VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa IV

                                                                                      

E Djelë, 05.05.2024, 04:18am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa IV
E Mërkurë, 01.13.2010, 04:37pm (GMT+1)

 

Pjesa IV e romanit

 

LABIRINTE TË PAFUNDME NËPËR THELLËSITË E VETVETES

 

Ajri ishte bërë edhe më i nxehtë. Era e vakët sillte në rrugëz një aromë pranvere livadhesh të lagështa dhe malesh të largëta. Ku të shkoi tani ? mendoi Fridolini, thua se nuk ishte e udhës të kthehej më në fund në shtëpi dhe të shkonte në shtrat. Por nuk mundi ta marrë këtë vendim. Pas atij takimi të padëshiruar me studentët, i duke vetja si të ishte një i përzënë, një i humbur... Apo ndoshta pas rrëfimit të çiltër të Marianës? Jo, edhe më herët pas bisedës mbrëmësore me Albertinën ai ishte duke u larguar gjithnjë e më shumë nga sfera normale e ekzistencës së tij, duke u zhytur në një tjetër botë, të largët dhe të huaj.

 

U soll vërdallë rrugëve nëpër natë, e ledhatoi ballin me një Föhn të lehtë dhe më në fund, me hap të vendosur, sikur kishte arritur mesin e kërkuar prej një kohe të gjatë, hyri në një kafe çfarëdo, mikpritëse, të stilit të vjetër, jo shumë të madhe, diku të ndriçuar e diku jo, dhe, në atë orë të vonë, pothuaj e zbrazur.

 

Në një kënd tre zotërinj luanin letrash; një kamarier i cili deri atëherë kishte ndjekur lojën e tyre, e ndihmoi Fridolinin ta hiqte peliçen, ia mori porosinë dhe ia vuri mbi tavolinë disa revista të ilustruara dhe gazetat e mbrëmjes. Fridolini u ndje si i shtëpisë dhe filloi t'i shfletojë gazetat. Shikimi i tij endej andej këndej nëpër lajmet e kronikave. Në një qytet të Bohemisë ishin hequr tabelat rrugore në gjuhën gjermane. Në Stamboll po mbahej një konferencë për ndërtimin e një hekurudhe në Azinë e Vogël në cilën merrte pjesë edhe Lord Cranford. Firma Benies & Weingruber kishte deklaruar falimentimin. Prostituta Anna Tiger kishte tentuar, për xhelozi, ta dhunonte me trangull mikeshën Hermine Drobizky. Atë mbrëmje në Sophiensälen po jepej një darkë me prodhime peshku. Një e re, Marie B., banuese në Schönbrunner Hauptstrasse 28, ishte vetëhelmuar me klorur mërkuri. Të gjitha këto fakte, të pakutpimta apo të trishta, ushtronin, me banalitetin e tyre të shpifur, një ndikim disi kthjellues dhe qetësues mbi Fridolinin. Provoi njëfarë dhembshurie për të renë Marie B.; klorur merkuri, çfarë marrëzie. Pikërisht në atë çast, teksa ai ishte ulur krejt rehat në kafe, Albertina flinte e qetë me duart e kryquara prapa zverkut dhe këshilltari bashkiak ka lënë pas vetes tashmë çdo vuajtje tokësore, Marie B., Schönbruner Hauptstrasse 28, Fridolini u ngjeth nga dhimbje të pakuptimta.

 

E largoi shikimin nga gazeta. Nga një tavolinë përballë dy sy ishin ngulur mbi të. E mundur?

 

Nachtigall...? Këta i kishte njohur tashmë, e çoi dorën ngadalë i befasuar, dhe iu afrua; ishte një burrë ende i ri, shtatlartë dhe mjaft i fuqishëm, pothuaj trung, me flokë të gjata disi të valëzuara, pakëz të hirta, dhe me mustaqe të bardha të lëshuara teposhtë në mënyrën polake. Kishte një kapotë ngjyrëhiri të hapur dhe, nën të, një jelek si të lyrosur, një këmishë të zhubravitur me tri kopsa prej brilantësh të rremë, një jakë të rrudhosur dhe një kravatë të lëvizshme prej mëndafshi të bardhë. I kishte qerpikët e rënduar a thua se kishte kushedi sa netë pa gjumë, por ata i xixëllonin të kthjellët dhe të kaltër.

 

"Nachtigall, gjashtë në Vjenë!" piskati Fridolini.

 

"Nuk e ditke?" tha Nachtigall me një theks të butë polak dhe me një ritëm të lehtë hebre. "Si është e mundur që ti nuk e ditke?" E megjithatë jam kaq i famshëm." Qeshi fort e përzemërsisht, dhe qëndroi përballë Fridolinit.

 

"Si?" e pyeti Fridolini. "Të paktën qenke bërë profesor sekret i kirurgjisë?"

 

Nachtigal shpërtheu në një të qeshur më të papërmbajtur.

 

"A nuk më dëgjove pak më parë ? "

 

"Si, dëgjuar?" Ah, tani e kuptoj!" Dhe vetëm atëherë Fridolinit i vajti mendja se teksa po hynte në lokal, por edhe më parë, teksa i afrohej kafesë, kishte dëgjuar të vinte nga poshtë, prej një bodrumi, tingulli i një pianoforteje. "Atëherë ishe ti pianisti?" piskati.

 

"Kush tjetër veç unë?" iu përgjigj duke qeshur Nachtigall.

 

Fridolini miratoi me kokë. Natyrisht; - ajo prekje energjike dhe e pashembullt e tastierave, ato akorde të habitshme të dorës së majtë paksa të lirë, por shumë mirë të harmonizuar, iu patën dukur menjëherë tejet familjare. "Atëherë i je kushtuar tërësisht muzikës?" e pyeti. E kujtoi se Nachtigall i kishte braktisur përfundimisht studimet e mjekësisë fill pas paraprovimit të parë të zoologjisë, të cilin madje e kishte kaluar mirë, edhe pse shtatë vjet me vonesë. Por kishte vazhduar prapë të endej për një kohë të gjatë në spital, në sallat anatomike, në laboratorët, në auditorët, duke i dhënë jetë me kokën e tij bjonde prej artisti, me jakën gjithnjë të zhubravitur, me kravatën e lëvizshme e cila dikur duhej të kishte qenë e bardhë, një personazhi ekstravagant, popullor e të mirëdashur jo vetëm nga kolegët e tij, por deri edhe nga disa profesorë. Bir i një pronari hebre të një punishteje rakie në një fshat të vogël polak, kishte ardhur në Vjenë për të studiuar mjekësi. Dërgesat e parave nga prindërit, qysh në fillim gati të papërfillshme, pa vonesë ishin ndërprerë krejt, por kjo nuk e kishte penguar atë që të vazhdonte të mbante lidhjet me një grup studentësh të mjekësisë të cilët mblidheshin rregullisht në Riedhof dhe në të cilin bënte pjesë edhe Fridolini. Nga një periudhë e në vazhdim paratë e tij ishin paguar rregullisht nga njëri prej kolegëve më të kamur. Nganjëherë kolegët ia blenin edhe veshjet, të cilat i pranonte pa mëdyshje, pa krenari të rreme. Qysh në fshatin e tij të lindjes Nachtigall kishte filluar të studionte pianoftortin me një koncertist të dështuar dhe në Vjenë si studiosus medicinae ndiqte njëkohësisht konservatorin, ku duket se konsiderohej të kishte të dhëna për një talent premtues. Por as në atë fushë nuk dëshmonte seriozitetin dhe zellin e duhur për t'i përfunduar në kohë studimet; pa vonuar ai u kënaq vetëm me sukseset muzikore të arritura në rrethin e të njohurve të tij, me një fjalë nga kënaqësitë që ua shkaktonte atyre tek luante në pianofort. Për një periudhë kishte punuar si pianist në një shkollë kërcimi në rrethinën e qytetit. Kolegë të universiteti dhe miq të përditshmërisë ishin përpjekur ta paraqitnin në familje të shtresave të larta, por në ato raste ai luante vetëm ato pjesë që i përshtateshin gjenisë së tij dhe vetëm aq sa kishte qejf vetë; harrohej me zonja të njoma në biseda jo gjithnjë të pafajshme dhe pinte më shumë se kishte mundësi që ta përballonte. Njëherë luajti në pianofort në festën e ballos në shtëpinë e një drejtori banke. Pa u bërë mesnatë, pasi kishte vënë në siklet me vërejtje qejfliu dhe tunduese vajzat që i kalonin pranë dhe i kishte cënuar ndjenjat e kalorësve të tyre, filloi papritur e pakujtuar një kankan të tërbuar dhe tek luante muzikë këndoi me zërin e tij të fuqishëm prej basi një strofë kënge me kuptim të dyfishtë. Drejtori i bankës e qortoi rëndë. Nachtigall, si i dalldisur nga një vetëkënaqësi e beftë, u çua dhe e përqafoi drejtorin; kjo gjë e revoltoi në kulm dhe, ndonëse edhe ai hebre, ia dha pianistit një sharje vendçe të cilën Nachtigal e shpërbleu aty për aty me një shuplakë të fortë u duk se kështu mbyllej përfundimisht karriera e tij pranë familjeve të mira të qytetit. Në rrethe më të ngushta rëndom sillej më mirë, ndonëse edhe në ato raste orëve të vona disa herë ishin detyruar ta largonin me forcë nga lokalet. Por në mëngjeset pasuese ato paudhësi ishin falur dhe harruar nga të gjithë. Nje ditë, kishte pak që kolegët e tij i kishin mbaruar studimet, ai u zhduk nga qyteti pa përshëndetur asnjërin. Disa muaj rresht vazhdonin të arrinin kartolina falmeshëndetjesh nga qytete të ndryshme polake dhe ruse; dhe një herë Fridolini, për të cilin Nachtigall kishte pasur gjithmonë një simpati të veçantë, u detyrua vetvetiu të kujtohej se nga ai kishte marrë jo vetëm falmeshëndetje, por edhe një kërkesë për një shumë të vogël parash. Fridolini ia dërgoi menjëherë paratë pa marrë kurrë me vonë ndonjë falënderim apo çfarëdo shenje tjetër jete nga Nachtigall.

