VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - KAMADEVAPoemë nga LASGUSH PORADECI (1899-1987)

                                                                                      

E Martë, 05.07.2024, 04:00am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

KAMADEVA

Poemë nga LASGUSH PORADECI (1899-1987)


E Shtunë, 04.16.2011, 02:21pm (GMT+1)

 

Mendoj e shkoj nga pak
Si gjithëmonë,
Me shpirtin zemërak
Në rrugën tonë


Atje ku ma ringjall
Aq letë e qetë,
Në gjirin tim një mall
Të mjerën jetë;


Ku silleshim të dy,
Me të baritur,
Me dëshërim në sy,
Me shpirt të ndritur;


Ku regëtin dhe sot
Me ato kujtime,
Buçimi gjëmë-plot
I zemrës sime.


Buçimi durimtar,
Që pat kaluar,
Më zjen plot mall e zjarr
Në krahruar.



O mall! O dashuri!
O yll! O djellë!
Sesi më djeg në gji,
Në zemër fellë!


Sesi më ndjell që larg,
Më ndrit përfare,
Me dritat varg e varg
Vetëtimtare!


Më shfaqi përandej
Sa yj që jeni,
Sa vasha që ju ndjej
Ndaj vini e veni,


Ndaj derdhni aq përgjërim,
Dyke kundruar,
Ma tundni shpirtin tim
Të ngashruar,


...Dh`ashtu , posi dikur
Nga largësira,
Me del plot hir e nur
Ajo m`e mira.


Nër shoqe përsëri
Si në vegime,
Ngarkuar me stoli
Del shoqja ime.


C`kundron ashtu kur del,
Ti moj e mira
Kur hapaletë shkel
Mi lartësira?


Përmi kodrine atje
Mënjanur bote,
M`u shfaq plot hare,
Fshehtësiplote.


Sodisnje në vegim,
Ndaj mbrëmëherë,
N`at afsh e kuqërim
Përmi lugjere;


N`at afsh perëndimor,
Dyke vërshuar
Si pluhur qiellor
I përaruar;


Fërmonte një fërmim
Nër degë e fletë,
Vengonte një vengim
Një kumb i fshehtë;


Dh`aq ëndërr` e vashëri
Dyke përcjellë.
Jehonte pyll` i zi
Me duf të fellë.


Mes pyllit buçimtar,
Gjith mugëtirë,
C`u ndje mi leshnjë e bar,
N`at çeltirë?


Në mbrëmjen q`u perflak,
Si prush magjije
Ku zbardhoje si zëmbak
Plot dritë e hije.


...Kush erdh e kush filloj
Të kuvendojë?
Kush pak sa belbëzoj,
E mbet pa gojë?


...Pa gojë, o zemër ti,
Kjo fjala jote!
Pa fjalë, o dashuri,
O gojëplote!


Dhe n`atë mugëllim
Ti hijendritur
Tu dhims aq dëshërim
Aq zë i nemitur.


Dhe qeshe miturisht,
Moj miturore
Dh`u skuqe virgjërisht,
Moj virgjërore;


Dhe skuqur që të dy
Pa gojë e fjalë,
Vështruar sy-ndër sy
Zemër-valë;


Dhe ngrire, o dashuri,
pa kuvenduar,
Pushtuar gji-për- gji
Sy- perënduar.


U shquan hënë e yll
Në mug të vonë,
Ndriçuan n`at pyll
Takimin tonë;


...Dhe pyll i ndezur n`ar,
Q`u tund nga vendi
Gjëmoj tingëllimtar
Si gjëmë ergjëndi.


Ja, shoqëze tashi,
Dhe mbrëmja vate,
Po ndehet nj`ag i zi
Nji cipë nate.


Limeri u mbush përplot
Me shkrumb e hije
Ne t`ikim s`ikim dot
Prej kaq magjije.


Dhe ja po mbretëron
Nat` e nxiruar,
Dhe nata na mbulon
Dyke kënduar.




