VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - HISTORIA E SHKURTËR E VATRËS, VEPËR E REFAT XH. GURRAZEZIT I

                                                                                      

E Hënë, 04.29.2024, 01:23pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
 
HISTORIA E SHKURTËR E VATRËS, VEPËR E REFAT XH. GURRAZEZIT I
E Hënë, 08.10.2009, 03:10pm (GMT+1)

 

  Në foto: Anton Çefa

 

Bëmat e "Vatrës" përbëjnë një kapitull të veçantë e të lavdishëm të historisë së shqiptarëve të Amerikës dhe të historisë kombëtare, në përgjithësi. Ato jo vetëm nuk janë kaluar, por as nuk janë arritur nga ndonjë organizatë tjetër shqiptare brenda e jashtë atdheut prandej studimi i historisë së saj, për të gjithë shqiptarët dhe sidomos për shqiptarët e Amerikës, do të jetë gjithnjë një punë me vlerë.

Sot e kësaj dite ende nuk kemi një histori të plotë të jetës së kësaj organizate, që mbushi 90 vjet dhe vazhdon të jetojë, për të dëshmuar vitalitetin dhe shpirtin kombëtar të diasporës shqiptaro-amerikane, lidhjet e saj të ngushta me trojet amtare dhe shërbimet e mëdha që u ka bërë dhe vazhdon t'u bëjë atyre.

 

Vepra shkencore e historianit Beqir Meta: "Federata Panshqiptare Vatra 1912-1920" përfishin vetëm tetë vite, ato më të lavdishmet, të jetës dhe të veprimtarisë së saj.

 

"Historia e Federatës Vatra"  e Refat Xh. Gurrazezit është botuar pjesë-pjesë në 28 numra të "Diellit", duke filluar nga numri i 29 marsit të vitit 1972 deri në numrin e 28 nëntorit 1975. Si hapësirë kohore, kjo histori nis nga koha e ardhjes së emigrantëve shqiptarë në këtë kontinent dhe fillimet e lëvizjes kombëtare në gjirin e tyre dhe vjen deri në vitin 1925, tek qëndrimi i "Vatrës" ndaj ngjarjeve të qershorit të vitit 1924 në Shqipëri.

 

Edhe pse nuk është e plotë, kjo histori ka vlerat e saj të padiskutueshme, sepse ajo është shkruar nga një atdhetar i ndershëm dhe vatran i përkushtuar. Duke njohur personalisht militantët e "Vatrës" dhe duke qenë ai vetë një nga ata, duke qenë pjesëmarrës në luftën politike si editor i "Diellit" në disa vite të vështira, Gurrazezi na ka dhënë një gjykim mjaft objektiv për ngjarjet, personalitetet, veprimtarinë e "Vatrës", natyrisht, me ngjyrimet e peshën e atij objektiviteti, sa mund ta mbajë një zemër e flaktë vatrani, një ithtar i Konicës dhe një adhurues i Zogut. Gjithsesi, vlera e këtij gjykimi rritet me sinqeritetin me të cilin është shkruar punimi. Në hyrjen që i paraprin veprës, autori ka thënë: "Unë këtui do të përpiqem të shkruaj të vërtetën, ashtu siç kanë ngjarë punët dhe siç i di unë, pa bërë shtime dhe shtrëmbërime të fakteve..."

 

Si një vepër historike e shkruar jashtë arkivave dhe letërsisë shkencore historike, e bazuar kryesisht në përvojën dhe shënimet vetiake, siç na e pohon vetë autori, pa lënë mënjanë "Diellin" dhe redaktorët e "Vatrës", ajo mbetet një histori brenda një konize publicistike. Në pikëpamje gjuhësore e letrare, vepra dallohet për një stil të shkathët e shumë komunikues, kategorik në vlerësimet, kur e do puna, plot ngjyrime fjalësh e sidomos shprehjesh popullore, jo rrallë me tonalitete humori dhe ironie që ndonjëherë kalojnë në sarkazëm.

