VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - 18 DHJETOR 1981 - KATËR DËSHMI PËR VDEKJEN E MEHMET SHEHUT

                                                                                      

E Premte, 11.01.2024, 01:37am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
18 DHJETOR 1981 - KATËR DËSHMI PËR VDEKJEN E MEHMET SHEHUT

E Enjte, 12.18.2014, 07:44am (GMT+1)



Në mbrëmjen e ftohtë të 18 dhjetorit 1981, ndërsa binte një shi i rrëmbyeshëm dhe qielli çahej shpesh nga vetëtima dhe gjëmime, TVSH i filloi lajmet e orës 20 me një lajm të pazakonshëm:

"Komiteti Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë, Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Këshilli i Ministrave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë njoftojnë se natën duke gdhirë 18 dhjetor 1981, në një moment krize nervore, shoku Mehmet Shehu, anëtar i Byrosë Politike të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe kryetar i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, vrau veten".

Kaq ishte lajmi. Më tej vijoi një nekrologji e shkurtër që zgjati ndonjë minutë dhe më tej u kalua në lajme të tjera nga vendi. Askush nuk guxonte shtonte ndonjë fjalë më shumë në atë histori, deri sa ndonjë vit më vonë Enver Hoxha bëri një "Tablo sinoptike" ku e shpalli ish-krahun e tij të djathtë armikun më të rrezikshëm të partisë dhe të popullit, poliagjent etj.

Mirëpo, pas përmbysjes së regjimit komunist filloi të flitej gjithnjë e më shumë mbi atë çfarë kishte ngjarë atë natë dhjetori 1081. Të tërheq vëmendjen fakti se figura e Mehmet Shehut, kryeministrit më jetëgjatë të Shqipërisë, ka qenë në mënyrë të pakrahasueshme vazhdimisht e pranishme në shtypin shqiptar.

Fundi tragjik i ish-kryeministrit është njëra nga arsyet. Por ndoshta se misteri i asaj nate mund të shpjegonte shumë enigma të viteve të diktaturës. Vrau veten (sipas versionit zyrtar) apo e vranë? Kjo është pyetja që vazhdon të bëhet dhe që ngjall diskutime të lloj-llojshme. Por duhet thënë se personaliteti i Mehmet Shehut ka qenë dhe vazhdon të mbetet tërheqës edhe në një sërë aspektesh të tjera, ku padyshim më interesantet janë ato të pjesëmarrjes së tij në Luftën e Spanjës dhe si një nga udhëheqësit më të shquar të Luftës Antifashiste.

Mbledhja e stërgjatur e Byrosë Politike më 17 dhe 18 dhjetor 1981, dhe fundi tragjik i Mehmet Shehut në natën midis, edhe pse kanë kaluar 33 vjet, vazhdon të ngjallë kureshtje, të diskutohet e shkruhet me një interesim të jashtëzakonshëm në shtypin shqiptar dhe të debatohet në mjedise të ndryshme. Në vijim po sjellim katër dëshmi të njerëzve që ndoshta dinë më shumë nga të tjerët për këtë ngjarje.

 

Dëshmia e Ali Çenos (ish-shefi i rojeve të Mehmetit)

Kryeministrin e vranë

Ish-kryeministri Mehmet Shehu nuk e ka vrarë veten! Ky pohim në shtyp i shefit të rojeve personale të Mehmet Shehut tërhoqi menjëherë vëmendjen e opinionit shqiptar në mes të qershorit 1993. Në një intervistë të tij ato ditë, Ali Çeno bëri përpjekjen e parë për të zbardhur sadopak misterin e madh të asaj nate të dhjetorit 1981... Më saktë, të kthente gjithçka përmbys mbi sa ishte thënë deri atëherë. Megjithëse kishin kaluar 12 vjet, ngjarja vazhdonte të ruante të gjallë kureshtjen e njerëzve, ndoshta për shkak të intrigës së madhe që mendohet se fshihet pas saj.

