I MBYTURI NË LIQEN ËSHTË HERO, AKTORI DHA JETËN PËR TË SHPËTUAR NJË FËMIJË
E Shtunë, 08.16.2014, 06:32am (GMT+1)

TIRANE - Rreth 72 orë pas ngjarjes mësohet dinamika e
ngjarjes dhe fakti që nuk kemi te bëjmë me një akt vetëflijimi sic u
pohua në fillim, por një akt heroik shpëtimi. 55 vjecari me origjine nga
Korca ka mundur të shpëtojë një fëmijë që rrezikonte të mbytej në liqen
duke sakrifikuar jetën e tij.
Sipas të dhënave të mbledhura në
vendgjarje Pandi Toce po bënte shëtitjen e mëngjesit prane liqenit kur
ka pikasur fëmijën me inicialet E. 12 vjec teksa kërkonte ndihmë në mes
të liqenit. Menjëhere është futur në liqen për ti ardhur në ndihmë teksa
e nxirrte të miturin nga uji dyshohet se 55 vjecari të ketë përplasur
kokën me betonët e digës çka dyshohet ti ketë shkaktuar vdekjen e
menjëhershme Pandi Toce ka punuar për pak vite aktor në teatrin e
Peshkopisë dhe më tej inspektor për një kohë të gjatë në Teatrin
Kombëtar në Tiranë. Pandi është vëllai i aktorit Vangjel Toçe dhe kanë punuar së bashku në teatër.
Lajmi
për mbytjen e një burri rreth të 50-tave në Liqenin Artificial para
disa ditësh kaloi pa u mësuar historia e vërtetë që fshihej pas saj. Në
një shkrim të botuar sot nga gazetari Fatos Baxhaku, mesohet se mbytja e
tij nuk ishte as krejt e rastësishme dhe as krejt e kotë, ishte në fakt
një akt heroik i një njeriu, që u fut në liqen për të shpëtuar një
fëmijë që po mbytej. Personi që humbi jetën ishte aktori Pandi Toçe.
Heroi që nuk deshëm ta "identifikojmë" FATOS BAXHAKU Kjo
që do të lexoni më poshtë, është një histori e pazakontë, që ka ndodhur
vetëm pak ditë më parë në kryeqytetin tonë. Është e pazakontë për nga
akti i protagonistit, por edhe për kombinimin e çuditshëm mes heroizmit,
thjeshtësisë, përulësisë, nga njëra anë, dhe indiferencës, shpërfilljes
dhe harresës nga ana tjetër. Heroi në të gjitha kuptimet i kësaj
historie quhej Pandi Toçe, 55-vjeçar, i martuar, baba i dy fëmijëve.
Ai,
sigurisht që nuk kishte se si ta dinte që ajo paradite e nxehtë gushti
do të mblidhte orët e tij të fundit. Që prej disa kohësh Pandi Toçe e
kishte bërë zakon që të bënte një xhiro të shpejtë andej nga kodrat e
Liqenit Artificial të Tiranës. Muajt e fundit kishin qenë shumë të
vështira për të. Për shumë vjet kishte punuar në një punë me të cilën
ndihej mirë, në Teatrin Kombëtar, por sikurse është zakoni te ne "novus
rex, novus lex", ndryshimet e reja në Teatër e nxorën të papunë.
Shëtitja nga Liqeni sikur e largonte nga ajo ideja fikse se duhej
patjetër të niste një punë tjetër. Atë paradite ndihej disi më mirë. I
kishin thënë të paraqitej në zyrat e një spektakli shumë të njohur
televiziv. Dukej se kohët e këqija po kalonin më në fund.
Ne,
sigurisht që nuk mund ta dimë, por Pandi, me siguri këto gjëra kishte në
kokë ditën që hyri poshtë gjelbërimit të thellë të kodrave. Befas,
duhet të jetë rrëqethur nga klithma e një fëmije. Ishte një 12-vjeçar.
Fëmija, në kërkim të topit, kishte hyrë pa u menduar në bregun e
përbaltur të liqenit e tash po thëthihej nga kurthi vdekjeprurës.
Dëshmitarët kanë parë se si Pandi, pa hezituar as edhe një sekondë të
vetme, është hedhur drejt fëmijës. Për disa minuta të dy po thitheshin
nga balta ngjitëse. Atëherë Pandi ka bërë aktin e fundit. Është shtrirë
duke u bërë si bazament për këmbët e fëmijës dhe e ka shtyrë atë sa ka
mundur drejt bregut të sigurt. Në ato momente tragjike është ndodhur aty
edhe një kalimtar tjetër, i cili e ka bërë kanotierën e vet si litar.
Fëmija i llahtarisur ka arritur më në fund të dalë në breg. Por Pandi
kishte nisur të shkonte poshtë. "A shpëtoi fëmija?", ka pyetur herën e
fundit që arriti të nxjerrë kokën mbi ujë dhe më pas është zhdukur në
llumin e kafenjtë. E gjitha kjo histori tronditi një lagje të tërë afër
30 mijë banorëshe, tronditi miqtë e Pandit, dëshmitarët e rastit ...
