VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - PAPREKSHMËRIA ME MOLLËZA10 poezi të reja për "Nacional" nga PETRAQ RISTO

                                                                                      

E Hënë, 05.06.2024, 03:21pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

PAPREKSHMËRIA ME MOLLËZA

10 poezi të reja për "Nacional" nga PETRAQ RISTO


E Mërkurë, 04.20.2011, 09:59am (GMT+1)

Parfumi yt, parfundi im

Parfumi yt, parfundi im, moj vogëlushja Amëshim

parfum nga lulet në mallkim.

Parfum mëngjes me vesë qiellore, parfum që deh kur vetflijohet.

Parfumi im, parfundi yt.

Parfumi yt, parfundi im - zymbyli bëhet tingëllim: lule mavi

plagë në përgjim

Dhe kishë e kopshtit ndez si qirinj me De Profundis çdo pistil

në pagëzore petalesh vesa ndrin si foshnjëza në pagëzim

parfundi yt, parfumi im. Deh Parfumis: vdekjezgjim.

Deh Parfundis: Amëshim.

16 Dhjetor, 2010

Tundimi

Tundimi ka katër këmbë si shtrati dhe dy këmbë në ajër si femra

Tundimi klon i mëkatit dhe transplant i seksit te zemra.

Tund-imi tund veten nga vetja dhe veten drejt fundit shkund

Tundimi zgjat buzët tek etja dhe etja i thotë vetes: Fund.

Tundimi ka katër këmbë si shtrati dhe dy këmbë në ajër si femra.

Tundimi si dallga te lundra: e josh të lundroj dhe ta zhys

Tundimi si demi: ka thundra po veç me brirë di të mbys.

Tundimi i gruas është zjarri që pret një oxhak ta gëlltis

Tundimi i burrit është varri që vdes për të nxjerrë një filiz

Tundimi si dallga te lundra: e josh të lundroj dhe ta zhys..

Tundimi i detit s'njeh brigjet, njeh veç thellësitë

Tundimi i bregut tronditet kur pranë i vijnë kaltërsitë.

Tundimi nuk pyet kush je: grua, burrë apo papë

Tundimi dhe mik të bën pré: të vret, të rrjep, të shet prapë

Tundimi dhe mik të bën pré: të vret, të rrjep, të shet prapë.

16 nëntor, 2010

Tregu i këpucëve të përdorura

Këpucët e përdorura gjysmë shtrirë si gjithë të plagosurit buzë rrugës rënkojnë

As rrugët s'u mjaftojnë për fasho, as lidhëset për të qepur plagët

Gojëhapur nga klithmat: këpucët e përdorura.

Vijnë gratë e i provojnë, vajzat me buzë gjysmë të rrudhura: i provojnë

Shohin majtas e djathtas e kur s'dallojnë të njohur

paguajnë 1000 lekshin dhe i veshin.

Nuk klithin më këpucët e përdorura dhe pse të plagosura qeshin.

Këpucë të ngjyrave të ndryshme, modeleve të ndryshme, shteteve të ndryshëm

Hipur mbi njëra - tjetrën të kujtojnë varrezën e përbashkët pas një genocidi.

Disa prej tyre kanë fatin të ecin në këmbë të reja, të mburren në rrugë të reja

Vetëm shiu që i lag u jep të njohur këpucëve të përdorura

e ndonjëherë u shkel syrin: rrufeja.

Paprekshmëria me mollëza

Ndonjëherë largësia ndaj të dashurve kthehet në udhë mendimi

Malli bëhet virtual, paprekshmëria me mollëza kthehet në mundim

I ndjeshëm si syri në funeral marrë pjesë në funeralin e çdo kujtimi

dhe fsheh klithmën si lulja në agim

... fsheh klithmën si lulja në agim.

Paprekshmëria me mollëza kthehet në mundim: mollëzat dhe buzët

jetojnë epokën e thëllimit

tej dritares zogjtë gazmorë për ty marrin guxim

të luajnë virtuozë

mbi harpat e trishtimit.

Dhe pse të dashurit e largët të përshëndesin në skype

e bëjnë truke të ndryshme argëtimi

Paprekshmëria me mollëza më bën të qaj

e shpirti më dridhet sikur mijëra harpëza mbijnë fidane

buzë Udhës së Mendimit

e shpirti më dridhet si trupëthat e zogjve

të kapur në gracka të vockëla trishtimi.

2 janar, 2011

Pas shkatërrimit të Hiroshimës

Njëzetë ditë pas shkatërrimit të Hiroshimës mes hirit atomik

çelën lulet e para

Lule të çuditshme me sy, veshë, buzë,

me zemra që regëtinin nga rrënja në aromë

Lule të vockëla: klithma të mbytura, lutje të imta ndaj një Zoti

që s'guxonte të shfaqej

Lule pa ngjyra me aroma mbytëse si mallkimi.

Njëqind ditë pas shkatërrimit të Hiroshimës ra dëbora e parë:

kimono mëndafshi e shkrirë

mbi një trup

ku s'ekzistonte lakuriqësia.

