VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - LAURESHA DOLI PREJ KËNGËS DHE HYRI NË DIELLIN E GABUAR TË ËNDRRËSPoezi nga QAZIM SHEHU

                                                                                      

E Shtunë, 05.04.2024, 01:18pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

LAURESHA DOLI PREJ KËNGËS DHE HYRI NË DIELLIN E GABUAR TË ËNDRRËS

Poezi nga QAZIM SHEHU


E Mërkurë, 03.02.2011, 08:59am (GMT+1)

 

PAJTIMI

Është ora të bëjmë përbetimin,

Jepma fjalën.

Era e gjakut si ngjyra që s`gjeti vend,

Braktisi hapësirën e madhe.

 

RRJETA

 

U mbush pylli me zogj, pas dimrit tradhtar,

Zemra ime u galdua me cicërimat e tyre,

Të mardhur mbërritën pas të ftohtit acar,

Duke ruajtur pranverën përmes syve.

Sa i gëzuar jam kur u shoh sërish,

Zogjtë pikëlues mbi pemë të bardha,

Mbi trungje të prera si disk,

Si pista për fluturime të largëta.

Kur dielli ndrit si fajtor i mirë,

Ngaqë s`futet në skuta, hijesina,

Zhuzhaku këndellet në rrezet e tij,

Të heqë mardhjet e mpira.

Ju ngriheni lart e cicëroni aq bukur,

Duke kapur sythet e fijeve të tokës,

Për të bërë në ajër një rrjetë të padukshme,

Ku kapen peng zemrat në plojë të ëndrrës...

 

ABDURRAHIM BUZA

 

Jam një njeri,

I pagojë.

Para tablove të tua.

Ngjyrat hutohen, ndizen, përflaken,

Gjer në nuancë të së mundshmes

Shkojnë.

Aty ku gdhendet me daltë flaka,

Qeniet më të pafuqishme

Vibrojnë.

E për më tepër rraca jonë,

Sheh çfarë përjetoi në shekuj,

Krahët e thyer të ëndrrave,

Besimin e verbër.

Jam një njeri i ngjyrës,

I vijës lakimit, dritës.

Ti më fut në të ,

Çmeritës ...

 

PËRNDJEKJE

 

Lauresha doli prej këngës dhe hyri

Në diellin e gabuar të ëndrrës,

Zogu magjepsës rendi për një kumt,

Të dhembjes.

Tani e shikoj si ikën e shket,

Ndjekur pas nga mendimi im,

Të gjejë nga ndjekja e nxehtë,

Qetësim...

 

BUKURI E TEPËRT

 

Lulja u rrit në serë duke ëndërruar,

Të ishte mes një pylli të egër,

Se askush s`iu afrua t`i marrë erë,

Bukurisë së saj të tepërt...

 

KJO DITË

 

Kjo ditë ka fytyrën tënde: të ngrysur, gri,

Kjo ditë që rrotullon besimin si gjethe,

E mbetur në pezm që s`shkulet në ajër,

As fillon e as mbaron, e trembur.

Kjo ditë që s`ta patëm borxh,

Po ti na e diktove me zor,

As mund ta mbartim, as mund ta braktisim,

Kur dielli rrezet i tkur si horr.

Sikur të mundej, në rend të ditëve,

Të hiqej kjo ditë e tjetra të vazhdonte,

Do kish nevojë për një pauzë vetëbesimi,

Njerëzimi-që më tutje të shkonte...

 

BARI

 

Bari i krijoi legjionet e pafundme,

Dhe u rreshtua në pranverë,

Herë duke sulmuar drejt ujërave,

Mbi shkëmbej si mjekër cjapi në erë.

Mori aromën e diellit, vesën e pasmesnatës,

Pastaj ngjyrat e shpresës mbi supe,

Dhe u nis në betejën e gjatë,

Të pushtojë kthinat e shpirtit të humbur.

Të lodhur nga ngricat e ikjeve të mëdha,

Nga theqafjet milionike të pasthirrmës,

Për njëçast ai qetësoi gjithçka,

Duke ia lënë kohën britmës...

 

DETI, TOKA

 

Qetësi ujërash madhështore, frikë për tokën,

Që rri pranë teje e ndrojtur,

Ti i mëshirshmi det, i fshehur në vetvete,

Kërcënues me fuqi të epërme.

