VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Skënder Sherifi: Si e ndalova Claude Levi-Strauss-in të vijë në Shqipëri më 1970

                                                                                      

E Hënë, 04.29.2024, 02:42pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
 
Skënder Sherifi: Si e ndalova Claude Levi-Strauss-in të vijë në Shqipëri më 1970
E Martë, 08.18.2009, 07:35am (GMT+1)


    Skënder Sherifi

 

Paris, vitet 1970. Një i ri shqiptar, emigrant në Belgjikë po njihej me emrat e mëdhenj të kohës në kryeqytetin francez. Familja e tij, ajo e një ish-koloneli të mbretit shqiptar, Ahmet Zogu, qe arratisur për t'i shpëtuar vdekjes ose përndjekjes që iu bëhej familjeve të mëdha nga regjimi komunist. Pasi i ati kishte bërë disa vite burg, ishte arratisur drejt Belgjikës, nga Jugosllavia. Jeta e Skënder Sherifit në atë kohë do të ishte udhëtim nga Brukseli drejt Parisit dhe anasjelltas. Ndërsa, qëndronte me intelektualët e kohës falë miqësisë me botuesin dhe poetin Pierre Segersi. Miqtë e këtij të fundit ishin edhe ish-presidenti francez, asokohe kryetar bashkie i Parisit, Zhak Shirak por edhe kulturologu e antropologu Claude Levi-Strauss. Njohja e Skënder Sherifit me këtë të fundit do të ishte emocionuese. Antropologu do t'i kërkonte të kthehej pas në kohë, e përmes kujtimeve t'i rrëfente legjendat e zakonet shqiptare, të lashta e të veçanta. Rrëfimet e një bote magjepsëse plot "përralla" të panjohura për të huajin, do të grishnin tek ai idenë për të ardhur në Shqipëri, për t'i studiuar nga afër ato. Por, ishin vitet 1970, dhe një udhëtim drejt vendit të shqiponjave në atë kohë do të ishte i pamundur, ose do të rezultonte fatal për të dy bashkudhëtarët. Në këtë mënyrë, edhe njëherë Shqipëria mbeti e mbyllur dhe e panjohur në botën perëndimore. Edhe pse ajo ngjallte interes për t'u studiuar e për të rrëfyer lashtësinë që mbante në supet e veta, të bijtë e saj do ta linin akoma të fshehur mes bjeshkëve të larta dhe mjegullës, që sipas të huajve tregon se është një vend plot legjenda. Në këtë intervistë, poeti shqiptar Skënder Sherifi rrëfen një histori të veçantë gjatë viteve të qëndrimit në Paris.


Ju kur ishit në Francë keni njohur antropologun e shquar francez, Claude Levi-Strauss. Si u njohët me të?
Unë kam shkruar rreth 700 tekste nga mosha 14-vjeçare deri në moshën 20- vjeçare. Përmes një profesori frëngjishteje ia çuam 200 tekste Pierre Segersit, i cili është një shkrimtar dhe një botues francez në Paris. Ai ka qenë poet, botues dhe mik i Claude Levi-Strauss dhe Zhak Shirak, i cili në atë kohë ka qenë kryetar i bashkisë së Parisit, post të cilin ai e ka mbajtur për 20 vite. Sergersi u mahnit kur lexoi ato tekste të lira si poezi, që i përkisnin botës sime. Në to kishte disa elementë shqiptarë që unë i kisha futur pa vetëdije. Ishin elementë të botës sime personale, që unë i kisha përjetuar në odat e burrave, nga pleqtë, ritet, sofrat dhe nga bisedimet me të moshuarit. Sergersi i lexoi dhe i habitur tha: "Çfarë shqiptari, një tip i çuditshëm. Të tillë unë nuk kam njohur asnjëherë". Më ftoi të shkoja në Paris, ndërkohë që unë isha në Bruksel. Mora trenin dhe u nisa për në Paris, në një kohë kur unë isha vetëm 20 vjeç, ndërsa ai 72 vjeç. Më ftoi të qëndroja në shtëpinë e tij nëse unë merresha vesh me gruan e dhe me macet e tij. Kam qëndruar në kryeqytetin e Francës përreth 14 vite me kohë të shkëputur, sepse në të njëjtën kohë unë shkoja në Prishtinë tek miku im Ibrahim Rugova. Në ato 14 vite jetë parisiane kam njohur shumë artistë e krijues me të cilët kishte miqësi Pierre Sergersi. Në fakt, ishte vetë ky i fundit që më kërkoi që unë të takoja miqtë e tij meqë rrija tek ai. Kam takuar gjatë kohe Pierre Manuelin dhe Claude Levi-Strauss-in, etj, etj.


