Artistët e njohur Bujar Zajmi dhe Anila Zajmi Katanolli, atë e bijë,
po prezantohen së bashku në një ekspozitë në Espace, place 26 Denfert
Rochereau, Paris 14, ekspozitë e cila duket se ka ngjallur interes në
dashamirës të artit dhe miq të qëndres Albinfo, e cila prej kohësh
prezanton artin shqiptar në shumë diapazone.
Ai zgjodhi të prezantojë kërkimet e tij në tematikën e preferuar të
përshtypjeve të hershme të figurave dhe njollave piktorike të cilat duke
u rikujtuar dhe sjellë në kuadratet e kompozimeve dhe ndërthurjet e
vizatimit e ngjyrave të cilat krijojnë një atmosferë të freskët të
temave dhe momenteve të preferuara të këndvështrimit të tij, fshatarët
malësorë dhe të Shqipërisë së mesme.
"Bujar Zajmi luan me vizatimin dhe me shkathtësi vendos ngjyrat pa
një obligim të respektimit të asaj që ne jemi mësuar të shohim shpesh
herë në imitimin e realeas. Ai kështu abstragon me vizatimin dhe ngjyrën
duke na dhënë me forcën e një këndvështrim origjinal përshtypjen e një
gjëndje të re, të freskët, me ngjyra të gjalla që ndihmohen nga
kontrastet grafike. Këto qëndrime të një kërkimi krijues artistik nuk
janë të reja në krijimtarinë e tij të gjatë në kohë ku ai ka formuar
personalitetin e Tij", cilëson Zamir Mati .
zajmi4Në fakt , Bujar Zajmi qysh herët është dalluar në grafikën
shqiptare e sidomos në ilustrimet e librave dhe revistave të fëmijëve
për linjën e shkathët që shoqërohej nga ngjyrat e forta pothuaj të
vendosur në mënyrë abstrakte në vazhdimësinë e tyre. Herë-herë zgjidhja
me humor e vizatimit të personazheve të tregimeve apo të poemave e
vjershave të ilustruara prej tij të çudisnin për guximin e realizimit të
tyre.
Të njëjtën karakteristikë ruan Bujar Zajmi edhe tani në punimet e
viteve të fundit. Veprat e tij tregojnë një zotërim të mjeshtërisë
artistike të cilat kështu formojnë figurën dhe origjinalitetin e një
piktori të veçantë të artit pamor Shqiptar.
Ndërsa Anila Zajmi Katanolli prezanton në këtë ekspozitë një seri
punimesh të cilat janë kërkime dhe studime të vazhdueshme të artistes.
Asaj i intereson figura e njeriut dhe kjo në ato pozicione e poza të
cilat nxjerrin në pah veshjet dhe dekorin e tyre.
Ajo frymëzohet dhe pasuron figurat e saj me qëllimin kryesor të
pasurimit të koleksionit të saj nga i cili nxjerr me një eksperiencë
mjeshtërore e ndërton modele të reja për figurat e saj kostumografike që
prej vitesh shoqërojnë shfaqet e operas, teatrit apo sfilatave
prezantuese të krijuara prej saj.
Duket që punimet e Anilës janë më të plota e të ndryshme e me një
origjinalitet por në to ndjen dhe kupton se ajo ka ditur të marrë nga
krijimtaria e të atit atë veçanti të cilën ajo e çon më tej, e pikërisht
është guximi krijues, ndalja tek motivet dekorative kombëtare dhe
vendosja e tyre në një kontekst dhe formë moderne. Punimet e Anilës janë
një seri e zgjedhur nga një mori e tërë punimesh të realizuara prej
ateliesë së saj "objet d' art", shkruan Mati.
anila1E veçanta e këtij aktiviteti ishte edhe prezantimi i punimeve
të ekspozitës nga Anila mbas propozimit të violinistit të njohur
drejtues i grupit " Klandestin" Olen Çesari i cili i kërkoi autores të
shpjegonte magjinë e ngjyrave të ekspozitës që të ngjallin punimet në
një mbrëmje pranverore parisiane.
Violinisti i shquar Olen Çesari e ftoi muzikanten Linda Rukaj e cila
studion në Qendrën Ndërkombëtare Amerikane të Edukimit Muzikor në Paris,
të luante me kitaren e saj. Ai ftoi gjithashtu të pranishmit në
koncertin e tij i cili do të zhvillohet në Qëndrën Kulturore të
Republikës Italiane në Paris në kujdesin e ambasadorëve të Italisë dhe
Shqipërisë në Francë.
Në këtë mbrëmje mori pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Francë
Dritan Tola i cili duke falënderuar autorët e ekspozitës dhe artistët
pjesëmarrës u shpreh, "se ju jeni ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë që
përhapni me punën e veprat tuaja kulturën dhe artin shqiptar në botë e
këtu në Europë".