Drejt së ardhmes së panjohur që krijon,

Në një përndezje eterne të butë,

Ujërat e shtrira si në govatën e fëmijërisë,

Belbëzojnë me gjuën e prerë të valëve,

Ndriçime yjesh të relaksuara në to,

Vetëtima të shurdhëta në sy peshqish

Dhe enigmën tënde të madhe

Fshehin në pasqyrimin e hirtë,

Si dhimbje për tokën e trembur...

 

PËR KOKË

 

Dhimbje, është e qartë nuk do ketë,

Sa kohë njeriu të ngushtohet pa dashur,

Duke u kujdesur të harrojë mbarimin,

Ngjashmëritë e fatit.

Sidoqoftë një jehonë mbetet,

Që udhëton atëhere kur s`e di,

Ç`provuan të tjerët mbartet vetvetiu,

Për të ardhur tek ti...

 

DEHJE

 

Valle , muzikë, lëvizje, rrotullime të ankthit,

Mbërthyer në ajër prej rrjetës së dëshpërimit,

Valle, përmbajtje e shkrifëtuar,

Në belin rrotullues, pa u dukur.

Gjithnjë diçka e paplotë lëviz,

Në erën e shenjave që zbërthehen,

Aq të bukura si buzëqeshje hyjnishë,

Që me bukuritë e shpirtit gënjehen.

Në një përndezje të vjetër ecën koha,

Që kurrë s`u fashit, që kurrë s`ra,

Valle, e tepërt të kujtohet mosha,

As rrahja e tokës, ku këmba trokiti pa da.

Valle, bukuri e shpirtit pambarim,

Që mbete në shpirt, po kur del,

Gjëmon moti me tërbim,

Trëndafili në janar çel.

 

KUFIRI

 

Një kafshë e zbrazët që s`ka ku kullot,

Më ngjan ti,

Një vrasës i tultë pa asnjë kockë,

Që po të jepej një mundësi,

Njerëz do haje.

Po përderisa njerëz nuk ha,

Njëfarësoj,

Të lejohet gjithçka...

 

ZHAN KOKTO

 

Zhan Kokto vuajti për dashurinë aq sa,

Njeri si ai s`mund të vuajë kaq,

Kohët e mëvonshme u provua me dredhi,

Se dashuria u përket vetëm poetëve të pafat.

Kur dashuria shitblihet, blihet e shitet ndërkaq,

Si një rrobë që mund të përdoret shpesh,

Rrjedha e saj qëndron e ngrirë në para,

Në shkëlqim monedhash veten tërheq.

 

BISHTI I DREQIT

 

Bishti i dreqit na tërheq gjithnjë,

E na josh sakaq,

Si delet kur i prek ujku me bisht,

Dhe i shkojnë pas.

Kjo cikje e nëmur ndjellakeqe,

Na vibron në shpirt të zbrazur,

Kur i shkojmë dikujt që ta plakim,

Pa ardhë koha për ta plakur...

 

TI

 

Ti mbete në këtë ëndërr, mbete,

Natyrisht këtë s`e di,

Po ta dije, për mëshirë,

Do kishe dhënë diçka për dashuri.

Natyrisht Romeo s`jam,

Pasionant i verbër, pa rrethanë,

Ty ëndrrën më të bukur të kam,

Shurdhtuar si kambanë.

Gjer ti t ë kuptosh,

Se kjo kambanë bie për ty,

Veç ti kthen kokën e shkon,

Nuk jep as mëshirë për dashuri...

 

DIALOG

 

Dialog, me kë të bëjsh,

Në Shqipëri të gjithë gënjejnë,

E vërteta në fund të pusit,

Syrin e mbyll dhe shkëlqen.

Dialog si mund të bëjsh,

Kur çfarë i pëlqen tjetrit s`e di,

Është më mirë në fund të botës të shkojsh,

Sesa të jetosh në Shqipëri...

 

ENGJËLLI I DËSHIRËS

 

Engjëlli i shenjtë i dëshirës,

Mbetur diku, në pragmuzg,

Vjedhur nga rregulli i së mirës,

Kur e keqja bënte dhunë.

Tani të kërkoj aq shumë,

Prej lodhjes që fik çdo passion,

U mësova aq shumë me ty,

Sa kjo tmerrsisht më mundon...

 

AKOMA TË BUKURA

 

Seç janë ca gra akoma të bukura,

Kur i afrohen pleqërisë,

Bredhin nëpër vegime fluturuese,

Vijëzime të afërta të bukurisë.

Do kenë qenë të bukura dikur,

Për jetëgjatësinë e formave do kenë ditur,

Me indiferencën e tyre si furtunë,

Shqelmuan kohën e llogaritur.

