizjet e trupit janë krejt si të atijat, po ashtu lëvizjet e krahüeve dhe të duarve ngjajnë në mënyrën më mbresëlënëse ai ato të këngëtarit të famshëm në koncertin e paharrueshëm të Woodstock.
Në vitin 1975 ai hyn në shtëpitë e të gjithë amerikanëve me programin televiziv "Saturday Night Live" (Natën e së shtunës drejtpërdrejt), një shfaqje (show) që bashkon komicitetin dhe muzikën rok dhe që imponohet para së gjithash tek të rinjtë. Aty lind ideja e krijimit të grupit muzikor "Blues Brothers" të cilën ai do ta zhvillonte me mikun e tij Dan Aykroyd. Më 1975 luan edhe në "tarpani, Mbreti i Xhunglës". Në vitin 1978, ndërkohë që ende luante në Saturday Night Live, John luan në filmin "Goin' South" (Duke shkuar në Jug) ku është përballë aktorit dhe regjisorit të filmit Jack Nicholson. Ndërkaq John Landis e kërkon në filmin "National Lampoon's Animal House". Dhe pavarësisht se ai shfaqet vetëm në nja dymbëdhjetë skena të filmit, është çelësi i suksesit të filmit, i cili sot është shndërruar në film kult pikërisht falë personazhit ndyracak të studentit endacak të "Blutarski" interpretuar nga John Belushi. Kështu John Belushi shkon në Nju Jork bashkë me të fejuarën e tij të asaj kohe Judy Jacklin.
"Animal House" (Shtëpia e kafshëve) është film i vitit 1978 dhe pas tij vijnë "1941-Allarme ad Hollywood" (1979) me regjisorin Steven Spielberg, në të cilin John interpreton pilotin e çmendur pijanec e luftarak, "The Blues Brothers" (1980) në të cilin bashkë me Dan Aykroyd interpreton personazhe televizive tashmë të njohur duke arritur të përfshijë në projektin e tij idhujt e tij muzikor të përhershëm Ray Charles, Bo Diddley, Aretha Franklin, John Lee Hooker e James Brown. Tashmë John Belushi është një yll i njohur në të gjithë botën. Ndërkohë John Belushi dhe Dan Aykrod kishin nxjerrë albumin muzikor po ashtu të suksesshëm "A Briefcase Full of Blues" (Një paketë postare plot me muzikë bluz).
Edhe pse në role duket paksa ku rafsha mos u vrafsha, në jetë ai është i përkushtuar ndaj të tjerëve. Ai është një filantrop i vërtetë e i mirëfilltë. Mbi të gjitha i ndihmon prinderit, duke ua blerë një fermë jashtë San Diegos. I ndihmon miqtë e tij të Çikagos në bizneset e tyre. E ndihmon vëllain e vogël Jim (Xhim) për t'ia hapur rrugën për në cinema. Xhim Belushi (James Belushi) bëhet një aktor i afirmuar brenda pak vitesh.
Por John është naturë tejet delikate, tejet e pasigurtë dhe vetëshkatërrues, ai shndërrohet përherë e më tepër skllav i drogave. Ai do të bënte edhe dy film edhe më të përkryer, "Continental Divide" (Ndarja Continentale) dhe "Neghbors" (Fqinjtë) në të cilët shpaloset gjithë gjenia e tij jo vetëm në role komike, por edhe në role të gjinive të tjera. Në vitin 1982 John Belushi gjithashtu e filloi punën në filmin e ri "Noble Rot". Ai luajti edhe në serialin "Guest Star Appearance" në episodin "Police Squad!" ku John interpretonte nën ujë veshur me çizme të mëdha. Ai vdiq pak para se pjesa të transmetohej, kështu që skena ishte prerë dhe zevendësuar. Pas suksesve në "Naked Gun" në fillim të viteve 1990, ABC-TV ritransmetoi "Police Squad!" dhe shüresonte të ritransmetojë skenat e Belushit, por regjistrimet nuk u gjetën dhe mendohet të jenë shkatërruar. Roli i Dr. Peter Venkman në filmin "Ghostbusters" (1984) ishte parashikuar në origjinal të luhej nga Belushi, por pas vdekjes së tij e luajti kolegu i tij në Satudy Night Live, Bill Murray. Ai kishte nënshkruar gjithashtu kontratën për luajtur në filmin "Once Upon a Time in America" (Na ishte njëherë Amerika).
