Që në moshë të re i pëlqente të lexonte me orë të tëra gazetat e ditës dhe librat, kjo falë përkushtimit dhe pasionit të atit të tij të shtrenjtë, që i kultivoi te ai leximin, me bindjen se sa më shumë të lexosh aq më i ditur je. Me ndryshimin e sistemit në Shqipëri, gjithmonë në kërkim të lirisë dhe hapësirave të jetës, publicisti dhe aktori shqiptar Marko Caka emigroi në Greqi, ku studion për gazetari dhe më pas zhvilloi një karrierë brilante në median greke. Tashmë i mirënjohur në qarqet gazetareske greke, Marko Caka kapi dhe trajtoi një varg temash që kishin të bënin me përmbajtjen e problemeve dhe aspekteve të ndryshëm jetësorë, faktet dhe dukuritë që evidentonte historinë, emigrimin, politikën, kulturën, artet, intervistimin e drejtpërdrejtë të personazheve të ngjarjeve dhe temave social ekonomike, në nivel profesional dhe rrafshin njerëzor, filozofik dhe historik. Por një ditë prej ditësh, ai do të lerë tokën greke për shkak të krizës ekonomike që kapi këtë vend dhe do të niset drejt SHBA-ës, dhe krejt natyrshëm kapërcen "barrierën"-dhe gjendet në të parapëlqyerin e Steven Spielberg dhe sot për sot ai ndan sheshxhirimin krahas yjeve të kinamatografisë hollivudiane Tom Hanks, George Clooney, Julia Roberts, James Belushin, Steve Buscemi., Damian Leëis, Maggie Siff and Paul Giamatti, etj, në role episodikë dhe figurantë, tejet të realizuara dhe impresive. Aktualisht Mark Caka është duke punuar në shumë projekte dhe karriera e tij vazhdon të maturohet e rritet me ritme të shpejta dhe në mënyrë krejt interesante. Në këtë intervistë Mark Caka rrëfen jetën e tij mes gazetarisë dhe eksperiencës së tij mahnitëse të interpretimit krahas yjeve të kinematografisë me famë botërore. Për më shumë ndiqni intervistën.

--

 

Keni qenë nga gazetarët më aktivë në mediat ballkanike, veçoj atë greke. Si ndodhi që gazetaria u bë pjesë domethënëse e jetës tuaj? A ju kujtohen ditët tuaja të para si gazetar?

Dashuria për gazetarinë kishte lindur që në fëmijërinë time. Një pasionant i gazetave, duke qenë se im atë ishte i abonuar dhe ma kultivonte vazhdimisht si edukim, që sa më shumë i lexuar të isha, më shumë i pasuruar në formim të përgjithshëm. Të dy adhuronim brilantin e gazetarisë së kohës, Niko Nikolla, por edhe gazetarin e familjes sonë, të ndjerin Frano Caka. Madje ky i fundit në fund të viteve "˜90-ë u bë iniciatori im, që gazetaria të bëhet pjesë e jetës sime. Dhe kështu që atëherë nisa me studimet për gazetari me pedagogë të elitës së gazetarisë greke dhe për të nisur karrierën e bukur të gazetarisë.

A mund të na përshkruani momente nga eksperienca tuaj të kolumnave dhe artikujve publicistikë, shkruar nga ju?

Unë ndaj shumë eksperienca, por do të veçoja analizat për keqtrajtimet e emigrantëve shqiptare sporadikisht nga strukturat shtetërore greke. Kanë qenë analiza rrënqethëse që tregonin sesi emigranti shqiptar ishte i pa mbrojtur nga shteti mëmë dhe dinjiteti i tyre ishte përdhosur nga racizmi grek. Dhe një shkrim tjetër shumë prekës ka qenë për tragjedinë e 9 Janarit 2004, ku humbën jetën 21 vetë në ujërat e Otrantos dhe askush nuk e mori përgjegjësinë për këtë fatkeqësi të madhe. Cilësova këto lloj eksperiencë të hidhur se këto kanë qenë më të ndjeshme dhe më të prekshme tek lexuesit.

Kam ndjekur me interes të veçantë shkrimet tuaj, veçmas duke intervistuar profile të ndryshme në jetën socialekonomike, kulturë e art. Si lindi ideja e intervistimit, si pjesë narrative jetësore e personazheve që përzgjidhni të vijnë në jetën e përditshme?