 

Edhe pse e papërfunduar, sepse "Dielli" pushoi së botuari në atë periudhë dhe tek ne nuk ka arritur dorëshkrimi i vijimit të kësaj vepre të çmueshme dhe nuk dimë a ka qenë përfunduar së shkruari, ajo do të gëzojë gjithnjë vlerën e prioritetit, pavarësisht se si monografi e veçantë po e sheh dritën e botimit vetëm në ditët e sotme. Vërtet nuk dimë për dorëshkrimin, por dimë vetëm që Gurrazezi vdiq në varfërinë më të madhe dhe pothuajse i harruar edhe prej shokëve e miqve të tij.

 

Mbasi ka shkruar për emigrantët e parë shqiptarë në Amerikë dhe fillimet e lëvizjes kombëtare në këtë kontinent, themelet e së cilës u hodhën që me botimin nga Sotir Peci të gazetës "Kombi", e cila "zgjoi ndjenjat e fjetura kombëtare t'atyre pakë Shqipëtarëve që ishin asi kohe n'Amerikë", sepse "shumica e tyre nuk kishin kuptuar mirë se ç'ishin dhe e quajin veten Grekë e Turqë", për krijimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare në Amerikë dhe për daljen në dritë të "Diellit", si organ i Shoqërisë "Besa-Besën", autori flet hollësisht për themelimin e Federatës Panshqiptare Vatra, si fryt i bashkimit të shoqërive  fshatare të ngritura më parë, veprimtarinë e saj të gjerë dhe rolin e saj si faktor me një rëndësi të jashtëzakonshme për sigurimin e pavarësisë, të integritetit dhe të zhvillimeve politike në Shqipëri, për forcimin e shtetit shqiptar dhe futjen e tij në rrugën e demokracisë, të çlirimit shpirtëror dhe begatisë ekonomike. Duke vlerësuar veprën madhore në sherbim të kombit të Kishes Ortogokse Autoqefale, gazetës "Dielli", që e quan "Kandili kombëtar", dhe "Vatrës", autori shkruan:"Të tria këto insituta kombëtare lozë një roll të math për fituarjen e independencës së Shqipërisë."

 

Autori ka vënë në dukje zotimin e plotë shpirtëror e financiar të emigrantëve shqiptarë, të cilët, nën udhëheqejn e kolosëve të lëvizjes kombëtare, Nolit e Konicës, dhe të atdhetarëve të tjerë të mëdhenj idealistë, që nuk i munguan "Vatrës", bënë atë që u bë dhe që lexohet në faqet e këtij libri.

"Me atë punë të rënda dhe rogë të vogëla shkruan Gurrazezi punëtorët shqipëtarë t'Amerikës ndihmuan familjet e tyre në Shqipëri, përmirësuan tepër ndodhjen ekonomike të vendit të lindjes së tyre, dhe bënë çudira duke ndihmuar me duar hapur lëvizjen kombëtare... N'Amerikë pa patur shumë mijëra Shqipëtarë, po fakti është se çudirat i bënë vetëm Vatranët; ata 5,000 Shqipëtarë që ishin anëtarë të Federatës Vatra".

Nga veprimtaria e gjerë politike, diplomatike, propagandistike, kulturore, arsimore, artistike, etj., e "Vatrës", që pothuajse tashmë është e njohur, po veçoj jetën e brendshme organizative, të paraqitur aq mirë nga autori dhe që përbën një çelës me rëndësi për të kuptuar suksesin e Federatës.

"Vatra", në atë përiudhë të vështirë por të lavdishme, qe një organizatë e fuqishme demokratike, ku çdo anëtar e ndjeu veten në mjedisin e tij shpirtëror dhe tek ajo shpresoi e besoi në realizimin e idealeve të tij atdhetare. E gjithë jeta e organizatës, e ndërtuar mbi parime thellësisht demokratike të ndriçuara nga demokracia amerikane, udhëheqej nga një kanunore e mbështetur plotësisht mbi këto parime dhe që zbatohej me një rigorozitet për t'u lavdëruar.

