VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - UKSHIN HOTI, PRINCI I VËRTETË I KOMBITNga RAMIZ LUSHAJ

                                                                                      

E Premte, 11.01.2024, 12:17am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
UKSHIN HOTI, PRINCI I VËRTETË I KOMBIT
Nga RAMIZ LUSHAJ

E Shtunë, 12.13.2014, 08:33pm (GMT+1)



1.
Markët e Hotit të Vendit skej liqenit të Plavës herët, para Luftës të Ultinës së Epërme të Limit (Luftës së Nokshiqit), u shpërngulën pa kthim nga bashkësia territoriale e fisit të vet dhe ranë me ngulim jetese në Krushë të Madhe të Rahovecit në rajonin e Gjakovës, në brigjet lyshterore të Drinit të Bardhë, në një kodrinore me l.m.d. 315 m. Hotjanët u shtrinë edhe në Krushë të Vogël e në Smolicë të Gjakovës. E krijuan një vllazni degëmadhe unitare gjaku e pragu e veprimtare kombëtare. Për mbiemër e mbajtën emrin e fisit të vet lavdiplotë Hoti.

Në Krushë e Madhe, më 17 qershor 1943, u lind Ukshin Hoti në një shtëpi luftëtare të pushkës e të penës, ma i madhi ndër gjashtë fëmijët e Nazif Hotit.

I ati i tij, Nazifi, e ndihmoi luftën edhe ma herët po në fundvitin 1944 u rreshtua me pushkë krahut në formacionin partizan ma të madh të Kosovës, në Brig. VII me komandant Shaban Haxhinë e Bytyçit. Ai luftonte kundër nazizmit gjerman tue prit jetësimin e idealit vendimor të Konferencës së Bujanit për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Për disa kohë punoi mësues në Krushë e Madhe. E përndoqi regjimi jugosllav me arrestim e dënim të randë nën akuzën "Nacionalist shqiptaromadh". Pastaj punoi depoist e mbasandejna gazetashitës i "Rilindjes" të Prishtinës. Ai vuante nga sëmundje kronike. Pagën e merrte të vogël sa për mbijetesë, po kurrë nuk mungonin prurjet e librave e gazetave shqip në shtëpi për fëmijët e tij: Ukshinin, Ragipin, Hidajetin, Myrveten, Resmijen e Afrimin.

Ukshin Hoti nga prapa hekurave jo rrallë i amanetonte të motres: "Myrvete, keni kujdes për bibliotekën!". Në atë shtëpi të vogël ishte një bibliotekë e madhe, një thesar i ndritshëm, të cilën shpeshtas e përmbysën me kontrolle e grabitje për "prova" udbashët e Titos e të Millosheviçit derisa në kohën e "Luftës të Kosovës" (1999) serbët shovinistë e gjakatarë antishqiptar e dogjën sëbashku me punimin ekselencë dorëshkrimor të doktoraturës të tij të pambrojtur edhe për shkak të tematikës tejet nacionale e jehonës së pritshme paneuropiane.

Rahoveci është vend i njohur për trimëri e dituri; është vendlindja e "Balzakut shqiptar"- shkrimtarit të madh Sulejman Krasniqi i bajrakut të Hoçës së Vogël; është vend i pasur me minerale, perime, vreshta, ujëra; po njëherash është edhe vend mozaik i fiseve të Kanunit të Lekës e i viseve shqiptare nga Plavë-Gucia në Tetovë e nga Podgorica në Prishtinë. Nana e Ukshin Hotit është nga Xërxa e Rahovecit, nga dera e Rrustem Danajt. Kjo Xërxa e "Urës së Shenjtë" e "Eksodit "˜99" i ka gjithato fise: thaçët, gashët, krasniqas, morinas, berishas, kabashët e bytyçasit, po nuk e di se cilit fis i përket ajo. Sidoqoftë, Fatime Danaj, me zgjuarësi natyrale, prej nga viti 1941 kur hyri nuse në derën e Nazif Hotit të Krushës së Madhe u çmua si amvisë e mirë e magjes e sofrës dhe punëtore bolleku e kopshtit e arës për me e mbajt bujarinë e shtëpisë e rritjen e fëmijëve. Çdo zemër nane ka vend dashurie për të gjithë fëmijët e saj, po Fatime Hoti (Danaj) dukej se kishte "dy" zemra, njana prej tyne vetëm për Ukshin Hotin. E kjo ndoshta për vet sakrificat e shkollimit të tij të largët, për fatalitetet e tij të pafundme në burgjet jugosllave e serbe, për rikthimet e shpeshta e të gjata në shtëpinë e tij të lindjes e shumëherë i izoluar apo vetmitar, për kohëndejen ma të madhe e mallëpritjen e pashuar për djalin e saj. Kjo nanë shqiptare rahoveciane ndrroi jetë në vitin 2004 me "dy" zemrat e djeguna për të birin e saj legjendar e thonë se sytë i kishte të pambyllun e me vështrim nga dera...

Pritje e gjatë, e vështirë, e dhimbshme, prej 16 majit 1999...Presim të gjithë Ukshin Hotin: nana e tij në parajsë, Krusha e Madhe e lirë, qielli e toka e Kosovës dardane, kombi ynë i copëtuar në gjashtë shtete ballkanike.

Ukshin Hoti, politikan vizionar e qëndrestar, filozof kombëtar i sakrificës, shkrimtar, publicist e pedagog i mirënjohur, sipas ambasadorit shqiptar, dr. Islam Lauka: "është nga ata njerëz që ka datë të lindjes, por për shkak të madhështisë së tij, veçantisë së tij, jo si të gjithë njerëzit e zakonshëm, nuk ka datë vdekje, ai nuk ka as varr, sepse diktatorët e egër me shekuj ua kanë pasë dhe ua kanë frikën kundërshtarëve" të tillë Ante në rritje, sepse varri i tij "mund të kthehej në Mekë, mund të kthejë në qendër të pelegrinazheve e frymëzim për përmbysjen e diktatorëve".

2.
Ukshin Hoti, i shndërruar tashma në histori, i kthyer në legjendë, një pjesë të madhe të jetës e kaloi në vendlindje, në Krushë të Madhe, në këtë vend me evente e figura të mëdha historike.