Më 5 mars 1982, në moshën 33-vjeçare, John Belushi, gjendej i vdekur në një dhomë hoteli
në Sunset Bulevard të Hollivudit, ku ai kishte shkuar për të nëshkruar një kontratë për disa filma me studion Paramount. Ai vdiq nga një mbidozë heroine, në rrethana, në të vërtetë, as sot e kësaj dite të pasqaruara dhe të ngjashme me ato që në dhjetëvjeçarin e mëparshëm kishin parë e provuar bota e muzikës rok e artistëve si Jimi Hendrix, Janis Joplin, Brian Jones, Jim Morrison: të gjitha fatalisht me një J në emrat e tyre.
Në krye të funeralit të John Belushit do të ishte miku i përhershëm, Dan Aykroyd. Aktorin John Belushi e vënë në motoçikletën e tij dhe e përcjellin deri në varr. Ai mbante veshur xhaketën e tij prej lëkure të zezë dhe xhinsat e tij të zes. Dhe kur bora filloi të bjerë, miku i tij, kompozitori dhe këngëtari James Taylor sipër varrit të John Belushit këndoi "That Lonesome Road" (Ajo rrugë vetmitare). Ishte e pamundur që njerëzit të mos e dashuronin atë figurë të çiltër dhe shprehëse të atij këngëtari-aktor me një gjallëri mbresëlënëse që nuk iu shlyhet njerëzve nga kujtesa kurrë. Shfaqja e tij në skenën e artit amerikan dhe botëror, edhe pse e rrufeshme si e një meteori, ka qenë një ngjarje e jashtëzakonshme në vitet 1980. Shumëkush e ka vlerësuar karakterin e tij vërshues, zemërak, krejt të veçantë, sepse ishte kundër të gjitha atyre rregullave konvencionale brenda të cilëve njerëzit ndjehen të getoizuar.
Më 1 prill 2004 John Belushi u nderua me një yll në Shetitoren e Famës të Hollivudit (Hollywood Walk of Fame), 22 vjet pas vdekjes së tij. Ceremonia drejtohej nga Jim Belushi, vëllai i John Belushit, si dhe nga miku i tij Dan Akyroyd. Në ceremony merrnin pjesë edhe e veja e John Belushti, Judith Belushi-Pisano, si dhe aktori me të cilin kishte luajtur në Saturdy Night Live, Chevy Chase.
Shumë nga miqtë, të afërmit dhe kolegët e tij morën pjesë në ceremoni. Mes tyre ishin edhe fituesja e çmimit Oscar Mary Steenburgen me të shoqin, aktorin Ted Danson, i vëllai, aktori Jim Belushi, si edhe aktorët e emisionit humoristik "Saturday Night Live", Chevy Chase, Laraine Newman dhe Dan Aykroyd. "Ai ishte një udhëheqës, një artist i madh dhe një biznesmen i zgjuar. Ai ishte partneri im dhe miku im më i mirë dhe ditët tona ishin të mbushura me humor dhe me gjithë sfidat e një marrëdhënieje të afërt", tha aktori.
Aktorja Steenburgen tha se ajo kishte interpretuar në filmin e saj të parë me Johnin.
"Unë interpretova në filmin tim të parë me Johnin, "Duke shkuar në Jug", që ishte edhe për mua filmi i parë, me regjisor Jeck Nicholson. Unë e kalova shumë mirë me të gjatë xhirimeve. Ai ishte shumë i mirë me mua". Ndërsa vëllai i tij, aktori Jim Belushi tha: "Nuk e di se çfarë do të mendonte ai. E kush e di se çfarë mendonte ai. Kjo e bënte atë aq me humor. Nuk mund ta parashikoje kurrë. Ai gjithmonë thoshte diçka të papritur. Ju betohem që asnjëherë nuk e dija se çfarë do të thoshte".
Atmosfera e ceremonisë ishte e mbushur me kujtime të përmalluara, por edhe me një ndjenjë të prekshme të mungesës së aktorit.
Në një rast, vëllai i tij, Xhim Belushi, aktor i njohur, është shprehur se "Xhon Belushi ishte ndoshta viktimë e suksesit të papërmbajtur të humorit të tij të shfrenuar". Viktimë e një dukurie në boten e artit, që kritikët e artit shpesh e cilesojnë si sindroma e suksesit të rrufeshëm i shoqëruar nga një padurim i tmerrshëm që e bën një yll të nxitojë për të arritur në majën më të lartë sa më shpejt që të jetë e mundur.
Varri i tij ndodhet në Masachusets, në varrezat Chilmark në Marthas Vineyard ku Xhon e Judith Belushi sapo kishin blerë një shtëpi të re në këtë rajon të pasur të Shteteve të Bashkuara./Elida BUÇPAPAJ