SJELL PRAPË NË MENDJE BUZËQESHJEN TËNDE
 
Mendoj buzëqeshjen tënde, dhe është për mua një ujë i kulluar
Nisur për aventurë midis guralecëve të zallishtesë së bardhë,
ndjek pasqyrën tënde ku një shelg shikon veten;
e mbi të gjitha përqafoj kthjelltësinë qiellore pa skaj.
 
Ky është kujtimi im; s'di ta them, e dashur,
Sepse nga fytyra jote shfaqet një shpirt i pafaj,
Apo vërtetë ti je nga ato endacake që të keqen e botës e fshijnë
Dhe vuajtjen e tyre me vete si hajmali e mbajnë.
 
Por mund të të them se portreti yt i menduar
Fsheh mendime të dalldisura brenda syprinës së qetë,
e pamja jote hyn tinëz në kujtesën time gri
e dlirë si maja e një palme të bleruar...
 
SHPRESA SE NDOSHTA DO TË SHIHEMI PËRSËRI
 
Shpresa se ndoshta do të shihemi përsëri
më braktiste;
dhe e pyesja veten nëse kjo që ma mbyll
çdo rrugë drejt teje, lojë përfytyrimesh,
ka shenjat e vdekjes apo
është jehonë e së shkuarës, tashmë rrënuar e dobësuar,
një farfuritje jotja:
(Në Modenë, midis portikëve,
një shërbëtor i pispillosur tërhiqte zvarrë
dy çakallë të lidhur në zinxhirë).