Tek këto amazona të paplakura,

S`mund të ndash rinipleqërinë,

Se akoma mbajnë hapur flatrat,

Të digjen në flakë të dashurisë...

 

BABAIT

 

Desha të mbledh rreth vetes këtë mbrëmje,

Që t`ia kushtoj babait,

Kujtimit si një dramë e egër,

Që ec drejt meje pa faj.

Të kujtoj dashurinë e tij,

Gjithçka fali për mua,

Trashëgiminë e genit,

Këshillat e urta.

Po s`qe e mundur asesi,

Që diçka të mblidhja,

Në lulen e hidhur të kujtimit,

Fytyrën më të coptuar paska dhimbja...

 

SOT

 

Sot nuk jam më ai i djeshmi,

Dje desha të jem ky që jam sot,

Në provën ekzistenciale,

Shpëton gjithnjë një pikë lot.

Inercia I shtyn gjërat me vrull,

Drejt variacioneve të hutuara,

Zemra eë uritur mbetet në rrugë,

Në gropa me lule mbuluar.

Krahun shtrin horizont i mbyllur,

Për të treguar diej të tjerë,

Të ftohur nga një ëndërr e yshtur,

Në vlagë dëshire të mjerë.

 

DON ZHUANI

 

Ndonjëherë Don Zhuani vjen tek unë,

Me një dashuri që s`ia besoj,

Eja, thotë , të zgjojmë nga gjumi,

Bukuritë që po treten,

Pa njohur veten.

Unë për shkak të një kodi e përze,

Dashnorin misterioz të bredhjes,

Se ai me atë që s`e njoh fle,

Dhe këtij trilli i trembem...

 

RRUZUJ TË NGROHTË

 

I dua pëshpërimat e fjalëve,

Kohën limite të frushullit naiv,

Shkrepjen e tyre si një vetëtimë,

Pa bubullimë.

S`kuptohen siç nuk kuptohet,

Shpërthimi i gonxheve, koha e rritjes së luleve,

As largësia për të kapur aromën,

Brenda rrethit të saj kur ndodhesh.

Të buta, ndjellamira, përmes,

Besiomit të ngrohtë si delir,

Një mikrobotë që feks,

Si agimi që s`do të gdhijë.

Se ato rimarrin qetësimit të ëmbël,

Barrën e enigmës së pakursyer,

Në gjysmë fjalë të plota,

Zjarre të vegjël në errësirë...

 

S`KA KOHË...

 

S`ka kohë për të përkufizuar të tanishmen,

E ardhmja mezi prêt,

Të ngarkojë në breg bagazhet,

Drejt anijes në det.

Horizonte të reja ajo hap,

Me premtime të fisme,

Po sa shpejt si djall i prapë,

Gjithçka e kthen në të tanishme.

 

MESDITË

 

Mesditë, orë shtatzanë e mëngjesit,

Përhumbur dalldisjes së tepërt,

Duke imbledhur padashur mbetjet,

E brengave.

Për t`I hedhur në kosh të mbrëmjes,

Në freskun e mesnatës , sigurisht,

Kur mëngjesi tjetër si t ë reja,

I stolis.

 

GJARPËRINJTË

 

Kam ëndërruar gjithnjë të më kujtoni,

Të trishten që shetit pa u penguar,

Në zemrën e plazmës së pasionit,

Ku ngjizet vezë e helmit të turbulluar.

Po ju aq helm nuk keni,

Sa I duhet qytetërimit tonë modern,

Të tërbuar nga kjo në ferra fishkëlleni,

Melodi ironike plot jerm...

 

TË VERDHË

 

Të verdhë janë flokët e tu aq sa besoj,

Se ngjyrë më të përsosur s`do kish,

Mendimet djallëzore për të hutuar,

Përbetimet e kota vyshkur si fiq.

Kjo botë lakuriq s`di ku fshihet,

Prej turpit që ajo s`e njeh,

E verdha gjithnjë i kujton të krihet,

Para pasyrave të Narcizit që Koliqi i do...

 

SI BLETA

 

Si bleta rendin njerëzit, shkojnë larg,

Duke mbartur ndjenjat karvanë karvanë,

Asnjë stacion s`duket, si për inat,

Kthehen të uritur , delirantë.

Aty ku u nisën për të rimarrë të lodhur,

Veten e shpartalluar ndjesive,

Si bleta nganjëherë ia fusim thumbin vetes,

Të mbaruar prej ndjesive...

