VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - KUR VARROSEN PËR JETË TË GJALLËT, SI NUK NGRIHEN TË BREDHIN TË VDEKURITPoezi nga DRITA ÇOMO (1958-1981)

                                                                                      

E Hënë, 05.06.2024, 05:52pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

KUR VARROSEN PËR JETË TË GJALLËT, SI NUK NGRIHEN TË BREDHIN TË VDEKURIT

Poezi nga DRITA ÇOMO (1958-1981)


E Hënë, 05.02.2011, 02:04pm (GMT+1)

BABAIT

Po vij tek ti
Vajza jote e vogël
Kam 18 vjet që vij.
Rrugë pa fund, qytete, njerëz.
Dhe diku përtej tyre-ti
Përtej të gjithave.

1976

NËNËS

Atë ditë që ajo dukej krejt e thinjur
Sytë e errët
Si gjithnjë fshihnin dhimbjen.
E kish harruar atë ditë zemërimin.
Atë ditë ajo ishte
Vetëm nënë.

 

DASHURI SIBERIANE

Po bie shi...dhe ti je kaq larg
Po ndoshta dhe s'dua te jem me ty
Ky qiell gri...
Ne shpirt- kaq akull
Kaq ftohte ne shpirt. Si ne Siberi.

E megjithate, une te dua
Dhe te dua shume, çuditerisht
Po qe se te urresh eshte njesoj si te duash
Te urrej dhe te dua njekohesisht

Te urrej per ate, qe me prishe qetesine
Te urrej, pse erdhe tek une
Per çdo gje te vertete dhe çdo gje te dyshimte
Te urrej dhe te dua kaq shume

dhe ne shpirt kam dimer, gjithnje dimer
Nje ftohtesi pa fund dhe pa ane
Ne sa grade nen zero paske lindur
Dashuria ime siberiane

Ne te tere qenien time bie shi
Dhe ti nuk je. Dhe ti je kaq larg
Kam deshire per ty, kam nevoje per ty
Dhe prape s'dua te jemi bashke

1978

VJESHTËS

Ajo vjen gjithnje me lot ne sy
Dhe druret dhe qiejt zbehen, perloten
Pastaj tok me eren uluri, uluri-
Duket sikur qan per tere boten

Ajo shpesh zbret si mbremja e arte
Ne qiejt hena bredh e vetmuar
Dhe peshperisin fletet mijera fjale
Sikur te zbusin dhimbjen tende duan

Ne shpirt mblidhet qetesisht trishtimi
Ajo te sjell kaq ngushellim, kaq ngrohtesi
A thua e kupton ç'eshte Mjerimi
E ç'eshte Brenga duket se e di

Veç kete vit sikur nuk po e njoh
Si erdhi keshtu me kaq zymtesi
Ç'po derdh mbi ne zemerimin e ftohte
Vetm shi, vetm shi, vetem shi

Dhe po me mbyt ky qiell i erret...
Dua ta pyes perse me mban meri
Dua t'i lutem te mos jete kaq i eger-
Edhe pa te ne shpirt, kam kaq merzi.

Dhe pa te mbi bote ka kaq akull
Qeli te lageshta dhe hekura...
Kur varrosen per jete te gjallet
Si nuk ngrihen te bredhin te vdekurit.

Dhimbja ime s'e duroka heshtjen
Mua malli ç'me zhuritka ne vetmi
Ti eja, qajme bashke, moj vjeshte
Eja, bashke te mallkojme neper shi.

PËR TY

Lekunden pishat nen rete qe ikin
Ikin e ikin rete neper shi...
Une pres te shoh pas reve pak qiell
Ashtu siç pres pasditeve, te me telefonosh ti

Po ti s'dukesh gjekund. Ku paske humbur,
Ka kaq dite qe pres.
Dhe bie shi...
Si mund te jetoj, pa pak qiell te kalter
Si mund te jetoj, pa zerin tend, pa ty

Ti do te vish, une e di, do vish patjeter
Po une dua te vish tani , neper shi
Pastaj rete do te ikin dhe do dale dielli
Po une dua diellin te ma sjellesh ti

1978

MUZG

Ne rruge zbriten ngadale hijet
Hijet po afrohen tek xhamat
Muzgu te ngjall çdo lloj ndjesie
Varet nga rrethanat

Per mua muzgu eshte vetem mall
Shqetesim dhe mall per ty
Gjyshes kushedi se ç'ndjenja i ngjall
Kushedi ç'merzi

Reflekse roze dielli dridhen
Si copera kujtimesh ne mallin tim...
Sa e mjere gjyshja qe vetem merzitet
Si mund te jetosh me merzine

