Jetojmë ! Na mbledhin rreth tryezës drekat, darkat
Thua na shkon ndërmend se ulur tok me ne rri numëron kafshatat :
Vdekja ! Apo siç thotë Fishta ynë. Deka.
Pas çdo shakaje, lëvizjeje e frymëmarrjeje,
Takimi, puthjeje të ëmbël apo ndarjeje,
Pas çdo ylli gjigand e çdo shkëndije që në sekondë tretet
Rrëkezës sa një pe dhe Amazonës që trazon dhe detet;
Pas luanit mbret të xhunglave dhe lepurit, që trembet nga vetvetja :
Rri vdekja ! Apo siç thotë Fishta : Deka ! Deka ! Deka !
Pas lules të posa çelur e një kokrre molle të pjekur,
Herkulit gjysmë perëndi e një gërmuqi gjysmë të vdekur ;
Pas të urtëve, të mençurve, gjenive dhe të marrëve
Portjerit, presidentit e kryetarit të shkrimtarëve
Lypsit hollak të rrugëve, e Zotit të Njujorkut, miliarderit
Pas dasmës, ëngjëllit, dreqit, parajsës edhe ferrit ;
Vrapuesit të pakapshëm e barkalecit që vuan nga mëlçia e shpretka
Nën strehë, në prag të derës, në dhomën e fjetjes e në odën e miqve
Rri Deka ! Deka ! Deka !
Kleopatrën e magjishme a s'e kafshoi nepërka që nga shporta e fiqve ?
Asgjë nuk i shpëton asaj ! Askush ! Askund !
Vetëm prej saj nuk trëmbet
Ajo që edhe shelgut frikacak, edhe lisit trim i qepet pas si kulpra
E nga vështrimi i saj dhe Perëndia çmendet.
E bukura! O Zot i madh! E bukura! E bukura! E bukura!
(Marrë nga Libri: « Bëjmë Sikur », Tiranë 1995)