VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - SONTE KJAVA PËR TY, SADRI AHMETI!Poemë nga ADEM ISTREFI

                                                                                      

E Martë, 05.07.2024, 02:08am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

SONTE KJAVA PËR TY, SADRI AHMETI!

Poemë nga ADEM ISTREFI


E Hënë, 04.18.2011, 08:32am (GMT+1)

SONTE KJAVA PËR TY, SADRI AHMETI !

Poemë Adem Istrefi


Cingërroi zilja e telefonit

apo dëgjova zërin tënd?!

1.

Nga largësitë m'u bë se po më vinte ai zë

pak i trëmbur, tel i dridhur mallit

në këtë kitarë të vonë nate...

Vetëm zëri yt mund të më thërriste kështu

si gjithmonë e në të gjitha kohët.

Këtij zëri s'mund të mos i përgjigjesha

edhe në hjekë shpirti.

S'mund ta besoj se t'u lig ORA

e vdekja të gjeti gafil.

Ti gjithmonë ke qenë një hap para vdekjes,

gjithmonë je tallur me të kur të ndiqte

e ia lije puplat në dorë.

A mund të kapej rob e të bëhej rob

njeriu më i lirë ndër tw gjithë liridashësit!

Paj cok jo, bre Sadri Ahmeti!

2.

S'të mbaj mend kurrë duke qarë,

po gjithmonë duke qeshur më del

her si fëmijë i qeshjes e her zot i përqeshjes.

Edhe atëhere kur shkruaje poezi

me ata gishta të KRITË prej të ftohtit:

Shkruaj një vjershë e digje atë fletë

që t'i shkrije pakëz duart

në atë flakëz xixëlluese e tym të saj,

që të mund ta rishkruaje prapë atë poezi

dhe prapë më ndryshe...

Aiiih ! sa ftohtë që kishe, si të kërcitnin dhëmbët,

e ti lapsin assesi s'e lëshoje nga dora.

3.

Prandaj po kjaj për ty

e u mbusha sonte në vaj,

po kjaj tash për atëherë...

S'di sa herë ishe vrarë mbas shpine,

s'di sa herë mbas veshit

në atë udhëtim të cmendur, mizorisht të mundimshëm

Dhe ti shkruaje e rishkruaje

me ata gishta TË KRITË

atë poemë për MASAKRËN E TIVARIT...

4.

(Tremijë djem Kosove atëbotë u vranë.

U vranë me plumba, u therën me bajoneta

në atë plojë gjaku,

midis ullinjëve e detit të Tivarit.

Deti u bë i kuq dhe u mbulua me plisa

të bardhë

në atë prill komunist të vitit 1945.)

5.

Sonte dua të mos harroj asgjë,

gjithcka dua të kujtoj,

pse ishe i vetëm mbi atë sukë

a mbi atë KËRSH TË GJOBALAJVE

e pse qeshje ashtu,

sikur rrokoteleshin shpatinës shkëmbinj

potershëm me rrokullimë rroposëse

e lëshuar si shkundullimë...

6.

Ishe vetëm dhe s'ishe i vetëm.

S'di a e qerasje ti vdekjen me një gotë raki,

apo të qeraste ajo ty me një kërcënim

kur i thoje se edhe vetë të madhin Zot

do ta bëje me qeshë,

pa e giciluar aspak...

Dhe vdekja merrte këmbët në krahë

dhe ikte e lemerisur atëbotë,

atëbotë kush mund ta ndalte qeshjen tënde!...

7.

S'u mësokam se s'u mësokam pa ty,

Sadri Ahmeti!

Thash si për vete e s'munda ta mbaj

Coll për vete,

Si në këngët e majekrahut e lëshova piskamën:

O gjithkah zdrit ky sy-diell

në fytyrë të kësaj toke

njeri e bir njeriu kurrëmë s'do të vijë si ti,

kurrëmë si ti s'do t'i gëzohet shkrepjes së diellit

e shkrepje buzëqeshjesh të shkrepë

si njëmijë hyjni,

sidomos kur dilje hovshëm

prej dallgëve të detit

e deti sikur të falej te këmbët...

8.

Sonte mund të them dhe do të them

se s'kam parë njeri tjetër

aq marrëzisht me detin të dashururar,

të ngjajë me bir të tij

e vetë hyu i tij sikur të ishte,

vetë kripa sikur qe krijuar prej qeshjeve të tij.

