SENATI AMERIKAN DISKUTON PROJEKTLIGJIN PËR IRANIN
E Hënë, 05.04.2015, 06:09pm (GMT+1)
Këtë
javë mund të vendoset mbi fatin e një projekt-ligji dy partiak i cili
do t'i jepte të drejtën Kongresin amerikan të rishikonte dhe të votonte
për çdo marrëveshje të mundshme me Iranin mbi programin e tij bërthamor.
Vëmendja tani është kthyer tek Senati, i cili mund ta votojë
projekt-ligjin në formën siç është tani, ose mund të lejojë ndryshime
duke bërë kërkesa shtesë ndaj Iranit. Në se projekt-ligjit i bëhen
ndryshime, ai mund të kundërshtohet nga Presidenti Obama dhe përpjekja e
legjislativit të dështojë.
Nëse miratohet, ligji do të ngrijë për 30 ditë lehtësimin e
sanksioneve amerikane ndaj Iranit, ndërsa Kongresi shqyrton një pakt
përfundimtar bërthamor me Teheranin. Kjo ka mbështetjen e fortë të
senatorit republikan Mitch McConnell, i cili është udhëheqës i shumicës
në Senat.
"Sanksione janë një arsye e madhe e mundësisë së Amerikës për të
sjellë Iranin në tavolinën e bisedimeve. Ne nuk duhet të heqim dorë nga
kjo armë tani pa marrë mendimin e popullit amerikan, përmes anëtarëve të
Kongresit që ata kanë zgjedhur. Kjo është shumë e thjeshtë".
Por disa senatorë republikanë po e vënë zotin McConnell në një pozitë të
vështirë, duke bërë çdo gjë në fuqinë e tyre për të shtuar disa
amendamente për çështje anësore të bisedimeve bërthamore, si kërkesën që
Teherani ta njohë të drejtën e Izraelit për të ekzistuar. Senatori Tom
Cotton mbështet idenë e hedhjes në votim të amandamenteve që mund të
pengojnë miratimin e projekt-ligjit.
"Ne duhet të votojmë. Nëse ju nuk doni të votoni për këto çështje,
ju nuk duhet të kishit ardhur në Senat. Nëse ju jeni në Senat dhe nuk
doni të votoni, ju duhet të largoheni. Ne po flasim për një Iran me armë
bërthamore, kërcënimi më i rrezikshëm për sigurinë tonë kombëtare".
Autorët e projekt-ligjit, senatori republikan Bob Corker dhe ai demokrat Ben Cardin, kanë bërë thirrje për përmbajtje.
"Kjo është një çështje shumë e rëndësishme, e cila duhet të
tejkalojë dëshirat tona individuale në mënyrë që, së bashku, ne të mund
të arrijmë diçka për popullin amerikan".
Presidenti Barak Obama thotë se mundësia për të verifikuar programin
bërthamor të Iranit nuk duhet të dëmtohet nga shprehja në mënyrë të
hapur e pakënaqësive të shumta të Amerikës me Teheranin. Josh Earnest
është Zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë:
"Ne nuk presim që këto negociata bërthamore do të zgjidhin listën e
gjatë të shqetësimeve që kemi me sjelljet e Iranit. Ne e dimë se
zgjidhja e shqetësimeve tona mbi aktivitetet destabilizuese të Iranit
do të ishte edhe më e vështirë, në qoftë se Teherani do kishte armë
bërthamore."
Sneatori McConnell mund të lejojë hedhjen në votim të neneve
polarizuese, ose mund t'i jap fund debatit në Senat dhe ta hedhë për
votim përfundimtar projekt-ligjin në formën e tanishme. Në këtë çështje,
angazhimi i udhëheqësit të shumicës për të lejuar një debat të lirë dhe
të hapur në senat, është në konflikt me dëshirën e tij për të miratuar
këtë projekt-ligj. za
WWW.VOAL-ONLINE.CH
|