 

Por në atë çast, në dy pa një çerek të natës, pas tetë vjetësh, Nachtigall donte të mbushte menjëherë atë harresë dhe, duke ia kujtuar saktësisht shumën të cilën duhej t'ia kthente, nxori nga xhepi paratë nga një portofol krejt të leckosur, por çuditërisht plot e përplot, saqë Fridolini do të pranonte pa i luajtur qerpiku i syrit shumën e rikthyer.

"Atëherë po ia kalon mirë," i tha duke qeshur, si për ta qetësuar veten.

 

"Nuk mund të qahem," ia ktheu Nachtigall. Dhe duke e vënë dorën mbi krahun e Fridolinit: "Por tani më thuaj, si është puna që vjen këtu në pikë të mesnatës?" Fridolini e shfajësoi praninë e tij në atë lokal në atë orë të vonë nate me nevojën shkrumbuese për të pirë një kafe pas një vizitë natore një të sëmuri; por mbajti fshehur, pa e ditur mirë përse, faktin se të sëmurin nuk e kishte gjetur gjallë. Pastaj foli në përgjithësi për veprimtarinë e tij si mjek pranë Poliklinikës dhe për studimet e tij private, i tregoi se është i martuar, lumturisht i martuar dhe baba i një vajze gjashtëvjeçare.

 

Nachtigall i foli për veten e tij: ashtu si, me të drejtë, Fridolini e kishte marrë me mend, gjatë gjithë këtyre viteve kishte siguruar jetesën duke luajtur në piano nëpër gjithfarë fshatrash polake, rumune, bullgare; në Lemberg jetonte një grua me të cilën kishte pasur katër fëmijë; gati sa s'plasi së qeshuri, a thua se ishte një marri të kesh katër fëmijë, të gjithë në Lemberg dhe të gjithë nga e njëjta grua. Nga vjeshta e shkuar banonte sërish në Vjenë. Teatri i estradës që e kishte punësuar menjëherë kishte falimentuar dhe tani luante në piano ku mundej, nëpër lokale nga më të ndryshmet, nganjëherë edhe në dy lokale brenda një nate të vetme, si për shembull në bodrumin e asaj kafeje, - kurrfarë zotnillëku nuk ka atje, vuri re ai, në të vërtetë një lloj lokali për bilardo, jo aq një lokal për publikun, pastaj... "Po si mund të arrij të mbaj katër fëmijë dhe gruan në Lemberg," qeshi ai prapë, jo aq hareshëm si pak më parë. "Nganjëherë punoj edhe për privatët," shoi ai menjëherë. E pastaj dalloi në fytyrën e Fridolinit një buzëqeshje që kishte lidhje me një kujtim. "Jo për drejtorë bankash apo të tjerë si puna e këtyre, jo, në të gjitha mjediset e mundshme, edhe të rëndësishme, publike dhe sekrete."

 

"Sekrete?"

 

Nachtigall mori një çehre dinakërisht serioze.

 

"Pas pak do të vinë të më marrin sërish."

 

"Si, do të vazhdosh sonte të luash prapë?"

 

"Natyrisht, atje fillon vetëm në orën dy të natës."

 

"Zakone veçanërisht të rryera," tha Fridolini.

 

"Po e jo," iu përgjigj duke qeshur Nachtigall, por menjëherë u bë prapë serioz.

 

"Po e jo...?" përsëriti Fridolini i bërë kureshtar.

 

Nachtigall iu afrua.

 

"Sonte luaj në një shtëpi private, por nuk e di se kush është pronari."

 

"Atëherë sonte është hera e parë?" pyeti Fridolini duke iu rritur interesimi.

 

"Jo, e treta. Por ndoshta do të jetë sërish në një shtëpi të ndryshme."

 

"Nuk kuptoj."

 

"As unë, Â» qeshi Nachtigall. "Është më mirë që ti të mos bësh pyetje të tjera."

 

"Hmm," ia bëri Fridolini.

 

"Oh, gabohesh. Nuk bëhet fjalë për ato gjëra që mendon ti. Unë i kam parë tashmë të gjitha anët, nuk të besohet, në fshatrat ku kam qenë, sidomos në Rumani, përvoja të tilla janë të shpeshta. Por këtu..." E hapi paksa kanatën e verdhë të dritares, vështroi nga rruga dhe tha si duke folur me vete: "Nuk ka arritur ende" pastaj ia saktësoi Fridolinit: "E kam fjalën për karrocën. Vjen gjithnjë të më marrë një karrocë, dhe gjithnjë është e ndryshme

 

"Po më bën kureshtar, Nachtigall," tha me ftohtësi Fridolini.

 

"Dëgjo," tha Nachtigall pas një luhatjeje. "Nëse do të ishte një njeri që do t'ia lejoja...po si do të ishte e mundur..." dhe aty për aty: "Ke guxim?"

 

"Pyetje e çuditëshme," iu përgjigj Fridolini me një ton si prej fëmije të fyer.

 

"Them sa për të thënë."

 

"Por atëherë çfarë ke në mendje të thuash, në të vërtetë? Pse në raste të tilla është e domosdoshme të kesh një guxim të veçantë? Çka mund të më ndodhë mua?" tha Fridolini me një qeshje të thatë.

 

"Mua nuk mund të më ndodhë asgjë, për më tepër sot do të jetë hera e fundit që unë luaj për ata njerëz, por ndoshta do të duhet guximi."

 

Heshti dhe e hodhi shikimin prapë jashtë, duke e shtyrë prapë kanatin e dritares.

 

"Epo, atëherë?"

 

"E kishe fjalën?" pyeti Nachtigall si në jerm.

 

"Vazhdoje rrëfimin, nga çasti që ke filluar...Takim i fshehtë? Rreth i veçantë? Pjesëmarrje e detyrueshme?"

 

"Nuk e di. Herën e fundit ishin tridhjetë veta, herën e mëparshme ishin vetëm gjashtëmbëdhjetë."

 

"Një festë balloje?"

 

"Natyrisht, një festë balloje." Tani Nachtigall u duke se u pendua që foli.

 

"Dhe ti luan atje për këtë rast?"

 

"Për çfarë rasti? Nuk e di se për çfarë është fjala. Vërtetë nuk e di. Unë luaj në pianofort me..me..sy të lidhur."

 

"Nachtigall, Nachtigall, çfarë historish po më tregon vallë!"

 

Nachtigall psherëtiu. "Me sy të lidhur, por mjerisht jo krejt. Nuk janë lidhur aq shumë sa për të mos parë asgjë. Në fakt shikoj në pasqyrë përmes shamisë së zezë të mëndafshit me të cilën m'i lidhin sytë..."

 

Heshti prapë.

 

"Me një fjalë," tha Fridolini duke e humbur durimin dhe në mënyrë përbuzëse, por në të vërtetë ndihej pa masë i tunduar..."femnusha lakuriq".

 

"Mos thuaj femnusha, Fridolin," ia ktheu Nachtigall si i fyer, "femra të tilla nuk ke parë kurrë."

 

Fridoli e qëroi lehtas zërin. "E sa kushton hyrja?" pyet gjoja pa i dhënë rëndësi interesimit të tij.

 

"E ke fjalën për biletën e hyrjes apo për diçka të tillë? Ah, ku nuk të shkon ty mendja!"

 

"Atëherë si i bëhet për të hyrë?" pyeti Fridolini me zë të ulët dhe duke i trokitur gishtat në mënyrë ritmike mbi tavolinë.

 

"Duhet të dish parullën, dhe çdo herë ka një parullë të re."

 

"Po ajo e sotme?"

 

"Nuk e di ende. Ma thotë karrocieri."

 

"Më merr me vete, Nachtigall."

 

"E pamundur, është tepër e rrezikshme."

 

"Po nëse para një minute kishe ndërmend...të më "lejoje"...Duhet gjithsesi të jetë e mundur."

