
Çdo ndarje është e dhimbshme, e trishtme. Çdo ndarje është një
humbje. Këtë e provoi LDK-ja në Kuvendin e 6-të, në Kuvendin e turpit të
madh. Të dy palët janë pjesë e fajësisë. LDK-ja dhe LDD-ja, por, të
parës i faturohet fajësia e madhe. Dhe, kjo për disa arsye: 1.- Mënyra e
shkarkimit e akademik Nexhat Dacit, nga kreu i Kuvendit, ishte
tendencioze dhe skajshëm provokative, jo vetëm për atë, por, për të
gjithë anëtarësinë e LDK-së e më gjerë. "Nexhat Daci të vjen këtu dhe të
japë dorëheqje nga kryetar i Kuvendit", - çirrej e kacagjelohej ciniku
Eqrem Kryeziu, intrigues e klanor, përçarës deri në ndarje të LDK-së.
2.- Procedura parazgjedhore e mbledhjes të firmave ishte hileqare, sepse
prof. Fatmir Sejdiu, duke qenë president, në shpërdorim të këtij posti,
favorizohej. 3.- Përzgjedhja selektive e anëtarëve të Këshillit të
Përgjithshëm të LDK-së, ishte shumë përjashtuese dhe skajmërisht
provokuese. 4.- Pajtimi dhe afrimi i njerëzve që kishin përbuzur LDK-në
dhe vet Presidentin Rugova, favorizimi i tyre me poste dhe injorimi i
kuadrit të sprovuar të dhe të përkushtuar të LDK-së.
Duke zhgënjyer e dëshpëruar
Ishte një fitore e zotit Sejdiu, që përcaktonte humbjen e sigurtë të
tij në Kuvendin pasues. Dhe, kjo për arsye se, edhepse, zoti Daci la
kohë e hapësirë për korrigjime, sidomos në përbërjen e Këshillit të
Përgjithshëm, zoti Sejdiu, për habinë e të gjithëve, sepse ishte shquar
për maturi dhe fort i pranueshëm nga anëtarësia, injoroi keqas rivalin
Daci, duke zhgënjyer e dëshpëruar fort anëtarësinë e LDK-së.
Ndarja e LDK-së dhe krijimi i subjektit të ri politik, LDD-së, u
përjetua rëndë nga anëtarësia e të dy degëzimeve: LDK-së dhe LDD-së,
por, jo edhe nga klani, tashmë, i aktivizuar brenda Kryesisë të LDK-së!
Klani krejt i vetëdijshëm, po e çonte LDK-në drejt humbjes, në opozitë.
Karrikja e deputetit, e siguruar për klanin, nga përcaktimi i turpshëm -
Kosova me një zonë zgjedhore - ishte ngushëlluese dhe e mjaftueshme për
ata. Demoralizimi në mesin e elektoratit rugovian, sa vinte e shtohej.
Për rrjedhojë, anëtarësia, elektorati po pakësohej, madje reciprokisht,
në dy subjektet. Dhe, kjo u bë e qartë për të dy palët. Edhepse krerët e
LDD-së dhanë shenja pajtimi e bashkimi, klani brenda LDK-së e injoronin
dhe refuzonin këtë afri, me slloganin marrëzishëm dhe idiotesk: "Dyert e
LDK-së janë të hapura për të gjithë"!!!
Kuvendi i 7-të i LDK-së, në vend të analizës të veprimtarisë
ndërmjet dy kuvendësh, bëri kompromisin e turpshëm dhe, përjashto
votimin korrekt për kreun e partisë, zgjedhja e Këshillit të
Përgjithshëm e më pas edhe e Kryesisë ishte pa votë demokratike, ishte
emërim tipik monist. Pra, Kuvendi i 7-të i LDK-së ndërroi vetëm kreun e
partisë, ndërsa klani mbeti i paprekur, përjashto ndonjë vdekje apo
sëmundje e ndonjërit. Edhe qëndrimi ndaj LDD-së, mbeti i pandryshuar dhe
slloganet ricikloheshin, përsëriteshin, në një kohëzgjatje prej më
shumë se tetë vitesh.
