VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa III

                                                                                      

E Djelë, 05.05.2024, 06:37am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa III
E Mërkurë, 01.13.2010, 06:03pm (GMT+1)

 

 

Pjesa III e romanit

 

NJË NATË TJETËR AVENTURASH

 

Jashtë portës së madhe Fridolini i çoi sytë drejt dritares të cilën e kishte hapur pak më parë; kanatet përkundeshin lehtas nga era pothuaj pranverore. Ata që mbetën atje lart në katet e sipërme, të gjallët si i vdekuri, i dukeshin thjeshtë pjella të fantazisë. Kishte përshtypjen sikur kishte shpëtuar paq jo aq prej një aventure, sa prej një magjie të gjorë e cila nuk kishte arritur ta mposhtë. E vetmja pasojë ishte një mungesë e çuditëshme dëshire për t'u kthyer në shtëpinë e tij. Bora nëpër rrugë ishte shkrirë, në të djathtë e në të majtë grumbuj të një bardhësie të bërë pis, gjuhët e flakëve të vajgurit në fenerët e rrugëve dridheshin; nga një kishë aty afër tingëlloi ora njëmbëdhjetë. Fridolini vendosi ta merrte veten me të mirë edhe pak në këndin e qetë të një kafeje afër shtëpisë së tij, para se të shkonte për të fjetur, dhe e përshkoi dalëngadalë parkun e bashkisë. Nëpër stolat nën hije rrinin aty-këtu çifte të përqafuara, a thua se tani ishte vërtetë pranverë dhe ajri i ngrohtë mashtrues nuk ishte i mbarsur me rreziqe. Në një stol ishte shtrirë një burrë zhelan, me kapelën e ulur deri poshtë syve. Po sikur ta zgjoj dhe t'ia jap ca para sa për të fjetur rehat sonte diku? Ah, çfarë vlere do të kishte, iu kthye mendja atij, atëherë do të duhej t'ia sigurojë edhe fjetjen e nesërme, përndryshe nuk do të kishte asnjë kuptim dhe fundja ai mund të mendojë se unë kam me atë marrëdhënie të dyshimta. E shpejtoi hapin si për t'i shpëtuar sa më shpejt të jetë e mundur çdo lloj përgjegjësie dhe tundimi. Pse pikërisht ai? Pyeti veten Fridolini, vetëm në Vjenë jetojnë me mijëra dreqanë të mjerë si ai. Sikur të duhej të përkujdesej për të gjithë për fatin e të gjithë të panjohuve! Dhe i erdhi në mendje i vdekur që sapo kishte lënë, mendoi disi me lemeri dhe jo pa neveri se në atë trup të dobësuar dhe të zgjatur nën batanien e murme kalbëzimi, duke iu bindur ligjeve të përjetëshme, kishte nisur tashmë veprën e tij. U këndell nga fakti se ishte ende gjallë e, sipas gjitha gjasave, ende shumë larg atyre gjërave të papëlqyeshme; ishte ende plot freski djaloshare, burrë i një gruaje të dashurueshme e të hijshme, ndjehej i zoti të merrej edhe me gra të tjera, mjaftonte që të kishte dëshirë. Natyrisht, për të përmbushur qejfe të tilla do të duhej të kishte më tepër kohë të lirë se ajo që ia jepte profesioni i tij; iu kujtua se të nesërmen në mëngjes, në tetë, do t'i duhej të gjendej në repartin e tij, nga ora njëmbëdhjetë deri në orën një do t'i duhej të shkonte për të vizituar të sëmurë privatë, pasdite nga ora tre deri në orën pesë duhej të bënte vizita në studion e tij dhe edhe në orët e mbrëmjes e prisnin disa vizita të tjera shtëpiake. Gjithsesi Fridolini shpresonte së paku të mos vinin që ta thërrisinin sërish natën vonë, siç kishte ndodhur sot.