Sot, Krusha e Madhe është edhe ma e madhe me emrin e veprën e Ukshin Hotit.
Kit' vis etnik të Dardanisë (ilirisht-vend i dardhave) e udhëpërshkoi në vitin 1908 albanologia britanike Edith Durham, e cila u mirëprit edhe nga hotjanët e atyhit. Ajo shpjegon: "krusha" është serbisht, pasi dikur ky emërvend thirrej "dardhë", ndërsa pas ndarjes etno-administrative të mavonshme mbiemri "e madhe, e vogël" iu ka mbet shqip. Edhe në Guci kemi vendbanimin Krushevo (dardha) po nuk ia dijmë mirëfilli lidhjen plotore me Markët e Hotit të Vendit e me këto dy vendbanime "krusha"me emra të hershëm ilir "dardha".

Në fillimvitin 1878, pak muaj para LSHP, një nga ideologët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, poeti Pashko Vaso Shkodrani, me detyrë zv/vali në Vilajetin e Kosovës, i ka shkrue në Krushën e Madhe vargjet e kangës-hymn "O Moj Shqypni, e mjera Shqypni", e cila u shpërnda si trakt, u këndue edhe në fronte të luftës. Enciklopedisti Sami Frashëri në Stamboll në një letër çue arbëreshit Jeronim De Rada më 20 shkurt 1881 vlerësonte se kjo kangë "...u ba "Marsejeza" e popullit Shqiptar". Kit' kangë e kishte për zemër edhe Ukshin Hoti i historisë e nana e tij Fatimja kënaqej kur e nijke tue e recitue plot aktrim shpirtëror në shtëpinë e tij njëkatëshe në Krushë të Madhe.

Diplomati e politikani i karierës, historiani Pashko Vasa, ka fol për prejardhje të Hotit nga fisi ilir i Autariatëve. Ai, kur ishte me detyra perandorake në Hercegovinë e në Kosovë (1877-1878) ka qëndrue përkohor të paktën dy herë në kazanë e Gucisë, është takue me Ali Beg (Pashë) Gucinë, me bajrakët e atyshëm Vuthaj, Martinaj e Arzhanicë, me hotjanë të Plavës, sikurse shpeshherë është mikëpritur shqiptarisht edhe në oda malësore të hotjanëve në Krusha, tek paraardhësit dinjitarë të emblemës Ukshin Hoti.
Hotjanët e Krushave të kazasë të Rahovecit, sëbashku me Hotin e Vendit në kazanë e Gucisë, me Hotin e Rrafshit në kazanë e Tuzit, me hotjanët e Sanxhakut Shqiptar (Tregu i Ri), etj., të prirë edhe nga bajraktari i Hotit, Çun Mulaj, përkrah ushtrisë të LSHP e forcave të Ali Beg Gucisë, morën pjesë në dy betejat frontale të Luftës së Nokshiqit (4 dhjetor 1879-11 janar 1880) në mbrojtje të krahinës etno-historike të Plavë-Gucisë nga pushtimi e aneksimi prej Principatës të Malit të Zi. Kjo luftë legjendare në dy anët e Limit të Epërm është prologu, parathënia e Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare Shqiptare në Vlorën e 28 Nëntorit 1912 e në Kosovën e 17 shkurtit 2008, ishte frymëzim i vrelltë i politikanit Ante në rritje, Ukshin Hotit.

Në Krushë e Madhe, në një qerre e i rrethuar nga bajoneta të ushtarëve otomanë teksa e çonin familjen e Shaqir Currit në burgun e atyshëm, lindi në vitin 1862 Heroi i Popullit, i krasniqasi i Malësisë së Gjakovës, kolonel Bajram Beg Curri, udhëheqës popullor, ushtarak, diplomat, ministër, senator. Në këtë fshat anadrinas me mbi 7.000 banorë, ma i madhi i Kosovës së sotme, ende fisnikëron emri i Bajram Currit tek emërtimi i shkollës fillore-mesme-ulëta (SHFMU "Bajram Curri") dhe tek shoqëria kulturore-artistike (SHKA "Bajram Curri").

Në kit' vendbanim të dokumentuar kah shek. XV (v. 1348) me emrin Krushë e Madhe, kanë kalue, ndejt, kuvendue apo luftue figura të njohura të LSHP, Lidhjes së Pejës e të Pavarësisë Kombëtare të Vlorës si Ymer Haxhi Prizreni (Drini), Abdyl Bej Frashëri, Haxhi Zeka (Byberi), Ali Pashë Gucia, Sylejman Vokshi (Lokaj), Mehmet Pashë Dërralla (Tetova), Binak Alia (Mulosmanaj), Hasan Beg Prishtina (Berisha), Isa Beg Boletini, Din Bajram Bajraktari i Shipshanit me të birin Bekën, Ahmet Koronica (Gjakova), Ali Ibër Neza, katër nga firmëtarët e Aktit të Pavarësisë: Mit'hat Bej A. Frashëri, Bedri Beg Pejani, Rexhep Beg Mitrovica, Salih Gjuka (Xhuka), e të tjerë. Kush e ka njoft nga afër Ukshin Hotin e din fort mirë sa e adhuronte ai jetën e veprën e Plakut të Maleve, Bajram Curri e të patriotëve të tjerë rilindas të trevës dardane e të kombit shqiptar.

I përflakuri për komb e i përgjakuri nga serbët, politikani lider, Ukshin Hoti, në vetëdijen e tij kombëtare u rrit me hoje mjalti të historisë dardane të trevës së vet etnike, antike e moderne. Ai ka pasë rast me prek me duar edhe pllaka të moçme si ajo në Riti (Retia) të krahinës rahoveciane, me tekst latin"...et Sitae F(ilio) sumi cor(niculario) c(o) hor(tis) pri(mae) Dardanorum V(i) ixit an(nis) XXX b(ene) m(erenti) P(osuit)"ei shqipëruar:"i Siti të birit Sume flamurtarit të kohortës së parë të Dardanëve". Ndoshta, Papa Sixtus V (1585-1590) i familjes Pereti, për të cilin Edith Durham na djenon:"ishte fëmijë refugjati i ardhur prej një vendi...të quajtur Krushevo, të cilin e italianizuan dhe e adaptuan...", mundet të jetë nga Krusha e Rahovecit, nga Krushevo e Gucisë apo nga një Krushevo e vjetër në Margegaj të Malësisë së Gjakovës, ku arkeologët flasin edhe për një manastir të madh mesjetar.