Jam takuar disa herë me të dhe i rendit ngjarjet e asaj nate me një kthjelltësi të admirueshme. Shefi i rojeve personale të tij për 9 vjet me radhë, pohon se Mehmet Shehun e vranë njerëzit e Enver Hoxhës. Për afro 40 vjet bashkëpunëtori më i afërt i E. Hoxhës dhe për më shumë se 27 vjet kryeministër i Shqipërisë, Mehmet Shehu, sipas Çenos del se ka qenë i kërcënuar nga Hoxha që në vitin 1975. Enver Hoxha kishte frikë se personaliteti i krahut të tij të djathtë mund ta eliminonte. Çeno thotë se kur Hoxha u sëmur, në Byronë Politike shpërtheu lufta për trashëgiminë. Nga njëri krah ishte Mehmet Shehu dhe nga ana tjetër Ramiz Alia i mbështetur nga Nexhmije Hoxha. Duke folur për natën e fundit të Mehmet Shehut, ish-shefi i rojeve tregon se ka qenë me shërbim para vilës së tij atë natë dhe se nuk ka dëgjuar asnjë të shtënë e nuk ka vënë re lëvizje të dyshimta. Ai thotë se arma që vrau Mehmet Shehun nuk ishte ajo që u gjend pranë kufomës së tij, por një tjetër me silenciator (heshtues). Çeno thotë se dikush mund të ketë hyrë në vilën e ish-kryeministrit nga korridori i fshehtë i tuneleve të nëndheshme.

Një ish-punonjës i sektorit ushtarak në KQ të PPSH, të cilin e kam kontaktuar në atë kohë më ka thënë në mirëbesim se selia e Komitetit Qendror lidhej me tunele të nëndheshëm me selinë e Kryeministrisë si dhe me vilat e anëtarëve të Byrosë Politike, sikurse e pamë në një emision televiziv pak më vonë. Këto tunele ishin të pajisura më së miri dhe siguronin dalje sekrete jashtë qytetit në rast rreziku. Duke plotësuar pohimin e Çenos, ish-punonjësi i Komitetit Qendror tha se nëpërmjet këtij tuneli mund të ketë lëvizur vrasësi i Mehmet Shehut.

Sipas versionit zyrtar që u përhap në vitin 1981, Mehmet Shehu vrau veten në një moment krize nervore. Më pas Enver Hoxha e quajti ish-aleatin e tij më të ngushtë armik të Partisë dhe shtoi se ai kishte qenë agjent i shumëfishtë i disa shërbimeve të huaja sekrete për shumë vite me radhë. Këtij versioni i qëndron besnik edhe pasardhësi i E. Hoxhës, Ramiz Alia, në librin e tij "Unë, Ramiz Alia, dëshmoj për historinë", të publikuar në mesin e viteve "˜90 në Tiranë.

Mirëpo, Çeno thotë se misteri i vrasjes së Mehmet Shehut qëndron në 30 faqe letër të shkruara nga ish-Kryeministri në çastet e fundit, për të cilën ai ka mendimin se tani e ka në dorë dhe e ruan Ramiz Alia. (Në fakt letra e bërë publike disa vite më parë nga historiani Paskal Milo, nuk është më shumë se pesë faqe me shkrim dore dhe sipas historianit është kopje e origjinalit që ruhet në Arkivin e Shtetit). Ai tregon se, pavarësisht se bëri afro dhjetë vjet burg të rëndë, ka mbetur gjallë pasi nuk mundi të lexonte ç'kishte shkruar Mehmet Shehu në letrën e fundit të tij, ndërsa shton se të gjithë ata që e prekën atë dokument vdiqën. Kështu vdiq djali i madh i Shehut, Vladimiri, me (vetë)vrasje, kështu vdiq Kadri Hazbiu, ish-ministër i Mbrojtjes, i cili u pushkatua... Çeno thotë se para se të vdiste, Mehmet Shehu i ka telefonuar Enver Hoxhës dhe i ka kërkuar një takim, por Hoxha e refuzoi.