E përshkoi sheshin e bashkisë që ndriçonte turbull si një pellg ngjyrëkafe, dhe i mësyu drejt lagjes familjare të Josefstadt. Ndjeu nga larg hapa kalimtarësh, ritmikë, dhe pa në një largësi më të madhe, një grup shtatë a tetë studentësh të cilët po vinin përballë tij. Kur të rinjtë u ndodhën nën dritën e një feneri, ai besoi se po i dallonte kapulecat blu të shoqatës studentore të gjermanëve. Nuk kishte bërë pjesë kurrë në ndonjë shoqëri studentore, por në moshën përkatëse disa herë ishte përplasur në duel me ata. Kujtimi i viteve universitare ia solli në mendje dy maska në ngjyrë të kuqe të cilat natën e shkuar e kishin marrë me vete në skenë dhe pastaj e kishin braktisur në mënyrë të pazakonshme. Studentët ishin afruar, flisnin me zë të lartë dhe qeshnin; ndoshta ndonjëri prej tyre tashmë e kishte njohur në spital? Por me atë dritë të pamjaftueshme ishte e pamundur t'ua shquaje fytyrat. U desh të bëhej petë pas murit për të shmangur përplasjen me ata; - tashmë ata kaluan; vetëm i fundmi, një gjatosh me kapotë të hapur dhe me një fasho në syrin e majtë, duket se po vonohej qëllimisht dhe ia dha Fridolinit një goditje me bërryl. Nuk mund të ishte diçka e rastit. Çka i ka shkuar në mendje, dyshoi Fridolini, dhe u ndal vetvetiu; tjetri bëri të njëjtën gjë pas dy hapash, u shikuan kështu për një çast në sy shumë nga afër. Por sa çel e mbyll sytë Fridolini ia ktheu shpinën dhe vazhdoi rrugën e tij. Ndjeu një qeshje të shkurtër pas vetes, do të rikthehej prapër për t'u përballur me djaloshin, por ndjeu një shpeshtim të çuditshëm të rrahjeve të zemrës bash si dikur para dymbëdhjetë apo katërmbëdhjetë vjetësh, kur dikush kishte trokitur dhunshëm në derë, ndërkohë që Fridolini ndodhej me njomëzaken e hijshme që parapëlqente gjithmonë të tregonte historirat gazmore të një të fejuari i cili jetonte larg dhe ndoshta në fakt nuk ekzistonte fare; në realitet nuk kishte qenë tjetërkush veç postieri që trokiste në derë në atë mënyrë harbute. Dhe tani e ndjente zemrën t'i rrihte si atëherë. Çfarë po ndodh, e pyeti veten, dhe vuri re se po i dridheshin paksa gjunjtë. Zhburrërim...? Hajvanllëqe, tha ai. Ndoshta duhej të grindesh me një student sarhosh, unë, një burrë tridhjetë e pesë vjeç, mjek, i martuar, baba i një vajze! Sfidë! Arbitra! Duel! Dhe më në fund një plagë e fortë në krah për një provokim të tillë të marrë? I pazoti për të shkuar në punë për disa javë? Apo humbja e ndonjë syri? Apo edhe më: infektim gangrenoz...? E pas tetë ditësh...zgjatur nën batanijen e murme si ai zotëria në Schreyvoglegasse! Zhburrërim...? Ishte ndeshur tri herë me shpata dhe një herë kishte pranuar edhe një duel me pistoleta, pastaj çështja ishte zgjidhur në mënyrë paqësore, natyrisht jo me nismën e tij. Dhe ky profesioni i tij! Rreziqe nga çdo anë dhe në çdo çast, vetëm se dikujt i tekej. Sa kohë kishin kaluar prej kur një fëmijë me difterit iu kishte kollitur në fytyrë? Tri katër ditë, jo më shumë. Ajo ishte gjithsesi një ngjarje edhe me e rëndë se ndeshja me shpata. Prapë se prapë, ai nuk e kishte çuar mendjen më atje. E pastaj, nëse do ta takonte prapë atë sarhoshin, vetëm sa do ta kishte skjaruar çështjen dhe asgjë më shumë. Gjithsesi nuk ishte i detyruar, në mes të natës, ndërsa po kthehej nga një i sëmurë ose po shkonte tek një i sëmurë fundja edhe kjo ishte e mundur , - jo nuk ishte në të vërtetë i detyruar të kundërvepronte për një sulm të marrë të një studenti endacak. Ndërkaq, sikur tani t'i ishte shfaqur përballë ai djaloshi danez me të cilin Albertina..., por jo, e kush e çonte mendjen te ai ndonjëherë? Epo në fund të fundit ishte njësoj sikur të kishte qenë i dashuri i saj, ose edhe më keq se kështu. Po, sikur t'i shfaqej tani ai përballë në atë çast! Oh, do të kishte qenë një kënaqësi e mirëfilltë të mund të qëndronte përballë diku ku nuk ndihet kënga e gjelit dhe ta pështeste në atë kokë bjonde e me flokë të drejtë tytën e pistoletës.