Hilmi Gashi, nënkryetar i Degës të LDD-së në Gjermani
Qyteti Ulm, në Gjermani, njihet nga mërgata shqiptare qysh në vitet
`90-a, sepse, pikërisht, në periferi të këtij qyteti, në Weisenhorn, ka
qenë qendra administrative e 3 %-shit, madje edhe selia e Qeverisë të
Përkohshme në ekzil, e kryesuar nga dr. Bujar Bukoshi. Në
hotelin "Maritim", me pesë yje, i ngritur, si një rrokaqiell, buzë
Danubit, në Ulm-in e Ri, prej nga soditej panorama impozante e mahnitëse
e qytetit, më 15 prill 2015, u mbajt takimi i dardanëve të Diasporës.
Një sallë enkas për tubime, e stolisur me flamuj kombëtarë e shtetërorë,
si dhe partiakë e vendor - gjerman.
Organizatori pritës, Hilmi Gashi, kishte bërë të gjitha përgaditjet e
nevojshme. Ai priste anëtarët e LDD-së nga Gjermania dhe Zvicra si dhe
mysafirët nga LDK-ja. Të parët arritën sekretari i Degës të LDK-së për
Gjermani, Shpend Shala dhe anëtari i Kryesisë të LDK-së në Zvicër,
Shefqet Dibrani, veprimtarët Xhafer
Leci, Muharrem Maliqi, Sali Berisha, Sami Gagica, Blerim Hajdaraj dhe të
tjerë. Nga Zvicra erdhi sekretarja e Kolegjiumit të Degve të LDD-së në
Mërgatë, Zize Pepshi, e shoqëruar nga anëtarët e Kryesisë: Remzi Durmishi, Hazbi Gubetini, Ilaz Kadriu, Gani Orushta.
Hilmi Gashi: Kthimi në shtëpinë e vjetër
Zotëri Hilmi Gashi, nënkryetar i Degës dhe anëtar i Këshillit të
Përgjithshëm të LDD-së, nga Polluzha e Drenicës, ka qenë oficer i
karrierës. Fati i tij, ashtu si edhe i shume kolegëve të tij, lënë
shërbimin ushtarak në ish-armatën jugosllave. Për rrjedhojë, edhe
ushtaraku Hilmi Gashi, fillon jetën e ilegalitetit. Krismat e para të
pushkëve e gjetën me armë në dorë, përkrah komandantit të tij, kolonel
Tahir Zemaj. Beteja e Loxhës ishte vetëm fillimi, për të vazhduar
aksionet dhe betejat tjera. Duke qenë në krye të këtij organizimi, së bashku me znj. Zize Pepshi, zotëri Hilmi Gashi, mbajti një fjalë rasti:
Zonja dhe zotërinj, të nderuar përfaqësues të Degëve të LDD-së,
për Mergatë, më lejoni që në emer të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të
Dardanisë, Dega Gjermani, si dhe në emrin tim personal, t`ju uroj
mirëseardhje në takimin e sotëm, i cili është ftuar nga Kolegjiumi i
Degëve të LDD-së, për Mërgatë, nikoqir i së ciles është Dega e LDD-së,
në Gjermani. Në këtë takim na nderon me pjesëmarrjen e Tij akademiku me
renome ndërkombëtare, lideri jonë i respektuar, zotëri Nexhat Daci.
Andaj, në emrin tuaj e përshëndesim dhe e falenderojmë përzemërësisht.
Urimet e mia të sinqerta për Sekretaren e Kolegjiumit të Degëve për
Mërgatë, znj.Zize Pepshi; Kryesinë e Degës së LDD-së, për Zvicër;
Sekretarin e Degës së LDK-së, për Gjermani, z. Shpend Shala; anëtarin e
Kryesisë së Degës së LDK-së, për Zvicër; poetin dhe publicistin e
mirënjohur z. Shefqet Dibrani; gazetarin dhe të persekutuarin e
ndërgjegjes, z. Idriz Zeqiraj; aktivistin e palodhur, dje dhe sot, z.
Xhafer Leci; bahkëpunëtorin e RTK-së dhe TV Rrokum Roll, z. Halil
Rrustemaj; ish-Sekretarin e aktivit të LDK-së, në Viersen, Reshat
Murati, i cili, edhepse i sëmurë, gjeti forcë dhe kurajo të jetë sot në
mesin tonë.