 

"Nachtigall e vërejti me shumë vemendje." "I veshur siç je tani nuk mund të vish kurrsesi, janë të gjithë të maskuar, burra e gra. Ke ndonjë kostum apo ndonjë veshje tjetër? Por jo, është e pamundur. Ndoshta herën tjetër. Do të shpik ndonjë merafet." I mprehu veshët, shikoi prapë përmes kanatës së hapur duke marrë frymë thellë:

 

"Ja karroca. Adio."

 

Fridolini e kapi nga krahu. "Nuk mund të më ikësh kaq me lehtësi. Duhet të më marrësh me vete atje."

 

"Por koleg..."

 

"Më ler mua të mendoj për të gjitha të tjerat. E di mirë se është e "rrezikshme"...ndoshta pikërisht kjo më tërheq."

 

"Por të kam thënë tashmë...pa kostum dhe pa maska..."

 

"Ka dyqane që japin kostume me qirà."

 

"Në një të mëngjesit!"

 

"Dëgjo, Nachtigall. Në këndin e Wickenburgstrasse është një dyqan i tillë. Çdo ditë kaloj andej disa herë." Dhe shtoi me një përngutje të madhe e me tundim në rritje: "Rri këtu edhe një çerek ore, Nachtigall, ndërkohë do të provoj fatin. Pronari i dyqanit banon ndoshta në të njëjtën ndërtesë. Po të mos jetë kështu...atëherë unë heq dorë nga qëllimi im. Do të vendosë fati. Në pallatin e mesit është një kafe, më duket se quhet Caffè Vindobona. I thuaj karrocierit...se ke harruar diçka në atë kafe, hyr, unë të pres pranë portës, ma thuaj shpejt parullën, ngjitur prapë në karrocën tënde; sa për mua, po të kem arritur të gjej një kostum, marr menjëherë një karrocë tjetër, pastaj shohim si do të bëhet. Ta jap fjalën time, se do ta ndaj në çdo rast rrezikun me ty. Â»

 

Nachtigall kishte tentuar edhe mënyra të tjera për ta hequr qafe mikun e tij, por nuk ia kishte arritur. Fridolini pagoi llogarinë, dha një bakshish madje tepër të majmë, siç iu duk se ia kërkonin punët e asaj nate, dhe doli. Jashtë ishte ndalur një karrocë e mbyllur; në pupenë e karrocës, i palëvizshëm, një karrocier i veshkur krejt në të zi dhe me një kapelë të lartë cilindër ; - duket si një karrocë mortore, mendoi Fridolini. Pak minuta më vonë ai arriti me hapa të shpejtuar shtëpinë në këndin e rrugës të cilën e kërkonte, i ra zilës, u informua nga portieri se Gibiser, pronari i maskave, banonte në pallat dhe shpresonte, në mënyrë sekrete, se ndoshta nuk ndodhej aty. Por Gibiser banonte pikërisht aty, në katin poshtë magazinës së kostumeve, portieri madje nuk u duk aq i zënë në befasi për atë vizitë në atë orë aq të vonë, përkundrazi, u ndje i kënaqur nga bakshishi që ia dha Fridolini, ngaqë gjatë periudhës së karnevaleve nuk ndodhte rrallë që dikush të vinte për kostume qirà edhe në atë orë të natës. Bëri dritë me qiri derisa Fridolini i ra ziles së katit të parë. Doli për t'ia hapur derën vetë zotëria Gibiser, a thua se kishte qenë duke pritur prapa derës; i thatë, pa mjekër, tullac, i veshur me rroba jashtë mode dhe me kapelë si çallmë turke, dukej një plak qesharak i komedive. Fridolini kërkoi çfarë dëshironte dhe shtoi se nuk kishte problem për çmimin, por Gibiser kundërshtoi pothuaj prerazi: "Nuk mëtoj asnjëherë më shumë se është çmimi."

 

I priu Fridolinit për në magazinë nëpër një shkallë të spërdredhur. Vinte erë mëndafshi, kadifeje, pluhuri dhe lulesh të fishkura; terri i verbër ndërpritej nga një vezullim i kuq dhe i argjendë; papritur e pakujtuar mijëra llampa të vogla flakëruar nëpër dollapët e hapur rreshtuar në të dy anët e një koridori të gjatë dhe të ngushtë që përfundonte në errësirë të plotë. Në të djathtë e në të majtë vareshin kostume të çdo lloji; nga njëra anë kostumet e kalorësve, të harkëtarëve, të fshatarëve, të gjahtarëve, të dijetarëve, të orientalëve, të palaçove, nga ana tjetër vareshin kostumet e zonjave të larta të oborrit mbretëror, të kështjellareve, të fshatareve, të kameriereve, të cilat janë mbretëreshat e netëve. Sipër kostumeve gjendeshin kapulecet përkatëse. Fridolini kishte përshtypjen se po kalonte përmes dy krahëve të zgjatur që ta ftonin për të hyrë në valle. Gibiseri i shkonte pas. "Ju zotëri, a dëshironi diçka të veçantë? Të kohës së Luigjit të Katërmbëdhjetë, të kohës së Direktoratit, të kohës së antikitetit gjerman?"

 

"Kam nevojë për një zhgun të murrmë dhe për një maskë të zezë, asgjë më."

 

Në atë çast nga fundi i korridorit u dëgjua një tringëllimë xhami. Fridolini ia nguli sytë i shastisur magazinierit të maskave, a thua se ky i fundit ishte i detyruar t'ia jepte atij ndonjë sqarim të menjëhershëm. Por Gibiseri qëndroi indiferent, kërkoi me të prekur një çelës të fshehur diku aty rrotull...dhe një fashë dritë u përhap menjëherë deri në fund të korridorit duke ndriçuar një tavolinë të vogël të shtruar me pjata, gota dhe shishe. Në dy karrike në të djathtë e në të majtë lartoheshin dy pajtorë të Shën Vemes në veshje të kuqe veladoni, ndërkaq, në të njëjtin çast, shfaqej pranë tyre një krijesë e magjishme krejt e bardhë. Gribiser shpejtoi me hapa të mëdhenj në atë drejtim, e zgjati dorën sipër tavolinë dhe kapi një parrukë të bardhë; njëkohësisht nxori nga poshtë tavolinës një vajzë hirplote dhe shumë të re, pothuaj fëmijë, në kostumin e Pjeretës, me çorape mëndafshi të bardhë; e përshkoi koridorin duke vrapuar dhe e arriti Fridolinin i cili u detyrua ta presë me përqafim. Gibiseri e kishte lënë të binte mbi tavolinë parrukën dhe i mbante me dorën e majtë dhe me dorën e djathtë secilin nga pajtorët e Shën Vemes. Në të njëjtën kohë Gibiseri i thirri me zemërim Fridolinit: "Zotëri, ma mbaj ti këtë vogëlushen."

 

E vogla shtrëngohej pas Fridolinit, a thua se kërkonte mbrojtje. Në fytyrën e saj të hajthme, të bardhë e të pudrosur binin në sy nishanet e sajuara; nga gjiu delikat vinin aroma trëndafili dhe pudre; sytë e saj qeshnin me krenari dhe kënaqësi.

 

"Këta zotëri do të rrinë këtu deri sa t'i dorëzoj në polici," thirri Gibiseri.

 

"Si të shkon mendja?" i thanë ata të dy. Dhe vazhduan njëzëshëm: "Kemi ardhur këtu me ftesën e zonjushes."

 

Gibiseri u largua prej tyre dhe Fridolini dëgjoi që ai t'iu thoshte atyre: "Ngulmoj gjithsesi për një sqarim. Ose të mendoj se kam të bëj me një femër të çmendur?". Dhe iu kthye Fridolinit: "Na falni për incidentin, zotëri."

 

"Oh, nuk ka rëndësi," tha Fridolini. Kishte parapëlqyer të rrinte me ata ose ta merrte me vete vogëlushen, kudo që të duhej dhe me çfarëdo çmimi. Vogëlushja e shikonte me sy joshës dhe fëminorë, si e magjepsur. Pajtorët e Shën Vemes flisnin gjallërisht midis tyre në fund të korridorit, Gibiseri ua bëri me shenjë që ta trajtonin me seriozitet Fridolinit dhe pyeti: "A dëshironi, pra, një tunikë, një kapelë pelegrini, një maskë të vogël?"

 

"Jo," tha Pjereta me sy xixëllues "zotërisë duhet t'i jepni një xhybe gëzofi dhe një jelek mëndafshi të kuq."

 

"Ti mos lëviz prej këndej," ndërpreu Gibiseri, dhe nxori nga dollapi një tunikë të errët që ishte midis një uniforme mercenarësh gjermanë të kohës së Rilindjes dhe një uniformë senatori venecian. "Kjo është tama për trupin tënd, dhe ja kapela përkatëse, mbaje, shpejt."

 

Tani u bënë me gojë sërish pajtorët e Vemes. "Na nxirr prej këndej menjëherë, zotëri Shibisè për befasi të Fridolinit ata e shqiptuan emrin e Gibiserit frëngjisht.

 

"As të mos iu shkojë mendja," iu përgjigj në mënyrë tallëse magazinieri i maskave; "tani për tani do të kenë mirësinë të presin këtu deri në rikthimin tim."