 

Me një frymë, duke kaluar gjysmën e rrugës, u gjend në një rrugë të ngushtë, ku silleshin vërdallë vetëm gra të shthurura në gjahun nator të burrave. Çfarë atmosfere fantazmash, mendoi ai. Edhe studentët me kapela blu do të shndërrohen menjëherë fantazma në kujtesën time, kështu madje Mariana, xhahxhai dhe halla, të cilët tani i përfytyroi të kapur duarsh rrotull shtratit të vdekjes të këshilltarit bashkiak; edhe Albertina, e cila dukej si e zhytur në një gjumë të thellë, me duart e kryquara prapa zverkut deri edhe vajza, e cila në këtë orë flinte e mbledhur kutullaç në shtratin e vogël të bardhë, dhe edhe amvisa me mollëzat e kuqe të faqeve dhe me nishan në tëmthin e majtë të gjithë në sytë e tij ishin shndërruar në figura absolutisht të fantazuara. Edhe pse kjo ndjesi e bënte të skuqej paksa, gjithsesi ia ngjallte, në të njëjtën kohë, një qetësi të tillë e cila e bënte të çlirohej nga çdo përgjegjësi, e domosdo ta shkëpuste nga çdo lidhje me njerëzit.

 

Njëra nga ato kalimtare e ftoi Fridolinin të shkonte me të. Ishte një krijesë hirplote, ende shumë e re, tejet e zbehtë, me buzët e ngjyera kuqrrem. Edhe një aventurë e tillë mund të përmbyllet me vdekje, mendoi ai, vetëm se fundi nuk do të ishte aq i rrufeshëm! Prapë një zhburrërim? Në thelb po. Ndjeu prapa shpinës së tij hapat e femrës dhe pastaj zërin e saj. "Atëherë, shkojmë, doktor?"

 

U kthye pavullnetshëm. "Si më njihke?" e pyeti.

 

"Nuk ju njoh," tha ajo, "por në këtë lagje janë të gjithë mjekë."

 

Nuk kishte pasur të bënte me një femër të tillë qysh prej viteve të gjimnazit. Përndezja që ia ajo krijesë ia ngjallte ndoshta kishte me vete ndjesinë e rikthimit të atypëratyshëm të adoleshencës? Iu kujtua një i njohur i rastësishëm, një djalë me shtat të hedhur, i cili thoshte se kishte një fat të pamasë me femrat. Me atë djalë ai kishte kaluar disa orë në një lokal nate në përfundim të një feste me kërcime. Para se të largohej nga lokali me njërën prej këtyre entraîneuses, me shikimin tejet të mrekulluar, kishte shqiptuar fjalët: "Tek e fundit femrat janë gjëja më e rehatshme; - dhe nuk janë as ndër më të këqijat e shumë gjërave të tjera në këtë botë."

 

"Si të quajnë?" e pyeti vajzën Fridolini.

 

"Epo, si do të dëshiroje të na quanin ne? Mici, natyrisht." Kishte hapur me çelës derën e shtëpisë, kishe hyrë dhe po priste që Fridolini t'i shkonte pas.

 

"O burra!" tha ajo, ngaqë ai nguronte. Përnjëherë sa Fridolini u gjend pranë saj, porta u përplas pas shpinës së tij, vajza e mbylli me dry, ndezi një qiri të vogël dhe bëri pakëz dritë. "Jam i çmendur?" pyeti veten. "Natyrisht, nuk do ta prek me dorë."

 

Në dhomë ishte një llambë me vajguri. Fridolini ia rriti flakën, ishte një mjedis shumë mikpritës, i mirëmbajtur, dhe gjithsesi ndjehej një aromë më e pranueshme se në shtëpinë e Marianës, për shembull. Natyrisht atje brenda nuk kishte një plak të sëmurë që dergjej në shtrat. Vajza buzëqeshi, iu afrua me lezet Fridolinit, i cili e largoi ëmbëlsisht. Pastaj ia tregoi një ndenjëse që tundej ku ai u zhyt me kënaqësi.

 

"Duhet të jesh shumë i lodhur," i tha ajo. Ai pohoi me kokë. Dhe tek zhvishej ngeshëm, vajza shtoi:

 

"Kuptohet vetiu, një burrë si ti kushedi sa punë të panumërta ka gjithë ditën e lume. Për një si unë, natyrisht, jeta është më e lehtë."

 

Fridolini e pa se buzët e saj ishin krejtësisht pa të kuq buzësh, por kishin një ngjyrë krejtësisht natyrale dhe ia bëri një lëvdatë.

 

"Pse duhet të vë të kuq buzësh?" e pyeti. "Sa vjet mendon se kam mbushur?"

 

"Njëzet," deshi të bënte sikur po e gjente saktësi Fridolini.

 

"Shtatëmbëdhjetë," iu përgjigj ajo, u ul në gjunj dhe i hodhi krahët prapa zverkut, si një fëmijë.