Gjithmonë më ka pëlqyer të intervistoj, sepse aty lexuesi komunikon drejtpërdrejtë me personazhet e ngjarjeve. Gjithmonë jam shtyrë që lajmin të mos e kem të vakët, por duhet mësuar edhe për detajet se çfarë thonë edhe njerëzit që zhvilluan ngjarjen dhe ata që u ndodhën në ngjarje, pra dëshmitarët okulare. Unë kam intervistuar shumë personalitete të famshëm në rang botëror, falë profilit që krijova në Greqi. E fitova këtë mundësi që në fillimet e para të karrierës sime. Mënyra e artikulimit të pyetjeve në konferencat e shtypit tërhoqi vëmendjen e shumë drejtuesve të mediave greke, të cilët më propozuan të bashkëpunoj me ta. Dua të kujtoj një detaj në një tryezë të përbashkët të ministrave të jashtëm të Ballkanit, në një sallë të mbushur plot me diplomatë të huaj e gazetarë. Ministrat e Jashtëm ndër ta edhe ish-ministri Basha, po shpalosnin vizione të moderuara të bashkëjetesës në rajon, dhe një ndër këta ishte edhe ministri serb Jeremiç, i cili këmbëngulte që Kosova duhet të jetë brenda Serbisë dhe jemi të gatshëm të mbrojmë interesat e tyre. Kjo më acaroi kaq shumë dhe kërkova t'i shtroj pyetjen e radhës. Dhe pyetja ishte: "Sa e lehtë është nga ju për të fituar besimin dhe garancinë një kosovari, ku regjimi serb që ju i keni shërbyer, i ka zhdukur gjithë familjen dhe jeta e tij ka pushuar që në atë moment? Ai u mbulua me djersë, nuk arriti të përgjigjej dot, por më vonë arriti vetëm të fajësonte regjimin e mëparshëm ku ai i shërbeu me devotshmëri.

Jemi mësuar shpesh ta mendojmë se "të intervistosh", është qëllim dhe obligim në vetvete. Si mendoni ju, "intervista" mund të shërbejë gjatë në fushën e gazetarisë? A mendoni se ka ndonjë dobësi?

Po, më se e sigurtë! Intervista do të jetoj përgjithmonë derisa njerëzimi të ekzistojë, sepse gjithmonë do të ketë zhvillime ngjarjesh dhe personazhe që kanë diçka më të veçantë se të tjerët. Dhe duke qenë këto përherë, shoqëria është kureshtare dhe e prirur për të mësuar për ta. Pastaj intervista bëhet më interesante nga vetë gazetari sesi e ka ndërtuar atë, dhe me anë të pyetjeve, sa gjëra të vlefshme ka marrë që lexuesit kanë interes të lexojnë. Gazetari gjatë intervistës duhet të kalojë në anën e lexuesit, dhe të dijë se çfarë kërkon lexuesi dhe se cfarë do ta pyeste po vetë lexuesi, po ta kishte përballë intervistuesin. Gazetari nuk duhet të pyesë se çfarë i pëlqen intervistuesit, por për çfarë është i interesuar lexuesi, pra audienca të dijë për të.

Marko Caka me Aleksis Cipras

Në profilin tuaj në rrjetin social Facebook , është fotoja tuaj me kryeministrin aktual të Greqisë, Aleksi Cipras. Na tregoni si arritët ju, të bënit intervistuesin, me këtë lider nga më të përfolurit tani për tani në politikën europiane? Cili është sekreti i komunikimit të ideve dhe pyetjeve tuaja "me spec", me të, gjatë intervistimit? Aq më tepër që këto vinin nga një gazetar shqiptar...

Aleksin e kam njohur që në vitet studentore, në vitet "˜90-të. Atëherë, ai ishte një nga aktivistët më të palodhur të së majtës rinore greke dhe të dy i përkisnim të njëjtës rrymë me kauza idealiste. Por profesionalisht u takuam kur ai ngjiti shkallët e hierarkisë së SYRIZA-s. Ishin momentet, kur ai jepte intervista dhe konferenca shtypi, si lider i partisë së tij. U impresionua shumë nga pyetjet, sepse nuk ishin pyetje përkëdhelëse, siç ndodh rëndom me politikanët, por ishin pyetje që kërkonin qëndrime politike, përgjegjësi për ato që thua që mund të rezultonin thikë me dy presa, për një lider të ri, që kërkon të marrë pushtetin, dhe që shmang përgjigjen diplomatike. Por Cipras i pëlqen të jetë i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë me qëndrimet e tij. Dhe riskun me popullin e kishte marrë vetëm duke qenë i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë. Saqë më falenderoj për pyetjet "djegëse", dhe më inkurajoj për guximin, aq më tepër si shqiptar.

