5 MAJI Nga QERIM SKËNDERAJ
E Martë, 05.05.2015, 07:09pm (GMT+1)
I pashë veteranët këtë ditë të shënuar, Si drurë të vjetër harkuar nga era. Buqeta me lule u dridhen në duar, Tek shtyhen ngadalë mbi këmbët e "prera"...
Me imazhin e shokut të mbetur në luftë Afrohen te varri e nuk mbahen dot. Kujtimet u veshin mornica mbi trup, Lulet mbi varr spërkaten me lotë...
Eh veteranë sa kohë ka rrjedhur, Që atëhere kur ju vetëtinit mbi male. Rrufe e furtunë prej qiellit "vjedhur", Lirinë ideal, përmbi ideale...
Tani jeni plakur, plakur vërtetë, Një brez pas jush, u plaka dhe unë. Por lulja që mbollët do t'çeli për jetë, Në kohë me diell, e kohë me furtunë...
5 maj 2015
QERIM SKËNDERAJ
|