Merzia per mua eshte bota - pa ty
Pa diell, pa muzg, pa mengjes
Si toka nen kembet e njerezve ne shi
E lagura toke ne vjeshte

Merzia per mua eshte jeta bosh
Pa asnje enderr dhe deshire
Kur s'ke asgje, perse te jetosh
Te mos jetosh me mire

Shume fjale per ato qe do vijne
Veshtire te kene kuptim
Nder to, sigurisht dhe fjala "merzi"
Do te shihet ca me dyshim

Merzi ç'do te thote- do pyesin ata
Kaq e madhe, pa fund kjo bote-
Qe ta vleje jeten, te mos gjesh dicka
Te jetosh pa asgje , ç'do te thote.

1979

DASHURIA

Dashuria eshte ajo pisha e gjelber
qe lekundet nen qiellin me hene
Qe ngrin ne te ftohtin e janarit
Si nje deshire e pathene

Dashuria eshte bota pas xhamave
Nxitimi i lire per diku...
eshte qenia me 900 leukocite
Qe ne çarçafet e bardhe mendon per ty.

Dashuria eshte telefoni i se merkures
Dhe kopsa e qepur me pe gri
Dhe kompostot e ngrena ne stol
me nje pirun te dy

Dashuria eshte apartamanti i qete
i pagrindje dhe i lumtur siç mund te jete veç ne enderr
jane fjale pa kuptim qe tingellojne aq te bukura
Dhe heshtja e thjeshte qe kurre s'eshte e rende

Dashuria ime je vetem ti
Ne kete sfond ngaterresash pa fund
Asnje arsye nuk e fshiu dot ate
Asgje s'me beka qe ta humb

Ajo eshte nje gje pafundesisht e bukur
E kthjellet dhe krejt e paster
Si lindi, si jeton, si mundet
Ne kete bote te ndyre dhe te ashper

1981

GJYSHES

 

Niobe fatkeqe ngurosur nga dhimbja
Ç'zemerim perendish mbi supe te ra
Ç'hyjneshe ke fyer me lumturine tende
Qe pa driten e syve te la

Pikellim i zi ne sfonde udhesh pa fund
Mbi germadha kujtimesh ulerin pa ze
Te levizesh e fryme te marresh si mund
Kur ate...Kur ate...Kur ate...

Po prape nxiton e sikur thyen kembet
Sikur zgjat krahet t'i mbash e ata ikin, ikin...
Sikur s'do ta besosh tere ate dhimbje
"me rafte pika...me rafte pika..."

Shtegtim i pafund nga nje tmerr ne tjetrin
Tragjedi niobiane e shnderrimit ne gur
Uleri drejt tokes, uleri drejt qiellit
Deri kur? Deri kur?

Ç'hyjneshe paske fyer me lumturine tende
Ç'zemerim perbindeshash mbi supe te ra
Qe te mbetesh keshtu, si nje shkemb dhimbjesh
Pa ata...pa ata..

SHI

Shiu perplasi mbi xhama trishtimin
Shiu perplasi ne xhama merzine
Shiu i lagu te gjitha mendimet
Per ditet qe iken dhe ato qe do vijne

Mendime te lagura...si te jetosh
Ne kete qullje te pergjithshem idesh
Kur nuk gjen asgje te askush qe ta cmosh
Kur nga brenda qan dhe gjithkujt i qesh

Ç'mund te besh tjeter veç te qeshesh me zor
Ne kete turp te dhimbshem dhe pa fund
Te gjithe fjalet te bukura te thone
Po askush nuk ngurron te beje c'te munde

Fjale te bukura...Sa hipokrite,
Njerezit dhe vetes i flasin bukur
Njesoj ne dashuri, ne politike
Te gjitha i mbehstjellin me lluster.

1979

PA TITULL

 

Per ditet qe ikin dhe nuk kthehen me
Ditet qe bartin gezimin dhe dhimbjen
Per pritjet e gjata dhe per cdo gje
Qe akoma ka mbetur enderr

Per dashurite e botes dhe per ata
qe kerkuan dicka ne jete
Per zhgenjimet e vogla dhe te medha
Dhe per veten

Per ndonje fyerje te vogel dhe heshtje te madhe
Per durimin e dhimbshem pa fund
Per femijet me bote te bardhe
Qe pastaj bardhesine e humb

Per cdo gje qe eshte e zakonshme
Dhe qe ne na duket e bukur
Per njerez me fytyra joshese
Dhe me shpirtin qe nuk duket.

