VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - DR. GËZIM ALPIONI DHE POETIKA E NJË VËSHTRIMIEssé nga XHEMAIL ALI PECI

                                                                                      

E Premte, 05.03.2024, 10:07pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
KËNDI I SHKRIMTARIT
 

DR. GËZIM ALPIONI DHE POETIKA E NJË VËSHTRIMI

Essé nga XHEMAIL ALI PECI


E Djelë, 08.08.2010, 06:33pm (GMT+1)

 

 

Një Parathënie vjen si një Zëdhënie, sa e fortë aq edhe e qartë, e përmbledhur në dy fjalë: Shpresojmë në Shpresë. Shaploset kështu hijeshia dhe bukuria e një shkrimi, madhështia dhe bardhësia e një përjetësimi, mençuria si dhe bujaria, sa edhe vetëdijësimi e ndërgjegjësimi, sa kombëtar po aq edhe njerëzor.

Shtjellimi rreth shpirtit të kombit të kujton pa dashje Lasgushin: Fishta është shpirt i kombit e shkëmb i kombit shqiptar...

Skenat tragjike të emigrimit të shqiptarëve të përkujtojnë intelektualët e mëdhenj: Leonik Tomeun e Marin Beçikemi, Marin Barleti e Gjon Gjin Gazuli, të cilët në shkrimet e tyre pikasnin tablot trishtueshe të bashkëkombasve të shpërngulur nga Arbëria: Edhe armiqtë sado armiq qenë nuk i përmbajtën dot lotët nga vuajtjet dhe mjerimet e atyre që po lenin vatrat dhe atdheun në ekzodin biblik, pas vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skëndërbeut.

Emigrimet, eksodet gjatë historisë, sfidat dhe kryengritejet e shumta për liri e pavarësi, për përparim kombëtar e shoqëror, për dije dhe Kulturë....Masakra e Manastirit e Masakra e Tivarit, masakra e Peshkopisë, Tragjedia e Otrantos dhe Tragjedia e Gërdecit.

Historia përsëritet në rrethin tonë vicioz, për fatin tonë të tillë që shkruar e ka penda e fatit të pafat!?...

Në rrethana pothuaj të ngjashme, Dom Ndre Zadeja, do të klithste: Dëshmitare, ty të thërras, o e tepruemja duresë shqiptare...e Elena Gjika përkujtonte me të drejtë se: Shqiptarët janë të shpërndarë si flatrat e sibilave të Virgjilit...

Shpresojmë në Shpresë.

Kjo kthesë, kjo klithmë, kjo thirrje, kjo zemërthirrje, e mbushur me lot gëzimi, me ankth, me mallëngjim dhe njëherësh edhe me ngazëllim të heshtur, e shoqëruar me një dridhje zemre e me një trandje shpirti, të shtynë të mendosh shumë dhe thellë.

Po.

Shpresojmë në Shpresë.

Prandaj nuk ka asnjë fije dyshimi, rrjedhimisht nuk ka asnjë pikë mëdyshjeje se ky brez që shpreson në shpresë, brezi të cilit i takon edhe Dr. Gëzim Alpion, me vetëdije të plotë morale dhe intelektuale, i ka hyrë një rreziku, sa të lashtë, po aq edhe të ri, sa të madh po aq edhe serioz, për të cilin as dje dhe mjerisht as sot, as sot e madje as mot, pushtetarët, pushtetmbajtësit dhe pushtetbërësit, urdhëronjësit dhe urdhërzbatonjësit e herarkisë shtetërore, nuk do t'i falin kurrë mendnimtarët, sa herë që këta të fundit e vënë krenarinë përmbi lumturinë, mençurinë përmbi pasurinë, intelektin përmbi salltanetin, modestinë përmbi çmendurinë, do me thënë përmbi luksin e shthurur e të telendisur, dinjitetin njerëzor dhe kombëtar-përmbi interesin, dhe tutje-tëhu, çka është më e bukura dhe më e hijshmja, më e madhërishmja dhe më e njerzishmja, e kanë vënë shtetin përmbi xhepin.

