VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - JE GRUAJA QË KALON SI NJË GJETHE. DHE LË NË PEMËT NJË FLAKË VJESHTEPoezi nga GIUSEPPE UNGARETTI (Xhuzepe Ungareti, 1888-1970)

                                                                                      

E Shtunë, 05.04.2024, 12:07pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

JE GRUAJA QË KALON SI NJË GJETHE. DHE LË NË PEMËT NJË FLAKË VJESHTE

Poezi nga GIUSEPPE UNGARETTI (Xhuzepe Ungareti, 1888-1970)


E Hënë, 02.07.2011, 03:23pm (GMT+1)

 

 

KËNGA E PESTË

 

Ke mbyllur sytë.

Lind një natë

Plot me vrima të rreme,

plot me tinguj të vdekur

si të jetë plot me shtupa

të rrjetave të hedhura në ujë.

Duart e tua bëhen si një fllad

Prej largësive të pashkelëshme,

të pakapshme si idetë.

Dhe dykuptimësinë e hënës

E luahtjet e saj, tejet të ëmbëla,

po t'i duash vendosmi mbi sytë e mi,

ato prekin shpirtin.

Je gruaja që kalon

si një gjethe.

Dhe lë në pemët një flakë vjeshte.

 

KËNGË

 

Rishikoj gojën tënde të plogët

(deti shkon në takim me netët)

dhe mëzja e ijeve

në agoni të bjerë

në krahët e mi që këndonin,

e të risjellë një gjumë

në shumëngjyrësi dhe në vdekje të reja.

Dhe vetmia mizore

Që në vete secila zbulon, nëse do,

tani varri i paskaj,

prej teje më ndan përgjithmonë.

E dashur, e largët si një pasqyrë...

 

PËR GJITHMONË

 

Dhe pak nga pak në majë

Në krahët e ringjallur

Rihapen duar ndihmëtare,

në zgavrat ato

rishfaqin sytë, rijapin drita,

e, burim i paprekshmërisë

së menjëhershme

do të jesh, do të më dalë të më prijë

sërish zëri yt,

përgjithmonë unë ty të shoh.

 

12 SHTATOR 1966

 

Je dukur në derën e madhe

Në një veshje të kuqe

Për të më thënë se je zjarr

Që mbaron dhe ndizesh prapë.

Një gjëmb i trëndafilëve të tu kuq

Më ka pickuar

Që të thith në gishtin tim,

Si të ishte në gishtin tënd,

Gjakun tim.

Përshkojmë rrugën

Që e gërrith harlisjen

E rrafshnaltës së pashkelur,

por tashmë prej shumë kohësh

e dija që duke vuajtur

me besim të çmendur,

mosha për të fituar nuk ikën kurrë.

Ishte e hënë,

për të shtrënguar bashkë duart

e për të folur të lumtur

nuk u gjet strehë tjetër

veçse një kopsht i trishtë

i qytetit të pështjelluar.

 

KUQ DHE KALTËR

 

Kam pritur që të fillonit të ecnit,

Ngjyra të dashurisë,

E tani shpaloseni një foshnjëri të qiellit.

Ai më jep trëndafilen më të bukur

Që kam ëndërruar.

 

YLLNESHA IME

 

Yllnesha ime, e vetmja,

në mjerimin e natës, e vetme,

për mua, vetëm për mua, bën dritë,

në vetminë time bën dritë;

por për mua, yllneshë

që kurrë nuk mbaron së ndrituri,

të është lejuar një kohë tepër e shkurtër,

të ma dërgosh një dritë

që dëshpërimin në mua

nuk e bën më therës.

 

DRITA JOTE

 

Zhduket pak nga pak, e dashur, dielli

Tani që befas kaplon nata e gjatë.

Me ngadalësinë e njëjtë të një ploje

Bën që larg të shikohet drita jote

Për jo pak kohë ne të na ndash.

 

13 SHTATOR 1966

 

Duart me një drithërimë

Të telefonit shtrëngonin fillin;

pak më parë më kishte

dhuruar zërin tënd

që më thoshte

lamtumirë.

Një rreze e turbull jepte dritën

Përgjatë fillit të shpirtit

Të puthjes sime dhuruar

Vetëm nga dëshira.

Por nga pengu do të çlirohet

Dashuria ime syrgjyne.

 

 

 

 

VARIACIONE ME TEMËN E TRËNDAFILES

 

Vrull i dhimbshëm

I përfytyrimit të dashur.

Rizgjim mëngjesor

Në realitetin prej ëndërre

Të një zemre që po jep shpirt duke pritur.

Rilindja e ëmbël

Mes krahëve të dashurisë.

Por ajo dorë që rindez një zemër

Shuan tani ëndërrën

Duke ndezur lamtumirën.

