VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - BALADË PËR NJERIUN QË MBANTE GURIN E RRUFESËPoezi nga ANTON PAPLEKA

                                                                                      

E Shtunë, 05.04.2024, 04:45pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

BALADË PËR NJERIUN QË MBANTE GURIN E RRUFESË

Poezi nga ANTON PAPLEKA


E Mërkurë, 12.29.2010, 11:21am (GMT+1)

BALADË PËR NJERIUN QË MBANTE GURIN E RRUFESË

Qëmoti

Një njeri që shtegtonte në male

E paska gjetur gurin e rrufesë

E paska mbajtur me vete

Qysh nga ajo ditë

Njeriu që mbante me vete gurin e rrufesë

Në terrin e verbër të natës pa hënë e pa yje

Shihte qartë si ditën në drekë

Në zjarr, nuk digjej; në ujë, nuk mbytej

Edhe në kulmin e acarit nuk mërdhinte

Nuk kishte vapë në pishë të diellit

Njeriu që mbante me vete gurin e rrufesë

Mund të rronte njëqind ditë pa bukë e pa ujë

Mund të rrinte njëqind net pa fjetur

Me tre hapa mund t'i kapërcente malet

E të mbërrinte në breg të detit

Njeriun që mbante me vete gurin e rrufesë

Nuk e priste dot shpata

Nuk e zinte dot plumbi

Nuk e prishte dot syri i keq

Njeriut që mbante me vete gurin e rrufesë

I shmangej Ujku i Çartur

I hapte udhën Syqenëza

Kuçedra ikte ku sytë këmbët prej tij

Prej tij dridhej tutësh edhe Vdekja...

Njeriu që mbante me vete gurin e rrufesë

Thonë se vazhdon të ecë nëpër kohëra

I mbështjellë me një shark të bardhë legjende...

L'ETERNEL RETOUR

Në vitin 39 para Krishtit

Oratori romak Asinius Pollion

Nënshtroi parthinët, një popull të Ilirisë

Pas kthimit të tij në Romë

Për të u organizua një triumf

Më vonë, ai vazhdoi të merrej me ushtrime oratorie

Siç thotë Seneka ( Plaku )...

Në vitin 1939 pas Krishtit

Një pinjoll tjetër i Ujkonjës, me emrin Konti Ciano

Në trupin e të cilit ndoshta kishte shtegtuar

Shpirti i oratorit romak Asinius Pollion

Përgatiti nënshtrimin e të njëjtit popull

Me ndryshimin e vetëm se tashti parthinët

Quheshin albanezë ose shqiptarë

Ashtu si stërgjyshi i tij i largët

Oratori romak Asinius Pollion

Edhe Konti Ciano ka pasur prirje letrare

Madje ka shkruar një libër të trashë...

Duke lexuar Senekën ( Plakun )

I cili i ka kushtuiar një kapitull të tërë

Oratorit romak Asinius Pollion

U befasova nga ngjashmëria e këtyre dy datave

39 para Krishtit,1939 pas Krishtit

Në të cilat ka ndodhur e njëjta ngjarje

Ku kanë marrë pjesë të njëjtët protagonistë...

Përsëritja e të njëjtës ngjarje në dy data të ndryshme

Më solli në mendje të frikshmin L' Eternel Retour!

PASTISH NGA LASGUSHI

Kushtuar "profesorëve" që për vite të tëra

kanë predikuar teorinë e realizmit socialist, kurse

tashti organizojnë mexhlise "shkencore" për të sulmuar

autorët që shkruan në kohën e diktaturës së proletariatit.

Profesorët trukokallë

I gjykojnë vjeshëtorët,

Po më thoni cilët vallë

I gjykojnë Profesorët?

Profesorët zemërpisë,

Përdhosës të poezisë,

Shpirtkatran që denigrojnë,

Janë qen që të kafshojnë!

PISHA MAJË SHKËMBIT

Nga vera në verë

Shihja se si degët e ulëta

Të asaj pishe majë shkëmbit

Thaheshin vetvetiu

Vareshin si gjymtyrë pa jetë

Pastaj vjeshta sillte me vete

Erërat dhe stuhitë

Që i thyenin me rropamë

Dhe i rrëzonin përtokë

Degët ku nuk qarkullonte më limfa

Pisha nuk vishej me të zeza

Nuk shfrente në të qara

E bindur nga një urtësi e fshehtë

Se flakja e degëve të thata e të thyera

Ishte çmimi që ajo duhej të paguante

Për t'u ngjitur përpjetë

Qysh në fëmijëri

Më janë ngulitur në kujtesë

Degët e thata që rrëzoheshin nga stuhitë

Dhe tashti e vë re

Se gjithë jetën jam përpjekur t'i ngjaj

Asaj pishe majë shkëmbit...

VAJZA FLOKËKUQE

Vrapi nëpër diellin e asaj dite qershori

Ia kishte skuqur fytyrën e rrahur nga ajri i nxehtë

Ia kishte skuqur gushën, llërët

Lëkurën e zbuluar të kraharorit

Ajo vajzë që dielli e kishte mbështjellë me petale paparunesh

I ngjante një shisheje syrealiste

Antropomorfe

Të mbushur me verë të kuqe

Vallë, kush do ta pinte atë shishe?

Kush do të ngrinte me verën e saj dolli dashurie?...