S'është pra aspak e rastësishme pse jo rrallë pushtetarët dhe politikanët shëmbëllejnë aq shumë me Platonin në pikën që i përjashton poetët, rrjedhimisht intelektin dhe frymëzimin, krenarinë dhe guximin si komponentë të sferave të larta krijuese, nga Republika e tyre Parlamentare, duke sfiduar qoftë në mënyrë të vetëdijshsme apo edhe në mënyrë të pavetëdijshme, të vërtetën e qartësisë lapidare, se Republika e Letrave Shqipe i ka parapri Republikës së Shqipërisë.

Zonja dhe Zotërinj të politikës parlamentare, Zemërthirrja Shpresojmë në Shpresë, në interpretimin e mendësisë së mirëfilltë intelektuale shqiptare, do të thotë fare qartë se Republika e Mendësisë i ka parapri Republikës së Shtetësisë së Shqipërisë, ku të gjitha luftërat, të gjitha betejat me shpatë dhe me pushkë, me jatagn dhe me dyfek, me pendë dhe me pushkë, të gjitha përpjekjet prometheistike të gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë, të brezave dhe gjeneratave të shqiptarëve atdhetarë, të gjitha misionet dhe vizionet e tyre luftarake dhe diturore, kanë pasur një qëllim të vetëm, që ky shtet të jetë, sa kombëtar po aq edhe social, të jetë pra një rrufepritës mbi kokën e shqiptarit, apo e thënë sa më shqip dhe më poetikisht, shteti shqiptar të jetë si një plis mbi kokën rrethuar me vetëtima dhe me rrufe, me shqota dhe me suferina, me zezona dhe me ligatina, me rreziqe, me sfida dhe me ndeshtrasha, me batërdi dhe me lukuni, me armiq të vjetër dhe me danaj të ri.

Që nga Ilirët e deri tek Adem Jasharët, mendjet më të ndritura të këtij kombi, burrat më të fortë dhe burrat më të urtë të këtij trualli, me trimërinë dhe me mençurinë e tyre, e kanë pasur lirinë si gjakim të tyre mendor dhe shpirtëror, e gjakim parësor e kanë pasur lirinë dhe diturinë, përparimin dhe begatimin e kombit dhe të atdheut tonë të shumëvuajtur.

Kam denjuar prandaj për ta lexuar Parathënien e Dr. Gëzim Alpionit, me një prirje të këtillë, që më ka shtyrë dhe më shtynë vazhdimisht për të guxuar dhe menduar, për të gjykuar, për të besuar dhe për të shpresuar se Brezi i Shqipërisë Intelektuale që rron dhe vepron jashtë Atdheut, ashtu si edhe brezi i Shqipërisë Intelektuale që gjallon brenda Atdheut, takohen në një pikë të përbashkët:

Shpresojmë në Shpresë.