 

SKIFTERI I XH. SUIFTIT

(Per diktatorin)


Ai nuk lindi shqiponje,
Nuk enderron per qiej te kalter
Ai ka nje sqep te stermadh, te llahtarshem
Dhe me te kerkon te shqyeje te ardhmen

Brezat qe vine, do ta quajne Don Kishot
po s'do qeshin me te si me Don Kishotin
Prej tij neveri do t'ju vije dhe ndot...
Po ç'them keshtu? Ata as do ta njohin!

Ata do jene shume te paster per ta njohur ate
Emri i tij se bashku me kufomen do varroset
Pastaj ne shi, mbi varr, nje rrufe do bjere
Sepse dheu s'do doje t'ia trese kockat.

VETMIA

Vetmia eshte zilja e telefonit
Dhe nje ze i huaj qe kerkon dike tjeter
Vetmia eshet e diela e zbrazet
Me biseda boshe dhe pa diell

Vetmia eshte te shikosh pas xhamit
Njerez qe nxitojne ne mbremje
Merzia e gjate para gjumit
Dhe vapa ne netet pa hene

Vetmia eshte te duash shume
Dhe te mos kesh cfare te duash
Te mos kesh kujt t'i falesh dy lule
Dy fjale te mira te mos kesh kujt tia thuash

Te jesh kudo i tepert, i huaj
Mik i paftuar ne bote , hije
Pa nje kujtim qe te beje te vuash
Pa nje shprese per ate qe do vije

Po ankthi i diteve te mia pa ty
Ankthi im i perhershem
Per te gjitha ato qe i di dhe s'i di
-Kjo eshte diçka tjeter

Minutat qe ikin ngadale-ngadale
renduar nga ajo qe quhet pritje
Renduar nga ai qe quhet mall
Dhe qe nuk llogaritet...

1979

--

Pjesë nga ditari

 

E martë 13.02.1979


Dje ishim me mamin, te babi dhe daja.
Na lajmëruan që të shtunën. Të dielën unë shkova në Elbasan për të blerë ushqime, u nisa me autobusin e mëngjesit dhe u ktheva me të orës 11.30. Nga daja nuk shkova fare. Pjesën e kohës që më mbeti e lirë e kalova në bibliotekë.
Për Burrel u nisëm me gaz, më 6 të mëngjesit. Na shoqëronin dy çuna.
Rruga ishte e gjatë dhe e mërzitshme. Ishte zagushi, mamin e zuri makina dhe volli. Kurse unë përpiqesha të kujtoja se ç'gjëra kisha dashur t'u them gjatë gjithë kësaj kohe. Po na lejuan të takohemi vetëm 10 minuta me dajën dhe gjysmë ore me babin. Këtë na e komunikuan në çastin e fundit, ishte diçka e papritur dhe mendimet u shpërndanë fare. Çdo gjë që thoshim me dukej se nuk ishte ajo që duhej. Sikur na e merrnin kohën kot. Minutat iknin shpejt, shumë shpejt dhe në fund pata përshtypjen se nuk kishim folur asgjë, bile as nuk e kishim puthur njëri-tjetrin aq sa duhet. Pastaj më dukej vetja si një fëmijë që i kanë premtuar një lodër dhe e kanë gënjyer.
Prapë rrugë e gjatë dhe e lodhshme. Një interval i shkrutër ndërmjet dy lodhjeve të gjata, të gjata. Ky është babai në jetën time. Babai im i mirë, i fortë.
Tani çdo gjë më duket e huaj, pa kuptim, gati qesharake. Njerëz në rrugë, fëmijë që luajnë, autobuzë punëtorësh, djem që pijnë cigare dhe takohen me vajza. Gazeta, fjalë...Dhe babai im atje. Për 18 vjet rresht. Babai im. Thua do të kalojnë ditë dhe unë do të kthehem prapë në jetën time të zakonshme? Në shqetësimet e mia të vogla, boshe, në vuajtjet e mia qesharake. Ka çaste që më vjen turp nga vetja.

Për 12 vjet nënën e Dritës, Liri Belishovën nuk e lejuan të takonte të shoqin dhe më pas gjatë 15 vjetëve, e çuan 4-5 herë me masa të rrepta sigurimi (me gaz të Ministrisë së Brendshme dhe dy oficerë sigurimi).