Si kanë reaguar ndjekësit e konferencës pas intervistimit? Po vetë Aleksi Cipras?

Salla ishte e mbushur plot me gazetarë e korrespondentë nga mediat më të mëdha të botës. Të gjithë mbetën të befasuar dhe në fund më përgëzuan për kurajon, dhe mos them se bëra shumë miq pastaj. Siç thashë edhe Tsipras më falenderoj dhe bashkë me zëdhënësin e tij m'u shprehën të gatshëm për bashkëpunim dhe kudo dera e zyrës së tij është e hapur për shqiptarët.

Dhe gjatë kësaj karriere mbresëlënëse, a jeni ndjerë ndonjëherë nervoz apo i lodhur?

I lodhur dhe ngaqë është një rrugëtim shumë i gjatë dhe shumë i vështirë për nga ngarkesa. Flasim për një karrierë mediatike me qindra udhëtime dhe plot dinamika të ngjarjeve. Ndërsa nervozizmi është në varësi të situatave dhe realizimit të punës, por rezulton i paktë. Jam nervozuar vetëm në ato raste kur nuk arrija atë që kërkoja, apo dështoja për diçka që kisha orë që e kisha pritur. Këto më kanë ndodhur rrallë, por ndodhin sepse janë pjesë e jetës dhe nuk ka kuptim pa dështimin. Rëndësi ka që gjen forcën për të përballuar situatën, që të krijohet dhe këmbëngul për ta realizuar.

Çfarë do të dëshironit të thoni në lidhje me karakterin e përgjithshëm të gazetarisë shqiptare, greke, ballkanike apo lindore, në krahasim me atë perëndimore, bazuar në ato ç'ka ju keni lexuar dhe shkruar?

Unë mendoj më shumë, se gazetaria ndryshon ndërmjet tyre nga politikat që diktojnë mediat dhe drejtuesit e tyre, sesa nga vetë karakteret e gazetarëve. Karakteret e gazetarëve janë individuale dhe jo sipas përkatësisë së tij etnike apo gjeografike. Nëse themi se gazetaria perëndimore është më e avancuar dhe më e çliruar, ne kuptojmë se politikat e gazetarisë atje janë të çliruara dhe të pavarura nga instrumentet shtetërore që ndikojnë mbi to. Gazetaria perëndimore dhe sidomos ajo amerikane është shumë plotfuqishme në rolin e saj, dhe nuk ka lejuar kurrë për shkak të prestigjit dhe emrit që ka krijuar të poshtërohet dhe të bëhet vegël e politikës. Një fenomen që vazhdon ta poshtërojë akoma median ballkanike dhe ato lindore. Elita e gazetarisë shqiptare pothuajse ka fituar një imunitet më të plotë dhe është shumë më pak "lëpirëse" e politikës. Unë shoh që pak media në Shqipëri vazhdojnë t'i mbajnë si idhuj liderët politikë. Të cilët i ftojnë në emisione dhe ju krijojnë famën, i bëjnë ikona publike pa bërë akoma punën. Politikanët duhet të jenë në krye të detyrës dhe jo të japin sqarime. Sqarimet duhet t'i japin kur ulin kryet dhe ju shërbejnë njerëzve, dhe jo për të mbushur panelet për të na sqaruar se ku kanë dështuar gjërat. Pra, jo të dalin në ekrane për t'u apologjisur e për të kërkuar lëmoshë atëherë kur dështojnë. Por të vijnë e të bëhen shembull vetëm nëse puna e tij njeh rezultate maksimale në shërbim të shoqërisë dhe vlerave njerëzore, dhe ja vlen për të mësuar edhe të tjerët. Por në Shqipëri ndodh e kundërta, shfaqen dështakët që shfajësohen duke u krekosur me plot arrogancë për t'u bërë ikona publike, për vetëm një qëllim që të përfitoje nga zgjedhjet e ardhshme elektorale. Stop këtij fenomeni..

Cilat fenomene ndikuan dhe çfarë iu shtyhu ju, të kalonit nga gazetar në aktor dhe pse? Ku qëndron ndryshimi thelbësor mes tyre?