 

Dëshmia e Bashkim Shehut (djalit të Mehmetit)

Nuk ka rëndësi se kush e shkrehu armën

Me interes është dhe shpjegimi që u bën rrethanave të vrasjes së M. Shehut, djali i tij Bashkimi, në një libër të titulluar "Vjeshta e ankthit". Ky libër u botua së pari në Francë me një jehonë pozitive në shtypin francez, ndërsa më pas u botua edhe në Tiranë në gjysmën e parë të viteve 1990. Për autorin e "Vjeshtës së ankthit" nuk ka rëndësi se kush e shkrehu armën mbi babanë e tij... Në atë sistem, thotë ai, numri 2 i shtetit ishte njëlloj i terrorizuar nga diktatori, si gjithë qytetarët e tjerë".

Thuajse në të njëjtën periudhë kam takuar dhe intervistuar Bedri Spahiun, një nga personalitetet më të shquara të kohës së luftës, që u dënua në mesin e viteve '50. Po e sjell gati të plotë bashkëbisedimin që kam pasur me Bedri Spahiun në atë kohë:

- Po për Mehmet Shehun, ç'mendim kini?, e pyeta unë.

- ...

Ai hesht për një kohë të gjatë. Mendohet. I bën shenjë të shoqes t'i sjellë paketën DS, ndez një cigare dhe përsëri mendohet. I përsëris pyetjen, se mos kushedi ka harruar. Ai matet të flasë, ngre pakëz dorën e djathtë dhe bën një lëvizje të pakuptimtë në ajër, por sërish nuk thotë gjë... Me duart e rreshkura fërkon gjunjët. E shoqja e tij më shikon me keqardhje, sikur të më thotë "Ke ardhur vonë... Më mirë lëre, mos e mundo më shumë...".

Nuk e ngas më tej. Më kujtohet çfarë i ka thënë nja dy vjet më parë Bashkim Shehut, djalit të ish-kryeministrit, se "Mehmeti, sido që të ketë qenë, ka pasur karakter. Por, ai dhe Enveri janë të lidhur fort me njëri-tjetrin, si plusi me minusin...".

 

 

Dëshmia e Duro Shehut (Vëllait të Mehmetit)

Ju tregoj vrasësit

...Duro Shehu, është vëllai i Mehmet Shehut dhe tani jeton në Kanada. Në kohën e ngjarjes së dhjetorit 1981, ai ishte komisar i Aviacionit, ndërsa më pas u dënua me dhjetë vjet burg, si pjesëtar i "komplotit armiqësor". Ai reagon lidhur me intervistën e fundit të Ramiz Alisë për vetëvrasjen e Mehmetit në bisedë me Januz Januzajn, autor i librit "˜Shqipëria ime'. Durua thotë se: Me intervistën para vdekjes, Ramizi kërkon të mbulojë krimin e rëndë që s'mund të fshihet. Rideklarimi i Alisë se "˜Mehmet Shehu u vetëvra pasi nuk duronte kritikat e shokëve, lidhur me fejesën e gabuar të djalit me një të deklasuar', e ka nxitur vëllain e ish-kryeministrit të shprehë mllefin ndaj tij, që e cilëson "˜Kali i Trojës'. Ai tashmë ka krijuar një ide të qartë për atë që i ndodhi ish-kryeministrit, natën 17 dhjetorit 1981...