--

Drita Çomo

Drita Çomo lindi në Tiranë, më 1958. Në nëntor të vitit 1960, në moshën dy-vjeçare, internohet për shkak të dënimit politik të nënës së saj, Liri Belishovës. Babai i saj, Maqo Çomo, u dënua dhe ridënua nga regjimi komunist. Një pjesë të fëmijërisë dhe të adoleshencës Drita e kaloi e internuar në Kuç të Vlorës, më pas në Progonat të Kurveleshit. Së fundi e internojnë në Cërrik, ku edhe mbaroi shkollën e mesme, por për arsye të sëmundjes së pashërueshme si dhe të një keqdashjeje politike, u pengua në mbrojtjen e maturës. Sëmundja avancoi dhe, më 19.02.1981, në moshë fare të re, vdes në spitalin onkologjik të Tiranës. Në momentet tragjike të ditëve të fundit të jetës nuk iu lejua të kishte pranë as nënën, dhe deri në grahmat e vdekjes ajo mbeti e vetme.


* * *

Shkrimtari i madh Isamil Kadare e ka përshkruar Dritën në mënyrën më të jashtëzakonshme, më mirë se askush tjetër, e ka ngritur si të gjallë në një piedestal të lartë, nga ku ajo me të vërtetë rrezaton dritë për të gjithë ne.


E ëma e Dritës, Liri Belishova, tregon: "Kur u kthyem në Tiranë pas heqjes së dënimit, bashkë me babanë e Dritës, Maqo Çomon, I bëmë një vizitë zotit Isamil Kadare. Atij i kishte folur për Dritën artistja e njohur Monda Bulku, e cila e kishte pasur Dritën shoqe shumë të ngushtë kur mësonin në Gjimnazin e Cërrikut. Ismail Kadare u interesua për jetën e Dritës dhe kur ne I thamë se ajo ka bërë një ditar 600 faqesh, ku përmblidheshin edhe poezitë, ai kërkoi të la lexonte. Ja çuam ditarin dhe të nesërmen Zoti Kadare më telefonoi dhe unë përsëri shkova në shtëpinë e tij. Ishte emocionuar shumë dhe më tha se "ky ditar duhet të botohet patjetër, është një dëshmi e rëndësishme. Për këtë do të kuijdesem unë". Dhe me të vërtetë shkrimtari i madh, por edhe zonja Helena u kujdes dhe ndihmoi shumë për botimin e ditarit të Dritës, bisedoi me shtëpinë botuese "Onufri", gjeti titullin aq të goditur "Dritë që vjen nga humnera", etj. Dhe kryesorja i shkroi parathënien aq të bukur, aq mahnitëse, një perlë e vërtetë.


Për botimin e librit të Dritës ka ndihmuar shumë zoti Ismail Kadare, por edhe zonja Helena. Atij i kishte folur për Dritën artistja e njohur Monda Bulku, e cila e kishte pasur Dritën shoqe shumë të ngushtë kur mësonin në gjimnazin e Cërrikut. Kur u kthyen në Tiranë pas heqjes të dënimit, zonja Liri dhe babai i Dritës, Maqo Çomo, i bënë një vizitë zotit Ismail dhe i dhanë atij ditarët e Dritës, ku ishin edhe poezitë e saj (600 faqe). Të nesërmen, Ismail Kadare i telefonoi zonjës Liri dhe ajo shkoi përsëri në shtëpinë e tij. Ishte emocionuar shumë dhe i tha se "ky libër duhet të botohet patjetër, kjo është një dëshmi shumë e rëndësishme. Për këtë do të kujdesem unë. Do ta botojë shtëpia botuese 'Onufri'".


"Dalja e librit të Dritës u prit me shumë interes. Ishte për mua si një ringjallje e vajzës. Atëherë e kam kuptuar thellë në shpirt (përlotet) "se të vdekurit vazhdojnë të jetojnë për aq kohë sa i kujtojnë të gjallët", se ata mund të kenë një jetë të dytë. Ishte pikërisht kështu, Drita erdhi përsëri midis nesh, filloi jeta e saj e dytë, ajo jetë "që s'njeh as veçim, as ankth". Libri i Dritës është botuar deri tani 4 herë. Ajo tash ka me mijëra shokë dhe shoqe, që i munguan kaq shumë sa ishte gjallë. Drita tani ka miq edhe në botën frankofone, sepse Ismail Kadare u interesua shumë që libri i Dritës i përkthyer nga z. Edmond Tupja të botohej nga shtëpia botuese "Du Rocher". Kur ky libër u botua në frëngjisht, , zoti Ismail Kadare ka deklaruar: "Libri i Drita Çomos përbën një befasi për lexuesin francez. E kanë krahasuar me "Ditarin" e famshëm të Ana Frankut dhe në disa aspekte me "Pavijonin e kancerozëve" të Sollzhenicit". "Libri i Drita Çomos është i rëndësishëm, jo vetëm se dëshmon për talentin e një autoreje me fat tragjik, por tregon ç'finesë dhe ç'pasuri shpirtërore mund të fshihte një vajzë shqiptare në një vend që dukej i ngrirë e i mbaruar. Për sytë e lexuesit perëndimor ky është një tjetër befasim".