Dorë e njomur me pika gjaku.

Gjak që është vetëm nga gjëmbi i trëndafiles,

trëndafilja pickuar nga gjëmbi i vet

nëse qan nga dashuria.

 

ATJE KU DRITA

 

Si lauresha valvitëse

Në erën e butë mbi livadhet e blertë,

Krahët i ke të lehtë, eja.

Do të endemi andejkëndej,

Nëpër det e nëpër qiell,

Nëpër gjakun tim të shpejtë të luftës,

Nëpër hapat e kujtimeve të hijes

Brenda druajtjes së mëngjeseve të reja.

 

Atje ku gjethi nuk e lëviz më dritën,

Në ëndërra e brenga arratisur në tjerë lumenj,

Atje ku prehet mbrëmja,

Eja të të dërgoj

Në kodrinat e arta.

 

Ora e ngurosur, pa peshën e moshës,

Në breroren e saj të humbur

Do të jetë shtrati ynë

 

DITË PËR DITË

 

4

Kurrë, nuk do ta dini kurrë sa më përndrit

Hija që më ngjitet pranë, e druajtur,

Kur nuk shpresoj më...

 

7

Në qiell e kërkoj fytyrën tënde të lumtur,

Dhe sytë e mi asgjë tjetër nuk do të shikojnë

Kur edhe ata do të duhet t'i mbyllë Zoti...

 

8

E të dua, të dua dhe kjo është dhimbje e pafund

 

9

Toka e egërsuar, deti i përbindshëm

Më ndan nga vendi i varrit

Ku tani shpërbëhet

Trupi i martirizuar...

Punë e madhe... E dëgjoj gjithnjë më kumbueshëm

Atë zë të shpirtit

Që nuk dita ta mbroj andejkëndej...

Më ndrydh, gjithnjë e më festiv e miqësor

Nga minuta në minutë,

Në thjeshtësinë e saj sekrete...

 

13

Jo më pak marrëzi më frymëzon vjeshta,

As pranvera nuk është aq bujare;

Prandaj zbrit vjeshtë,

Me lavditë e tua të marra:

Për një dëshirë lakuriqësie, dimri

Sjell stinën më të butë!...

 

 

I shqipëroi: ELIDA BUÇPAPAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
AJO KALON DRITËPLOTË, SI NATA ME AJËR TË KULLUAR NËN QIEJ TË YJESUARPoezi nga GEORGE GORDON BYRON (Xhorxh Gordon Bajron, 1788-1824) (01.29.2011)
DASHURI E NJOMË E VAJZËRISË, MË FAL, NËSE TË HARROJ, NDËRSA MË FSHIJNË RRYMAT E BOTËSPoezi nga EMILY BRONTË (Emili Brontë, 1818-1848) (01.13.2011)
DUKE U DRIDHUR, DUKE NGRIRË AKULL, NË TREMBJE TË FRIKSHME, AH! AJO SHKOI E VAJTIPoezi nga WILLIAM BLLAKE (Uilliam Blleik, 1757-1827) (01.06.2011)
MË TORTURON TMERRUESE ËMBËLSIA E ASAJ FYTYRE ENGJËLLOREPoezi nga JOHN KEATS (Xhon Kits, 1768-1821) (12.31.2010)
BALADË PËR NJERIUN QË MBANTE GURIN E RRUFESËPoezi nga ANTON PAPLEKA (12.29.2010)
LËRI PAK, VENERË, DASHNORËT E TU ME ZEMRA KURORASH MBRETËROREPoezi nga ARTHUR RIMBAUD (Artur Rembo, 1854-1891) (12.24.2010)
TË LUTEM, MËSO TË LEXOSH HESHTJEN E ZEMRËS SIMESonete nga WILLIAM SHAKESPEARE (Uilliam Shekspir, 1564-1616) (12.15.2010)
ASHTU EDHE MBI MENDIMET E TUA, KUR TË JENË TRETUR, DASHURIA VETË DO TË BJERË TË FLERËPoezi nga PERCY BYSSHE SHELLEY (Persi Bisshi Shell, 1797-1851) (12.05.2010)
E DIJA QË E KAM MALLKIM TË KUNDROJ YJET NË NATËN STERRË TË ZEZËPoezi dhe përkthime të përzgjedhura nga ÇEZAR KURTIMe rastin e 75 vjetorit të lindjes të përkthyesit tonë të madh (12.02.2010)
 KE QENË PRANË MEJE MIJËRA HERË, TË SHIKOJA TY ME GËZIM FËMINORPoezi nga FRIEDRICH VON HARDENBERG - NOVALIS (Fridrih fon Hardenberg -Novalis, 1772-1801)  (11.25.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]