 

Ndërkohë Fridolini e veshi tunikën, i lidhi nyjë dy cepat e kordonit të bardhë; Gibiseri, në këmbë në një shkallë të vogël, ia dha një kapelë të zezë me strehë të gjera pelegrini, dhe Fridolini e vuri në kokë; por i kryente të gjitha ato veprime a thua se ishte i detyruar me dhunë, megjithëse e ndiente në mënyrë të fuqishme se detyra e tij ishte të rrinte atje dhe ta ndihmonte Pjeretën e kërcënuar nga ndonjë rrezik. Maska që Gibiseri ia dha, të cilën ai e provoi menjëherë, lëshonte një aromë të çuditëshme dhe paksa të përshtirë.

 

"Primë," i tha Gibiseri së voglës dhe ia tregoi pakundërshtueshëm shkallën. Pjereta ktheu kokën, ia hodhi një sy fundit të koridorit dhe u njatjetua duke bërë një shenjë përshëndetjeje të hareshme, por me një tis melankolie. Fridolini u përqëndrua te shikimi i saj; tashmë nuk ishin dy pajtorë të Vemes, po dy djem shtatlartë, me frak dhe kravatë të bardhë, të cilët gjithsesi kishin ende maska të kuqe në fytyrë. Pjereta e zbriti rrufeshëm shkallën e spërdredhur, prapa saj Gibiseri, më në fund Fridolini. Në paradhomë, Gibiseri hapi një derë që çonte në dhomat e brendshme dhe i tha Pjeretës: "Tani për tani shko në shtrat, krijesë e neveritshme, nuk shihemi bashkë pa mbaruar llogaritë me ata zotërinjtë atje lart."

 

E bardhë dhe e dobët ajo u ndal te dera, ia lëshoi një shikim Fridolinit dhe tundi me trishtim kokën. Në një pasqyrë të madhe në murin djathtas, Fridolini pa një pelegrin thatim i cili nuk ishte tjetërkush veç ai vetë, dhe u mrekullua që gjithçka shkoi si në vaj. Pjereta ishte zhdukur, plaku i maskave e kishte mbyllur derën prapa shpinës së tij. Pastaj e hapi derën e apartamentit dhe detyroi Fridolinin të dilte në katin përdhe.

 

"Më falni," tha Fridolini, "sa duhet t'ju jap?..."

 

"Hiqju parave, zotëri, do të m'i japësh kur të kthehesh, unë ju besoj."

 

Por Fridolini nuk u tund. "Betohu se nuk do t'i bësh asgjë të keqe asaj vajze të gjorë!"

 

"Çfarë ju duhet juve, zotëri?"

 

"Pak më parë ju dëgjova se i thatë e çmendur asaj krijese të vogël, ndërsa tani e quajtët krijesë e pështirë. Një cilësim befasues i kundërt me realitetin, këtë nuk mund ta mohosh."

 

"Epo mirë, zotëri," ia ktheu Gibiseri me një ton teatral, "nuk është vallë i çmendur një pështiran para Zotit?"

 

Fridolini u drithërua i zhgënjyer.

 

"Sido që të jetë," theksoi ai pastaj, "do të gjendet ndonjë pajtim. Unë jam mjek. Nesër e vazhdojmë këtë problem."

 

Gibiseri qëndroi tallës dhe i heshtur. Në katin përdhe u ndez papritur drita, dera midis Gibiserit dhe Fridolini u mbyll dhe menjëherë iu vu dryni. Teksa i zbriste shkallët Fridolini e hoqi kapelën, tunikën dhe maskën, dhe i mbajti të gjitha nën sqetull. Portieri ia hapi derën e madhe të pallatit, karroca mortore ishte ndalur përballë, karrocieri ishte si i shtangur në pjesën e përparme të karrocës. Nachtigall pikërisht atëherë po ngutej të dilte nga kafeja, dhe nuk u duk tepër i kënaqur nga befasia e daljes së Fridolini në mënyrë të saktë në takim.

 

"Atëherë paske siguruar vërtetë një kostum?"

 

"Siç e shikon! Po parulla?"

 

"Pra po këmbëngul?"

 

"Absolutisht."

 

"Mirë...paraulla është Danimarka."

 

"Je i çmendur, Nachtigall?"

 

"Pse vallë?"

 

"Hiç, hiç...kësaj vere kam qenë rastësisht në brigjet daneze. Atëherë hip në karrocë...por jo menjëherë, më jep kohë të porosis një karrocë për vete këtu rrotull."

 

Nachtigall miratoi me kokë, ndezi në qetësi një cigare. Ndërkohë Fridolini e përshkoi me nxitim rrugën, mori një fiacre dhe me ton naiv, a thua se bëhej fjalë për një shaka çfarëdo, e urdhëroi karrocierin të shkonte pas karrocës mortore e cila ishte pikërisht vetëm pak hapa përpara tyre.

 

Kaluan nëpër Alserstrasse, pastaj kaluan nën mbikalimin hekurudhor duke e drejtuar për në rrethinën e qytetit dhe vazhduan nëpër rrugë dytësore të shkreta dhe fare keq të ndriçuara. Fridolini mendoi se mos karrocieri e humbte nga pamja karrocën mortore; por sa herë që nga dritarja e vogël e hapur e nxirrte kokën në ajrin pazakonshëm të ngohtë, shikonte gjithnjë karrocën tjetër në njëfarë largësie para tyre, si dhe karrocierin e palëvizshëm me cilindrin e gjatë e të zi në kokë. Mund të ketë edhe fund të keq kjo ngjarje e sontme, mendoi Fridolini teksa ndjente ende aromën e trëndafilave dhe pudrës së gjiut të Pjeretës. Çfarë romance të çuditëshme kam shpalosur vallë? e pyeti veten. Ndoshta nuk duhej të isha larguar prej andej, nuk duhej ta kisha lënë vetëm. Po ku gjendet tani ajo?

 

Ngjiteshin dalengadalë duke kaluar përmes vilave të thjeshta. Tani Fridolini besonte se e dinte ku ndodhej, në kohët e shkuara kishte kaluar këndej gjatë shëtitjeve të tij: ndoshta tani kishin marrë rrugën Galitzinberg. Në të majtë, në luginë, pa të shkëlqenin, trubulluar nga mjegulla, mijëra ditat e qytetit. Ndjeu zhurmë rrotash dhe pa prapa nëpërmjet dritares së vogël. Ishte i kënaqur që dy karroca të tjera shkonin pas tij, kështu që nuk mund të kishte asnjë lloj dyshimi ndaj karrocierit të karrocës mortore.

Karroca u ndal. Pse të mos zbres në këtë rast, mendoi Fridolini, e të kthehem menjëherë prapa? Po ku të shkoj? Tek e vogla Pjeretë? Tek ajo femnusha në Buchfeldgasse? Apo te Mariana, bija e të ndjerit? Apo të shkoj në shtëpi? Dhe e vuri re me njëfarë lemerie të lehtë se asnjë vend tjetër nuk e tërhiqte më pak se shtëpia e tij. Apo e kishte këtë ndjesi ngaqë rruga e shtëpisë i dukej tani më e gjata? Jo, nuk mund të kthehem prapa, mendoi. Përpara, në çfarëdo rasti, edhe me kusht që të vdes! Ndjeu neveri nga fjala e madhe, por nuk ndjehej aq në gjendje sa të qeshte.

 

Kangjela e një kopshti ishte e hapur. Karroca mortore përpara tij zbriti më thellë shtegut apo ishte errësira që e jepte atë përshtypje. Nachtigall, gjithsesi, duhej të kishte zbritur tashmë nga karroca. Fridolini veproi nga ana e tij me nxitim, e urdhëroi karrocierin ta priste aty gjersa ai të kthehej, aty në cepin e teposhtes, edhe pse do t'i duhej të priste një kohë të gjatë. Dhe për të qenë më i sigurtë e pagoi me një shumë të majme paraprakisht dhe ia premtoi të njëjtën shumë në udhëtimin e kthimit. Ndërkohë arritën karrocat që vinin prapa karrocës së tij. Nga karroca e parë Fridolini pa tek zbriste një grua me vello; pastaj hyri në kopsht dhe e vuri maskën; një rrugicë e ngushtë, ndriçuar nga shtëpia, çonte drejt derës së madhe, dy trokitje njëra pas tjetrës dhe Fridolini u gjend në një hajat të vogël. U prit nga muzika e një orkestre të posaçme, në të djathtë e në të majtë ishin dy shërbëtorë në veshje të errët, fytyrën e kishin të mbuluar me maska gri.

 

"Parulla?" i pëshpëritën dy zërat.