Ukshin Hoti u brumue edhe me historitë me trimëri, dituri e lavdi të fisit të tij të Hotit, që sipas albanologut Milan Shuflaj e kishte vendbanimin rrënjas në brigje të Limit e liqenit të Plavës të dokumentuar qyshse në vitin 1330. Për emrin e madh të këtij fisi të moçëm të Ukshin Hotit edhe "Historia e Popullit Shqiptar" jep dëshmi se: "Krahas Balshajve, Kastriotëve, Dukagjinëve, Jonimëve, Zahariajve e Spanëve, në Shqipërinë e Epërme ka pasur edhe një numër familjesh të tjera me peshë në jetën politike shqiptare, veçanarisht gjatë shek. XV. Këto familje kanë qënë Gjurashët (Cërnojeviçët), Dushmanët e Drishtit, Hotët, Shestanët, etj." Pjesmarrja masive e heroike e fisit të Hotit në Betejën Pipër-Palabardhit (1796), Betejën e Ostrogut (1853) e Betejën e Grahovës (1858); në luftërat në mbrojtje të Plavë-Gucisë si në Luftën e Nokshiqit, atë të Hotit e Grudës, etj. e frymëzuan gjatë gjithë jetës, Ukshin Hotin, që të jetë qëndrestar në lartësitë e realitetit e në kufijtë e legjendës.

3.
Ukshin Hoti, njeri i ditur në peshën e kohës e vargninë e brezave, ka një jetë me përpjekje të mëdha për arsimim e dituri me përngasi përafrie sikur vet përpjekjet e pandaluna e titanike të Kosovës për liri e pavarësi. Lufta e shumfishtë për Dituri dhe Pavarësi është pothuaj e njësojtë, e njëkohshme, e nderlidhur ngultas e nyjas në mes tyre në gjithato bashkari ecjeje e arritjesh, pasi pa të parën nuk sigurohet e dyta e, pa të dyja, jeta është e mangët. Një njeri i ditun e i lirë është vendimamarrës garant e maturor për pavarësinë e sovranitetin e tij e të kombit të vet. Njësoj si Ukshin Hoti e Kosova...në (pa)ngjashmëritë e tyre.

Në Krushë e Madhe, në shkollë fillore, Ukshin Hoti përveçohej si inteligjent, ma i miri në mësime, po atëbotë aty nuk kishte shkollë të plotë tetëvjeçare, ndaj iu desht me ba disa kilometra larg me vajtje-ardhje të përditshme për në Rogovë të Hasit, ku edhe atje ka familje hotiane.

Nën kulmet e saj shtëpia kishte hallet e veta, po edhe në zemrën e Ukshin Hotit dlirte dëshira për arsimim të matejshëm. Prindërit e regjistruan në Normalen e Prizrenit për mësues, po vitin e katërt e të pestë i përfundoi në Prishtinë. Si gjithnji shkëlqyeshëm.
Kur mësonte në Prishtinë punonte edhe spiker në Radio Prishtina, tue e mbajt veten me dinarët (lekët) e tij, tue e lehtësue nga mbishpenzimet shtëpinë e vet. Kësokohe iu ndezën edhe shkëndijat e pasionit për gazetarinë, një ëndërr dhe realitet i pandarë i jetës së tij. Duket se kësaj udhe po gjurmë ecën edhe vajza e tij, Ertela Ukshin Hoti, moderatore e Radio Televizionit të Kosovës.

Pasi e përfundoi Normalen e Prishtinës u kthye në Krushë e Madhe e në atë shkollë që dikur ishte nxënës filloi përkohësisht mësues i fshatit. Kështu nisi një udhë tjetër e re në ardhmërinë e Ukshin Hotit: të bahej pedagog universitar, një shkenctar i nivelit të lartë.
Ukshin Hoti vazhdoi Universitetin e Zagrebit (Kroaci) e, megjithëse punonte edhe në kooperativat studentore të ardhurat e tij ishin disi të pakta. Në këto kushte e rrethana, Ragipi - i dyti ndër vllaznit Hoti, shkoi si punëtor fizik në Zagreb, iu gjend pranë e iu doli krah Ukshinit e familjes së tij në Krushë e Madhe. Hoti student, prapë, si gjithmonë: shkëlqyeshëm në studimet universitare.

Shteti jugosllav ia çon fletë-thirrjen për shërbim ushtarak të detyrueshëm në Beograd, në kryeqytetin e Serbisë. Atje, paralelisht, njëkohësisht, mirësisht regjistrohet e kryen me vetëdashjen e tij pasionante shkallën e tretë të studimeve: magjistraturën në lëmin e shkencave politike. Formati i tij për zyrtar, karakteri i fortë, dituritë e arritjet e larta i hapën dyert shqiptarit nga Kosova, Ukshin Hotit të Krushës së Madhe të Rahovecit, për me punue një farë kohe për mbijetesën e vet e të familjes edhe "në Beograd, në administratën shtetërore të Ish-Jugosllavisë". Pas do' kohe kthehet në Kosovë, në intinerarin e tij të përjetshëm, në dy kryeqendrat e tij të përbotshme: Krushë e Madhe - Prishtinë.

Ukshin Hoti, pasi bie në kundërshti jo të pakta e të forta me disa kuadro të lartë të atëhershme të Kosovës, pikërisht në moshën e Krishtit (v. 1978-'79) shkoi për studime pasuniversitare kërkimore-shkencore në tre universitete amerikane: në Harvard, Çikago, Uashington (D.C.), Kembrixh, për shkenca politike (filozofi); marrëdhënie ndërkombëtare, politike e ekonomike; të drejtën ndërkombëtare.