Dyqind ditë pas shkatërrimit të Hiroshimës

pemët lidhën fryte të hidhura

Me bekimin e shkencëtarve dhe urdhrin e qeverisë frytet u hodhën

ngaqë rënkonin

dhe hiroshimasit nuk donin ta shijonin vdekjen e vet.

30 dhjetor 2010

Pas stuhisë së borës

Një çadër e prishur në borë: lakuriq nate i ngordhur

Gjurmë nuk ka - dëbora aleate me të humburin mes stuhisë

Një çadër e prishur në borë: lakuriq nate

me bastun.

2 janar, 2011

New Yorku pa pantallona

New York-un e pashë pa pantallona

Burra me mbathje: vela të direkëve të ngrëna nga stuhitë

gra me vithe si plazhe me duna dhjamore

Pa pantallona në metro, në rrugë, buzë oqeanit, në autobuze

Grataçielet pantallona të shtrira në qiell gati për hekurosje.

New Yorku pa pantallona këmbët ecin në udhët e njohura

Pantallonat e grataçielave hekurosen nga Hëna dimërore

New Yorku pa pantallona

Grataçielat kanë kthyer në reklama astaret e xhepave

nga bien kartëkreditet e djegura.

16 janar, 2011

Ti je një mol i gatshëm të kthehesh në dre

A mund t'i kthesh pemët në flauta, në flauta a mund të kthehen shtizat e flamujve dhe patericat, a mund të kthehen në flautë varret masive që ende nuk i gjejnë satelitët; nyje-nyje kufijtë e hartës si duar magjistricash...Ti je një mol i gatshëm të kthehesh në dre, të vraposh me flotiljen e direkëve për Atje, për Atje, për Atje, të vraposh me plagët e gatshme nën dhé... një mol me flamuj gazmorë lundrimi, veç mbi direkë nuk ngrihen fole, veç mbi direkë nuk ngrihen fole.

Për Atje për Atje për Atje...

Ti je një mol i përgjuar nga retë, i përgjuar nga çipet e yjeve më veshët pa formë të galaktikave. Në magjen e mëngjesit brumi i ardhur i një llëre gruaje e gatshme të bëhet bukë kungimi. Hape gojën. Gëlltite bukën e kungimit! Hapi sytë si magje të pastra për dritën dhe për llërët e kësaj gruaje me lëndë xixëllonje. Ktheji pemët në flauta dhe varret masivë të hapura: dorashka duelesh përplasja në fytyrë satelitëve, sepse satelitët fshehin diçka ngaqë komandohen nga Toka.

Kanë ftohtë mëllenjat dhe gjahtarët

Kanë ftohtë mëllenjat po më shumë kanë frikë nga gjahtarët,

mëllenja si pika retishence pas një kufome të vrarë.

Kanë frikë mëllenjat dhe ftohtë kanë gjahtarët,

nga që qielli gënjen shenjat dhe zogjtë si psallme hapin krahët.

Kanë ftohtë mëllenjat dhe gjahtarët: pylli ulëret si i marrë

Ngrica me heje bajonetash urdhëron: mbi sup, armë!

Kanë ftohtë mëllenjat, gjahtarët kanë ftohtë

Jo nga të shtënat, po nga pylli nën llohë

...dhe zogjtë si psallme hapin krahët.

Kolibrat

Kolibri, kolibri i vockël: fjollë gëzimi - kolibri

Kolibri, kolibri gazmor: a në një faqe libri

Kolibra kolibra kolibra... koloni kolibrash

Bibliotekë fluturuese: kolibrat.

PETRAQ RISTO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
SONTE KJAVA PËR TY, SADRI AHMETI!Poemë nga ADEM ISTREFI (04.18.2011)
KAMADEVAPoemë nga LASGUSH PORADECI (1899-1987) (04.16.2011)
A MJAFTON TË PRESIM VETËM E TË SHIKOJMË DUKE LARGUAR PERDEN PËR TË PARË SE SI PO VJEN LIRIA Poezi nga AGIM RAMADANI (1964-1999) (04.11.2011)
E ATJE KU RRËNJËT E DENDURA PËRHAP LUMI I ARTË I GJIRIT TËND TË PASTËR, NË TRUPIN TIM LINFAT RRJEDHIN TËRBUESHËMPoezi nga GIACOMO LEOPARDI (Xhakomo Leopardi, 1798-1837) (04.10.2011)
U DOGJ PYLLIPoezi nga ELIDA BUÇPAPAJ (04.08.2011)
JAM DASHURUAR ME FLATRAT E MIA TË ENGJËLLITPoezi nga ALDA MERINI (1931-2009) (04.04.2011)
MOS IK!Poezi nga VEHBI SKËNDERI (03.31.2011)
O ZOT! GJITHË AJO QË SHIKOJMË, AJO QË DUKEMI A NUK ËSHTË VETËM NJË ËNDËRR BRENDA ËNDËRRËS?Poezi nga EDGAR ALLAN POE (1809-1849) (03.26.2011)
EPITAF I NIPIT PËR GJYSHIN E VET VETERAN VRARË SI ARMIK I PARTISËNGA VEHBI SKËNDERI (03.23.2011)
VDEKJANGA VEHBI SKËNDERI (03.22.2011)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]