Më tej ai tregon se çfarë ndodhi menjëherë pas vdekjes së Mehmetit. "Sapo mora lajmin, kërkova takim me Kadri Hazbiun por Veli Llakaj më tha të prisja sa të bisedonte me të. Nuk rrija dot në një vend. Dola në ballkon. Karshi shtëpisë së vjetër të oficerëve, pashë dy civilë jo më shumë se dhjetë metra nga hyrja jonë që qëndronin të ulur mbi një gur. Nuk ishte e zorshme të kuptoje gjithçka... Sigurimin e kisha tek dera. Mbas 40 minutash më merr në telefon Veli Llakaj e më thotë: "Duro, hajde. Shoku Kadri të pret në zyrë". Vajta, i ndjekur nga dy oficerë të Sigurimit nja 10-15 hapa pas meje. U desh një orë që të takoja Kadri Hazbiun. Me sa dukej ai kishte biseduar me KQ për këtë takim. Fjala e para që më tha Kadri Hazbiu, pa më dhënë as dorën, ishte: "Çfarë do Duro? Pse erdhe?" Më erdhi shumë keq nga ajo pritje e Kadriut, por s'kisha ç'të bëja... Pas pak, Kadriu më thotë tekstualisht: "Po ja, more Duro, Mehmeti (jo shoku Mehmet) vrau veten për çështjen e asaj vajzës, të fejuarës së Skënderit, për atë vajzën e Turdiut". "Më fal që të ndërpres, i thashë Kadri Hazbiut, por unë nuk di asgjë për atë vajzë...". Pasi më tha nja dy fjalë për mbledhjen e Byrosë Politike, Kadriu më porositi që bashkë me dy vëllezërit e tjerë, Arshiun dhe Nexhipin, bashkë me gratë të shkoja dhe ta përgjonim Mehmetin tërë natën dhe të nesërmen të shkonim ta varrosnim. "Atje është dhe Fiqreti me djemtë", më tha... "Partia dhe qeveria nuk i varrosin armiqtë, se puna e Mehmetit mund të jetë armiqësore. Ky është urdhër nga lart", më tha Kadriu. "Nga kryeministria në varrim do të vijë një mikrobuz me disa veta nga administrata. Kaq kam me ty. Ik tani!".

... Kur hymë në shtëpi, pyeta Fiqretin se si ndodhi. Ajo nuk foli por vuri gishtat te veshët si për të thënë se shtëpia përgjohej dhe nuk duhej të flisnim. Pyes Vladimirin, djalin e madh të Mehmetit dhe ai më thotë: "Xhaxhi, nuk dimë gjë. Unë dhe gruaja, Bardha, nuk fjetëm tërë natën. Dhomën e kishim ngjitur me atë të babit, por nuk dëgjuam gjë". Pyes Farien, punëtoren që kishte shërbyer 30 vjet në shtëpinë e Mehmetit. Ajo tha: "Shoku kryeministër ishte shumë mirë, para një jave i kërkoi leje shokut Enver të shkonte për gjah në Elbasan. Vajti në mëngjez dhe erdhi në darkë. Më parë shkonte të shtunave dhe kthehej të dielave në darkë. S'di ç'të them! Kryeministri u vra...". E pyeta prapë Farien se kush ishte me shërbim mbrëmë këtu. Unë isha në shtëpi, tha. Me shërbim ishte një vajzë e re, ajo që pe ti para se të shkoje në Vjenë, por ajo vajza iku natën, iku natën, nuk e di ku e çuan... Pyeta Ali Çenon, truprojen kryesore të Mehmetit dhe ai më tha po ato fjalë që ka deklaruar edhe në shtyp: Unë sipas grafikut të shërbimit isha në shtëpinë time. Më kërkuan të vija dhe erdha. Pashë që nga dhoma e shokut Mehmet, doli Kadri Hazbiu me një çantë të zezë në dorë... Sipas Gani Kodrës, përgjegjësit për sigurimin e Mehmet Shehut, Kadri Hazbiu në gjyq i kishte mohuar thëniet e Ali Çenos, duke thënë se atë natë ai kishte qenë në ditëlindjen e Elit, sekretares së tij, në Laprakë. Eli e mohoi. Kadriu tha se tek Eli vajti me vonesë... Po ku ishte vonuar Kadriu?