Në kualifikimet e tij në Amerikë Ukshin Hoti fitoi një trajtim jashtëzakonisht të lartë. Rektori i Universitetit katër shekullor të Harvardit e emëroi si hulumtues shkencor i pavarur. Në një takim me znj. Rosalyn Carter (bashkëshortja e ish'presidentit amerikan, Xhimi Karter) në universitetin e Uashingtonit (D.C.) u zgjodh si i vetmi intelektual që do të përfaqësonte të gjithë specializantët dhe postdiplomistët e Europës në SHBA. Në këtë cilësi Ukshin Hoti ka marrë pjesë aktivisht nëpër simpoziume të ndryshme shkencore dhe ligjërime të intelektualëve autoritativ, por edhe në shumë takime që i organizonin senatorë, kongresmenë e përfaqësues të tjerë të administratës amerikane. Profesorë amerikanë japin vlerësime të veçanta për studentin e tyre shqiptar nga Krusha e Madhe e Rahovecit duke u shprehur botnisht: "jam shumë i nderuar që e kam njohur Ukshinin", është "një njeri modest, por me plot virtyte dhe kurajo intelektuale", "filozofia e tij jeton sot në Kosovën e lirë dhe të pavarur një kauzë të cilës ai i besonte shumë", etj.

Profesori i tij harvardian, Stephen Larrabee, personalitet amerikan, në një letër përcjelljeje kujton, nderon e lartnon (ndër)kombëtarisht emrin e veprën e Ukshin Hotit: "U takuam shumë rastësisht, por shumë shpejt kuptuam se kishim shumë interesa të përbashkëta, në veçanti një interes për fatin e Jugosllavisë, që në atë kohë tregonte shenja të shpërbërjes dhe të dobësimit. Kemi kaluar me orë të tëra dhe momente të paharrueshme duke diskutuar se si do të mund të arrihej pavarësimi i Kosovës dhe çfarë ndikimi do të mund të kishte në sigurinë e Ballkanit dhe të Europës. Gjatë asaj kohe (1977-"˜78) shumë pak njerëz në Perëndim mendonin për Kosovën por edhe më pak kishin ndonjë ndjesi për rolin e rëndësishëm që Kosova mund të kishte një dekadë më vonë në formësimin e së ardhmes politike të Jugosllavisë. Por, derisa dëgjoja Ukshinin të fliste me plot pasion rreth historisë së Kosovës, atëherë kuptova se sa e kam nënvlerësuar vendosmërinë dhe pasionin që digjej aq thellë në shpirtin e tij si dhe të shumë shqiptarëve të Kosovës në përpjekjet për pavarësi. Pasioni i tij për kauzën e pavarësisë së Kosovës më ka prekur thellë dhe që nga ai moment kam filluar t'i kushtojë më shumë vëmendje zhvillimeve në Kosovë. Në fund të pranverës së vitit 1978, - shkruan më tej Larrabee - u largova nga Harvardi për t'iu bashkuar personelit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Presidentit Karter, ku ndër të tjera isha përgjegjës edhe për çështjen e Jugosllavisë dhe pas kësaj nuk pata rastin ta shihja Ukshinin prapë. Mirëpo, derisa forcat centrifugale erdhën në shprehje më shumë, sidomos pas vdekjes së Presidentit Tito, shpesh më janë kujtuar diskutimet tona për Kosovën si dhe bindja e plotë e Ukshinit se Kosova një ditë do të fitojë sovranitetin dhe pavarësinë".
Qeveria e Kosovës e ka pagëzue Univeristetin Publik të Prizrenit me emnin e Ukshin Hotit, emën që i rri si medalion nderi, i dritëron si model për pedagogët e universitarët e tij.

4.
Emblema panshqiptare Ukshin Hoti, "motorr i mendimit politik shqiptar" e "Sokrat i shek. XX", është nga të parat shqipe të pathyeshme e të pakthyeshme të themelisë e lartësimit të Kosovës si shtet i pavarur e sovran në hartën e botës.

Veprimtaria kombëtare politike publike e Ukshin Hotit ka nistue në auditore të Universitetit të Zagrebit. Në nëntor-dhjetor 1968, ky djalosh mbi 24 vjeçar, doli në demonstrata demokratike me studentët e atjeshëm, në Kroaci.

Ndoshta, Ukshin Hoti po të ndodhej në Prishtinë me siguri do të ishte arrestue, burgos apo vrarë sikurse gjithata studentë e të rinj protestues në Prishtinë, Ferizaj, Gjilan, Podujevë, Tetovë, etj. të cilët dolën me flamuj kombëtar shqiptar e hidhnin parulla: "Kushtetutë", "Vetëvendosje", "Republikë", "Universitet", etj.

Ukshin Hoti, aty nga gjysma e dytë e dekadës "˜70 dekterisa u prangos në burgjet jugosllave më 1981 ka punue në detyra të ndryshme politike e arsimore në Kosovë: Në vitet 1971-"˜77 ka qenë Sekretar i Sekretariatit për Marrëdhënie me Botën e Jashtme të KE dhe të Kuvendit të KSA të Kosovës dhe anëtar i pothuajse të gjitha forumeve federale që merreshin me politikën ndërkombëtare. Punon ligjërues i Fakultetit Juridik, drejtimi juridiko-diplomatik dhe i Fakultetit Filozofik, dega filozofi-sociologji, si dhe i shkollës politike të Qendrës Krahinore për Arsimimin Marksist "Eduard Kardel".
Në vitin 1979 Ukshin Hoti rikthehet nga studimet shkencore përtej Atlantikut e rifillon punë si pedagog meritor e rrezatues në Universitetin e Prishtinës, i vijon përpjekjet sakrifikuese me platformë reale e perspektive për (ndër)kombëtarizimin e Çështjes Kombëtare Shqiptare, etj. Veçohej si i vetmi politikan i specializuar i Kosovës në fushën e marrëdhënieve politike ndërkombëtare. Historiani aktiv e produktiv Sheradin Berisha, njohës plotor, afirmativ e kontributiv i jetës e veprës të Ukshin Hotit, ka arritë në përfundimin publik se "gjer në vitin 1981 ka qenë kreatori kryesor i politikës kombëtare dhe pjesëmarrjes së Kosovës në bashkëpunimin ndërkombëtar".

5.
Historia kombëtare shqiptare e ka margaritar në analet e saj "Pranverën 1981" kur në Kosovë shpërthyen e kulmuan demonstrata të fuqishme për të kundërshtue shtypjen politike, kombëtare dhe ekonomike të popullit shqiptar. Fillnisja ishte më 11 mars në Universitetin e Prishtinës, u banë masive më 25 mars e patën lartësim përballës më 1 e 2 prill 1981 me mbi 30 mijë pjesmarrës. Thirrja mbizotëruese ishte "Kosova Republikë", po gufuan e jehuan edhe ato: "Vetëvendosje", "Jemi shqiptarë, nuk jemi jugosllavë", "Trepça është e jona", "Poshtë robëria, rroftë liria", "Të burgosurit kosovarë kthejini në Kosovë", "Kushte për studentët", "Kushte për punëtorët", etj. Më 2 prill 1981 u shpall "Gjendja e Jashtëzakonshme" në Kosovë, hynë tanket e armatës jugosllave, ushtria e milicia e ardhur nga republikat e tjera vunë nën ruajtje zyrat e institucionet e Kosovës. U përgjakën rrugët e sheshet e Kosovës.