Dega e LDD-së në Gjermani, organizon këtë takim, pas një
koordinimi me Kryesinë e Kolegjiumit të Degëve në Mërgatë,
respektivisht, me Sekretaren e këtij Kolegjiumi, znj. Zize Pepshi si
dhe Kryesinë e Degës të LDK-së në Gjermani, në fillim me z. Muharrem
Sfarqa dhe Behxhet Ktasniqi, për të vazhduar me kryetarin aktual, Qazim
Bajgoraliun.
Per
takimin e sotëm, një falenderim të veçantë meriton z. Muharrem Maliqi
si dhe këshilltari në kuvendin e Gjilanit z. Ziadin Maliqi, i cili,
gjatë gjithë kohës ishte në koordinim në mes meje dhe Nënkryetarit të
LDK-së z. Lutfi Haziri.
Zonja dhe zotërinj, i nderuari akademik Daci, platforma e
përgaditur nga Kryesia e Kolegjiumit të Degëve për Mërgatë, që do ta
shpalosë në vazhdim Sekretarja znj. Zize Pepshi, ka për qëllim kthimin
tonë në shtëpinë e vjetër, për ndërtimin e së cilës, edhe ne kemi
kontribuar, e sidomos akademiku i nderuar z. Nexhat Daci, i cili ishte
njëri ndër bashkëpunëtorët e ngushtë dhe më besnik i Presidentit Dr.
Ibrahim Rugova.
Të nderuar të pranishëm, nuk është e lehtë, që pas nëntë viteve
veprimtarie politike, por edhe aktiviteteve me interes kombëtar, të
LDD-së në Gjermani, të ndahësh nga ky subjekt politik. Veprimtaritë e
organizuara janë të shumta. Të gjithë anëtarët e pranishëm dhe të tjerët
në Evropë e gjetiu, gjithësecili ka bërë punë politike dhe atdhetarie,
sepse njerëzit që u bënë pjesë e këtij subjekti, janë shtresë e ngritur
akademike e intelektuale, profilesh të ndryshme, kuadro të dëshmuara në
fusha të ndryshme të dijës, të shkencës, të arsimit, të kulturës, artit
e tjera. Kudrot e këtij subjekti politik janë pritur në kancelaritë
europiane e botërore, në mbrojtjen e së drejtës tonë kombëtare.
Zotëri Hilmi Gashi, në fjalën e tij tha se të gjithë jemi
dëshmitarë të asaj gjendje të mjerueshme ekonomike-sociale dhe te
sigurisë, që populli në Kosovë po përjeton, që nga shkuarja në amshim e
Presidentit Dr. Ibrahim Rugova. Situata kaotike në Kosovë, filloi të
krijohet në vazhdimësi, nga qeveritë e pandërgjegjshme, të dala nga
zgjedhjet në Kosovë, gjithmonë pas dobësimit dhe përqarjes së LDK-së, që
filloi në Kuvendin e VI-të zgjedhor. Kur i gjithë elektorati rugovian
shpresonte se nga ky kuvend LDK-ja, do del më e fortë dhe më stabile, si
dhe e përgaditur per të marrë timonin dhe për të drejtuar Kosovën në
rrugën e trasuar nga Presidenti Dr. Ibrahim Rugova. Kuvendi i VI-të
zgjedhor i LDK-së, ishte humbje për të gjithë LDK-në, elektoratin e saj.
Nga ky kuvend fitimtar doli kundërshtari politik i LDK-së, i cili, në
fakt, kishte investuar një kohë të gjatë, për të drejtuar LDK-në kah
opozita, ndërsa qytetarët drejt kaosit dhe pasigurisë.
Kaosi dhe pasiguaria në Kosovë, si dhe eksodi i fundit, na dha forcë
dhe kurajo, që të harrojmë fërkimet e thashethemet e mëparëshme dhe të
shtrijmë dorën e bashkimit, ta forcojmë dhe ta përgadisim LDK-në, për
fitoren e rradhës.