Fëmija i shpëtuar ende është i tronditur. "Ai xhaxhi më shpëtoi mua dhe
la fëmijët e tij!", kështu përsërit ende pa reshtur. "Njeriu i
kanotierës" është edhe ai i shokuar teksa ndan dhembjen me familjarët e
Pandit. Ndjenja e përgjithshme rreth e rrotull familjes në mort është e
ndarë mes dëshpërimit të thellë për humbjen e të dashurit të tyre, por
edhe një krenari e thellë për aktin që kreu Pandi.
E gjitha kjo
histori ngjethëse heroizmi kaloi krejt në heshtje. Vetëm diku në një
televizion u shkrua vini re, nuk u tha si pa dashje një herë të
vetme, që "në Liqenin Artificial të Tiranës u gjet trupi i pajetë i një
burri të paidentifikuar rreth të "˜50-ave". Kaq, vetëm kaq. Kaq vlente
për shumë prej nesh akti heroik i një njeriu të thjeshtë. Pas kësaj
fjalie "të paidentifikuar" për "burrin e paidentifikuar" ngjarja ishte e
rëndësishme dhe ngjethëse vetëm për njerëzit e thjeshtë, të cilët gojë
më gojë, me sms, me celular, me "Facebook" e kishin krijuar tashmë me
këtë rast një media më vete, një media popullore që nuk i harron
njerëzit e vet të mirë, që janë gati të japin jetën për të shpëtuar atë
të një fëmije të panjohur. Shtypi gjëmon përditë me emra "heronjsh"
modernë: Rama, Berisha, Basha, Fullani, Arvizu, Meta, e më pas lloj-lloj
vipash e vipeshash që janë shumë të shqetësuar, sepse ende s'e kanë
ndarë mendjen nëse do t'i kalojnë pushimet në Ibiza apo në Xhamajka.
Sigurisht që në këtë shtyp për Pandin nuk ka vend. Ai ishte një njeri i
thjeshtë, i heshtur, i qetë, një familjar i ndershëm në kërkim të punës.
Ai nuk ishte VIP, ai nuk i prishte punë askujt. E pra VIP bëhesh vetëm
kur prish punë, përndryshe ç'u pa?! Në media nuk kishte vend në të
gjallë të tij, por nuk kishte edhe kur dha jetën në mënyrën më heroike
të mundshme.
Çfarë ka ngjarë me ne? Me ne që jemi rritur me
lloj-lloj heronjsh, ca të vërtetë, ca të sajuar, ca të gjallë e ca të
vdekur, ca të vrarë, ca të dashur e plot të tjerë të përfolur? Mos vallë
me ne eksperimenti me kultin e heronjve përgjatë komunizmit e teproi aq
shumë saqë na e zvordhi edhe vetë fjalën "hero"? Mos vallë bashkëjetesa
e gjatë me heronj të sajuar na ka mbushur mendjen se ata, heronjtë e
vërtetë, nuk ekzistojnë? Apo e kemi pranuar si krejt normale që të
jetojmë në një botë ku zbrazëtia dhe jo vlerat, tangërllëku dhe jo
modestia, hajdutllëku dhe jo ndershmëria, arroganca dhe jo maturia,
makutëria dhe jo të qenët i përkorë, dhuna dhe jo qetësia, na qenkan
vlerat e vërteta? Përgjigjja është: që të tria bashkë.
Pikërisht
ne që respektonim, vetëm se ashtu na thoshin, Heroin e Punës Socialiste
që u dogj vetë në pyll, por ama shpëtoi teserën e PPSH-së duke e
gëlltitur atë, pikërisht neve nuk na bëka përshtypje heroizmi i Pandit
të thjeshtë, "njeriut të vogël", me zemër të stërmadhe. Pikërisht ne
marrim guximin, që jo vetëm ta shpërfillim, ta injorojmë, ta harrojmë,
por edhe në rastin e vetëm, që e përmendim, ta cilësojmë "të
paidentifikuar", njësoj sikur emrat në këtë dynja të jenë një gjë e
kotë.
Mbase behari është një fazë e vështirë për lajme. E
vërtetë. Shumë zyra, shumë prej nesh, shumë politikanë, shumë showman e
showgirl janë duke u nxirosur të qetë nën rrezet këndellëse të diellit.
Por asnjë justifikim nuk mund t'ua largojë njerëzve të Pandit atë shijen
e hidhur që u është krijuar nga shpërfillja e paedukatë për njeriun e
tyre të dashur. Të gjithë, absolutisht të gjithë, qofshin këta edhe më
të famshmit, e kanë provuar, të paktën një herë në jetë, atë ndjesinë e
kotësisë që ndien kur nuk ta vë veshin apo nuk të hedh sytë njeri. Në
rastin e Pandit, "heroit të paidentifikuar", kështu duhet ta ndiejmë
veten nga pak të gjithë
www.voal-online.ch
|