Në një atmosferë të veçantë festive si pjesë e aktiviteteve kulturore "Tirana
Art Day", e organizuar nga Bashkia e Tiranës është zhvilluar ceremonia e
shfaqjes së premierës të dokumentarit të realizuar nga aktorja me origjinë
shqiptare, Eliza Dushku, "Dear Albania". Personalitete të shquara në vend të
pranishëm në premierë si, Kryeministri, Sali Berisha, ministra, përfaqësues të
trupit diplomatik, të medias, e personalitete të artit, kulturës etj, kanë
shkelur mbi tapetin e kuq, ku dhe kanë pozuar krah aktores Dushku.
Ky dokumentar i cili promovon Shqipërinë është xhiruar në qytete të ndryshme,
duke nisur me kryeqytetin, për të vijuar me Beratin, Korçën, Vlorën, Sarandën,
Tetovën, Prishtinën, Tropojën, Ulqinin e Shkodrën. Vlerat historike e natyrore,
kuzhina, zakonet dhe traditat e shqiptarëve sillen në këtë dokumentar, përmes
vizitave që Eliza Dushku zhvillon në qytetet shqiptare. Kryetari i Bashkisë së
Tiranës, Lulzim Basha e ka konsideruar këtë dokumentar, një kontribut të madh
për promovimin e Shqipërisë.
Jam e lumtur që ndodhëm këtu mes jush, thotë Dushku, për të shfaqur projektin
tim të madh për rrënjët e mia shqiptare. Madje, ajo premtoi se në filmin tjetër
do të flasë shqip.
Dokumentari është një bashkëprodhim mes saj dhe fotografit me famë botërore Fadil
Berisha. Një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe aktori Blerin Destani. Në fokus
janë pamjet e mrekullueshme ku ka udhëtuar Aktorja dushku dhe pikërisht 15
qytete kryesore të Shqipërisë në kërkim të rrënjëve të saj ku dalin në pah
bukuritë natyrore dhe kulturore të Shqipërisë turistike. Aktorja startin e
udhëtimit të saj e nis nga Kalaja e Krujës, por një vend të rëndësishëm zë
kryeqyeteti shqiptar, Tirana duke rrugëtuar në Berat, Korçë, Berat, Shkodër dhe
pa harruar bukurit e bregdetit, të cilat i quan të mrekullueshme. E gjithë kjo
kombinohet me shijen e zakoneve shqiptare dhe me muzikë që flet veç shqip në
sfond.
E pranishme ishte edhe modelja shqiptare, e cila jeton ne Amerike, Anxhela
Martini, e cila tha se u ndje mjaft mirë në shijimin e mrekullive shqiptare që
Eliza ofroj për të pranishmit.
Të pranishmit në ceremonin e shfaqjes së dokumentarit me gotat e shampanjës në
duar uruan Dushkun për realizimin e filmit. Nga ana e saj Dushku premtoi se
projektet me Shqipërinë do vazhdojnë edhe në të ardhmen, pasi tashmë ajo është
e lidhur ngushtë me vendin e saj të origjinës me të shtrenjtën Shqipëri.