Pamje nga takimi
NUK KEMI DEMOKRACI TË MIRËFILLTË NË KOSOVË, MADJE AS BRENDA PARTIAKE
Fjala e Zize Pepshit, sekretare e Kolegjiumit të Degëve të LDD-së në Mërgatë
Ndërsa Zize Pepshi, në emër të kolegjiumit të degëve në Mërgatë,
tha se takime të tilla shërbejnë për të shprehur përkushtimin tonë për
Kosovën, përkushtim ky, i cili, në vazhdimësi ka qenë i lidhur me
vizionin për Pavarësinë e Kosovës. Vizion i cili na ka mbajtur fuqishëm
të lidhur me procesin e madh dhe me krijuesin e Tij, njeriun e
pavdekshëm, i cili i dha emër, nder dhe Pavarësinë Kosovës, Presidenti
Historik Dr. Ibrahim Rugova".
Kane kaluar tej tri dekada kur ai doli në skenën politike të
Kosovës, fillimisht si krijues e studius, e më pas udhëheqës e vizionar i
Pavarësisë së Kosovës. Pavarësia është një proces që zhvillohet në
etapa, kurse Pavarësi e vërtetë është vetëm ajo kur populli i Kosovës
mund të vendosë vet, për aq sa mund të vendosin për vetën e tyre edhe
popujt e vendeve të zhvilluara në Evropë dhe kudo në botë.
Ky vizion lidhet, në tërësi, me personalitetin e Presidentit
Rugova, i cili, si askush tjetër, qe largpamës dhe diti ta projektojë
Pavarësinë e Kosovës, prej një stadi fillestar të një artikulimi politik
i kërkesës, deri te intervenimi i NATO-s, protektorati ndërkombëtar i
OKB-së, akti formal i shpalljes së Pavarësisë , integrimi në NATO, dhe
ne Bashkimin Evropian , dhe kjo gjithmonë në një miqësi të përhershme me
Evropën dhe SHBA-të.
Presidenti Rugova, ishte i thjeshtë, i kuptueshëm dhe i qartë për
të gjithë, sepse njerëzit e mëdhenj janë të thjeshtë, të qartë dhe të
kuptueshëm", / tha Pepshi. Ajo tha se Lidhja Demokratike e Dardanisë, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, u krijua nga njerëzit më të përkushtuar,
për ta ruajtur dhe vazhduar vizionin e Presidentit Rugova, sepse ky ka
qenë dhe do mbetët vizioni i vetëm . Ne, në Mërgatë, jemi aq shumë të
lidhur dhe të përkushtuar për këtë vizion dhe për vet çështjen e
Kosovës, sa që nuk kemi pushuar e nuk do të pushojmë, që të organizohemi
dhe të punojmë pandërprerë për atë.
Degët e LDD-së në Mergatë, janë degë të fuqishme politikisht, që
zhvillojnë vlerat e demokracise perëndimore, të udhëhequr nga Lideri me
renome kombëtare e ndërkombtare, kryeparlamentari i parë i Republikës së
Kosovës, Akademik Nexhat Daci, i cili, me fanatizëm po zhvillon
konceptin e demokracisë, sepse, s`ka si vepron ndryshe, kur dihet se
Akademik Daci, ishte jo vetëm bashkëpunëtori, por edhe miku më i ngushtë
i Presidentit Rugova. Kur e them këtë, jam e sigurtë, duke e ditur se
ky u bë kurban i proceseve. Dhe, kjo u pa në organizimin madhështor që i
bëri varrimit të Presidentit Historik, gjë që e patën dëshmuar 100
vende të botës, të cilat i kishin dërguar delegacionet e tyre në ditën
mortore.
Mërgata shqiptare e ka vlerësuar lart gjithë veprimtarinë
intelektuale dhe politike të akademik Nexhat Dacit, prandaj edhe sot
ndjehet krenarë që është në mesin tonë dhe
për këtë ngjarje, që do i kushtohet fuqishëm besnikërisë së Presidentit
Rugova, i cili, edhepse nuk është në mesin tonë fizikisht, na bashkon e
na udhëzon në sfidat e jetës. Ne jemi shumë të brengosur që ka stagnuar, në tërësi, procesi i njohjes së shtetit të Kosovës. Tashmë e kemi parë se këtë barrë nuk janë të aftë ta bartin as kryeministri e as Presidentja e Kosovës.