Për hir të së vërtetës, kishte kohë që marrëdhëniet e mia me gazetarinë kishin krisur, dhe kjo për shkaqe ekonomike. Është e vështirë të punosh për mediat shqiptare apo ballkanike në një vend siç është Amerika, me standardin më të lartë të jetesës në botë. Nuk mund të punosh më falas për ta, sepse atë e kemi bërë kur Shqipëria ishte e shkatërruar dhe gazetaria demokratike ishte në vigjilje dhe lexuesit ishin të etur për lajme, sidomos për zhvillimet në Greqi, ku çdo familje shqiptare e kishte një njeri atje. Dhe kjo më ka shtyrë që të mos vë paranë përpara popullit tim. Pra të mos braktis gazetarinë që e kisha pasion vetëm se nuk më paguajnë, sado që bosët e mediave kanë përfituar nga kjo. Prandaj jam i lumtur që në komunitetin e shqiptarëve të Greqisë, jam shumë i dashur dhe i respektuar, sepse nuk kam lejuar të përdhoset dinjiteti ynë fisnik.

Ju tashmë keni krijuar reputacionin tuaj profesional si aktor në kinematografinë amerikane, që shumë e ëndërrojnë pak e arrijnë. Diçka që tregon sikur gjërat rrjedhin lehtë me rolet tuaja. Si ia keni dalë? Si shkon kjo me përzgjedhjen e roleve?

15925_1529106677370050_8008893837254763613_nFaleminderit për pyetjen, por reputacioni nuk krijohet pa punuar. Ka nga ata që janë konfuzë për arritjet e mija derisa venë në dyshim edhe talentin tim. Nuk është parë në historinë e kinematografisë hollivudiane, të luash apo të përzgjidhesh nga regjisorët më të mirë në botë sadoqë role të vogla të jenë, të mos kesh talent, apo të mos kesh diçka më të veçantë se të tjerët. Pra në këto pika nuk ka fare diskutim. Po fitove besimin e atyre që kryesojnë elitën e Hollivudit, sigurisht që do të jetë më e lehtë, për ata që janë poshtë tyre, pra dyert janë të hapura, sepse kë dhënë provat më të mëdha, dhe ke krijuar një "big resume" për agjensitë e mëdha hollivudiane dhe për agjentët menaxhere më të mirë. Për këtë jam shumë i privilegjuar që kam fituar vlerësim nga produksionet më të mëdha hollivudiane dhe unë jam pjesë e filmave si tek Warner Brothers Pictures, 20th century FOX, Universal e të tjerë. Kjo më ka bërë shumë të lumtur që emri im sado në rol të vogël, të rreshtohem bashkë me yjet e kinematografisë hollivudiane. Ndjehem shumë krenar si shqiptar që "site-t" më të mëdha kinematografike të vendeve të mëdha të botës shkruajnë edhe emrin tim pranë yjeve në rolet suportuese. Marr shumë mesazhe nga shumë fansa të filmit në çdo skaj të botës, ku më thonë se të duam se je shqiptar. Deri edhe nga Rusia dhe Azia që më shprehin simpatinë dhe inkurajimin për të ecur përpara.

Çfarë lloj personazhesh kanë qenë preferencat tuaja për të luajtur? Cila ka qenë personazhi tuaj i parë?

Më shumë, për disa producentë, duke ditur edhe eksperiencën time, jam i preferuar në rolet e gazetarit apo në Party Guest, për nga paraqitja e jashtme. Por mua më pëlqejnë role të karakterit të mirë, por edhe gangsterëve apo të oficerëve policore në filmat aksion, nga ku jam përzgjedhur në disa seriale dhe "Hollywood movies" nuk do të ishte keq. Mos të harrojmë që unë kam luajtur role që në jetën e përditshme disa i quajnë të rëndomta, por në filma janë karaktere të fuqishme dhe të vështira, si bartender, kamarier, apo edhe bujk nëse më jepet mundësia do ta bëja me shumë kënaqësi. Çdo rol në film është i rëndësishëm, prandaj çfarëdo lloj pune është eksperiencë dhe shumë të nevojshme në filmat hollivudian.

Ju kemi parë të luani krahas yjeve të kinematografisë hollivudiane Tom Hanks, James Belushin, Steve Buscemi, Damian Lewis, Maggie Siff and Paul Giamatti, etj, por edhe rolet tuaja episodikë dhe figurantë, tejet të realizuara nga Ju dhe impresive. Ç'mund të na thoni për këtë? Si e shihni veten nga pikëpamja tuaj në këto filma?