 

MUND

 

Mund të arrija tek ti nëse kohë pas kohe,

Do kasha kuptuar piketat e rrugës që s`u bë,

Tani i terrosur më dhemb mosmbërritja,

E cila s`dihet si do qe pot ë mos ishe ti.

Ti e mbërritur nga lumturia e përskuqur,

Nga dielli i përkujdesjes së mbërdhirë,

Që kurrë mendjen tek unë s`e pate,

Po tek tjetri që duke të braktisur të pati mbërrirë...

 

LUGINA

 

Mes shtëpive në ca kopshte,

Kafshova mollën e dëshirës,

Aty u rrit nëpër mote,

Ëndrra e madhe e luginës.

Krahu i saj i pafund,

Më tërhoqi drejt botës,

Kur ika unë mani shkundi,

Kokrrat prej dhembjes.

Kumbulla sythet përvëloi,

Në diell të mesditës,

Zogjtë e vegjël ndanë përroi,

Mbi degë u përmbysën.

Ah, ajo luginë mos kish qenë,

Rruga si dammar,

Tani pemët u prenë,

Një gjurmë s`k a si më parë.

Si tek tregimi iKoliqit shkloj,

Të kapërcej murin si më parë,

Njerëz s`ka, në rrënojë,

Nxjerr kokën një fije bar.

Të gjithë kanë ikur si unë,

Kanë zënë vend në qytete,

Pemët i prenë se s`deshën dhunë,

Eriniesh si tërmete.

Mbase ashtu e kuptuan,

Ata të paeturit mëkatarë,

Po gjithnjë do ti ndjekë pa dhunë,

Qoftë dhe një fije bar...

 

STUHIA

 

Me një hark të stërmadh u shfaq ai,

Duke fshehur pikënisjen në pikardhje,

Mbështeti mbi lumë buzët e tij,

Sikur donte t`i thithte plagët;

Ylberi.

Pastaj ngjyrat e veta i treti,

Në trazimin e vrullshëm të stuhisë,

Në fshirjen marramendëse,

Si bisht i lubisë.

U terratisën ngjyrat, humbën ato,

Pa kuptuar ndërkaq,

Se stuhia është ajo,

Që herë i thith,

Herë i shfaq...

QAZIM SHEHU


Rating (Votes: )   
    Comments (1)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
TË MARTAT ME MORINFragment nga romani Bestseller i MITCH ALBOM, përkthyer nga ALBANA M. LIFSCHIN (02.25.2011)
MBRETËRESHË BËHU MBI BJESHKËN E BLERTË QË SHËRON ZEMRËN E KALLUR FLAKËPoezi të zgjedhura nga NAFI ÇEGRANI (02.23.2011)
RRUGA ISHTE HAPUR NËPËR SYTË DREJT ZEMRËS, RRUGË KREJT KRIJUAR PREJ LUMENJSH TË LOTËVEPoezi nga FRANCESCO PETRARCA (Françesko Petrarka, 1304-1374) (02.21.2011)
DO TË JEM ME TY DERISA YJET TË MOS NDRIÇOJNË MËKëngë të zgjedhura për DITËN E SHËN VALENTINIT (02.14.2011)
JE GRUAJA QË KALON SI NJË GJETHE. DHE LË NË PEMËT NJË FLAKË VJESHTEPoezi nga GIUSEPPE UNGARETTI (Xhuzepe Ungareti, 1888-1970) (02.07.2011)
AJO KALON DRITËPLOTË, SI NATA ME AJËR TË KULLUAR NËN QIEJ TË YJESUARPoezi nga GEORGE GORDON BYRON (Xhorxh Gordon Bajron, 1788-1824) (01.29.2011)
DASHURI E NJOMË E VAJZËRISË, MË FAL, NËSE TË HARROJ, NDËRSA MË FSHIJNË RRYMAT E BOTËSPoezi nga EMILY BRONTË (Emili Brontë, 1818-1848) (01.13.2011)
DUKE U DRIDHUR, DUKE NGRIRË AKULL, NË TREMBJE TË FRIKSHME, AH! AJO SHKOI E VAJTIPoezi nga WILLIAM BLLAKE (Uilliam Blleik, 1757-1827) (01.06.2011)
MË TORTURON TMERRUESE ËMBËLSIA E ASAJ FYTYRE ENGJËLLOREPoezi nga JOHN KEATS (Xhon Kits, 1768-1821) (12.31.2010)
BALADË PËR NJERIUN QË MBANTE GURIN E RRUFESËPoezi nga ANTON PAPLEKA (12.29.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]