Më 3 prill 1981 u mblodh urgjentisht Kryesia e KQ të LKJ dhe e Presidencës së RSFJ e miratuan deklaratën e përbashkët, në të cilën ngjarjet në KSA të Kosovës u cilësuan si veprime të organizuara nga elementë irridentistë armiq dhe që kishin për qëllim të kërcenonin integritetin territorial të RSFJ. Kjo frymë sulmi kundërshqiptar u gurgac keqas me deklarata të zeza edhe nga liderë të klasës politike shqiptare të Kosovës. Fadil Hoxha, kolona e Beogradit, në aktivin politik të Prishtinës (3 prill 1981) deklaroi:"...ngjarjet janë vepër e kurdisur mjeshtërisht me karakter armiqësor. Kjo është vepër e kundrarevulucionit, e armiqëve të hapët të Jugosllavisë Socialiste...Për ne nuk është i panjohur fakti se armiqtë tanë me parullën "Kosova Republikë" përherë manipulojnë kur tentojnë të sulmojnë sistemin tonë me arsenalin e tyre armiqësor. Kjo nuk është ndeshje e parë që luftojmë kundër tyre. Ata janë armiqtë e njohur..." dhe e trashi randshëm fjalorin me shprehjet: "pleh i Kosovës", "bira e minit 300 grosh", etj. Zyrtari tjetër i lartë, Xhavit Nimani, la nam teksa theksoi: "forcat armiqësore përdorën metoda të ndyera, në këtë mënyrë armiku nuk pati sukses, sepse Jugosllavia i dënon ashpër duke hetuar prapavijën e tyre armiqësore". Mahmud Bakalli (Prishtinë, 7 prill 1981) në fjalën e tij batalle sulmoi shqiptarët e mbrojti jugosllavët:"Në esencë ne i njohim forcat reaksionare të cilat i organizojnë këto demonstrata...Me parullat demagogjike nacionaliste ata në të vërtetë në vend të barazisë nacionale dhe vëllazërim-bashkimit imponuan urrejtje ndaj popujve të tjerë. Me të njëjtin qëllim, irredentist nacionalist e armiqësor ata theksuan edhe parullën "Duam Republikë"! Pasojat me të rënda të këtyre demonstratave armiqësore dhe veprimtarisë së armikut nga pozita e nacionalizmit e separatizmit shqiptar reflektohen në marrdhanjet ndërnacionale në Kosovë. Ato tani kanë krijuar një ndenjë të ftohjes si në krahinën tonë ashtu edhe në marrëdhënjet në Republikën e Serbisë dhe në Jugosllavi". As Azem Vllasi (Prishtinë, 11 prill) nuk mbeti pa u hakërrye:"Organizatorët dhe nxitësit e veprimtarisë armiqësore dhe kësaj here nxorën në shesh shumë teza dhe parulla nga arsenali dogmatik inforbyrist, irredentist, antijugosllav të cilat hedhin farën e urrejtjes në rradhët e kombeve dhe kombësive tona...".

Kështu, kësisoj, pas "Pranverë "˜81", në të këtilla kushte e rrethana të vështira filloi përflakshëm e përgjakshëm "diferencimi politik" jugosllav e serb për të godit kryesisht inteligjiencën e Kosovës.

Një mbledhje e tillë e thiktë u zhvillue edhe në Universitetin e Prishtinës më 19 nëntor 1981, ku merrnin pjesë edhe të ngarkuarit me mision: Azem Vllasi, Agim Zatriqi, Hajredin Hoxha etj. nga gojët e të cilëve dolën edhe "sharje me nanë" e kërcenimet: "këtu e kanë çerdhen demonstratat", etj. Dërgata treshe e kësaj mbledhjeje pas ligjërimeve ligësore e kënetore iu kërkuan pedagogëve universitar të pranishëm të denonconin e të dënonin demonstratat, etj.

Në kujtimet për atë ditë, pedagogu 29 vjeçar Shemsi Reçica, kumton: "Rreth 20 minuta askush nga profesorët nuk e merrte fjalën. Ishin para një dileme të madhe. Kishin frikë, sepse diheshin pasojat. Pas atyre që i dënuan demonstratat fjalën e mori Ukshin Hoti, i cili deklaroi: "Ne duhet të diskutojmë hapur për kërkesat e studentëve tanë...Sa e di unë, në Jugosllavi, jo vetëm që nuk është zgjidhur në praktikë çështja shqiptare, por as teorikisht nuk është zgjidhur kjo çështje si duhet...Të gjitha shkrimet që janë botuar për çështjen kombëtare, edhe ato nga pikëpamja juridike, edhe Kushtetuta nuk e kanë zgjidhur as teorikisht çështjen shqiptare në Jugosllavi. Unë mendoj që kjo është kërkesë e arsyeshme, e drejtë...Kosova duhet të jetë Republikë dhe ne duhet ta përkrahim Republikën...".

Rexhep Qosja, akademiku vuthjan i Institutit Albanologjik të Prishtinës, deklaroi se: "Me përjashtim të Ukshin Hotit, nuk ka kuadër tjetër universitar që ka mbrojtur demonstratat... Ishte i madh numri i atyre veprimtarëve politik dhe intelektual që ishin vënë në shërbim të diferencimit, d.m.th në shërbim të atij proçesi në të cilin njerëzit duhej të dënonin demonstratat. Mes këtyre profesorë fakulteti, akademikë, shkrimtarë, krijues të arteve të tjera. Disa prej këtyre intelektualëve që merreshin me ndjekjen e «shtrigjave» janë autoritete në kulturën tonë: të rehabilituar e të favorizuar!