...O natë! O ëmbëlsi!
Limer i fshehtë!
O mall! O dashuri!
Përgjithëjetë!


...Dhe terr` i madh si ra
Mi male e fusha,
Në zbritëm ca-nga-ca
Nëpër legusha.


...Shëndrinin përmi ne
Yjet e lartë,
Na puthnin plot hare
Me puthje t`artë,


...Dhe dridheshin përposh,
Mi vesë nate,
Nën` hapin vogëlosh
Të këmbës sate.


Nën` hapin miturak,
Mbi vragë e fletë,
Zëmbaku vjeshtarak
Anohej lehtë;


...Lëshonte myshk e afsh
Najazm` e shtruar,
përkulej si mëndafsh
I drithëruar;


Dhe binte therori
Përmi lëndinë
Rigoni fill qiri
Për dashurinë.


...Lëndinë e lule e bar,
N`ato lugjere,
Në valthin blerimtar
Plot dumbushere;


Dhe leshnjë e push i ri,
Dhe gjeth i hollë,
Që bij si flauri
Dhe posi fjollë,


...Nën` hapin dashuror
Ishin nemitur,
Nën` hapin dashuror
Kishin dremitur.





...Dhe s`dilte as pipëlim
Nga pylli i qetë,
Dhe s`dilte as regëtim
Nga zemr` e nxehtë;


Dhe puthej me çdogjë
N`aq hije e natë,
Pushtuar përgjithnjë
Zemr` e pamatë.


...Po ja se qielli i tund
Ëndërrat e qeta
Prej heshtjes së pafund
Ku flinte jeta;


Dhe ja, se për një cas,
Si pa kujtuar,
C`jehoj që lart me gas,
Me kumb të shuar.



Ja pasi n`ëndërrim
Lumturi-dehur,
Në qiell një murmurim
Zu papandehur.


Dhe n`atë qetësi
Të vetëmuar
N`aq heshtje e harmoni
Të pambaruar,


Një këng` e lartë u ndje,
Me plot jehona:
Këndonin përmbi ne
Dy shpirtrat tona.


Këndonin qiellorisht
N`at` hof të vonë,
Lëvdonin lavdërisht
Takimin tonë,


Dhe në një melodi
Të dy të tretur,
Prej nimfave n`ajri
Të përshëndetur,


Bashkuam këng` e gas
E ngazëllime
Me serafime pas,
Këngë sublime.




Plot endje, plot hare
Dorë-për-dore,
Kënduan përmi ne
Cetat qiellore.


Gjëmuan yj` e qjej
Nga gung` e lartë,
Kumbuan tejpërtej
Me tinguj t`artë:


Si dy qirinj n`altar,
Flakëbashkuar,
Q`i djeg e tret me zjarr
Drit` e pashuar,


Dy shpirtat, në valim
Dyke soditur,
Kënduan me adhurim
Flakëzhuritur;


Himnuan si n`altar,
Me himn të dlirë,
Plot afsh e mall e zjarr
Tretur e shkrirë.


Dhe tretur Dashuri
Përposh ne fare!
Ah, shkrirë, o Dashuri,
Përvëlimtare!


Dhe prape që të dy
Pa gojë e fjalë,
Vështruar sy ndër sy,
Zemër-valë!


Dhe prapë, o zemër ti,
Pa kuvenduar,
Pushtuar gji-për-gji,
Sy-perënduar.


...Dhe qeshe dashurisht,
Moj dashurore,
Dh`u skuqe nusërisht,
Moj nusërore.




...Dhe n`atë përqafim
Të lumtëruar,
që zjen në shpirtin tim
Dyke valuar;


Në dufin që buçet
Me drithërime,
Që zbriti mun në det
Të qenies sime;


Rrëmovi me rrëmim
Në kraharuar,
Trazovi me trazim
Të shëntëruar;


Që me kurorë i thur
Zemrat bujare-
Ah ç`bëmë ashtu sikur
S`bëmë gjë fare?