Ju u njohët me të dhe e takonit shpesh. Na tregoni pak për të.
Ky i fundit është etnolog, antropolog, mbase një ndër më të mirët në botë në fushën e vet. Ai është i njohur si një ndër gjigantët e antropologjisë dhe etnologjisë. Në një ndër ditët që e takova, ai më pyeti meqë isha nga Shqipëria, a kishim ne shqiptarët zakone të veçanta. I thashë që kemi zakone, tradita të vjetra gojore që është folklori, e cili përcillet brez pas brezi, kemi këngëtarë që këndojnë me çifteli, me sharki, me lahutë. I tregova që kemi valle, rite dhe kostume. I tregova që shumë herë kam qenë edhe në oda burrash, ku pleqtë diskutonin më vete dhe plakat shkonin në kuzhinë. Kisha dëgjuar histori për fëmijë që lindnin me flatra dragonjsh, për kuçedra, për xhind. Bëhet fjalë për harkun kohor të viteve 1976-1980. Më kërkoi t'ia shpjegoja me hollësi të gjitha kujtimet e mia.


Ju sigurisht që i treguat çdo gjë që dinit. Cilat ishin pikat më të veçanta të jetës shqiptare për të cilat ju informuar antropologun francez?
I tregova për mikpritjen e odave, kanuni - si e drejtë zakonore në një kohë kur nuk kishte kod civil dhe kod penal. Ky ishte ligji që rregullonte jetën e shqiptarëve në një kohë kur nuk kishte kushtetutë. I tregova për kanunin e Lekë Dukagjinit, që daton që nga viti 1400 në shekullin 15-të. I përshkrova ritin e odave, ku në kohën që vinin njerëz i pritnin burrat. Zoti i shtëpisë i orientonte njerëzit sipas moshës dhe bajrakut. Plaku më i vjetër ulej në ballë të oxhakut, ndërsa të tjerët sipas moshës uleshin pas plakut, ndërsa më të rinjtë e kishin vendin tek dera. Kur duhej të niste muhabeti, i zoti i shtëpisë i thoshte plakut të vjetër që ishte në anë të oxhakut, o bajraktar, o filani, a po e hap muhabetin? A po e nis diku? Ai niste një subjekt bisede, i thashë Claude Levi-Strauss-it dhe të tjerët e vazhdonin temën e tij deri në fund, sepse temës i duhej dhënë një konkluzion. Mënyra se si flitej dhe fjalët që përdoreshin ishin figuracione dhe parabola, por mbi të gjitha gjuha e përdorur ishte e koduar në kuptimin jo të drejtpërdrejtë. Ky është një lloj zakoni e psikologjie ballkanike. Përdoreshin fjalë të urta dhe një gjuhë e zgjedhur plot figuracion. I tregova edhe për shpërndarjen e kutive të duhanit, ku herë-herë ndizej duhani edhe për nder të njerëzve të pranishëm. Kutia e duhanit qarkullonte nga njëri tek tjetri, nga i pari deri tek i fundit, sipas moshës e bajrakëve. Femrat nuk vinin aty, përveç kur shërbenin me tabaka kafe, raki apo tepsitë me fli (lloj byreku që bëhet në veri të Shqipërisë dhe në Kosovë) apo ushqime të tjera që u servireshin për të ngrënë miqve. Më kujtohet se kur kishte mish me pilaf, por më së shumti mish, koka e deles, viçit apo dashit që therej për nder të miqve, i shkonte burrit që rrinte në anë të oxhakut. I zoti i shtëpisë i thoshte këtij të fundit, o bajraktar, na e ndaj mishin. E njëjta gjë bëhej edhe me byrekun tradicional të zonës. Unë të gjitha këto i kam jetuar vetë dhe i shikoja, i vëzhgoja me surealizëm, kuriozitet dhe emocion. Herë-herë, duke qenë se unë jetoja dy realitete, më dukej se isha duke parë ritet e fiseve indiane. Këto i kam parë në Belgjikë ku im atë shpesh thërriste njerëz në shtëpi. Ia shpjegova antropologut francez të gjitha këto dhe ndër të tjera edhe martesat me mblesëri, ku çifti nuk shihej derisa martohej. Nusja vinte e mbuluar. Edhe ritin e të qëlluarit me pushkë kur lindte djalë. Kur mysafirët do të binin për të fjetur, femrat e shtëpisë iu lanin këmbët. E pyeta një plakë se përse na i lanin këmbët, e ajo më tha se ishte zakon për të nderuar miqtë që ecnin gjatë për të vizituar atë familje. Rruga e gjatë i ka lodhur miqtë dhe ata duhen çlodhur, dhe mbase edhe jeni vrarë nga këpucët (opingat që përdorshin dikur ishin mjaft të parehatshme).


Larja e këmbëve është një rit i lashtë që e hasim edhe në Bibël...
Po, edhe nga kjo mua dhe Claude Levi-Strauss-it na u kujtua Maria Magdalena që ia lante këmbët Krishtit. Antropologu francez u habit nga kjo lloj ngjashmërie mes riteve shqiptare në malësitë e veriut dhe veprimit të Maria Magadalenës, që Bibla na ka mësuar.