Burokracia e madhe e Kosovës nuk është e preokupuar me problemet
tona, ajo është e preokupuar me tenderet dhe transferet ilegale të
parave, të cilat investohen në prona të blera me paratë e paligjeshme
apo financohet nga krimi i organizuar, i cili rekekton, jo vetëm firmat,
por mbarë popullin e Kosovës. Duke e pare këtë mjerim, që nuk ka
mbarim, e po i sjellë veç kob e vajë këtij populli të shumëvuajtur,
degët e LDD-së në Mërgatë, në bashkëbisedim me liderin e saj, akademik
Nexhat Dacin dhe me subjektin qendror të LDD-së në Kosovë, vendosëm,
unanimisht, që për hirë të elektoratit të lodhur shpirtërisht, me
gjendjen e kaosin e krijuar në vend, t`i bashkojmë forcat tona të
përbashkëta, në bashkimin e të njëjtit vizion të Presidentit Historik të
Kosovës LDK-së dhe LDD/së , në partinë gjigante të LDK- së të Ibrahim
Rugovës, thuhet në fund të këtij Projekti të nënshkruar nga: Sekretarja e
Përgjithshme, të Kolegjiumit të Degëve të LDD-së në Mërgatë, znj. Zize
Pepshi. Në vijim, fjalën e mori kuadri i LDK-së, krijuesi dhe publicisti Shefqet Dibrani: "Jam
i nderuar që gjendemi në këtë takim. Përshëndes akademik Nexhat Dacin
dhe e përgëzoj për nismën e marrë, për t`u bashkuar me LDK-në. Vendimi
Juaj duhet vlerësuar si ndihmë direkte dhe përforcim për LDK-në, e cila
ka ngelur me një elektorat fort të lodhur. Nuk kemi demokraci të
mirëfilltë në Kosovë, madje as demokraci brenda partiake. Ju keni
ndërmarrë një nismë të drejtë dhe shumë të nevojshme. Ju lumtë! Sekretari i LDK-së për Gjermani, Shpend Shala,
përshëndeti akademik Dacin dhe të gjithë të pranishmit, në emër të
Degës të LDK-së në Gjermani. Jemi të nderuar që ju kemi në mesin tonë.
Ju do t`ia ktheni dinjitetin LDK-së. Veprimtari i mirënjohur i Mërgatës shqiptare, Xhafer Leci,
tha se pavarësisht zhgënjimeve, në vijimësi, edhe pas shuarjes fizike
të Presidentit Rugova, ne kemi mbetur simpatizantë të LDK-së, si parti
që ka epërsinë parimore dhe morale absolute në Kosovë. Tubimi i sotëm ka
vlerë të veçantë, sepse opinioni do të informohet për bashkimin e dy
subjekteve të ndara, krejt aksidentalisht, ngaqë kanë një burim dhe një
frymëzim, vizionin e ideatorit dhe realizuesit të Pavarësisë të Kosovës,
Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova.
Akademik Nexhat Daci është shquar në drejtimin e Parlamentit të
Kosovës, në një kohë kur "komandantët", gjeneralë të vetëshpallur,
mendonin se mund të bëjnë gjithëçka, të flasin kur të duan dhe sa të
duan! Është pikërisht akademik Daci që ia ndali zërin mikrofonit, duke i
dhënë leksionin e nevojshëm njeriut të gjithëfuqishëm Hashim Thaçit, se
"je i barabartë me deputetët tjerë në këtë sallë dhe nëse nuk e ke
ditë, mesoje tani, sepse foltorja ka radhë dhe kohë të caktuar, për
debat kuvendor". Organizimi i përkryer e madhështorë i ceremonisë
mortore të Presidentit Rugova, ishte meritë ekskluzive e akademik Dacit,
përkundër kundërshtarëve të tij, që donin ta heshtnin, ta varrosnin pa
"zhurmë", duke penguar edhe Gardën Kombëtare për pjesëmarrje, sikur ajo
të ishte pronë private e shefave injorantë të pacipshëm dhe me prirje të
theksuara rrugaçërore e kriminale. Gjyqet farsë kundër akademik Nexhat Dacit,
ishin një hakmarrje primitive e dy palëve: e ekstremit bandë të majtë,
por edhe të klaneve brenda LDK-së. Atë e akuzonin dhe dënonin për një
palë syze leximi, ndërkohë që vetë kanë vjedhur milionat nga pasuritë
shtetërore, shoqërore si dhe kanë vjelur dhe vjelin, edhe sot e gjithë
ditën, haraçin privat.
