Sekretari
amerikan i Shtetit, John Kerry, u takua sot me presidentin rus Vladimir
Putin në qytetin turistik të Soçit. Kjo është vizita e parë e zotit
Kerry në Rusi që nga acarimi i marrëdhënieve pas mosmarrëveshjeve për
Ukrainën dhe Sirinë.
Departamenti i Shtetit tha se në plan ishte për t'u diskutuar për një
"numër çështjesh dy-palëshe dhe rajonale " përfshi marrëveshjen me
Iranin, Jemenin dhe Libinë si pjesë e përpjekjeve për t'u siguruar se
qëndrimet amerikane po përcillen qartësisht.
Një zëdhënës i Kremlinit konfirmoi pjesëmarrjen e zotit Putin në
bisedimet e Soçit. Ai i tha agjencisë ruse Interfax se sanksionet
ndërkombëtare mbi Rusinë, të lidhura me përfshirjen e saj me
separatistët në Ukrainën lindore, nuk janë në axhendën e Rusisë.Por ai
shtoi se në se tema hapet për diskutim, Rusia do të shprehë qëndrimin e
saj.
Takimi i Soçit ndodh në të njejtën ditë që në Rusi u bë publik
raporti i udhëheqësit të opozitës Boris Nemtsov, i vrarë me atentat në
afërsi të Kremlinit, në të cilin ai vë në dukje se të paktën 220 ushtarë
rusë janë vrarë gjatë luftimeve në Ukrainë vitin e kaluar, megjithë
mohimet e vazhdueshme të Moskës për përfshirje në konfliktin ukrainas.
Pas takimit të sotëm në Soçi, Sekretari Kerry shkon në Turqi për
takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s që zhvillohet të mërkurën. za