Në fund të asaj mbledhjeje të 19 nëntorit 1981 thuhet se kanë mbet vetëm pesë profesorë të pa përthyeshëm përballë presioneve çartane të deleguarëve e udbashëve, të cilët nuk i pranuan vlerësimet e KQ të LKJ se demonstratat kanë qenë armiqësore, nacionalisteseparatise, kundërrevolucionare, etj.. Ata, të pestë, siç dëshmohet: "ishin: Ukshin Hoti, Halil Alidemaj, Muhamet Tërnava, Shaqir Shaqiri dhe Shemsi Reçica".
Ndërkohë shteti jugosllav pas demonstratave të fuqishme "Pranverë "˜81" i filloi egërsisht "gjyqet e posaçme" ku u dënuan qindra pedagogë e studentë, të rinj e punëtorë, etj. në të gjithë Kosovën dardane.

6.
Të shtunën e 21 nëntorit 1981 Ukshin Hoti 38 vjeçar po rrinte në dhomë i veshur me pixhama tue lexue një libër, kur nja 40 policë të armatosur si për luftë e rrethuan shtëpinë e tij në Prishtinë, në kryeqëndren e KSA të Kosovës. Një pjesë e madhe e atyre policëve hynë brenda me armë (gjysmë)automatike gati për shkrehje vrastare. Ata u sollën sikur të kishin përballë tyre një kriminel lufte të shpallur në kërkim ndërkombëtar e jo një profesor shqiptar të nderuar të Universitetit të Prishtinës. Njëkohësisht policia me mjete e municione u turr egërsisht edhe në shtëpinë e prindërve të tij në Krushë të Madhe tue krye atje një kontroll policor e hetimor tërësor për të gjetur ndonjë (f)akt për dënimin e tij.

Në të njëjtën ditë në vazhdim gjatë këtij aksioni policor u arrestuan edhe regjisori Ekrem Kryeziu (Pejë), Halil Alidemaj (Pozhoran), Ali Kryeziu (Pejë), Mentor Kaçi (Gjakovë), Shemsi Reçica (Gllavicë), Hilmi Ratkoceri (Llugaxhi), Nezir Haliti (Firajë), Muharrem Fetiu (Suharekë).

Këta, sëbashku, u cilësuan nga shërbimet sekrete jugosllave e policia serbe si "Grupi i Intelektualëve".

Arrestimi i tyre u krye sipas një plani tipik sllavo-komunist-udbashist të programuar e koordinuar në Beograd e Prishtinë, pikërisht një ditë para se të mblidhej KQ i PKJ, ku miratohet "Platforma për Kosovën", e cila përcaktonte drejtimet themelore të strategjisë të PKJ për të "ardhmen" e Kosovës, ku u sulmue ashpërsisht kërkesa "Kosova Republikë", etj.

Pas tetë muajve hetuesi mesjetare ndaj tyre, Prokuroria Publike e Qarkut të Prishtinës iu ngriti aktakuzën (PP. nr. 281/81, dt. 31 maj 1982) "veprimtari armiqësore kundër shtetit jugosllav".

Në Akt-gjykimin e të mërkurës 21 korrik 1982 Gjykata e Qarkut të Prishtinës i dënoi të 9 intelektualët shqiptarë atdhetar me 52.6 vite burg për "...vepra penale të drejtuar në rrëzimin e pushtetit të klasës punëtore dhe të punonjësve, thyerjen e "vëllazërim-bashkimit", prishjen e barazisë së kombeve e të kombësive dhe ndryshimin antikushtetues të rregullimit federativ të RSFJ-së...". Kjo ishte një akuzë bio-politike e pathemeltë, që propoganda antishqiptare jugosllave e serbe e nisi e bitisi gjatë gjithë kohës të paraburgimit të intelektualëve shqiptarë të Kosovës dardane e martire.
Mr. Ukshin Hotit iu dha dënimi i randë me 9 vite burg.

Pas apelimit në Gjykatën Supreme doli se gjykimi ndaj tij nuk kishte asnjë bazë juridike për një dënim kaq të lartë, kishte ma së shumti akuza e propogandë politike, etj. ndaj më 11 qershor 1984 iu ul ky dënim në 3.5 vjet burg, të cilat i keqvuajti në burgjet jugosllave në Prishtinë, Mitrovicë e Sremit, Gjilan, Beograd e Lubjanë.

Amnesty International me qendër në Londër (Mbretëria e Bashkuar) në raportin e saj vjetor (v. 1983, fq. 294) e cilëson Ukshin Hotin si "i burgosur i ndërgjegjes" dhe në Akt-dënimin e tij nuk gjen fakte të përdorimit të dhunës ndaj shtetit jugosllav, etj.
Regjisori i talentuar e atdhetar, Ekrem Kryeziu, i nderuar nga Presidenti Rugova me Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, mik i gjithëhershëm e bashkëvuajtësi në pranga burgosjeje sëbashku me Ukshin Hotin, komenton vërtetësisht se "Ukshin Hoti kurrë nuk pushonte së punuari për bashkimin kombëtar. Vepra e tij nuk i bënë nder atij por neve"

7.
Ma i vogli ndër vllaznit Hoti në Krushë e Madhe, studenti rreth 20 vjeçar Afrim Hoti ishte një nga organizatorët e demonstratave "Pranverë "˜81" sëbashku me disa shokë të tij nga Suhareka (Theranda), komunë kojshie me Rahovecin, e përfshime në rajonin e kahmotshëm e të sotëm të Prizrenit. Në demonstratën e 25 marsit 1981 në Prishtinë, kur po kulmonte fuqia protestuese e studentëve, të rinjve shkollarë, etj., kur po shtriheshin valët e saj, kur po rritej përkrahja e saj, forcat policore e udbashëve të vume pas hapave të tij e arrestojnë Afrimin, vllain e Ukshin Hotit. Organet e drejtësisë të krahinës së Kosovës e të republikës të Serbisë, në të ashtuquajturat gjyqe të posaçme, përmes një proçesi të montuar politik, me akuza politike, e dënojnë studentin Afrim Hoti me 7 vjet burg.

Kësokohe arrestohet e dënohet me 9 vite burg edhe pedagogu i Universitetit të Prishtinës, Ukshin Hoti, për përkrahje në platformë e frymëzim e mbrojtje zyrtare publike të demonstratave tërmetore "Pranverë "˜81".