Unë e kam deklaruar se nuk kam bërë bujë nëpër filma, sepse nuk luaj liderin, por karriera ime është shpresëdhënëse me aq sa janë arritur deri tani. Duhet theksuar se nuk është aspak lehtë të jesh pjesë e një filmi hollivudian, dhe kush e nënvlerëson këtë arritje, e ka vetëm për arsye xhelozie. E kam thënë që njeriu ka fatin vetëm të jetë pranë tyre, e jo të luajë e të jetë partner i tyre. Kam ndarë momentet më të bukura, me Meryl Streep në rolin e bartenderit dhe kam marrë komplimente si mashkull mesdhetar, gjithashtu edhe me fituesen e Oscar Patricia Arquette ku kam qenë një gangster i ëmbël i rezortit ku pronare ishte vetë Patricia që flirtohet me Steven Buscemi. Me Tom Hanks dhe James Belushin kam ndarë edhe biseda mbresëlënëse dhe ishin shumë të ngrohta e inkurajuese për një aktor fillestar siç isha unë ku më vlerësuan shumë rolin e reporterit. Pra të fitosh një rol në filmat hollivudianë është suksesi më i madh për një aktor, dhe këtë duhet ta shfrytëzosh për të arritur në role protagonistike e cila do shumë punë me anë të mësimeve të aktrimit. Asgjë nuk vjen rastësisht, pa punë dhe talent.

Pavarësisht rolit që keni luajtur dhe vazhdoni të luani në filma, personazhi që interpretoni ka qenë i rëndësishëm. Sfida që jeni përballuar me interpretimin e tij nga jeta reale dhe në përshtatje me kohën e situatën. A keni gjetur hapësirë për të shpalosur talentin tuaj aty?

Filmat hollivudianë këtë të mirë kanë, që të japin hapësirë të përmirësohesh deri sa ti të japësh perfekten, pra maksimumin. Domethënë, ata nuk të demoralizojnë por të motivojnë dhe të thonë se ne nuk lëvizim nga këtu, deri sa ti të japësh maksimumin. Nuk janë nervozë sepse e dinë se sjell dështim, pra nuk luajnë me psikologjinë e aktorit, përkundrazi e suportojnë dhe ky është sekreti se Hollivudi është përvojë imagjinare dhe i pa arritshëm nga të tjerët. Janë miqësore me ambientin, me gjithçka që i rrethon, me një profesionalizëm shumë të lartë. Unë mendoj se Hollivudi është tempulli i vlerave profesionale, por edhe i vlerave njerëzore, se trajtohesh si një princ.

A ndikon gazetaria në kinematografi?

Absolutisht që po, të kesh një eksperiencë në gazetari do të thotë të njohësh gjithçka. Gazetaria është profesioni më i priveligjuar sepse të jep mundësinë të bësh reportazh për gjithçka. Në çdo hap ku merr frymë, mund të shkruash diçka dhe ta bësh reportazh. Edhe aty ku mendon se je duke u argëtuar dhe mendon se je shkëputur për pak nga gazetaria, ti e shfrytëzon dhe e bën reportazh. Pra gjithë kjo eksperiencë që kam përfituar nga gazetaria, tani më ndihmon të formoj karakteret. Pra të dyja këto, gazetaria e kinematografia janë arte brenda artit, që ndihmojnë njëra tjetrën.

Jeni në proces xhirimi të një filmi hollivudian krahas Jodie Foster, George Clooney, Julia Roberts dhe Jack O'Connell. Si ndodhi që regjisori i këtij filmi në proces iu zgjodhi pikërisht Ju? Si ndjeheni që do të luani krahas yjeve të kinematografisë botërore?

Çdo gjë vjen nga sugjerimet që japin agjencitë e mëdha, sipas rezumesë që kam krijuar dhe nga përzgjedhja ndjehem shumë i priveligjuar dhe meqenëse filmi është në përpunim e sipër akoma nuk janë vendosur karakteret tek rolet e vogla. Kështu që më duhet të pres që të jem pjesë me yjet lartpërmendur.

Çfarë ju ka mbetur peng që do të dëshironi ta interpretoni?

Unë jam në fillimet e filmit hollivudian, dhe nuk jam në etapën e pengjeve, se ajo vjen kur ke bërë sukses të gjatë. Por sfida ime individuale është të fitoj një rol lideri, dhe të bëhem pjesë e klubit të yjeve. Është e vështirë por jo e pa realizueshme.

Çfarë është dashuria për ju? Kur një burrë e ndjen se ka të tilla në jetë?

