VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - POETI QË PARAPËLQEN METAFORËN(mbi librin «Akorde  Cicërimi» të poetit Qerim Skënderaj)Nga Prof. Dr. KLARA KODRAFASLLI HALITI

                                                                                      

E Shtunë, 04.27.2024, 02:22am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
POETI QË PARAPËLQEN METAFORËN
(mbi librin «Akorde  Cicërimi» të poetit Qerim Skënderaj)
Nga Prof. Dr. KLARA KODRA
FASLLI HALITI

E Shtunë, 09.27.2014, 09:38pm (GMT+1)


 
      
  POETI  Q  E  R  I  M   S  K  Ë  N  D  E  R  A  J

Vëllimi me poezi i Qerim Skënderajt dallohet nga shumica e vëllimeve me vargje  që po  dalin  në dritë  në  poezinë  bashkëkohore. Ai spikat  për  qartësinë  e vet  kristaline.
Në poezinë  shqiptare qysh nga  fillimet e saj errësira dhe qartësia kanë rrjedhur si rryma paralele.  Këto tipare  të kundërta kanë  karakterizuar  dy bashkëthemeluesit e letërsisë sonë artistike kombëtare: errësia, De Radën, qartësia  Naimin. Dhe  secila prej tyre ka qenë  shprehje e  literalitetit në kuptimin strikt  të fjalës, i vlerës  estetike, pavarësisht nga rëndësia që në atë  kohë i jepej  mesazhit të lartë patriotik.

Si qartësia  ashtu edhe  errësia mund  t'i bashkangjiten një forme të përsosur.

Qartësia e poezisë  i ngjan  tejdukshmërisë  së liqenit, errësia  thellësisë së detit. Qoftë deti,  qoftë liqeni, janë dukuri të  mrekullueshme të natyrës.

"Akorde cicërimi", pra, është një vëllim i qartë. Kjo nuk e pengon të ketë në vetvete  poezi të vërtetë.

Poezia e Qerim Skënderajt është një poezi  plot muzikalitet, që e përdor në mënyrë të goditur  rimën. Është  një poezi tradicionale, po njëkohësisht e çlirët, moderne.

Është  një  poezi  konçize me vjersha të shkurtra  që e arrijnë  maksimumin e sintezës në  krijime dy ose tre vargëshe si vjershat  që e  hapin vëllimin. Vjersha të shkurtra, po  plot forcë  shprehëse si "Bija e burimit", "Brishtësi", "Meteor", "Mungesë", "Tik- (A) tak". "Puthja e parë", "Cicërima celulari", "Gjumi i shqetësuar", "Fllad i ndezur", "Të  hutuar", "Dëshirëlirë" e të  tjera. Qerim Skënderaj ka edhe vjersha më të gjata  ku lirizmi  shtrin  krahët.

Është  një poet që ndjek traditën e mbështetjes në poezinë popullore, gjë që e bën  të jetë lidhur  ngushtë me rrënjët e identitetit shqiptar.

Është  një poet  i ëmbël  erotik që i  këndon  ndjenjës së sinqertë, dashurisë  si  goditje, po edhe si forcë  jetëdhënëse,  bukurisë së gruas. Ai priret nga sublimimi i ndjenjës, në  lirikat e tij  erotike, në kundërshtim me një  frymë të përgjithshme të poezisë bashkëkohore shqiptare për t'i  thyer tabutë dhe për të  shtuar detajet konkrete  në sferën e erotizmit, nuk para i jep  vend  sensualitetit, me  ndonjë përjashtim të rrallë si në vjershën "Lozonjare" që të kujton "vjershat e inatit"  të poezisë  popullore erotike, ku ka  vargje  në të cilat nxjerr krye  një lloj  sadizmi  i lehtë  si "Në s'më  bindesh me të mirë? Do të çjerr, do të shëmtoj/ Do të  zhvesh si një  lavirë/ Me thupër  do t'fshikulloj".  «Pse më gënjeve moj sykaltër/Pani nuk kishte gjak të kaltër»,  i thotë Pushkini së dashurës, në një poezi të tij pasi i vret vashës të dashurin, Panin, rivalin e tij. Në poezitë erotike poetët përkojnë në shprehjen e në emocione: diku ata janë delikatë, diku të furishëm; diku me tone të buta, të ëmbla, por edhe me tone disi të rënda, sipas gjendjes shpirtërore duke përdorur imazhe, fjalë të forta, tinguj të ashpër, por kurrë në poezitë e tyre erotike, nuk mungon ndjenja dhe kulti i së bukurës.