Kështu ka shpresuar, kështu ka menduar, kështu ka besuar dhe kështu ka guxuar edhe Mendësia Intelektuale e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, kështu ka shpresuar, kështu ka menduar, kështu ka besuar dhe kështu ka guxuar edhe brezi i At Anton Harapit, Vinçenc Prendushit, Dom Ndoc Nikajt, Ernest Koliqit, Ethem Haxhiademit, Trifon Xhaxhikës; kështu ka shpresuar, kështu ka menduar, kështu ka besuar dhe kështu ka guxuar edhe brezi i Osman Kazazit, Musine Kokolarit, At Zef Pëllumbit, Adem Demaçit, Fazli Graiçevcit , Kosovë Rexhë Balës a Teki Dervishit; Genci Lekës, Vilson Blloshmit, Bilal Xhaferit e Havzi Nelës (kur e sfiduan dhe i dolën ballë për ballë Diktaturës më të Përgjakshme në Evropën Juglindore), brezi i Ajet Haxhiut (me librat monografi për Hasan Prishtinën e Qerime Shote Galicën), i Sylejman Krasniqit (romancieri i shquar me ciklin e romaneve të Rilindjes Kombëtare: Qielli i Përflakur, Mic Sokoli e Oso Kuka); brezi i Vehbi Skënderit (një polemist i zoti e me gjykim të thellë prej vizionari, i cili me artikullin e tij historik: Kush poi fryen këtij zjarri antikombëtar e antikosovar, të kujton polemistin atdhetar Nikë Barcolla kur shkroi pamfletin-polemikë të famshëm: Skandali Cordignano dhe Mbrojtja e Kombit Shqiptar; brezi i Mujo Buçpapajt (në botën mendore dhe shpirtërore të të cilit zien Epika e Kreshnikëve), i Skënder Buçpapajt (një publicist i pakompromis i cili ua ka çjerrur maskat fort keq pinjojve të demagogjive të stërholluara në gunën e tyre), brezi i Elida Buçpapajt një publiciste e cila jo vetëm e ka nderuar por edhe e ka lartësuar si traditën kombëtare ashtu edhe ate familjare; kështu ka menduar, kështu ka besuar dhe kështu ka guxuar edhe brezi i Mendësisë së Mërguar Intelektuale i Shqipërisë së Papajtuar, Brezi i Mendësisë së Mërguar Intelektuale i Shqipërisë së Panënshtruar, i përfaqësuar me fjala vjen fillimisht me personalitete të shquara si profesor Luan Gashi a Dr. Isuf Luzaj, e duke vazhduar më tej me Arshi Pipën si poet disident në Amerikë, e me profesor Sami Repishtin, Elez Biberajn e Vehbi Bajramin; me Martin Camajn, poet dhe studiiues i albanologjisë në Gjermani , brezi i hershëm i Fehmi Zavalanit, Dervish Dumes e Anton Logorecit (në Londër), Lumo Skendos (Mithat Frashëri), Namik Resulit, Nexhat Peshkëpisë, Pashko Bardhit, Stavro Skendit, Vasil Alarupit (Bendo Shapërdani), Zef Valentinit; brezi i Selam Rizës që heshtjen e përdornin si Diogjeni kur u thoshte: Ma lëshoni hisen e diellit; brezi i Skënder Luarasit e i Zekeria Rexhës, brezi i Jusuf Gërvallës e i Enver Hadrit, i Aristridh Kolës (intelektual shqiptar i likuiduar nga shërbimet sekrete të shtetit grek); brezi i Vorea Ujkos, Françesko Altimarit, Karmeli Kandrevës e Kate Xukaros ndër Arbëreshët e Italisë; kështu ka aspiruar në vizionin e tyre edhe brezi i Visar Zhitit, Hamit Alisë, Thanas Jorgjit,apo edhe i Uran Butkës, Bardhyl Londos, Sylejman Matos, Frederik Rreshpjes, Ndoc Paplekës, Agim Gjakovës, i Agim Spahiut (Poeti i Dy Drinave), Mimoza Ahmetit, Luljeta Leshanakut etj.; kështu ka aspiruar dhe shpresuar e shpreson edhe Brezi Mërgimtar Intelektual Shqiptar i Skënder Sherifit (poet në Belgjikë),Gëzim Hajdarit (poet në itali), Agim Shehut (poet në Zvicër), Rudolf Markut (poet në Angli), Dr. Gëzim Alpionit (krijues akademik në Angli), brezi i Faik Lutës (një gazetar i përkushtuar që në Kosovë, i cili qysh si student në Universitetin e Prishtinës i sfidonte klishetë dhe stereotipet e Partisë së kuqe në pushtet); brezi i Alfons Zenelit (përfaqësues tipik i një gazetarie mosbindëse e shpesh kryengritëse kundër padrejt.sive shoqërore e kombëtare); i Vitore Stefës-Lekës (krijuese në Itali), i Shqipe Malushit e i Kozeta Zylos (në Amerikë), i professor Nexhip Albanit në Turqi, Muhamed Mufakut e Abdylatif Arnautit në Siri, Baki Ymeri (një poet atdhetar e një përkthyes i shquar në Rumani), e sa e sa të tjerëve...