Dashuria për mua është gjithçka. Ajo të ngop dhe ta bën ditën më të bukur. Të jesh i dashuruar nuk do të thotë vetëm në lidhjen sentimentale, por për çfarëdo që bën. Duhet të jesh i dashuruar me njerëzit, me punën dhe ambientin që të rrethon për të kuptuar rëndësinë e dashurisë. Ndërsa në lidhjen sentimentale megjithëse vitet po bëjnë të vetën, por dashuria akoma nuk më ka trokitur në derë. Jam në pritje të femrës ideale, ajo që do të me falë dashurinë jo vetëm mua, por edhe familjes që do të krijojmë. Unë kam një këndvështrim tjetër për femrën time ideale, sepse e shoh si një partnere në të gjitha aspektet e jetës, në mendime, në veprime dhe marrëdhënie. Asnjë nga ne të dy nuk ka mbivlerësim, por respekt, barazi dhe harmoni ndaj detyrave tona të përbashkëta të familjes.

Si publicist dhe aktor cili është koncepti tuaj për kombin, për pushtetin, për partitë politike dhe për demokracinë në vendin tonë?

Ahh, kur më thua për kombin kam një dhimbje në shpirt dhe më vjen keq që ky vend mbase ka nxjerrë shumë burra, por fatkeqësisht të tjerë kanë drejtuar. Sepse nuk mundet që një komb të jetojë gjithnjë nën plagë, nëse do të kishte patur burrat e vërtetë në krye. Është si ajo që një dhimbje nuk mund të bashkëjetojë kurrë nëse është doktori mbi krye. Ashtu është edhe pushteti, nëse nuk kishte "doktorët" e vërtetë, dhimbja tek shqiptarët gjithmonë ka gjetur paqe. Sepse nuk kanë qenë njerëzit e duhur për t'i shërbyer kombit dhe jo interesave personale apo të një pakice.

Kur shprehemi "brezi i mëparshëm", kë keni ndërmend sipas jush? Cilët janë aktorët tuaj më të preferuar, shqiptarë e të huaj?

Aktorët e mi më të preferuar kanë qenë, legjendat e kinematografisë shqiptare Sandër Prosi, Ndrek Luca, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Mirush Kabashi, Tano Banushi, Luftar Paja e tjerë nga plejada e vjetër. Ndërsa të huaj janë të gjithë hollivudianët pa përjashtim, sepse të arrish deri aty tregon se ke diçka më tepër se të tjerët, pra vetëm mendjet imagjinare arrin majën e suksesit të tyre.

A është i lirë shtypi sot? Projektet tuaja në të ardhmen?

Absolutisht, po, e kam fjalën për në Shqipëri. Sot po shkojmë drejt asaj që të çlirohemi përfundimisht edhe nga dogmat dhe militantizmat. Shtypi duhet jetë krejtësisht i pavarur pa ngjyrime politike, por të mbrojë vetëm interesat e njerëzve në shërbim të problemeve të tyre. Dhe në këtë drejtim mediat shqiptare janë përmirësuar shumë në krahasim me vitet e para të pluralizmit. Projektet e mia në të ardhmen janë vetëm me filmin, studimet dhe ushtrime të aktrimit sipas karaktereve me synimin për të marrë role kryesore. Pothuajse me njërën këmbë kam hyrë në prodhimin hollivudian dhe tani me shumë punë dhe me këmbë në toke drejt synimit për t'u familjarizuar me elitën hollivudiane..

Hobi dhe pasioni tuaj?

Hobi im janë sportet, muzika, udhëtimet eksploruese ndërsa filmi është pasioni im bashkë me gazetarinë.

Mesazhi tuaj për talentet e reja, që aspirojnë të bëhen aktorë...

Unë kam shumë besim tek rinia shqiptare. Jemi një komb i fortë me ambicie dhe shumë i zgjuar. Neve na duhet vetëm të çlirohemi nga patriarkalizmi, pra të mendojmë se karriera bëhet kur sfidon konkurrencën botërore. Pra suksesin mos ta mendojnë vetëm brenda kufijve të Shqipërisë e deri në Kosovë e Maqedoni, por ta shtrijnë në çdo anë të globit. Tani me globalizmin kombi ynë është i etur për talente që sfidojnë arenat botërore. Dhe këtë mundësi e kemi se ne nuk na mungojnë elementët. Por për këtë duhet të punojnë shumë të gjithë faktorët për të suportuar cilindo që merr risqet, për të sfiduar suksesin ndërkombëtar. Ju a uroj me gjithë shpirt cilitdo që e ven talentin e tij për të bërë karrierë ndërkombëtare, dhe pse jo dhe në tapetin e kuq të Hollivudit.