 

"Danimarka," u përgjigj ai. Njëri nga shërbëtorët ia mori peliçen dhe u zhduk në një dhomë më vete, tjetri hapi një derë dhe Fridolini hyri në një sallon përgjysmë në hije, gati në terr, ku muret ishin të veshura në mëndafsh të zi. Disa maska, të gjitha në kostume kishëtare, shkonin sa andej, sa këndej; ishin nja gjashtëmbëdhjetë sish, ndoshta njëzet, murgjër dhe murgesha. Orkestra e posaçme luante një melodi të shenjtë italiane e cila, duke u ngjitur pandërprerë, dukej sikur zbriste nga lart. Në një kënd të sallës ishte ndalur një grup i vogël me tre murgj dhe me dy murgesha; e shikuan rrëshqitaz, por e larguan shikimin që andej, thuajse enkas. Fridolini e kuptoi se ishte i vetmi që e kishte kokën të mbuluar, e hoqi kapelën e pelegrinit nga koka dhe vazhdoi të endet andej-këndej, duke kërkuar të binte sa më pak në sy; një murg ia preku krahun dhe e përshëndeti me tundje koke; por përtej një maske një shikim përbirues u ndal një sekondë drejt e në sytë e Fridolinit. U zhyt në një aromë e çuditshme, tunduese, si në kopshtet e Jugut të Europës. Një krah e preku prapë. Kësaj here krahu i një murgeshe. Si të tjerët edhe ajo mbante një vell të zi që ia pushtonte ballin, kokën dhe zverkun, nën stofin e mëndafshit të zi të maskës llamburiste një gojë kuq si gjaku. Ku gjendem? Pyeti veten Fridolini. Mes të marrëve? Mes komplotuesve ? Kam thyer qafën në një takim të ndonjë sekti religjioz? Se mos e kishin paguar Nachtigall-in të merrte me vete një fillestar të cilin t'ia punonin ndonjë rreng? Gjithsesi, për të qenë kjo një tallje karnavalesh, iu duk e tëra diçka tepër serioze, tepër e njëtrajtshme, tepër kotsëkoti. Orekstrës i ishte shtuar një zë femëror, një arie e lashtë religjioze italiane kumboi në sallë. Qëndruan të gjithë shtangur, dukej se dëgjonin, edhe Fridolini u harrua për një çast duke dëgjuar atë melodi aq të mrekullueshme dhe të vrullshme. Pa pritur e pa kujtuar një zë gruaje i pëshpëriti prapa supeve të tij: "Mos u kthe nga unë. Je ende në kohë për t'u larguar. Ju jeni një i huaj në këtë mjedis. Nëse ju zbulojnë, ju pret një fund i keq."

 

Fridolini u shastis. Për një çast mendoi ta dëgjonte paralajmërimin. Por kureshtja, zbavitja dhe sidomos krenaria e tij ishin më të forta se çdo arsyetim. Tashmë kam ardhur deri në këtë pikë, mendoi ai, le të bëhet ç'të bëhet. Dhe e tundi kokën në shenjë mohimi, pa u kthyer nga ajo grua.

 

Zëri prapa supeve të tij përshpëriti : « Do të më vinte keq për ju. Â»

 

Tani u kthye nga ajo. Pa gojën kuq si gjaku përmes ojmeve, dy sy të zez të zhytur krejt në sytë e tij. "Do të rri," tha me një ton heroik të cilin as ai vetë nuk e njohu, dhe e zhvendosi rishtas shikimin e tij tjetërkund. Kënga lartësohej mrekullueshëm, tingulli i orkestrës kishte tani një ngjyrim të ri, jo më fetar por më përdhosës, dhe gurgullonte harlisshëm si një organo; duke vështruar rrotull, Fridolini vuri re se të gjitha murgeshat ishin zhdukur dhe në sallë ndodheshin vetëm murgjët. Ndërkohë edhe zëri i këngës kishte braktisur seriozitetin e thellë dhe, me një kumbim të fortë në rritje, ishte shndërruar në një këngë të kthjellët dhe sokëllitës, por përveç orkestrës së vogël kishte filluar të luante, mondan e i vrazhdë, një pianofort; Fridolini e pikasi menjëherë prekjen e egër dhe tunduese të Nachtogall-it; zëri femëror, deri pak më parë aq fisnik dhe i ëmbël, me një piskamë të menjëhershme dhe të fuqishme finale ishte, si të thuash, hedhur në ajër dhe shkrirë me përjetësinë. Në të djathtë e në të majtë ishin hapur dyert, nga njëra anë Fridolini njohu siluetën e përhijuar të Nachtigall-it në pianofort; në sallën përballë, ndriçuar tashmë nga një dritë verbuese, ishin gra të palëvizshmem, kokën, ballin dhe qafën mbuluar me vello të errëta, maska të zeza që ua kishin zënë fytyrat, por gjithkah tjetër krejtësisht lakuriq. Sytë e Fridolinit kullotnit sa tek të bëshmet, sa tek të hajthmet, sa tek të dobëtat tek të hatashmet dhe të lulëzueshmet; dhe përderisa secila prej atyre krijesave mbetej për jetë të jetëve sekret dhe përderisa përmes maskave të zeza, nga sytë e mëdhenj të zez, zjarmonin shikime xixëlluese drejt atij, si enigmat më të pazgjidhshme të botës, kënaqësia e pangishme e pamjes shndërrohej në një tërmet të papërballueshëm të dëshirës. Por edhe të tjerët duhej të ishin duke përjetuar të njëjtën ndjesi. Pëshpërimet e para të nxehta kaluan në dihatje të cilat dukej se i kishin rrënjët në dhimbje tejet të thella; diku andej shpërtheu një britmë; dhe, në mënyrë të rrufeshme, a thua se po bëhej hataja, murgjët u larguan nga salla drejt gjysmëhijes jo më të veshur me tunikat e tyre, por në kostume festive kalorësisht të bardhë, të verdhë, të kaltër, të kuq dhe ia mësynë të gjithë vërtikshëm drejt grave të cilat i priten me të qeshura gurgullimtare, pothuaj të egra. Fridolini ishte i vetmi që kishte mbetur me veshje murgu dhe u largua nga sytë këmbët dhe krejt i frikësuar, në këndin më të largët, ku ndodhej Nachtigall-i, i cili ka kishte kthyer atij shpinën. Fridolini vuri re se Nachtigall-i kishte një fasho të lidhur në sytë, por njëkohësisht besoi se dalloi që nëpërmjet fashos sytë e tij ishin ngulur zhbirues në pasqyrën e madhe përballë ku shiheshin kalorësit shumëngjyrësh si dallgëzoheshin me kërcimtaret e tyre lakuriqe.

Për një çast njëra nga gratë u ndal te Fridolini dhe i pëshpëriti përderisa askush nuk fliste me zë të lartë, a thua se edhe zërat duhej të mbeteshin sekrete: "Pse kështu vetmitar? Pse nuk merr pjesë edhe ti në ballo?"

 

Fridolini pa se nga një tjetër anë dy burra fisnikë e vrojtonin ngulmueshëm dhe dyshoi se krijesa pranë tij me shtat të hedhur dhe me njomështi vajzërore ishte dërguar nga ata që ta vinte atë në provë e të orvatej për ta tunduar. Për më tepër, ajo i hapi krahët dhe filloi ta avytë tek vetja, kur një grua tjetër u shkëput nga kërcimtari i vet dhe vrapoi për tek Fridolini. E kuptoj menjëherë se kishte të bënte me atë që ia kishte vënë syrin pak më parë. Gruaja bëri sikur gjoja sapo e kishte vënë re dhe i pëshpëriti, por aq kjartë sa mund të dëgjohej edhe nga ana e kundërt: "U ktheve më në fund?" Dhe duke qeshur gjithë qejf: "Nuk të ka mbetur më asnjë rrugëdalje, je zbuluar tashmë." Pastaj iu drejtua asaj tjetrës me njomështi vajzërore: "Ma ler mua vetëm dy minuta. Pastaj mund ta kesh ti prapë, deri në mëngjes, po të duash." Dhe me zë të ulët e pothuaj gëzueshëm: "Është ai, është bash ai." Tjetra krejt e habitur: "Vërtetë?" dhe iu bashkua me hap të lehtë kalorësve.

 

"Mos bëj pyetje," i tha tani Fridolinit gruaja që kishte mbetur pranë tij "dhe mos u mrekullor prej asgjëje. Kam arritur të të shpëtoj, por po ta them menjëherë se nuk do të arrij më tutje ta bëj këtë. Ik sa të mos jetë tepër vonë. Ruaju se mos të ndjek kush mbrapa. Askush nuk duhet ta marrë vesh kush je ti. Qetësia jote, paqja e ekzistencës sate do të kenë marrë fund njëherë e përgjithmonë. Ik!"

 

"Do të shihemi prapë?"

 

"E pamundur."

 

"Atëherë po rri."

 

Trupi i saj lakuriq u përshkua në gjithë qenien nga një drithërimë e cila u pasqyrua dhe pothuaj ia errësoi të gjitha shqisat e saj."

 

"Nuk mund të më kushtojë më shumë se jetën time," tha ai, "dhe në këtë çast ti vlen më shumë se jeta ime." Ia mori duart dhe kërkoi t'ia afrojë pranë vetes.

 

Gruaja pëshpëriti prapë, pothuaj e dëshpëruar:

 

"Ik!"

