Liria e shprehjes së mendimit do të thotë për mua gjithçka. Ajo vendos
për jetën dhe fatin tim. Përballja me realitetin, raportimi me fakte,
ashtu si janë nuk ka asnjë mundësi vetëmbrojtjeje në Siri veç fjalës
së lirë, mendimit të pavarur dhe fakteve. Jeta ime është pjesë e kësaj
lirie.Prandaj liria e mendimit merr një kuptim ekzistencial. Unë mund të
shkruaj vetëm kur ajo ekziston. Ajo është ndërgjegjja ime, marrëdhënia
ime me drejtësinë, bukurinë dhe të ardhmen e njerëzimit.
Liria e mendimit ndodhet në një gjendje kritike si në Siri, një barrë e
rëndë. Por në Siri ajo do të thotë rrezik jete. Sepse metodat që ndjek
regjimi i Bashar Al Asadit për të shtypur lirinë nuk lidhen vetëm me
eliminimin e drejtpërdrejtë. Ka edhe forma të tjera të vrasjes.
Çdo gazetar apo autor kërkon të sjellë në dritë të vërtetën. Për një
femër nga bota arabe kjo ka qenë gjithmonë e vështirë. Unë e di mirë se
sa guxim kërkon, se sa gatishmëri për të marrë rrezikun në sy kërkon
gjetja e së vërtetës. Një pjesë e kësaj gatishmërie është liria ime, që
të pozicionohem në jetë për gjëra të caktuara. Por kur dikush e paguan
me jetë informacionin, atëherë liria për aksesin e informacionit kthehet
në një problem të madh, që i kalon kufijtë e punës profesioniste
gazetareske.
Manipulimi i mediave
Samar Yazbek
Në Siri gjendja është mjaft e komplikuar dhe e vështirë.
Sigurimi i informacionit përballet me një realitet të përfaqësuar nga
regjimi diktatorial i Asadit, ku mediat manipulohen dhe shtrembërohen
faktet mbi atë se çfarë i shkakton popullit të vet ky regjim. Kur
sirianët në vitin 2011 demonstruan paqësisht për më shumë demokraci dhe
drejtësi, ata u arrestuan në mënyrë masive, u burgosën dhe u vranë.
Katër vite të përgjakshme pas kalimit të këtij revolucioni paqësor në
një konflikt ndërkombëtar dhe rajonal dhe lindjes së "Shtetit Islamik", e
vërteta dhe informacioni gazetaresk janë rralluar edhe më shumë. Grupet
xhihadiste që u futën në Siri ushtrojnë dhunë në një mënyrë që nuk
është më pak e rrezikshme se ajo e regjimit, një dhunë që i pengon
gazetarët të raportojnë mbi faktet e këtij konflikti.
Në të njëjtën kohë vazhdojnë të shtypen njerëzit në rajonet e
kontrolluara nga qeveria, dhe të manipulohet raportimi. Qeveria kërkon
në këtë mënyrë të përmirësojë imazhin e saj dhe të justifikojë masakrat
dhe krimet. Në këtë "shoqëri lufte" është e vështirë të futesh në
rajonet e kontrolluara nga grupet e armatosura të Shtetit Islamik apo të
frontit Al Nusra. Rrëmbimi i gazetarëve është kthyer prej kohësh në një
burim të mirë të ardhurash për këto grupe.
Informacioni dhe lajmi paguhen edhe me jetë
Megjithë gjendjen e vështirë ende ka aktivistë të guximshëm sirianë që i
mbeten besnikë parimeve të revolucionit të tyre dhe përpiqen të
vazhdojnë punën megjithë grupet e armatosura xhihadiste dhe bombardimit
të lagjeve të banuara nga aviacioni luftarak i Asadit. Shumë nga këta
aktivistë e kanë paguar me jetë punën e tyre, të vrarë ose nga
bombardimet ose nga Shteti Islamik. Numri i tyre zvogëlohet përditë.
Unë jam përballur vetë me një përvojë të tillë në vitin 2012 dhe 2013 në
provincën veriore Idlib. Aty më duhet të zhvilloja intervista me civilë
dhe luftëtarë. Ka qenë shumë e vështirë të maskohesha apo të lëvizja në
mënyrë anonime, thjesht prej bombardimeve. Kam parë se sa e vështirë ka
qenë për qytetarët të mbijetonin. Pa përmendur vështirësitë për
raportimin mbi ngjarjet e atjeshme.
Çdo informacion dhe lajm mund të paguhet me jetë. Në Sirinë e sotme për të gjitha informacionet dhe lajmet ekziston ky kusht.
Samar Yazbek, lindur në vitin 1970 në qytetin sirian, Dashbla është
një autore dhe gazetare e nderuar me çmime. Pas përndjekjes politike nga
Shërbimi Sekret Sirian ajo jeton nga viti 2011 në ekzil në Francë. Në
Gjermani po publikohet libri i saj "Revolucioni i rrëmbyer- udhëtim në
Sirinë time të shkatërruar", nga shtëpia botuese zvicerane Larissa
Bender in Nagel & Kimche.