...Ah, ç`bëmë ashtu, ashtu
Kaq nëmë e gjëmë?
Cfar bëmë ashtu, bubu!
Sikur gjë s`bëmë?


Si ndrite, o lumturi,
Për dashurinë!
Si zbrite, o dashuri,
Për në greminë!


Si na largoj aq shpejt
Nat` e nxirosur,
Dhe s`mbetmë krejt-e-krejt
Ngrirë e ngurosur!


Ngurrosur që të dy
Përgjithëmonë
Me shpirtin tonë aty,
Me trupin tonë!




O ndarje! Pështjellim!
Pishtar i shuar!
O Kamadeva im
Shigjetëhelmuar;


Demon me sy si zjarr,
Që jep shkëndija,
Shkelqen vezëllimtar
Nga bukurija,


Dhe si nj` efeb i ri,
Plot rreze e hije,
Lëshon mi sytë e mi
Verbim-magjije;


Shtje sytë e na përsysh
Me sy të nxehtë,
Na copton më dysh
Të bardhën jetë;


Verën e buzëqesh
Fort i zilisur
Zë pëshpërin në vesh
Dyke shastisur.


...Zili, Demon! Demon!
Thumb e peronë
Tmerrisht ty të përshkon
Prej endjes sonë!


...Dhe mjaft! Demon, Demon;
Zili-përskuqur,
Tmerrsisht ti urdhëron :
Mjaft buzë-puqur!





Dh`e josh me ledhe e vrer
Zemrën e ngratë,
Na zbret perposh në terr,
Nëpër mesnatë;


Për në greminë e hon
Na zbret për-dore
Atje ku rri mi fron
Ndarja mizore!


Ku prehet e na grish
Nëma dhe gjëma
Në bazen kinesërish-
Nesërej mbrëma-


Do vemi posi sot
N`atë kodrinë,
Ku ngopet zemra plot
Me dashurinë.


Dhe zbritmë e bëmë fli
Të madhen shije-
Nektar e ambrozi
Prej gjithësije


Dhe s`ardhmë përsëri
S`u përgjëruam
Në britmë e dhemshuri
Humbmë e u shuam.


...Dhe britmë e pështjellim
Shpje lart jehona :
Tronditen me tmerrim
Dy shpirtrat tona.


Sikur ra qiell` i zi
Qe lart me bujë
Sikur me lemeri
Lëshoj një kujë.


Këputen larg e larg
Yje dhe botë
Vërshojnë varg e varg
Lumenj me lotë;


Gremisen qiell e dhe
Si na kundrojnë;
Dy shpirtrat përmi ne
Zën` e rënkojnë...




..........................

...........................

Dhe ne po shtrydhim lot
Dëshpërimtare,
Ndaj vamë e s`ardhmë dot
Dh` u patmë ndarë


Shëndrijmë n`arrati,
Të ngashëryer
Ngjërojmë vrer e zi
Zemërë-thyer.


...Ku je q`ashtu më ndjell
Me ato kujtime,
Më ngreh përdrejt në qiell,
O motra ime!


Më shfaqesh n`engjëllim
Si dikurherë,
Zëmbak plot kundërmim
I pamarr`erë;


Me sy më vetullon
Sy vetullushe,
Në krah më fluturon
Krah-fluturushe;


...Përhap ergjënd e ar
Në cipë nate,
Më jep të pi nektar
Prej lules sate


...Klepit me sy palloj,
Posi nër gjumë,
Vashë edhe nuse moj,
E ëmbël shumë,


Dhe me atë sy paqtor
Ma derdh në duar
Ah, hirin vajzëror
Të pa cënuar

..........................

...........................