 

Fridolini qeshi dhe e dëgjoi jehonën e qeshjes së tij, si në ëndërr. "E shikoj mirë se ku ndodhem. Natyrisht, nuk jeni bashkuar vetëm pse njëri dehet duke ju shikuar! Të dëshiron vetëm të tallesh me mua, që unë të çmendem i tëri."

 

"Pas pak do të jetë tepër vonë, ik?"

 

Ai nuk donte ta dëgjonte. "A nuk ka këtu dhoma të fshehta ku përvidhen çiftet që janë miqësuar? Apo në fund do të mjaftohen të gjithë me një puthje të mirësjellshme dore?

 

Natyrisht, nuk ta lënë këtë përshtypje."

 

Dhe bëri me kokë nga çiftet që nën kumbimin e shfrenuar të pianofortit vazhdonin të kërcenin në sallën pranë të mbushur me dritë: trupa të bardhë, të ndritshëm, të shtrënguar në mëndafsh të kaltër, të kuq e të verdhë. Iu duk se tashmë askush nuk ia varte atij dhe gruas që e kishte pranë vetes; ishin krejtësisht vetëm në sallonin qendror në gjysmëterr.

 

"Shpresa boshe," murmuroi ajo. "Këtu nuk ka dhoma siç i ëndërron ti. Është minuta e fundit për ty. Ik!"

 

"Eja me mua."

 

Gruaja e tundi egërsisht kokën, si e dëshpëruar.

 

Fridolini qesh prapë dhe kësaj here nuk e njohu qeshjen e vet. "Dëshiron të më tallësh. Këta burra dhe këto gra mund të vinin këtu vetëm për t'u nxehur ndërsjelltas dhe pastaj për të hequr dorë nga çdo gjë? Kush të ndalon ty të vish me mua, nëse vetë dëshiron?"

 

Ajo pati një frymëmarrje tejet të thellë dhe pastaj e tundi kokën.

 

"Ah, tani e kuptoj," tha ai. "Ky qenka ndëshkimi që keni caktuar për atë që vjen këtu pa qenë i ftuar. Nuk mund të kishit gjetur ndëshkim më mizor se këtë. Kursemë. Falmë. Më jep çfarë ndëshkimit tjetër në botë, ndëshkim i cili të mos jetë ikja ime prej këndej pa ty!"

 

"Je i çmendur. Nuk mund të largohem prej këndej as me aty, as me këdo tjetër. E kush do të orvatej të vinte pas meje do të humbte jetën e tij dhe jetën time."

 

Fridolini ishte si i dehur jo vetëm nga ajo, nga trupi i saj me aromë të ëmbël, nga goja e saj e kuqe dhe e ndritshme, jo vetëm nga atmosfera e atij vendi, nga sekretet epshndjellëse të cilat e qarkonin; ndihej i dehur dhe njëkohësisht esëll nga të gjitha ato përvoja të asaj nate, asnjëra prej të cilave nuk kishte përfunduar; i dehur nga vetja, nga guximi i tij i marrë, nga shndërrimet që ndjente të ndodhnin brenda vetes. E zhvendosi vellon që mbulonte kokën e asaj gruaje, gati deshi t'ia hiqte.

 

Ajo ia ndaloi duart: "Një natë i kërceu në mendje dikujt t'ia largojë gjatë ballos vellon njërës nga ne. Ia ndukën maskën, e përzunë dhe e zhdëpën."

 

"Po...femra?"

 

"Ndoshta keni lexuar për një vajzë të re e të bukur...ka ndodhur vetëm para pak javësh, që është helmuar një ditë para dasmës së saj."

 

Fridolinit i kujtohej deri edhe emri. Ia tha. A nuk e ke fjalën për një vajzë të një familjeje princërore e cila ishte fejuar me një princ italian?"

 

Ajo pohoi me kokë.

 

Në çast ia behu njëri prej kalorësve, ai më i shquari, i vetmi në kostum të bardhë ; me një përkulje të lehtë nderuese dhe të sjellëshme, por njëkohësisht komanduese, e ftoi për kërcim gruan që po fliste me Fridolinin. Fridolinit iu duk se ajo nguroi për një çast. Por tjetri tashmë e kishte mbërthyer nga beli dhe me lëvizje të shpejta marramendës i kishte arritur tashmë çiftet e tjera të cilët kërcenin në sallën e ndriçuar pranë.

 

Fridolini mbeti vetëm, dhe ajo vetmi e menjëhershme e përshkoi si akull në gjithë trupin. Pa rreth e rrotull. Në atë çast akush nuk dukej se ia varte atij. Ndoshta kishte ende një mundësi të fundit të largohej pa pasoja. Nuk arrinte të kuptonte çfarë vallë e mbante atë prapë se prapë të gozhduar në këndin e tij, ku mund të ndjehej tani për tani i pavënë re nga të tjerët: frika nga një largim i palavdishëm dhe paksa qesharak, dëshira e tërmetëshme dhe jo e përmbushur e atij trupi të mrekullueshëm femëror, aromën e të cilit ai vazhdonte ta kishte në frymëmarrjen e tij; apo mendimi se ngjarjet e deriatëhershme kishin pasur qëllim vetëm për ta provuar guximin e tij dhe në fund do t'i takonte si çmim ajo grua e mrekullueshme? Gjithsesi, e bënte hesap se nuk mund ta duronte më gjatë atë gjendje tensioni, dhe ashtu do t'i duhej të dilte nga ajo gjendje duke sfiduar çdo rrezik. Çfarëdo vendimi të merrte nuk mund t'i kushtonte atij me jetën. Ndoshta gjendej mes të çmendurve, ndoshta midis lapërdharëve, sigurisht ai nuk gjendej mes kopukëve dhe kriminelëve. I lindi ideja t'iu afrohej atyre, të pohonte se ishte një i paftuar dhe të deklarohej gati për ta zgjidhur çështjen sipas kodit të nderit. Vetëm kështu, me njëfarë gjesti fisnikërie burrërore, mund ta përmbyllte atë natë, nëse ajo duhej të kishte domethënien e diçkaje më shumë se të një vazhdimi të mjegullt dhe të ngatërruar të aventurave të pështira, melankolike, qesharake e të paturpshme, asnjëra prej të cilave, prapë se prapë, nuk ishe jetuar deri në fund. Dhe me një frymëmarrje të lehtësuar ai filloi ta përmbushë idenë e tij.

 

Por në atë grimcë çasti dikush pranë tij tha nëpër dhëmbë: "Parulla!" Një kalorës i zi i ishte afruar sa çel e mbyll sytë, dhe ngaqë Fridolini nuk ishte përgjigjur menjëherë, ai ia përsëriste pyetjen.

 

"Danimarka," tha Fridolini.

 

"Mirë, zotëri, kjo është parulla e hyrjes. Po parullën për të qëndruar këtu brenda, nëse jeni i lejuar!"

 

Fridolini heshtte.

 

"Nuk keni mirësinë të thoni parullën e shtëpisë?" shtoi kalorësi në mënyrë të prerë. Fridolini i rrudhi supet. Tjetri u zhvendos në qendër të sallës, ngriti dorën lart, pianoforti pushoi, balloja u ndërpre, u afruan dy kalorës të tjerë, njëri në të verdha, tjetri në të kuqe.

 

"Parullën, zotëri," thanë në mënyrë të njëzëshme.

 

"E kam harruar," iu përgjigj pa ngurim Fridolini me një buzëqeshje të zbrazët dhe e ndjeu veten të qetë.

 

"Është një fatkeqësi," tha burri në të verdha, "të kesh harruar parullën është për ne njëlloj sikur të mos e kesh ditur kurrë."

 

Vërshuan në sallë burra të tjerë në maska, dyert në të dy anët e sallës u mbyllën. Fridolini ishte i vetmi në rroba murgu midis kalorësve të shumëngjyrshëm.

 

"Hiqe maskën!" thanë disa prej tyre njëzëshëm. Fridolini e zgjati dorën si për t'u mbrojtur. Të ishte i vetmi me fytyrë të zbuluar mes të tjerëve të maskuar i dukej atij mijëra herë më keq se të gjendej papritmas nudo mes gjindes së veshur. Dhe me një zë të vendosur tha : « Nëse ndokush nga zotërinjtë do të ndihej i fyer në nderin e tij për shkak të pranisë sime këtu, deklarohem i gatshëm t'ia jap kënaqësinë sipas zakonit. Por do ta heq maskën vetëm nëse do ta bëjë këtë gjë."

 

"Këtu nuk bëhet fjalë për dhënie kënaqësie," kalorësi në të kuqe i cili deri atëherë nuk kishte folur ende, "por bëhet fjalë për ndëshkim."

 

"Hiqe maskën!" urdhëroi sërish një tjetër me zë të kulluar dhe ngërmues, çka ia kujtoi Fridolini tonin e një komandanti ushtarak. "Duam ta

 themi në sy atë që ju pret dhe jo t'ia themi maskës suaj."

 

"Nuk e heq!" tha Fridolini me një ton edhe më të rreptë. "Dhe mjerë kush do të më prekë."