... I jam kthyer e rikthyer atyre ngjarjeve që ndodhën në udhëheqjen më të lartë të partisë dhe të shtetit të asaj kohe, tridhjetë e ca vjet më parë. Dhe jam bindur plotësisht se ka funksionuar dhe është vënë në veprim i njëjti skenar si për eliminimin e Hysniut, edhe për vrasjen e Mehmetit. Autorët janë të njëjtët. Ajo ishte një luftë për pushtet. Përndryshe, pa eliminuar Hysni Kapon e Mehmet Shehun, nuk i hapej rruga Ramiz Alisë për të dalë i pari i vendit. Kështu do të kuptohet më mirë pse Enver Hoxha para se të vdiste vendosi si pasardhës të tij në krye të partisë dhe të shtetit, Ramiz Alinë, i cili bashkë me Nexhmijen është një nga arkitektët e shkatërrimit të Shqipërisë.

 

 

Dëshmia e Kristofor Martiros, hetues

Misteret e pazbardhura

Ish-oficeri i Sigurimit të Shtetit, Kristofor Martiro, pjesëtar i grupit hetimor për ekspertizën e vdekjes së Mehmet Shehut, këmbëngul në vrasjen e ish-Kryeministrit. Duke pirë kafe tek ish-godina e SHQUP-it, (tani seli e PD-së) më ka sjellë një sërë argumentesh që hedhin poshtë versionin e vetëvrasjes.

"I pari që e kundërshtoi versionin zyrtar për vetëvrasjen e Mehmetit ishte Llambi Ziçishti, asokohe ministër i Shëndetësisë. I pranishëm në vendngjarje që në momentet e para, ai ishte shprehur se kryeministrin e kishin vrarë. Këtë e kishte konsumuar së pari me grupin e ekspertëve që këqyrnin kufomën, pastaj me rrethin e miqve dhe shokëve të besuar. Ky opinion i Ziçishtit, pavarësisht se më vonë e tërhoqi nga presionet në qeli, më vuri në një lloj tundimi sa njerëzor, aq edhe profesional. Megjithatë, për rrethanat delikate ku punoja, nuk mund të shprehja as dyshimin më të vogël për atë që ishte saktësuar zyrtarisht"- më ka treguar Martiro.

Më tej, Martiro tregon se gjatë procesit të hetimeve, si ai, edhe grupi, kanë konstatuar prova të besueshme se kryeministrin e kishin vrarë.

"Këtë për mua nuk e luan topi, pavarësisht alibive të shumta që janë hedhur në treg gjatë kësaj periudhe". Sipas tij këtë e konfirmojnë: "Pamja e trupit të Shehut e shtrirë në krevat me syze, mbuluar me batanije deri në fyt, me duar të mbledhura mbi gjoks, me pistoletë mbi krahun e djathtë, nuk të afron kurrë në një situatë vetëflijimi. Nga përvoja ime, sasia e paktë e gjakut që pashë kur zbulova mbulesën e krevatit, më bindi edhe më shumë për idenë e një vrasjeje. Shumë vite më parë kur isha në Degën e Brendshme të Korçës, pata rastin të drejtoja grupin e ekspertëve që këqyrën trupin e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv, Zenun Shahollari, që kishte vrarë veten. Gjithçka në zyrën e tij ishte mbuluar me gjak. Po këtë skenë e kam parë kur vrau veten Pirro Gusho, ish-anëtar i Komitetit Qendror dhe sekretar i Parë për rrethin e Fierit... Në rastin e Shehut binte në sy vetëm një njollë gjaku. Po kështu, mënyra se si ishte regjistruar në akt-ekspertizë rruga që kishte përshkruar plumbi, të lë të kuptosh se kemi të bëjmë me manipulim të provave reale" thotë ai.