E pata zili njeriun që do t'i digjeshin gishtat

Nga flakët e flokëve të saj prej komete

Dhe buzët do t'i ndizeshin nga prushi i buzëve të saj

Binjak me zjarrnajën e diellit

Si të mos e kisha zili unë

Një qenie tokësore, mëkatare

Kur edhe dielli vetë e përpinte me sy

Nga maja e zenitit

Duke njomur me gjuhë buzët e tij të përflakura?!

Vajza me fytyrë të skuqur ngq ajri i nxehtë

Vraponte për të mbërritur në takim

Duke lënë prapa nja hulli të zjarrtë komete...

KALORËSI I PANJOHUR

Një re fillikate shaloi malin

E shndërroi në kalë të gjelbër

Vallë, ç'lajm po më sjell

Ti, kalorës që lë pas horizontin?

Ja ku ia behu mbrëmja

Dhe yjet prushërijnë në qiell

Ndoshta këto yje janë

Shkëndijat që lë pas kalorësi i panjohur

Gjakun që i pikon nga plagët

Ia mbledhin kupat e lulëkuqeve

Ia mbledhin kupat e luleshegëve

Për ta shndërruar në rubinët e kokrrave të tyre

Kalorësi i panjohur trokon nëpër muzg

Drejt një shtëpie malli

Ndalet para një shtëpie ëndrre

Ku varet dryni i praruar i hënës

Ajmé, bulkthat e groposën në dhé

Çelësin e asaj shtëpie ku bujt errësira...

MBRËMJE ME HËNË TË RE

Sonte do të marr dy brirët e kësaj hëne të re

Me ta do të bëj timonin e një biçiklete

Për të shëtitur në bulevardin e Udhës së Qumështit

Nuk është çudi që gjatë shëtitjes sime

Atje lart të takoj Federiko Garsia Lorkën

Hipur në vraçin e zi të natës

Të cilin e nget me shpore yjesh

Për të mbërritur sa më parë

Në Sierra Morena

Nuk është çudi që atje lart të takoj Sergej Esenin

Këtë Pan të shekullit të njëzetë

Midis fishkëllimave që lëshojnë lokomotivat e kometave

Ai vazhdon t'bjerë bririt të hënës

Në stacionet hekurudhore të qiellit

Atje lart do të takoj medoemos

Pablo Pikason

Toreadorin e madh të pikturës moderne

Që me shkopin magjik të frymëzimit të tij

Një timon biçiklete e shndërroi në kokë demi...

Këtë mbrëmje me hënë të re

Hapësirave derdhet mushti i artë

Nga Briri i Argjendtë i Vjeshtës

ANTON PAPLEKA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
LËRI PAK, VENERË, DASHNORËT E TU ME ZEMRA KURORASH MBRETËROREPoezi nga ARTHUR RIMBAUD (Artur Rembo, 1854-1891) (12.24.2010)
TË LUTEM, MËSO TË LEXOSH HESHTJEN E ZEMRËS SIMESonete nga WILLIAM SHAKESPEARE (Uilliam Shekspir, 1564-1616) (12.15.2010)
ASHTU EDHE MBI MENDIMET E TUA, KUR TË JENË TRETUR, DASHURIA VETË DO TË BJERË TË FLERËPoezi nga PERCY BYSSHE SHELLEY (Persi Bisshi Shell, 1797-1851) (12.05.2010)
E DIJA QË E KAM MALLKIM TË KUNDROJ YJET NË NATËN STERRË TË ZEZËPoezi dhe përkthime të përzgjedhura nga ÇEZAR KURTIMe rastin e 75 vjetorit të lindjes të përkthyesit tonë të madh (12.02.2010)
 KE QENË PRANË MEJE MIJËRA HERË, TË SHIKOJA TY ME GËZIM FËMINORPoezi nga FRIEDRICH VON HARDENBERG - NOVALIS (Fridrih fon Hardenberg -Novalis, 1772-1801)  (11.25.2010)
MË SHPËTOI SI NEGRE NATA(Shqiptarëve që ikën nga Atdheu për një jetë më të mirë)Nga Elida BUÇPAPAJ (11.24.2010)
NESËR MIJËRA PUTHJE, PASTAJ QINDRA TË TJERA TË NIS, NË VIJIM MIJËRA, PASTAJ QINDRA TË TJERA SËRISHPoezi nga GAIO VALERIO CATULLO (Gaio Valerio Katuli, 87-54 aC) (11.20.2010)
MË DUKET SIKUR JAM NË QIELL MIDIS PERËNDIVE, KUR PRANË TEJE RRI DHE VËSHTROJ BUZËQESHJEN TËNDE TË BUKURPoezi nga SAFFO (Safo, 612-580 aC) (11.12.2010)
NË PRITJE QË MJEGULLA TË SHKRIHET DHE FURIA E SYVE TË TU TË VIJË ME DIELLINPoezi nga SEBASTIANO GRASSO në shqip nga VISAR ZHITI (11.08.2010)
PËRPIQEM TË MBUSH PLOT KRAHËT E MI ME BUKURINË TËNDE, PËRPIQEM TA VJEDH ME PUTHJET E MIA BUZËQESHJEN TËNDEPoezi nga RABINDRANATH TAGORE (1861-1941) (11.02.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]