MIJËRA SHQIPTARË KANË HEQUR DORË NGA KOSOVA, KJO ËSHTË HUMBJA MË E MADHE
Akademik Nexhat Daci,
përshëndeti tubimin, gjegjësisht, të pranishmit, duke i falenderuar
organizatorët: Hilmi Gashin dhe Zize Pepshin, për punën e tyre të
shkëlqyer si dhe bashkëpunimin me strukturat e LDD-së në Qendër dhe
anëtarësinë në bazë. "Jam i ftuar nga Akademnia e Shkencave të Evropës,
në kuadrin e një Konference të Shteteve Danubiane. Me këtë rast
falenderoj edhe kryetarin e Akademisë për zgjedhjen e bërë për mua. Ju
falenderoj për përkrahjen e dhënë dhe sjelljen shumë miqësore ndaj meje.
Kam agjituar tek të tjerët, kemi vendosur pa asnjë kushtëzim të
kthehemi në LDK-e, në shtëpinë tonë të vjetër, madje në kohën më të
vështirë për LDK-në dhe Kosovën. Dhjetra - mijëra shqiptarë kanë hequr
dorë nga pashaportat e Kosovës dhe kjo është humbja më e madhe, pas
ikjes në Turqi, mbi bazën e marrëveshjeve kundra shqiptare, të bëra
ndërmjet Turqisë dhe Jugosllavisë. Nuk ka ngjarë në historinë e Kosovës,
edhepse të punësuar burrë dhe grua, ta marrin arratinë. Është një
zhgënjim i madh, është humbje shprese. Resurset në Kosovë janë të
mjaftueshme për një Kosovë me popullësi tri herë më të madhe. Por, kanë
rrënuar gjithëçka.
Lufta kundër meje ka qenë shumë speciale, me shpifje të rënda, sikur
unë jam kundër ndërkombëtarëve, kundër Perëndimit. Jeta ime, shkolla
ime, ka qenë jashtë Tërnovcit, jashtë Kosovës. Parimet dhe idealet e
mia, formimi im si shkëncëtar, si intelektual dhe si njeri, është
tërësisht perëndimorë.
Më tej akademik Daci foli për hajninë galopante të pushtetarëve
tanë. Ai solli shembuj nga bisedat e bëra, për këto probleme me
ndërkombëtarët, që kanë punuar në Kamboxhia dhe Bosnjë. Dhe, rezulton se
shumë më të përgjegjshëm kanë qenë pushtetarët në ato vende se sa në
Kosovën tonë. Dhe, kjo është e dhimbshme, tragjike. Akademik Daci u përgjigj në pyetjet e bashkatdhetarëve tanë, për probleme të ndryshme në Atdheun tonë.
Telegrame përshëndetëse, për aktin e bashkimit të LDD-së me LDK-në,
kanë dërguar edhe anëtarët e Kryesisë të LDK-së: Lutfi Haziri dhe
Muharrem Sfarqa.
Në pamundësi për të marrë pjesë në tubimin e organizuar në Ulm të
Gjermanisë, për ta bërë publik vendimin e kthimit në shtëpinë e vjetër
LDK-e, telegrame përshëndetjeje dhe miratimin e bashkimit e kanë
shprehur edhe: Mehdi Prushi, kryertar i derisotëm i Degës të LDD-së në
Austri; Skënder Berisha, kryetar i Degës të LDD-së në Francë; Lulzim
Zagragjaj, kryetar i Degës së LDD-së në shtetet e Beneluksit
Gazetari dhe mjeshtri i kamerës, Halil Rrustemaj, e përcolli dhe
fiksoi të gjithë - takimin e bashkimit - të dy subjekteve politike:
LDD-së dhe të LDK-së. Ai, me kamerën e tij të artë, regjistroi akademik
Nexhat Dacin, të nesërmen, në pjesëmarrjen e Tij në Konferencën
Shkencore të Shteteve Danubiane.
|
| |