Gremisen qiell e dhe
Ndaj na kundrojnë!
Dy shpirtrat përmi ne
Më përvajtojnë;


Mahnitet me tmerrim
Krijes` e tërë
Për t`ëmbëlin përqafim
Që patmë bërë;


Oh laqe-derdhur haj!
Plot përmi faqe
Si prill edhe si maj
Plot manushaqe!




Për ndarjen si mosgjë,
Si për mandate,
Që s`prehemi dot më
Ditë dhe natë;


Që s`më dëfren më dot
Me bukurinë,
Më tret me mall të kot
Mua të zinë.


Me mallin përgjimtar
Bëj hap pas teje,
Të shfaqesh, fill llastar,
Si fill rrufeje:


...Kurm-holla si gargi
Për mesi thyer,
Shtat-hedhura-selvi,
Vaj-erë-lyer;



...E hepuara si bar
Llërë-kulluar,
E qruara si ar,
Gji-qumshtuar


Je vesë a menjë a je
Brymë a dëborë,
Hirploteja mi dhe,
Vetull-kurorë.


...Je hënë a djellë a yll
Vetëtim-naltë,
Kaprolleja në pyll,
Rritur me mjaltë.


...Siç hithnje shkrepëtim
Kur ta sodita
Të ndezurin vështrim
Me shtat drita,


...M`hedh sytë kur-e-kur,
sy-qengjërushe,
Fatijeza plot nur,
Oh fat-mirushe!


U hapën për çudi
Qiell e qëndresë
Dhe posi perëndi
Del një krijesë.


Dhe zbriti përmi ne
Një gjeraqinë,
Të prishë botë e dhe
Me bukurinë.


Dhe zbrite e re përposh,
Ti moj çudia,
Që dritën t`ua verbosh
Syve të mia.



Me ç`gaz e me ç`magji
Më pate ndritur
Në t`errtat fellësi
Kur pate zbritur;


Kur zbrite n`atë terr
Të zemrës sime
Që rridhte vaj e vrer
E sherëmtime


Me petk për kremtërim
Më pate veshur,
Me zulm e me shkëlqim
Të buzëqeshur.


Përndrite me lavdi
Shpirtin e nxirë
Që breng e dhëmshuri
Pat psherëtirë;


Që ndezi yj e djej
Të dashurisë,
Dh`i vari nëpër qjej
Të gjithësisë;


Që fjalët mjeshtërisht
Me radhë i stisi
Dhe kaq çuditërisht
Për ty i stolisi.


...Po sot as dhe më s`di,
Jam a s`jam gjallë,
Se mua kurrsesi,
S`ma nxore mallë.


...Përpiqem e lëngoj
Me mall të trerë,
Kërkoj e ligjëroj
Derë më derë;


Për gushën të këndoj
Për supe e llërë,
Për krahët si vargoj
Thurur tërtërë,


Për afshin n`atë gji ,
Ku qan bilbili,
Ku del një merudhi
Prej trëndafili.


Si fshihesh nënë dhe
Në varr mbuluar
O drita që nuk ke
Të perënduar!


Si s`mund ah, si nuk mund
Ta them me emër,
Një breng që mun në fund
Duroj në zemër!


Si tingull më godet
Zemr` e zhuritur,
Lëshon tallaz si det
Dyke buçitur.


Me shpatë mes-për-mes
Jam i përshkuar,
Me zjarr që kurrë s`vdes,
I përvëluar.



S`e merrja dot mi dhe
Me ment` e mia,
Që shpatë e presë e teh
Kish dashuria.


Zu dera kërcëllin
Dole, të pashë-
M`u muarr ment` i ziu
S`u mbajçë e rashë.


Ty faqja t`u përflak
Si zëre maji
Të dy s`u puqmë aspak
Na mori vaji.

Dh`as qasemi më dot
Nga mardh` e fshehur,
As puthemi më dot
Nga vaj i shkrehur.


Soditemi me sy,
Me gojë s`flasim,
Nemitemi të dy,
Durojmë e s`plasim.