Autori Skënderaj është nga poetët e rrallë që i  këndojnë  edhe dashurisë  bashkëshortore.

Poeti i kushton vjersha  të ndjera edhe  nënës së vet: vjersha  me detaje konkrete nga fëmijëria si vjersha tepër e bukur "Gurgovata", edhe kjo  konçize në  maksimum, e përbërë vetëm prej dy  stofrash, njëra  përshkruese  dhe tjetra që sintetizon një dramë  të tërë në mundësi: "Një ditë kur  ushqente  trup mënjanuar/ Zjarrin  nën  kazan  që sapo  kishte rënë,/ Një  vërshim  i beftë  i përroit  të  egërsuar/ Përlan gurgovatën e  desh më la pa nënë".

Të çiltra e të  freskëta  janë  vjershat që poeti  i kushton  nënës  kur bëhet gjysh.
Problematika  e vëllimit është e larme;  krahas së ashtuquajturës "temë  të vogël", temës  intime  që përfshin  lirikën erotike, familjare, të  natyrës, në  vëllim lëvrohet  edhe "tema e madhe", drama e tranzicionit, e emigracionit, madje  edhe tema që i  tejkalojnë problemet  kombëtare si çështja e ngrohjes globale që poeti e ngre  në një  poezi të thjeshtë me frymë  populore "Po  hakmerret" ku Toka  personifikohet bashkë  me dy  "bijtë" e saj "ari i bardhë" dhe "ari i zi", dhe që  mbyllet me një  strofë  kuptimplote: "Nga  dridhjet e saj/ Po dridhemi ne./ Na tunden themelet/ Në  pasiguri/ Furtuna me zjarr. Furtuna  me re/ Po  hakmerret Toka/ Për "vdekjen" në  gji".

Heroi lirik  është gjithnjë po ai, po ai det e liqen, por me valëza  e dallgë të tjera,  qoftë  në lirikat  intime, qoftë në ato  qytetare dhe universale,  një  njeri i thjeshtë, plot  ndieshmëri që do të  mirën  dhe revoltohet  nga e keqja. Dramën e emigracionit e jep në mënyrë të  goditur  paralelizmi i pranverës me vjeshtën, madje  identifikimi i tyre dhe,  mbi të gjitha, gjetja e vargjeve që  e mbyllin poezinë: "Që  vendit t'i  kthehet e  blerta/ Do frymën e njerëzve  të vet".

Sa shprehëse  në  thjeshtësinë e saj është vjersha "Dhimbje  Shqipërie": "Qenkërka  shkruar e thënë/ T'më  dhembin plagët e tua/ Vetëm  e vetëm, moj nënë/ Me  që pa dhimbje  të dua./ Shërohu, e shtrenjta  ime/ Të vuaj  vetëm dhimbjen time...".

Poeti ka vjersha që mbështeten  në një  gjetje të goditur, vjersha  aforistike, vjersha  në të  cilët tërë pesha e mendimit rëndon në vargjet e fundit si në  vjershën "Mungesë": "Dita  zvarritet e zymtë/ Deti, qielli s'janë  më blu./ Mungojnë  dy sytë e tu."

Një gjetje të  bukur për të dhënë  forcën  e jashtëzakonshme të dashurisë e gjejmë  në vjershën  me titullin që bazohet në një  lodër fjalësh "Tik (A) tak", vjershë  me vetëm  katër  vargje: "Të  preka pulsin e dorës/ Fare  pranë orës/ zemra m'u  bë orë e shpejtë/ Goditur nga një tërmet!"