Pas këtyre dy arrestimeve e burgosjeve, veçanarisht të Ukshinit, ndaj familjes së Nazif Hotit të Krushës së Madhe të Rahovecit, ndaj djemëve e çikave të tij, filloi diferencimi politik sllav, nisi diskriminimi në të gjitha mënyrat. Ragipit së parit e patjetër edhe Hidajetit, iu ranë mbi supe përgjegjësi e vuajtje të mëdha me kqyr për vllaznit e burgosur e për krejt familjen e madhe Hoti, pasi edhe dy motrat e tyre i hoqën nga mësuesia, etj.

Ukshin Hoti në vitin 1986, pas lirimit nga burgimi i parë, me plot vuajtje e sakrifica prometheiane, rikthehet në vendlindjen e tij, tejet i lodhur dhe ma i vendosur se astenjiherë tjetër për të vazhdue rrugën e pavarësimit të Kosovës e të bashkimit kombëtar shqiptar, ndonëse autoritetet jugosllave, policia e shërbimet sekrete udbashe, e mbanin nën vëzhgim të përhershëm, pothuaj të izoluar, të kufizuar në veprimtaritë e tij atdhetare nëpër vise e kulla të Kosovës.

Në Krushë e Madhe, në këtë vend ku toka i gëzohet diellit e njerëzit njëri-tjetrit, Ukshin Hoti nuk i hoqi sytë nga leximi, penën nga shkrimi, mendjen nga politika, zemrën e shpirtin nga pavarësia e Kosovës e bashkimi kombëtar shqiptar.

8.
"Në mëngjezin e 27 janarit të vitit 1990, nga Krusha e Madhe, një fshat ku degëzohen tri rrugë...një grup i madh njerëzish, burra e djelmosha, ishte nisur për në Rahovec. Rrugës, - shkruan Ukshin Hoti - iu kishin bashkuar edhe të tjerë nga fshatrat e afërta, nga Celina (të cilët ngulnin këmbë se janë nisur nga Celina), Nagavci, Hoça e Vogël, Randobrava, Pirana dhe Brestovci. Kërkonin Liri dhe Demokraci, dhe e kishin menduar Republikën. Një numër policësh u kishin vajtur mbrapa...të armatosur dhe të hipur nëpër makina,... Në fshatin Brestovc, aty ku rruga fillon të gjarpërojë mengadalë përpjetë për të arritur në Rahovec, ua kishte zënë pritën një togë e policisë speciale, me automjete të blinduara, me rroba speciale anti-plumb, të pajisur me armatim të lehtë këmbësorie...Demonstruesit, ashtu të paarmatosur, duarthatë e gjysmëzbathur, kishin kërkuar Liri e Demokraci, dhe e kishin menduar Republikën. Akoma pa arritur lart, afërsisht kah gjysma e përpjetëzës, përmes megafonit, policia speciale u kishte bërtitur: "Stoj!" Mirëpo këta nuk kishin dashur ta kuptonin "Stojin", sepse kishin qenë në vendin e tyre, ndërsa urdhërin shqip "Ndalu!" nuk e kishin dëgjuar. Kishin bërtitur gjer në kupë të qiellit: "Liri dhe Demokraci",-dhe gjer në thellësitë e shpirtit e të tokës e kishin gjakuar Republikën. Qielli nuk i kishte dalluar, se tokën ndërkaq e kishte mbuluar tymi i zi i gazit lotsjellës. Gumëzhima e krismave të pushkëve dhe të automatikëve e kishte çarë ajrin. Ky i kishte kthyer në jehonë. Fishkëllima e plumbave dhe zhurmërima e autoblindave e kishin shkatuar një zallahi të përgjithshme nga e cila nuk ishin ndjerë dot as dhembjet prej goditjeve të rënda të çizmeve policore. Policia ishte depersonalizuar, ishte shndërruar në pushtet. Ndërsa pushteti në shënjestër."

Aty, në Brestovac, u vranë nga policia jugosllave katër të rinj rahovecianë: Halim Hoti i Krushës së Madhe, Nesim Elshani i Nagavcit, Agron Fetahu i Çelinës, Hilmi Krasniqi i Hoçës së Vogël dhe u plagosën 19 demonstrues të tjerë.

Këta ishin martirët e Brestovacit. Kjo ishte "Masakra e Brestovacit".

Një nga pjesmarrësit e demonstratës të Brestovcit, Afrim Hoti, vllai i vogël i Ukshin Hotit, pedagog i Universitetit të Prishtinës e deputet i Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, në përshendetjen përkujtimore të 22 vjetorit të kësaj masakre serbe, shpreh "shumë dilema se përse kjo ngjarje është lënë në harresë, me qëllim apo pa qëllim të pushtetarëve tanë, ndërsa 27 janari i vitit 1990 ka demonstruar rrugën e vetme për çlirimin e vendit". Tue cek si shembëllim shkrimin përkujtimor të janarit 1992 të mr. Ukshin Hotit "Bëje ose vdis, për ta vrarë vdekjen!" ai, në atë përshendetje në Brestovc pohoi se këta katër martirë "ranë për të vrarë vdekjen e krijuar me dekada nga regjimi okupator serb. Këta dëshmorë e kryen detyrën e tyre, u flijuan për lirinë e popullit dhe u bënë themeltarë të pavarësisë së Kosovës".

Pas Rënies së Murit të Berlinit, jo krejt rastësisht, në vendlindjen e Ukshin Hotit, nisi një nga demonstrata e para për Liri e Demokraci, për Kosovën Republikë. Dhe jo krejt rastësisht kjo demonstratë demokratike e njerëzve të thjeshtë, pa armë e pa dhunë, pati martirët e saj në vendlindjen e Ukshin Hotit.

9.
Në kohëvalën diplomatike e politike të shpërbërjes së Ish-Jugosllavisë (RSFJ), në nisje të dekadës '90, Ukshin Hoti shkoi në Lubjanë, kryeqytetin e Sllovenisë, ku punoi mbi një vit redaktor në revistat shqiptare "Alternativa" (1989-"˜91- shtypi i parë i lirë shqiptar në kohë të komunizmit) dhe "Republika"(1990-'91) e i gazetës "Demokracia Autentike-DEA" (1990-'91).