Ishte e çuditshme, por krahas hidhërimit të padurueshëm unë ndjeja një ngushëllim të jashtëzakonshëm dhe mund të them sado e habitshme të tingëllojë kjo fjalë, një lloj gëzimi. Që ajo ishte rikthyer, që ajo po jetonte këtë jetë të dytë. Që atëherë, miqtë e Dritës janë shtuar, shumë artikuj e poezi janë shkruar për të, në gazeta, revista e libra janë botuar pjesë nga ditari dhe poezi të saj, janë organizuar mbrëmje përkujtimore, zoti Namik Ajazi ka bërë një film dokumentar. Por, ai që e prezantoi për herë të parë Dritën në këtë jetë të dytë ishte i madhi Ismail Kadare. Për Dritën ishte një fat, një nder i madh që shkrimtari i nderuar në gjithë botën e vlerësoi dhe u kujdes e vazhdon të kujdeset shumë për të. Prandaj në mënyrë të veçantë i jam atij thellësisht mirënjohëse, i janë mirënjohës edhe gjithë të afërmit e Dritës dhe në rradhë të parë i është mirënjohëse Drita. Në shpirt sa herë më jehon zëri i saj: "Të faleminderit Ismail".


"Romani i fundit i Kadaresë "E penguara" është një majë tjetër e artit të tij gjenial dhe një gjest tepër fisnik, sepse u dedikohet vajzave shqiptare që lindën, u rritën e u vajzëruan në internim. Ai ka gjetur një mënyrë origjinale, të goditur për të dhënë jetën tragjike të këtyrë vajzave. Ky është një roman për dashurinë. Po realisht në këtë roman pasqyrohet gjithë mizoria e diktaturës komuniste. Megjithëse këtu nuk ka qeli të errta burgu, tortura të tmerrshme, pushkatime e varje. Po mungesa e lirisë, kërcënimet e sistemit diktatorial rëndonin si një vampir mbi jetën e mijëra vajzave të internuara. Ato ishin të penguara, nuk kishin mundësi të dashurojnë, të jetojnë. Kur e lexon këtë roman e ndjen me gjithë shpirt mungesën e lirisë si mungesën e ajrit, të duket sikur të kanë mbërthyer për fyti, të duket sikur po asfiksohesh.


Uroj që të rejat e të rinjtë shqiptarë, që kanë sot lirinë e mundësitë kaq të munguara për Dritën, të përpiqen me sukses për jetën e tyre të lumtur duke u përpjekur që Shqipëria të arrijë standardet e larta të progresit e prosperitetit të demokracive evropiane!"

 

DRITA ÇOMO


Rating (Votes: )   
    Comments (1)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
DRITË QË VJEN NGA HUMNERANga ISMAIL KADARE (05.02.2011)
TRIPTIKU ROMAKPjesë nga vepra poetike e KAROL VOJTILËS (1920-2005) (05.01.2011)
YLBERI POETIK7 poezi të reja nga MUHAMED KËRVESHI (04.25.2011)
A DO TË JETË BOTA ME NE EMBËL APO DO TË NA MBAJË MËRI, NUK NA PRISH PUNËPoezi nga PAUL VERLAINE (1844-1896) (04.22.2011)
PAPREKSHMËRIA ME MOLLËZA10 poezi të reja për "Nacional" nga PETRAQ RISTO (04.20.2011)
SONTE KJAVA PËR TY, SADRI AHMETI!Poemë nga ADEM ISTREFI (04.18.2011)
KAMADEVAPoemë nga LASGUSH PORADECI (1899-1987) (04.16.2011)
A MJAFTON TË PRESIM VETËM E TË SHIKOJMË DUKE LARGUAR PERDEN PËR TË PARË SE SI PO VJEN LIRIA Poezi nga AGIM RAMADANI (1964-1999) (04.11.2011)
E ATJE KU RRËNJËT E DENDURA PËRHAP LUMI I ARTË I GJIRIT TËND TË PASTËR, NË TRUPIN TIM LINFAT RRJEDHIN TËRBUESHËMPoezi nga GIACOMO LEOPARDI (Xhakomo Leopardi, 1798-1837) (04.10.2011)
U DOGJ PYLLIPoezi nga ELIDA BUÇPAPAJ (04.08.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]