Poeti e parapëlqen metaforën  dhe di ta  përdorë  në  mënyrë të efektshme, splendide. Mund të kujtojmë  vargjet "I tëri  jam një lot i ftohtë/ Një  vëth  në  akullin e varur" ku  poeti  idetifikohet  me "lotin" dhe  "akullin" për të "freskuar" të dashurën  me  ndjenjën  e vet,  duke shuar  etjen e saj për dashuri apo  metaforat e zgjedhura për të përshkruar  gjinjtë  e së dashurës "Mbi kuporet  binjake/  bulonin  aromë dy  "pika" apo "zemrën" që "punon me sinjale" apo  metaforën sintetike plot  forcë e  shprehur me një folje "Pse  të  prushërojnë  gjinjtë?" që na bën të përfytyrojmë gjinjtë e Aksinjës që i pikonin qumësht i cili lagete këmishën e bardhë, apo "liqenet e  blertë" të syve  të së dashurës që heroi lirik "do t'i pijë  e do t'i thajë" ose  buzët si "portë burgu". 

Tërë dramën e popullit  shqiptar që "vrau veten/ "për të rilindur" e shprehin metaforat e vjershës  "Mbyllur" "Porta e qiellit mbyllur!". Një  metaforë  dygjymtyrëshe  emër dhe një  metaforë folje.

Në vëllim  gjejmë edhe metafora  me  shije  lasgushiane që poeti i ka  tretur  në çiltërsinë  e ndjenjës së vet si te vjersha "Imazh" (më  ajron  si një shkëlqesë/ Më  me ngjyrë se  poezia/ Më me dritë se një yllesë) ose  te "Vrapëron".

Qerim Skënderaj  di të përdorë  edhe  oksimorin  si në vjershën  kuptimplotë "Pranga lirie" ku  oksimori  mbresëlënës i titullit  përsëritet  në vargun e fundit.

Përveç vjershave të mirëfillta lirike në vëllim ndeshim  edhe vjersha  me subjekt  që shprehin  idile apo mikrodrama si "S'e harrova  dot", "Udhëtimi i adoleshentit", "U ndjem perandorë".

Poeti  ndërthur  figuracionin me bazë  popullore, me  figuracionin  elitar, ka një muzikalitet që i ngjan ujit të burimit.

Nuk  është rastësore që shtëpia botuese «Toena» përzgjedh për botim librin e poetit me talent të veçantë,  Qerim Skënderaj, «Akorde Cicërimi» në kolanën «Kambana, poezia e zgjedhur shqipe», sepse faqet e këtij libri janë me poezi: kulturë e parë dhe jo si faqet e disa librave që u ngjajnë fushave, ku harbojnë foragjeret letrare  që disgustojnë...  
                       

Prof. Dr. KLARA KODRA dhe FASLLI HALITI


Rating (Votes: )   
    Comments (1)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
VEJUSHA E MARTUARProzë nga QERIM SKËNDERAJ (09.26.2014)
GJARPËR NË GJI…Tregim nga QAZIM D. SHEHU (09.26.2014)
POEZI NGA JOHN KEATSI përktheu: FASLLI HALITI (09.26.2014)
PSEUDOBLEPSICikël poetik nga ALI M. LAJÇI (09.25.2014)
30 POEZI TË RRUSTEM GECIT - TË ZGJEDHURA NGA LIBRAT 'KANUNI POETIK' DHE 'HEROIKA' (09.25.2014)
CËRRIKU I KIN DUSHITTregim nga ALEKO LIKAJ (09.24.2014)
PO UNË JAM ÇAM, MËSUES!Tregim nga NAMIK SELMANI (09.24.2014)
POEZI TË ZGJEDHURA NGA GIORGIO CAPRONI DHE FRANCO FORTINIPërktheu: FASLLI HALITI (09.23.2014)
TAKIM ME NJË TË VDEKUR*Tregim nga PËRPARIM HYSI (09.23.2014)
Lexim i pesë veprave me poezi të Daut Maliqit, nga Dardana AJRGJAKU I TOKËS SIMEEsé nga RRUSTEM GECI (09.23.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]