"Demokracia Autentike" e Ukshin Hotit as si titull e as si botim nuk ishte e rastësishme. Përkundrazi, ishte "një koncept politik, një kulturë e shkencës politike, një kulturë kombëtare", e cila sipas analistes e veprimtares, Teuta Zymberi: "nënkuptonte zgjidhjen definitive të çështjes shqiptare: argumentin e domosdoshëm të aspiratave shekullore liridashëse për Republikën e Kosovës dhe argumentin e së drejtës për vetëvendosje - bashkimin në shtet të vetëm, Shqipërinë. Demokracia Autentike ishte referencë reale-praktike, që përfshinte kërkesat nacionale gjithëshqiptare. Demokracia Autentike ishte shtrirje gjithëpopullore, ku, Ukshin Hoti demaskoi para botës jugosllavizmin dhe autonomistët, që ishin inkuadrues në dëm të çështjes shqiptare..."

Kësokohe Lubjana ishte kthye në një vatër të ndezur kombëtare e demokratike për shqiptarët e botës, veçmas ata nën Jugosllavi e në Shqipërinë Londineze. Këtu, më 23 qershor 1990, një tubim-manifestim kombëtar, politik e kulturor mblodhi shqiptarë nga Amerika e Australia, nga shtete të Europës, etj. Ukshin Hoti, sëbashku me shokët e tij të shpirtit e të penës në Lubjanë patën një rol aktiv për Kosovën e Kombin Shqiptar.

10.
Në dy vjetorin e Masakrës të Brestovacit, pedagogu i Universitetit tw Prishtinws, veprimtari politik Ukshin Hoti në krye të një numri banorësh të Krushës së Madhe e krejt Rahovecit me rrethina, krye marshim e homazhe për të përkujtuar "Martirët e 27 janarit 1990".

Policia serbe me udbashët e saj e trajtoi si provokacion ndaj shtetit jugosllav e Republikës së Serbisë, ndaj ua nxanë rrugën e iu bajnë thirrje të kthehen në shtëpitë e tyre. Për të shmang një masakër të dytë edhe ma tragjike se të parën, Ukshin Hoti iu drejtohet me lutjet e tij që të tregojnë kujdes e maturi përballë situatës së re.
Rahovecianët e Ukshin Hotit banë homazhe, vendosën kurora me lule, u mbajt heshtje në nderim të martirëve, ndërsa policia i shkrehu armët e zjarrit ndaj tyre duke vrarë një student nga Krusha e Vogël.

Ukshin Hoti si organizator i kësaj dite përkujtimore "dënohet me dy muaj burgim, të cilin do ta mbajë një vit më vonë, në mars-prill 1993".

Ky është burgimi i dytë i Ukshin Hotit.

11.
Ditë maji 1993. Pedagogu Ukshin Hoti nga një takim pune në Universitetin e Prishtinës shkoi në Pallatin e Shtypit për të vizituar Adem Demaçin, i cili bashkë me disa gazetarë dhe punëtorë të "Rilindjes" prej disa ditësh ishin futur në grevë urie. Ky akt pati jehonë të madhe.

Në mbrëmjen e vonë të asaj dite, pas orës 21.00, veprimtari politik Ukshin Hoti vet i dytë, me Agron Limanin, po kthehej nga Prishtina për në Krushë të Madhe. Tek udhëkryqi i Komoranit iu del në pritë policia serbe. Çdo gjë në rregull, dokumentet e tyre dhe të makinës. Asnjë problem. Policët e dinin se kush ishin dy udhëtarët, pasi strukturat i kishin në ndjekje prej disa orësh, ishin të mirëinformuar për gjithçka.
I marrin me vete në stacionin policor në Gllogovc, sikur të ishin robër lufte. Ukshin e keqtrajtojnë psikisht, e provokojnë, i japin disa goditje me shpulla, grushta e shkopinj, ndërsa Agronin e lidhin duarsh dhe e rrahin mizorisht. I lanë të lirë.

Prapë, gjatë rrugëtimit me makinë, në dalje të Gllogovcit i ndalë një tjetër patrullë e porositur e policisë dhe menjëherë në mënyrë të rrufeshme, pa zgat muhabet me ta, i rrahin barbarisht të dy deri në alivanosje. I përgjakën fytyrës e trupit. Gjaku iu doli mbi rroba e ua llokoçiti këpucët.

Ukshin Hoti, në gjendje shëndetësore të rënduar: brinjë të thyer, lendime të rënda trupore, në kokë, në fytyrë, në këmbë, qëndroi në shtëpinë e tij të lindjes.

Aty i erdhën për vizita nga të katër anët e Kosovës: anadrinas e sheherli, veprimtarë të çështjes kombëtare, kolegë, studentë, etj. si edhe një delegacion i misionit vëzhgues të OSBE me seli në Prizren.

(Vijon)
RAMIZ LUSHAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
LDK NUK ËSHTË PRONË E ASKUJT - JO GRUPEVE TË INTERESIT NË LDK!Nga FLORIM ZEQA (12.12.2014)
NJË BENELUKS I BALLKANIT MUND TË PARANDALOJË NJË PËRPLASJE NË MES TË HISTORISË DHE GJEOGRAFISËNga BLERIM REKA (12.12.2014)
NJË HISTORI ME SHQIPTARË ORTODOKSË - QË KA TRONDITUR MAQEDONINË (12.12.2014)
MODELJA SHQIPTARE STELA MATOSHI PËRZGJIDHET 'MBRETËRESHA E EVROPËS 2014' (12.10.2014)
JETË E HUMBUNNga EJËLL ÇOBA (12.09.2014)
MË KA PAS THANË NJË PLAK!-E ribotoj sot në 28 vjetorin e ndarjes nga jeta të babait tim-Nga ZEQIR LUSHAJ (12.08.2014)
SHQIPËRIA - NJË RAST I VEÇANTË, POR JO I VEÇUARNga ANA LALAJ (12.07.2014)
PESHKOPIA, VARFËRI DHE MUNDËSI ZHVILLIMINë qytetin e Peshkopisë rreth 800 familje jetojnë me ndihma sociale dhe shumë të tjera mbahen me tregti dhe biznese të vogla (12.07.2014)
KINEZËT - NDARJA ME SHQIPTARËT, E HIDHUR DHE MALLËNGJYESE (12.05.2014)
SINADINOVSKI - NË FAMILJEN TONË FLITEJ SHQIP, BABAI IM THOSHTE SE NE JEMI SHQIPTARË (12.05.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Nëntor 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]