Gjithashtu, argumente të forta për vrasjen sipas tij janë edhe mosbërja e autopsisë dhe rivarrimi i kufomës së Shehut në rrethana misterioze. Sipas tij, edhe gota me çaj e gjetur mbi komodinë është ende sot e paekzaminuar në Arkivin e Shtetit, dhe një pistë e fortë për denatyrimin e ngjarjes është zhdukja e infermieres pa lënë gjurmë në vilën e kryeministrit.

 

Diçka si konkluzion

E vërteta mbi eliminimin e Mehmet Shehut duket se u varros bashkë me Enver Hoxhën më 1985. Domethënës është fakti se pasardhësi i E. Hoxhës, Ramiz Alia, nuk shtoi asnjë element të ri për këtë çështje. Madje, sa herë ka rënë fjala për të, ai deri në fund të jetës së tij e ka kaluar situatën shpejt e shpejt me ndonjë citat të Enver Hoxhës. Po kështu dhe të tjerët. I largoheshin dhe i largohen sa më shumë krimit të asaj nate. Si për të thënë se nuk kanë gisht në eliminimin e tij. Edhe organet e drejtësisë i kanë qëndruar larg kësaj çështjeje. Nga pamundësia për t'iu afruar së vërtetës? Nga paaftësia për të grisur terrin e dendur që e ka mbështjellë? Nga mundimi i tmerrshëm që kërkohet për të shkokolepsur lëmshin e misterit e për të vendosur rendin e gjërave? Apo nga përmasat humnerore të krimit?

Ndoshta nga të gjitha së bashku.

Sepse, ndoshta te krimi i asaj nate mund të kapet Filli i Arjanës për të deshifruar zhvillimet e mëpasme politike, sidomos ato të viteve '90. Sepse, mund të arsyetohet, ngjarjet do të zhvilloheshin ndryshe në Shqipërinë pasenveriste.

Atë natë u kurorëzua trashëgimtari...

Ndërkaq, eshtrat e Mehmet Shehut u lëvizën disa herë brenda një kohe të shkurtër pas natës tragjike. Njëzet vjet pas vrasjes, eshtrat e ish-kryeministrit Mehmet Shehu u gjendën në korrik 2001, në një luginë të fshatit Ndroq rreth 20 km larg Tiranës, si rezultat i kërkimit këmbëngulës të djemve të tij, Skënderit dhe Bashkimit.
XHEVDET SHEHU


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ARMINA - JA DETAJET E LIDHJES SIME ME SHKËLZENIN (12.17.2014)
VOLEJBOLLISTI GAZMEND HUSAJ KRENARI SHQIPTARE (12.16.2014)
IZRAEL, NËPËR PLAGËT E TOKËS SË SHENJTË (Reportazh) (12.15.2014)
UKSHIN HOTI, PRINCI I VËRTETË I KOMBITNga RAMIZ LUSHAJ (12.13.2014)
LDK NUK ËSHTË PRONË E ASKUJT - JO GRUPEVE TË INTERESIT NË LDK!Nga FLORIM ZEQA (12.12.2014)
NJË BENELUKS I BALLKANIT MUND TË PARANDALOJË NJË PËRPLASJE NË MES TË HISTORISË DHE GJEOGRAFISËNga BLERIM REKA (12.12.2014)
NJË HISTORI ME SHQIPTARË ORTODOKSË - QË KA TRONDITUR MAQEDONINË (12.12.2014)
MODELJA SHQIPTARE STELA MATOSHI PËRZGJIDHET 'MBRETËRESHA E EVROPËS 2014' (12.10.2014)
JETË E HUMBUNNga EJËLL ÇOBA (12.09.2014)
MË KA PAS THANË NJË PLAK!-E ribotoj sot në 28 vjetorin e ndarjes nga jeta të babait tim-Nga ZEQIR LUSHAJ (12.08.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Nëntor 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]