 

Kush vallë në botë mund të hamendje se unë gjendem në këtë dhomë? Unë vetë a mund ta kisha quajtur të mundshme deri para një ore, deri para dhjetë minutash? E pse? Pse? Ajo u përkul ta puthte në buzët, ai u zbraps; vajza e shikoi krejt e mrekulluar, paksa e trishtuar, dhe e lëshoi veten sipër gjunjve të tij. Fridolinit kjo i ngjalli keqardhje, sepse ai përqafim shprehte pa masë çiltërsi ngushëlluese.

 

Vajza mori një veshje të kuqe dhome, e cila ishte vënë mbi një anë të krevatit, e hodhi sipër vetes, dhe i bëri duart kryq mbi kraharor, duke mbuluar kështu pothuaj krejt trupin.

 

"Mirë kështu?" pyet vajza pa të keq, pothuaj e ndrojtur, a thua se donte të kuptonte. Fridolini nuk dinte tamam si t'i përgjigjej.

 

"E ke gjetur saktësisht," tha ai më në fund, "jam vërtetë i lodhur dhe do të më pëlqente të shtrihesha në ndenjësen që kolovitet, thjeshtë duke të dëgjuar ty tek flet. Ke një zë kaq të ngrohtë dhe të ëmbël. Fol, më trego diçka."

 

Vajza po rrinte ulur në shtrat dhe e tundi kokën. "Ke vetëm frikë," tha ngadalë ajo, pastaj foli me vete, pothuaj nën zë: "Medet!"

 

Kjo fjala e fundit ngjalli te Fridolini pothuaj një tundim të menjëhershëm. Iu afrua asaj, hapi krahët ta përqafonte, i tha se ajo i frymëzonte besim të plotë, dhe ndoshta ishte tamam e vërtetë. E afroi pranë vetes, e ledhatoi ashtu si ledhatohet një femër, si ledhatohet një vajzë të cilën e dashuron. Por ajo kundërshtoi, Fridolinit i erdhi turp dhe më në fund nuk ngulmoi më gjatë.

 

Ajo tha:

 

"Nuk i dihet kurrën e kurrës, një herë e një tjetër do të më rastisë edhe mua kjo gjë. Bën shumë mirë që frikësoshesh. Po të të ndodhë gjë, do të më mallkosh."

 

I kundërshtoi me vendosmëri të madhe paratë që ai ia zgjati për t'ia dhënë. Dhe ai nuk mund të vazhdonte të këmbëngulte. Vajza hodhi mbi shpatulla një shall të vogël blu prej leshi deleje, ndezi një qiri, i bëri dritë me të duke e zbritur shkallëve dhe ia hapi derën e madhe të shtëpisë. "Tashmë gjithë ditën e ditës sot do të rri në shtëpi," tha ajo.

 

Fridolini ia mori dorën dhe vetvetiu ia puthi. Ajo e shikoi e befasuar, pothuaj e trembur, pastaj qeshi si e zënë ngushtë dhe gjithsesi e lumtur. "Si një zonjusheje të sjellshme," tha ajo.

 

Dera e madhe u mbyll prapa shpinës së tij dhe Fridolini, me një shikim të shpejtë, e nguli në mendje numrin e shtëpisë që të nesërmen të mund t'i sillte verë dhe gjëra të tjera të shijshme asaj vajze të gjorë, asaj vajze të dhembshur.
Përktheu Elida Buçpapaj


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa IV (01.13.2010)
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa V (01.13.2010)
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa VI (01.13.2010)
Arthur Schnitzler ËNDËRRA E DYFISHTË Pjesa VII (01.13.2010)
Një nga librat më të bukur të poezisë shqipeNga Qazim D. Shehu (01.11.2010)
PËRGJËRATË: UDHËS PËR TEK NËNAKushtuar Gjylë Buçpapajt (1918-2007)Nga Skënder BuçpapajUa kushtoj këtë poemë veç nënës time, të gjithë nënave dhe bijve që kanë përjetuar çka kemi përjetuar ne të dy (12.31.2009)
KAM ZGJEDHUR VUAJTJEN TIME, KAM JETUAR ËMBËLSITË E MIA, EDHE PSE RINIA SI ËNDËRRAT MË ËSHTË TRETURPoezi nga OSKAR UAJLLD (Oscar Wilde, 1854-1900) (12.25.2009)
KA VALLË NJË KRUA ZEMRA JOTE E VOGËL, KU LULE TË DRUAJTURA LËSHOJNË GONXHE?Poezi nga EMILY DICKINSON (1830-1886) (12.16.2009)
POEZIA ZVICERANEPërkthime nga ANTON PAPLEKA (12.05.2009)
NDALO,PRA,MOS VALLËZO ME NGUTJE,KOHA ËSHTË E PAKËT, MUZIKA NUK ZGJAT SHUMË Poezi nga JORGE LUIS BORGES (11.20.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]