Asnjë zot e asnjë dreq e bir dreqi

s'mund të ishte shpellë e pafundme si ai.

Në shpella të bjeshkëve i pat ngujuar

dhitë briarta bashkë me zanat,

me zanat bënte dashuri natë për natë

e ditën i vizatonte ku të mundte,

ose në ndonjë letër të bardhë,

ose në ndonjë lëvore peme, a lëkurë dashi,

në ndonjë gjethe që ia sillte era,

në ndonjë faqemuri, a xham dritareje,

ose edhe në ajër...

9.

Ditë për ditë i bënte edhe më të bukura

ato nuse të tij,

u jepte shpirt nga shpirti i tij,

u lëshonte rreze hijeshie

e i bënte si të ishin të gjalla

e pak si të trëmbura nga zgjimi i një ëndrre,

sa gati luaje mendsh prej kësaj bukurie

e të ndalej fryma,

fryma mund t'i ndalej edhe vetë Zotit,

të shituar prej kësaj bukurie,

perritë e parajsës do të uleshin në gjunjë

t'ua lanin këmbët...

10.

Sonte kjava për ty

që na ikën e mbetëm pa i kërcyer

këto zjarre dëllinjash

edhe në këtë natë vere...

Dhe s'di pse m'u kujtua, s'di pse më thoshe

se kemi vetëm nja pesëmijë vjet njohje

e asnjëherë, asnjëgjysmëhere s'u grindem

dhe mbetem se mbetem

pa bujtur në ndonjë Shpellë të Vuthajve

që të kuvendonim si ai malësori legjendar

me kreshnikët Mujë e Halil

e të pinim verë mjalti

bashkë me ta, si viganët e mocëm ilirë,

më të mocëm se hëna

e vetë dreqi kur zbriti nga qielli...

11.

Ndonëse nuk u lindëm qw të dy binjakë

e që të dy në Vuthaj e në Strellc njëkohësisht

kujtonim se në gjinjtë e një nëne

patëm pir tambël

dhe vjershat i firmosnim me firmën ADISS-ASSA

e veten e conim në katin më të lartë të qiellit...

12.

Gjithë kësaj nate e deri në zdritje të saj

m'u shfaqe herë në ecje të ngadaltë

e herë në ikje të rrëmbyeshme me vrap.

Me sa zë që kam mbeta duke thirrë:

Ndalu, ku shkon... Ku shkon Sadri!

Dhe ti si gjithnjë shkrep një buzëqeshje,

si gjithnjë më thua

se drejt ardhmërisë je nisë,

se prej andej ke ardhë

e atje është rrojtja jote...

Prill 2011.

ADEM ISTREFI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
KAMADEVAPoemë nga LASGUSH PORADECI (1899-1987) (04.16.2011)
A MJAFTON TË PRESIM VETËM E TË SHIKOJMË DUKE LARGUAR PERDEN PËR TË PARË SE SI PO VJEN LIRIA Poezi nga AGIM RAMADANI (1964-1999) (04.11.2011)
E ATJE KU RRËNJËT E DENDURA PËRHAP LUMI I ARTË I GJIRIT TËND TË PASTËR, NË TRUPIN TIM LINFAT RRJEDHIN TËRBUESHËMPoezi nga GIACOMO LEOPARDI (Xhakomo Leopardi, 1798-1837) (04.10.2011)
U DOGJ PYLLIPoezi nga ELIDA BUÇPAPAJ (04.08.2011)
JAM DASHURUAR ME FLATRAT E MIA TË ENGJËLLITPoezi nga ALDA MERINI (1931-2009) (04.04.2011)
MOS IK!Poezi nga VEHBI SKËNDERI (03.31.2011)
O ZOT! GJITHË AJO QË SHIKOJMË, AJO QË DUKEMI A NUK ËSHTË VETËM NJË ËNDËRR BRENDA ËNDËRRËS?Poezi nga EDGAR ALLAN POE (1809-1849) (03.26.2011)
EPITAF I NIPIT PËR GJYSHIN E VET VETERAN VRARË SI ARMIK I PARTISËNGA VEHBI SKËNDERI (03.23.2011)
VDEKJANGA VEHBI SKËNDERI (03.22.2011)
DËSHIRËPoezi nga DEEPAK CHOPRA (03.21.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]