 

Një krah u zgjat drejt fytyrës së tij si për të dashur t'ia heqë maskën, kur pa pritur e pa kujtuar njëra nga dyert u hap dhe u shfaq një grua për identitetin e së cilës Fridolini nuk mund të kishte dyshime; ishte në kostum murgeshe, ashtu sikurse e kishte parë atë më herët. Por prapa saj, në sallën e lëbyrur nga dritat, mund t'i vështroje të tjerat, lakuriq, me fytyrat e mbuluara, të ngjitura pranë njëra tjetrës dhe krejt të nemitura, një kopè e trembur. Dera u mbyll menjëherë.

 

"Lereni," tha murgesha, "jam gati ta çliroj."

 

U bë një heshtje e shkurtër dhe e thellë, a thua se kishte ndodhur diçka e përbindshme, pastaj kalorësi në të zeza, i cili ia kishte kërkuar parullën i pari Fridolinit, iu drejtua murgeshës, duke i thënë: "I di pasojat e këtij veprimi?"

 

"I di."

 

Si një pëshpërimë e thellë e përshkoi krejt sallën.

 

"Ju jeni i lirë," i tha kalorësi Fridolinit, "braktise menjëherë këtë shtëpi dhe shiko mirë para se të përpiqesh të hetosh përtej sekreteve ku ju keni dashur të përbironi. Nëse do të orvateni të vini ndokënd në gjurmët tona, ia arrin apo nuk ia arrin kësaj orvatjeje, do të jeni ju i humburi."

 

Fridolini mbeti i shtangur. "Në ç'mënyrë...kjo grua do të më çlirojë?" pyeti.

 

Askush nuk iu përgjigj. Disa krahë u zgjatën për t'ia treguar derën, duke i dhënë të kuptojë se duhej të largohej pa vonuar.

 

Fridolini e tundi kokën. "Më jepni ndëshkimin që doni, zotërinj, nuk do të lejoj që një krijesë tjetër të ndëshkohet për mua."

 

"Nuk mund ta ndryshosh më fatin e kësaj gruaje," tha atëherë me ton të shtruar kalorësi në të zeza "kur këtu merr një zotim, nuk mund të tërhiqesh më".

 

Murgesha lëvizi kokën ngadalë, sikur donte të pohonte.

 

"Ik!" i tha ajo Fridolinit.

 

"Jo," u përgjigj ai duke ngritur zërin. "Jeta nuk ka më asnjë vlerë për mua, nëse më duhet të ik prej këndej pa ty. Nuk po të kërkoj nga je dhe kush je. Çka mund t'iu kushtojë atyre, zotërinjve të panjohur, të luajnë deri në fund këtë komedi karnavaleske, edhe pse mëton se do të ketë një përmbyllje serioze? Kushdo që të jenë këta zotërinj, ata bëjnë edhe një jetë tjetër, të ndryshme nga kjo këtu. Por unë nuk pranoj të luaj asnjë komedi, as këtu sonte, dhe nëse deri tani kam qenë i shtrënguar ta bëj këtë gjë, tani heq dorë. E ndjej se jam goditur në një përcaktim që nuk kamë aspak të bëjë me këtë maskaradë, do t'ua them atyre emrin tim, do ta heq maskën dhe do t'i marr mbi vete të gjitha pasojat."

 

"Mos e bëj këtë gjë!" i piskati murgesha. "Do të humbësh pa më shpëtuar mua! Ik!," dhe iu drejtua të tjerëve: "Ja...jam e juaja...e të gjithëve!"

 

Kostumi rrëshqiti në fund të këmbëve si me magji, gruaja u shfaq me gjithë shkëlqimin e saj të hatashëm të trupit të saj të bardhë, e hoqi vellon që ia mbulonte ballin, kokën dhe qafën dhe u lirua prej tyre me një lëvizje të mrekullueshme harkore. Velloja ra në tokë, ndërsa flokët e errëta i vareshin shpinës teposhtë, mbi gjinjtë dhe mbi ijet, por shumë më parë se t'ia kundronte pamjen e fytyrës së saj, Fridolini u mbërthye nga duar të forta, u tërhoq zvarr drejt derës së madhe; pas një çasti ishte në hajat, dera u mbyll prapa tij, një shërbëtor i maskuar ia solli peliçen dhe e ndihmoi ta veshë ndërkohë që dera po hapej. U largua vrullshëm a thua se dikush e kishte shtyrë një forcë e padukshme, u gjend në rrugë të madhe, dritat prapa tij u shuan, pa rreth e rrotull dhe ia lëshoi sytë rrëshqitaz shtëpisë së heshtur me dritare të mbyllura prej nga nuk rridhte asnjë fije drite. Duhet të ngul në mendje çdo gjë, mendoi me vete. Duhet ta gjej këtë shtëpi, pastaj të shoh se çfarë të bëj.

 

Ishte mbështjellë në terr; më lart, në njëfarë largësie, atje ku duhej ta priste karroca e tij, shihej drita e turbullt e një feneri. Nga thellësia e rrugës ia behu karroca mortore, a thua se e kishte thirrur. Një shërbëtor ia hapi derën.

 

"E kam karrocën time," tha Fridolini. Shërbëtori tundi kokën. "Po të ketë ikur, atëherë do të kthehem në qytet në këmbë."

 

Shërbëtori iu përgjigj me një lëvizje dore pakëz servile sa për t'u përjashtuar çdo kundërshtim nga ana e tij. Kapela cilindër e karrocierit dukej në mënyrë qesharake e lartë natën. Era frynte fort, nëpër qiell lundronin re të manushaqta. Pas përvojave të sapondodhura Fridolini nuk mund të gënjehej se mund të kishte tjetër mundësi përveçse të hipte në atë karrocë, e cila u vu menjëherë për udhë.

 

Ndjehej i vendosur të hidhte dritë, pavarësisht nga rreziku, mbi atë aventurë sa më shpejt të ishte e mundur. I dukej se jeta nuk kishte më kurrfarë kuptimi nëse nuk arrinte ta gjente prapë atë grua misterioze e cila në atë çast ishte duke paguar çmimin e shpëtimit të tij. Dhe çfarë çmimi do të paguante ishte tepër e lehtë ta merrje me mend. Po çfarë arsyeje kishte ajo që të sakrifikohej për Fridolinin...? Të sakrifikohej...? Por a ishte vallë ajo një grua për të cilën gjëja që e kërcënonte, gjëja që ishte tani duke e pësuar mund të kishte kuptimin e një sakrifice? Nëse merrte pjesë në ato kuvende natyrisht, nuk ishte sot hera e parë, përderisa ajo i njihte mirë rregullat e shtëpisë -, çfarë do t'i prishte punë asaj t'iu nënshtrohej dëshirave të njërit ose të të gjithë atyre kalorësve? Po a mund të ishte ajo tjetërgjë përveçse një grua e shthurur? A mund të ishin tjetëgjë të gjitha ato gra atje? Prostituta padyshim. Edhe pse pranë atyre që kishin një jetë të tërë si prostitutë, ndodhej një tjetër, si të themi, zonjë qyteti. Dhe e gjitha kjo që kishte përjetuar a thua të ishte jo tjetërgjë veçse një lojë famëkeqe që ia kishin lejuar vetes kundër atij? Një lojë e parashikuar, e përgatitur, ndoshta mirëfilli e studiuar për ndokënd që mund të përvidhej atje pa ftesë? E megjithatë, kur e çonte mendjen te ajo gruaja që i kishte bërë rojë atij qysh nga çasti i parë dhe tani ishte gati të paguante për Fridolinin...në zë, në sjellje, në fisnikërinë e dlirë të trupit të saj nudo kishte diçka që absolutisht nuk mund të ishte e rreme. Apo ndoshta kishte mjaftuar shfaqja e papritur e saj tek ai, që t'ia ngjallte Fridolinit mrekullinë e një transformimi? Pas gjitha atyre aventurave që ajo natë i bëri të mundshme ishte i sikurt se nuk kishte mëkatuar duke rënë në kotësi edhe një mrekulli e ngjashme. Ndoshta janë orë, netë, mendoi ai, kur edhe burrat në rrethana normale nuk kanë ndonjë pengim të veçantë drejt gjinisë tjetër, shfrenohen përballë një magjepsje të tillë të çuditëshme e të papërballueshme?