Si i priti ai gjithë këto tregime mbi malësinë e veriut shqiptar?
Ai u habit nga simbolika e fortë e nderimit të mysafirit si në udhëtar që është munduar dhe lodhur për të bërë një vizitë në familjen e një njeriu që e ka mik, dhe për të nderuar shtëpinë e mikpritësit. U impresionua nga ritualet interesante që kemi ne. Më pyeti edhe ritualin e vajeve dhe gjëmave, për ritualin e të parit të fatit në një filxhan kafeje, pjekjen e bukës "˜në pluhur' me saç (lloj tepsie e madhe e përdorur në malësinë e veriut për të pjekur bukën në furra druri të mëdha). Unë u përpoqa t'ia shpjegoja. Më pyeti edhe për kuçedrat, për të cilat unë i thashë se janë lloj kafshësh me disa kokë, por që nuk është shumë e qartë se çfarë është. I rrëfeva se shumë pleq nga Nikaj-Mërturi i Tropojës më kishin treguar se kanë luftuar me kuçedra nëpër bjeshkë. Unë mendoja se ata kanë qenë në halucinacione ose kanë parë ndonjë kafshë që nuk ia dinin emrin, por në të vërtetë unë nuk e kuptoja se çfarë kishte ndodhur. Atij iu duk interesante, sepse të tilla kafshë ishin "shfaqur" edhe në Skoci dhe në Francë.


Çfarë mendimi kishte ai për kulturën tonë?
Në kohën që unë tregoja për Shqipërinë, ai e krahasonte kulturën tonë me kulturat e vendeve të tjera. Më kërkoi që unë të isha udhërrëfyesi i tij në një udhëtim që ai donte të ndërmerrte në vendin tonë. Donte që ta dërgoja në ato fshatra dhe fise të malësisë që t'i prekte e t'i shihte nga afër ato që unë i kisha treguar për atdheun tim. Ishte viti 1976 deri në vitin 1990. Im atë kishte ikur nga Shqipëria, qe arratisur pasi kishte bërë 5 vite burg në kohën e komunizmit. Kishte qenë dënuar, sepse pati qenë oficer i Zogut. Unë nuk "isha i denjë" të vija në Shqipëri për shumë arsye në atë kohë. Duke mos qenë e mundur ardhja ime në Shqipërinë komuniste, nuk qe e mundur të vinte as Claude Levi-Strauss-i. I thashë që po të vinim në Tropojë për të takuar fiset e malësisë, unë do të isha dënuar për agjitacion dhe propagandë ndërsa ti Klod, i thashë, se do të ishe akuzuar si spiun. E imagjinoja se komunistët e kohës do të thoshin, ç'i duhen antropologut francez fiset e zakonet shqiptare të malësisë. Me siguri nuk ka ardhur si studiues, por për të zbuluar e spiunuar për CIA-n ose ndonjë tjetër shërbim sekret të huaj. Ah, - tha ai, - fat i keq se jeni tokë legjende, dhe mua më interesojnë traditat gojore dhe legjendat. Më pyeti për peizazhin dhe i thashë që janë bjeshkë të mëdha. Më pyeti nëse ka mjegull këtu. I thashë që ka një lloj shtrese mjegulle. Levinshtrovski, e jo vetëm ai, por edhe një shkrimtar më ka thënë se meqë në vendin tonë ka mjegull, ka legjenda. Unë nuk kam arritur të kuptoj se cila është lidhja e mjegullës me legjendat, por këtë ma kanë thënë shumë të huaj.

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Si kanë shtegtuar shqiptarët (08.16.2009)
"Gazeta e Athinës" - identiteti i përshtatur me sukses me emigrantët shqiptarë (08.15.2009)
Qeveria e Kosovës pranon të firmosë pakt me Zvicrën për riatdhesim të emigrantëve (08.15.2009)
Kronikë besnike e idealizmit të kulluar shqiptarNga Skënder Buçpapaj (08.10.2009)
HISTORIA E SHKURTËR E VATRËS, VEPËR E REFAT XH. GURRAZEZIT I (08.10.2009)
REFAT XH. RRUGAZEZI: HISTORIA E FEDERATËS VATRA II (08.10.2009)
REFAT XH. GURRAZEZI: HISTORIA E FEDERATËS VATRA III (08.10.2009)
REFAT XH. GURRAZEZI: HISTORIA E FEDERATËS VATRA IV (08.10.2009)
REFAT XH. GURRAZEZI: HISTORIA E FEDERATËS VATRA V1 (08.10.2009)
REFAT XH. GURRAZEZI: HISTORIA E FEDERATËS VATRA V2 (08.10.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]