 

Mjeshtërisht dhe me një çiltëri të plotë janë ravijëzuar nga Gurrazezi personalitetet që kanë vepruar në radhët e "Vatrës" dhe e kanë ngritur në atë lartësi të lakmueshme, me madhështinë e vogëlsirat, me plotërinë dhe mungesat, me të drejtat dhe gabimet e tyre. Në këto karakterizime, që shpesh janë bërë me penelata fare të shkurtëra, spikat admirimi për atdhetarët idealistë dhe përbuzja për përçarësit, por gjithnjë duke vënë në dukje të mirën dhe të keqen e tyre. Për t'u përmendur janë karakterizimet për Konicën, Nolin, Floqin, Çekrezin, Efthim Nasin, Bahri Omarin, Kristo Dakon, Hasan Bitinckën, Shefki Alikon, etj.

 

Duke folur për grindjet dhe përçarjet që kanë dëmtuar jetën e "Vatrës", autori vë në dukje që "nuk ka qenë e shtruar me lule jeta e Vatrës"... "po s'duhet të çuditemi në këtë mes se përçarjet kanë qenë zanati i Shqipëtarëve që kur erdhën në këtë botë". Nga tri përçarjet e mëdha të "Vatrës", Gurrazezi na ka dhënë me hollësi përçarjen e vitit 1917, që përfundoi me krijimin e Partisë Politike, e cila "i solli aq e aq dëme Vatrës dhe Shqipërisë."

 

Ky botim që po bëhet nga "Vatra", me propozimin  e nën drejtimin e kryetarit të saj, z. Agim Karagjozi, do t'i vlejë diasporës shqiptaro-amerikane dhe gjithë botës shqiptare për një njohje të mëtejshme më të thelluar të jetës dhe të veprimtarisë së Federatës, për periudhën që përfshn libri.

Historia e "Vatrës", duke qenë para së gjithash histori e ndërgjegjes më të fisme të shqiptarëve të Amerikës, histori e përkushtimit më të lartë të tyre ndaj idealit atdhetar, do të jetë gjithashtu një mësim me vlera të paçmuara edukative për ne të sotmit dhe për breznitë e ardhshme, këtu dhe në trojet e origjinës; ajo do t'u kujtojë gjithnjë shqiptarëve të Amerikës që nën strehën e një ideali vatran mund të bëhen më të vlefshëm për veten, familjet e tyre dhe atdheun. (vijon me HISTORIA E FEDERATËS VATRA HYRJE: IMIGRANTËT SHQIPTARË)
www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
REFAT XH. RRUGAZEZI: HISTORIA E FEDERATËS VATRA II (08.10.2009)
REFAT XH. GURRAZEZI: HISTORIA E FEDERATËS VATRA III (08.10.2009)
REFAT XH. GURRAZEZI: HISTORIA E FEDERATËS VATRA IV (08.10.2009)
REFAT XH. GURRAZEZI: HISTORIA E FEDERATËS VATRA V1 (08.10.2009)
REFAT XH. GURRAZEZI: HISTORIA E FEDERATËS VATRA V2 (08.10.2009)
REFAT XH. GURRAZEZI: HISTORIA E FEDERATËS VATRA VI1 (08.10.2009)
REFAT XH. RRUGAZEZI: HISTORIA E FEDERATËS VATRA VI2 (08.10.2009)
REFAT XH. GURRAZEZI: HISTORIA E FEDERATËS VATRA VII1 (08.10.2009)
REFAT XH. GURRAZEZI: HISTORIA E FEDERATËS VATRA VII2 (08.10.2009)
REFAT XH. GURRAZEZI: HISTORIA E FEDERATËS VATRA VIII (08.10.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]