Sipas zyrës së shtypit të presidencës, në këtë veprimtari ishin të pranishëm edhe Nunci Apostolik Imzot Ramiro Moliner Ingles, Arqipeshkvi i Shkodër-Pultit dhe Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare Imzot Angelo Massafra, Kryetari i Komunës Bushati Zef Hila, dhe mjaft klerikë e banorë të shumtë të zonës.
Presidenti i Republikës i akordoi Dekoratën "Nënë Tereza" At Sebastian Vazhakala për kontributin, ndihmesën e paçmueshme dhe përkujdesjen altruiste për të pamundurit e të pafatët, si dhe për thjeshtësinë dhe përulësinë njerëzore që e karakterizon gjatë veprave të tij bamirëse, duke iu afruar vetive të një engjëlli mbrojtës dhe shenjti tokësor".
Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast në Kishën Katolike, Presidenti Nishani e konsideroi detyrë të institucionit që drejton që të evidentojë, të vlerësojë e të lartësojë zyrtarisht modelet më të mira e pozitive jo vetëm të kohës kur jetojmë, por të shoqërisë sonë.
"Nënë Tereza jonë e shtrenjtë, përpos mësimeve të urta të panumërta, duke na udhëhequr me shembullin dhe përvojën e saj vetjake, na ka rrënjosur në kokë postulatin: "Kryeni vepra bamirësie të vogla çdo ditë, por me dashuri të madhe"! Mes nesh kemi dikë, që e meriton vërtet të quhet me shkronja të mëdha NJERI, At Sebastianin, i cili me punën e tij të palodhur, me fisnikërinë dhe altruizmin, me shërbimin e tij të painteres, ka ngritur lart në qiell jo vetëm emrin, personalitetin dhe kujtimin e misionares dhe bamirëses shqiptare, Nënë Tereza, por edhe të vetes si dhe të asaj çka përfaqëson qartësisht", vijoi Presidenti.
"Nëpërmjet lumturimit të gruas ndoshta më të famshme të rruzullit tonë, të bijës më të papërlyer e më të përkryer të kombit shqiptar, Nënë Terezës shtatvogël, por me vepra të mëdha, më 19 tetor të vitit 2003 Papa Gjon Pali i Dytë çeli dyert e një tjetër realiteti shpirtëror. Bëmat e saj ashtu të thjeshta e të heshtura, por ama të përditshme përfaqësonin rrezen e dritës shpresëdhënëse, ndryshonin jetët, ndoshta edhe historinë e mëvonshme të njerëzimit, shumë më tepër nga gjestet, fjalimet, e retorikat boshe e të çastit të disa politikanëve apo drejtuesve të çfarëdolloji në këtë jetë të përkohshme vdekatarësh apo edhe mëkatarësh e plot tundime", vijoi kreu i Shtetit.
Sipas tij, At Sebastiani qëndron përpara nesh me thjeshtësinë e përulësinë e një shërbyesi kokulur të njerëzimit, duke qenë se ai ka ngritur nga themelet dhe drejton shtëpi të panumërta bamirësie me dhe nën frymën dhe filozofinë jetësore të Nënë Terezës në Shqipëri dhe anembanë botës.
"Ai ka ecur besnikërisht e pa asnjë fije hezitimi apo shmangieje në gjurmët e saj dhe ka mbushur zbrazëtinë dhe nevojën e jashtëzakonshme të mbarë njerëzimit që la pas ikja e asaj Nëne të të gjithëve ne, pa dallim race, kombësie apo feje. Ati i mirë dhe i paqtë ka kontribuar dhe vazhdon të kontribuojë duke dhënë një ndihmë të paçmueshme për të varfrit e më të varfërve, për më të pafatët e të pafatëve, për më të pamundurit e të pamundurve, mes nesh", thas më tej Nishani.
Ai theksoi se At Sebastiani po përmbush më së miri në Shqipëri, atë që Nënë Tereza bëri për dekada me radhë në Kalkutën e largët dhe në çdo cep tjetër të mjeruar të botës. Sepse mbi të gjitha ai është një nga nxënësit e saj të shumtë, bashkëpunëtori më i afërt përgjatë tridhjetë viteve në Indi e kudo tjetër, pasuesi, dishepulli i saj.
"Nga modeli që krijoi dhe shpalosi Nënë Tereza jemi frymëzuar e kemi nxënë mësimin se doktrina e saj në shërbim të njerëzimit, bamirësisë, paqes, mirësisë dhe përparimit meriton më së paku jo vetëm mirënjohje të thellë, por madje edhe shenjtërim. Jam i bindur se shpreh edhe ndjenjën e të gjithë shqiptarëve, duke ripërsëritur urimin tonë të përbashkët që Nënë Tereza të shpallet sa më parë shenjtore e Kishës Katolike, por edhe e mbarë njerëzimit", vijoi ai.
Në përfundim të vizitës në Bushat Presidenti Nishani vizitoi edhe shtëpinë "Bethel" "Shtëpinë e Zotit", strehën e Misionarëve të Dashunisë, ku u takua përzemërsisht dhe u njoh nga afër me të pafatët që janë strehuar aty dhe me personelin që përkujdeset për ta nën drejtimin e At Sebastianit./atsh