Çarja
me sa duket e pariparueshme mes Presidentit Barak Obama dhe
kryeministrit Benjamin Netanyahu ka vënë në fokus marrëdhëniet personale
të presidentit amerikan me udhëheqës të tjerë botërorë dhe rolin që
luajnë miqësitë mes udhëheqësve në politikën e jashtme. Në vazhdim i
hedhim një vështrim ndikimit që kanë lidhjet mes kryetarëve të shteteve
tek marrëdhëniet mes vendeve të ndryshme.
Është thënë dhe shkruar shumë lidhur me mospëlqimin e perceptuar dhe
mosmarrëveshjen mes Presidentit Barak Obama dhe kryeministrit izraelit
Netanyahu, i cili e shfrytëzoi fjalimin para Kongresit për të denoncuar
përpjekjet amerikane për arritjen e një marrëveshjeje bërthamore me
Iranin.
"Unë e di që fjalimi im ka shkaktuar shumë debate."
Ish-këshilltari i Departamentit të Shtetit për Lindjen e Mesme Aaron
David Miller, thotë se zoti Obama dhe zoti Netanyahu nuk janë
udhëheqësit e parë amerikanë dhe izraelitë që kanë marrëdhënie të
tensionuara, por ndoshta janë të parët që nuk janë të aftë ta kapërcejnë
këtë situatë, për të patur lidhje produktive.
"Kjo mendoj unë, është rezultat i personalieteve të ndryshme që
ata kanë, si dhe politikave të ndryshme. Në fakt kemi të bëjmë me një
stuhi, do të thoja në marrëdhëniet mes të dy vendeve dhe kjo ka sjellë
ndoshta njollën më të keqe në historinë moderne të lidhjeve mes Shteteve
të Bashkuara dhe Izraelit."
Sa të rëndësishme janë raportet personale në politikë?
Profesori i Universitetit George Washington, Matthew Dallek, thotë se
në se marrëdhënia mes Presidentit Obama dhe kryeministrit Netanyahu do
të kishte qenë më e fortë dhe më elastike në fillim, ajo mund të mos
ishte kaq e acaruar tani.
Dallek thotë se miëqsia me krerët e shteteve të huaja është e
rëndësishme prë presidentët amerikanë, sidomos në rastin e një krize.
"Nuk dua të thesoj rëndësinë e marrëdhënieve personale; ato nuk
mund të ndikojnë medoemos në kapërcimin e mosmarrëveshjeve për politika
të rëndësishme. Duke patur këtë në mendje, kur çështjet janë të
vështira, ato mund të sjellin ndryshime. Presidenti Obama ka prirjen të
operojë në një mënyrë më të përmbajtur."
Në gjashtë vitet e tij në postin e Presidentit, zoti Obama nuk njihet
të ketë krijuar shumë marrëdhënie të afërta, personale, me udhëheqësit
botërorë, megjithëse ka thënë se e thërret kryeminisitrin britanik
David Cameron "bro", vëlla.
Presidenti e cilësoi marrëdhënien e tij me kryeministrin izraelit
"një marrënie biznesi" dhe thuhet se lidhjet e tij me udhëheqësit e
tjerë botërorë janë shumë të ndryshme.
Aaron David Miller, autori i librit "The End of Greatness"- "Fundi i madhështisë" studjon
punën e presidentit; ai thotë se udhëheqësit botërorë e duan shumë
politikën dhe bashkëveprimin me të tjerët. Zoti Obama është më analitik
dhe më i rezervuar në qëndrimin e tij.
"Në fakt, kemi një president, i cili sipas mendimit tim mund të
jetë imponues nganjëherë, kur ai angazhohet me diçka, por pyetja
shtrohet në se atij i pëlqen kjo gjë. Ai është më i shkëputur, më i
tërhequr dhe më pak emotiv se sa shumë nga paraardhësit e tij, mes tyre
edhe George W. Bush."
Megjithatë, analistët thonë se ndërsa krijimi i një raporti dhe i një
niveli besimi është i rëndësishëm, marrëdhëniet e afërta personale nuk
mund të kapërcejnë diferencat e mëdha politike që ekzistojnë mes
udhëheqësve botërorë.za