 

Karroca vazhdonte të ngjitej kodrës, normalisht do t'i duhej tashmë prej shumë kohësh të kishte kaluar në rrugën kryesore. Çfarë qëllimesh kishin kundër tij? Për ku po drejtohej karroca? Komedia, a thua, duhej të kishte vazhdime të tjera? Të çfarë lloji? Ishte parashikuar vallë një sqarim? Lehtësimi që gjendej në një vend tjetër? Çmimi pas kapërcimit të hatashëm të provës, ishte një pranim në shoqërinë sekrete? Zotërimi gjakftohtë i murgeshës së mrekullueshme...? Dritaret e vogla të karrocës ishin të mbyllura, Fridolini kërkoi të shikojë jashtë; ishin jotransparente. Donte t'i hapte, e provoi të djathtën, të majtën, ishte e pamundshme; jotransparent dhe i mbyllur ishte edhe xhami që e ndante atë nga vendi i karrocierit. Trokiti në xhama, thirri, bërtiti, karroca e vazhdonte rrugën e saj. U orvat të hapte dyert, u orvat nga e djathta, u orvat ngae majta, nuk pati asnjë rezultat, piskamat e tij të përsëritura mbuloheshin nga zhurmat gërvishtëse të rrotave, nga frushullimat e erës. Karroca filloi të hepohet, po rendte në tatëpjetë, gjithnjë e më shpejt, Fridolini i lemerisur nga paniku dhe makthi ishte gati duke thyer njërën nga dritaret e vogla të karrocës, kur karroca u ndal rrufeshëm. Të dyja portat u hapën njëkohshëm, a thua se ishin vënë në lëvizje nga një mekanizëm, pothuaj sikur donin t'ia ofronin Fridolinit në mënyrë tallëse përzgjedhjen mes së djathës dhe të majtës. Zbriti, dyert u mbyllën, dhe pa ia kthyer fare sytë karrocieri atij, karroca u zhyet nëpër natë fushës së hapur.

 

Qielli ishte i mbuluar, retë vraponin me shpejtësi, era frynte fort, Fridolini u gjend mbi borën që përhapte gjithkah një shkëlqim të verdhëllyer. Ishte vetëm, peliçen e hapur sipër tunikës së murgut, kapelen e pelegrinit në kokë, dhe nuk ndjehej aspak mirë. Pak më tej filloi një rrugë e gjerë. Një kortezh llampadarësh me drita të vagullta dhe luhatëse e tregonte drejtimin e qytetit. Fridolini e shpejtoi hapin dhe, për të arritur të gjendje sa më parë në mes të njerëzve, i ra trup rrugës duke përshkuar fushën e mbuluar me borë dhe paksa në teposhte. Me këmbët krejt të lagura arriti në një rrugëz të ngushtë e gjysmë në terr, udhëtoi fillimisht nëpër shkurret e thata që vërshëllenin nga era që frynte; pas kthesës së parë u gjend në një rrugë pak më të gjerë ku shtëpi të rralla ua linin vendin kantiereve bosh të ndërtimeve. Nga ora e një kishe dëgjoi tri kumbime. Ishte ora tre e mëngjesit. Dikush po vinte kundruall, një tip me xhaketë të shkurtër, duart në xhepat e pantollonave, kokën e futur mes supeve, kapelën të ulur mbi sytë. Fridolini u bë gati të përballej me një agresor të mundshëm, por, papritur, vagabondi u kthye nga kishte ardhur dhe ia mbathi me të katra. Ç'do të thotë kjo? pyeti veten Fridolini. Pastaj u kujtua se duhej të kishte një pamje mjaft të stërkequr, e hoqi kapelen e pelegrinit, e çmbërtheu kapotën, nën të cilën varej deri në fund të këmbëve veshja e murgut. E ktheu kokën prapë; gjendej në një rrugë në rrethinë, një burrë në veshje fshatare i kaloi pranë dhe e përshëndeti si përshëndetet një prift. Rrezja e dritë së një llampadari binte mbi tabelën rrugore pranë shtëpisë në kthesë. Liebhartstadl domethënë jo aq larg nga shtëpia prej së cilës ishte larguar së paku një orë më herët. Për një sekondë u ledhatua nga ideja e kthimit mbrapsht dhe të afrohej pranë vilës dhe t'i vërente zhvillimet e mëtejshme të ngjarjeve. Por hoqi dorë menjëherë, duke pasur parasysh se ishte përballë një rreziku të rëndë në vend që t'i afrohej zgjidhjes së enigmës. Mendimi për atë që duhej të ndodhte në atë vilë e mbushi me zemërim, dëshpërim, turp dhe frikë. Ajo gjendje shpitërore ishte e papërballueshme sa për pak i erdhi keq pse nuk ishte sulmuar nga vagabondi që e ndeshi pak më parë dhe pse nuk përfundoi në shkurret në qoshe të rrugës me ndonjë thikë në brinjët. Kështu ajo natë absurde me aventurat e saj të neveritshme e të pakryera kishte pasur, tekembramja, njëfarë kuptimi. Të kthehej në shtëpi, siç e kishte tani ndërmend, iu duke tejet qesharake.  Por ende nuk kishte humbur gjithçka. Kishte kohë edhe nesër. U përbetua të mos ndalej derisa të gjente gruan e bukur, lakuriqësia çarmatosëse e së cilës e kishte dehur. Dhe vetëm atëherë mendoi për Albertinën por sikur të ishte edhe ajo një grua që duhej futur në dorë, pothuaj sikur Albertina nuk duhej të ishte ose nuk mund të ishte sërish ajo që kishte qenë, ajo të cilën ai e kishte tradhtuar me të gjitha ato që ai i kishte takuar atë natë: me gruan nudo, me Pjeretën, me Marianën, me prostitutën e rrugicës. Dhe nuk duhej më të vriste mendjen për të gjetur atë studentin e pazakonshëm që i kishte shfryrë në fytyrë duke kaluar pranë tij dhe duke e ftuar në duel, me shpatë, madje më mirë me pistoletë? Çfarë rëndësie kishte për të jeta e një tjetri apo jeta e atij vetë? Duhej të futej në lojë vetëm për hir të detyrës, për hir të shpirtit të sakrificës, kurrë për kapriçio, kurrë për pasion apo thjeshtë për t'u matur me fatin?!

Dhe u kujtua sërish se ndoshta mbante në vete mikrobin e një sëmundjeje vdekjeprurëse. Nuk do të ishte tepër i marrë të vdiste ngaqë një fëmijë i prekur nga difteriti i ishte kollitur atij në fytyrë? Ndoshta tashmë ishte i sëmurë. Nuk kishte zjarmi? Në atë çst nuk ishte ndoshta në shtrat, nuk ishte ndoshta në shtëpi...dhe gjithçka që kishte përjetuar atë natë nuk ishte gjë tjetër veçse një trallisje?!

 

Fridolini i hapi sytë sa më shpejt që mundi, preku me dorë ballin dhe faqet, e mati pulsin. Sapo kishte filluar të përshpejtohej. Gjithçka ishte normale. Ishte tërësisht zgjuar.

Vazhdoi në atë rrugë drejt qytetit. Prapa tij vinin disa karroca të vogla që shkonin drejt tregut, i kalonin pranë duke kërkëllitur; kohë pas kohe takonte njerëz të veshur keq, për të cilët dita fillonte pikërisht atëherë. Prapa dritares së një kafeje, në të cilën luhatej flaka në një llambë me vajguri, rrinte ulur një burrë i dhjamosur, me një shall rrotull qafës, me kokën e mbështetur mbi duart, dhe flinte. Shtëpitë ishin ende të kredhura në terr, pak dritare të veçuara ishin me dritë. Fridolini besoi se po i ndjente njerëzit sesi, pak nga pak, po zgjoheshin nga gjumi, i dukej madje sikur po i shikonte tek shtriqeshin në shtrat dhe përgatiteshin të përballnin ditën e tyre të mjerë, të rëndë. Edhe ai ishte duke filluar ditën e tij, e cila, pra, nuk ishte e mjerë dhe e trishtë. Me një shpeshtim të çuditshëm të rrahjeve të zemrës ai bëri hesap se pas pak orësh do të ishte më bluzë të bardhë në mesin e të sëmurëve të tij. Në kënd të rrugës ishte ndalur një karrocë e vogël, karrocieri flinte në kabinën e tij, Fridolini e zgjoi, ia tregoi adresën e tij dhe u nisën.

Përktheu Elida Buçpapaj


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa V (01.13.2010)
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa VI (01.13.2010)
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa VII (01.13.2010)
Një nga librat më të bukur të poezisë shqipeNga Qazim D. Shehu (01.11.2010)
PËRGJËRATË: UDHËS PËR TEK NËNAKushtuar Gjylë Buçpapajt (1918-2007)Nga Skënder BuçpapajUa kushtoj këtë poemë veç nënës time, të gjithë nënave dhe bijve që kanë përjetuar çka kemi përjetuar ne të dy (12.31.2009)
KAM ZGJEDHUR VUAJTJEN TIME, KAM JETUAR ËMBËLSITË E MIA, EDHE PSE RINIA SI ËNDËRRAT MË ËSHTË TRETURPoezi nga OSKAR UAJLLD (Oscar Wilde, 1854-1900) (12.25.2009)
KA VALLË NJË KRUA ZEMRA JOTE E VOGËL, KU LULE TË DRUAJTURA LËSHOJNË GONXHE?Poezi nga EMILY DICKINSON (1830-1886) (12.16.2009)
POEZIA ZVICERANEPërkthime nga ANTON PAPLEKA (12.05.2009)
NDALO,PRA,MOS VALLËZO ME NGUTJE,KOHA ËSHTË E PAKËT, MUZIKA NUK ZGJAT SHUMË Poezi nga JORGE LUIS BORGES (11.20.2009)
FJALA ËSHTË ANA TJETËR E HESHTJES, ZJARRI ËSHTË ANA TJETËR E AKULLITPoezi nga PABLO NERUDA (11.10.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]