Se nj` ang me gjëmë plot
Në zemr` e kemi,
Dhe njëri-tjetrin dot
Nuku i-a themi.





O zemër! O durim
I padëgjuar!
O shpirt! O përvëlim
I patreguar!


Do qaj mallin tim
Dyk` e soditur
Të shoh me ngashërim
C`dritë e ka ndritur;


Mos ay nimb i ri,
Si pah dëbore,
Mos ajo dlirtësi
Parëverore;


Mos ay perëndim
Kur e takova,
Mos ai drithërim
Kur e pushtova;


Mos ajo mituri
Plot hije e shije,
Mos gjith ajo magji
Prej çupërie.


Ti s`vjen, o mall, ti s`vjen
Për të-dytë-herë,
Dhe zemra ime zjen
Si në skëterrë;


Përplasem si tallas
Tërë trazirë
Gajasem e bërtas
Në shkretëtirë:


Ku je, ti mall! Ti mall!
O jeta! jeta!
Sa larg që zall me zall
Mezi të gjeta!


Ah, ku `sht` ajo perri,
Që kam takuar,
Që më dhuroj në gji
Zjarr të pashuar!


Ah, ku `sht` ajo, ajo,
Që dashuroja,
Dhe llaftaroja, ah,
Kur ta shikoja!




...................

Mendoj e shkoj nga pak
Si gjithmonë
Me shpirtin zemërak
Në rrugën tonë.


Atje ku ma ringjall,
Aq letë e qetë,
në gjirin tim një mall
të mjerën jetë;


Ku silleshim të dy
Me të baritur,
Me dëshërim në sy
Me shpirt të ndritur;


Ku regëtin dhe sot
Me ato kujtime,
Buçimi gjëmëplot
I zemrës sime.


Buçim durimtar
Që pat kaluar,
Me zjen plot mall e zjarr
Në kraharuar.




O mall! O dashuri !
O yll! O djellë !
Sesi me djeg në gji,
Në zemër fellë !


Sesi me ndjell që larg,
Më ndrit përfare,
Me dritat varg e varg,
Vetëtimtare !


LASGUSH PORADECI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
A MJAFTON TË PRESIM VETËM E TË SHIKOJMË DUKE LARGUAR PERDEN PËR TË PARË SE SI PO VJEN LIRIA Poezi nga AGIM RAMADANI (1964-1999) (04.11.2011)
E ATJE KU RRËNJËT E DENDURA PËRHAP LUMI I ARTË I GJIRIT TËND TË PASTËR, NË TRUPIN TIM LINFAT RRJEDHIN TËRBUESHËMPoezi nga GIACOMO LEOPARDI (Xhakomo Leopardi, 1798-1837) (04.10.2011)
U DOGJ PYLLIPoezi nga ELIDA BUÇPAPAJ (04.08.2011)
JAM DASHURUAR ME FLATRAT E MIA TË ENGJËLLITPoezi nga ALDA MERINI (1931-2009) (04.04.2011)
MOS IK!Poezi nga VEHBI SKËNDERI (03.31.2011)
O ZOT! GJITHË AJO QË SHIKOJMË, AJO QË DUKEMI A NUK ËSHTË VETËM NJË ËNDËRR BRENDA ËNDËRRËS?Poezi nga EDGAR ALLAN POE (1809-1849) (03.26.2011)
EPITAF I NIPIT PËR GJYSHIN E VET VETERAN VRARË SI ARMIK I PARTISËNGA VEHBI SKËNDERI (03.23.2011)
VDEKJANGA VEHBI SKËNDERI (03.22.2011)
DËSHIRËPoezi nga DEEPAK CHOPRA (03.21.2011)
T'I E DASHURA IME, NË VEGULLIMIN PËRBALLË MEJE. DITË DIMRI, PA NJOLLA, E TEPASHME SI QELQIPoezi nga NAZIM HIKMET (1902-1963) (03.14.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]