
Mira Mezini, profesoreshë e informatikës në Universitetin e Darmstadtit,
Gjermani, është fituese e çmimit ERC Advanced Grant me shumën prej 2.3 milionë
që e ndan Këshilli për Promovim të hulumtimeve shkencore (European Research
Council ERC).
Ky është çmimi me vlerën më të lartë monetare që ndahet në Evropë. Me këtë
shumë parash ajo planifikon të vejë bazat për programimin softuerik të
programit Cloud.
Ky çmim jepet nga Bashkimi Evropian prej vitit 2007. Shkencëtarëve që fitojnë
këtë çmim në fakt u ofrohen mjete për zhvillimin e projekteve bazike në fushën
e tyre të studimit.
Me 2.3 milionët e fituar, profesoresha Mezini planifikon hulumtimin e
koncepteve të reja të programimit që janë në përputhje me sfidat që paraqesin
realitetet e "llogaritjeve në Cloud".
Në kuadrin e programit të saj PACE (Programming Abstractions for Applications
in Cloud Environments) Mezini do të ngre n jë ekip prej 7 shkencëtarësh që do
të përpunojnë si bazat teorike ashtu edhe prototipet e koncepteve të synuara të
programimit.
Mezini, 45 vjeçe, ka studiuar informatikën në Universitetin e Tiranës ndërsa në
vitin 1997 ka promovuar nüe universitetin Siegen, Gjermani. Pas tri vitesh të
kaluara në Northern University Boston, ajo hulumton nga viti 2000 në
Universitetin e Darmstadtit.
Në vitet 2005 e 2006 ajo është shpërblyer me çmimin IBM Eclipse Innovation
Award. Ndërsa me çmimin ERC Advanced Grant, Mezini bëhet shkencëtarja e parë e
informatikës nga Gjermania që fiton një çmim të tillë elitar.