Ëshë thënë me të drejtë se gjuha është shpirti i një kombi, shpresa është forca përtëritëse e tij, ashtu siç është muzika thellim i qiellit.

S'ka ma Dukagjin e s'ka ma Shqypni. Kështu i thoshte Knjaz Nikolla i Malit të Zi Mehmet Shpendit, Udhëheqësit popullor të Djelmënisë së Shalës, kur Shala e Shkodra po digjeshin në flakë e po laheshin në lumenj gjaku.

Ka ma Dukagjin, e ka ma Shqypni, ia kthente Fatosi i Maleve Kreshnike e Tribuni Popullor Mehmet Shpendi, të cilin rapsodi pupullor në telat e vajatueshëm të drurit të zgavruem të lahutës kreshnike, e përjetësoi në dyvargëshin: Në luftë për liri u njoh me Bajram Currin, me Hasan Prishtinën e me Dedë Gjo Lulin.

Dr. Gëzim Alpion i beson forcës ripërtëritëse të kombit të tij, ndaj edhe e vë në spikamë zotësinë e autorit të romanit për ta shfaqur këtë si një forcë të veçantë, në saje të së cilës kombi ka mbijetuar dhe ka gjallëruar mes luftërave dhe rreziqeve të shumta.

Duke i dhënë një parathënjeje të tile një titull tejet domethënës, si Alpion, ashtu edhe autori i romanit e sfidojnë të njëjtën gjë: Poshtërimin. Ata e njohin emigrimin, e kanë provuar se kush me lëkurën e vet, ashtu si fjala vjen dhe personazhet e romanit, por ata nuk e pranojnë poshtërimin. Alpion vë titullin tepër domethënës: Thanas Jorgji dhe Emigrimi i Poshtërimit, por qëndresa e personazheve, ironia dhe sarkazma që bëjnë ata, pos vuajtjeve dhe përbuzjeve, si lajtmotiv nxjerr qëndresën përballë tendencës për të poshtëruar "˜të huajt e mallkuar', të emigruarit, ata që jo vetëm fati, por edhe politika aspak perkëdhelëse e Evropës mëmë i ka katandisur tutje-tëhu.

Duke e nisur parathënien e tij me një persiatje rreth mistikëve (prej të cilëve shquheshin Xheladin Rumi, Hafizi Shiriaz, Anvari, Rudaki, Saadiu e edhe Firdusi) dhe ate që ata e quanin " nata e errët e shpirtit", Dr. Gëzim Alpion ripërkujton se sa netë të tilla ka kaluar kombi ynë i përvuajtur.

Nata e shpirtit, shpirti i kombit, shenjtorët e shpirtit, shenjtorët e lartpërmendur të shpirtit, zëdhënës i shpirtit të një populli/kombi, shpirti i civilzuar i një kombi, lodhur në shpirt, forca ripërtëritëse e shpirtit të kombit shqiptar, shpirti i civilizuar i një kombi etj, janë disa prej sintagmave dhe shprehjeve të cilat Dr. Alpion i ka përdorur si bazën, strumbullarin e parathënies së tij. Shpirti pra, shpirti i një kombi të tërë, i cili shpaloset herë përmes personazheve që e përfaqësojnë këtë komb, e herë përmes ngjarjeve historike ku prapë shpirti i këtij kombi del në sfond, është poetika e shprehjes dhe është brumi i qëndresës shumëshekullore:

"Udhëtimi fizik është temë qëndrore në këtë roman por më të rendësishme janë odisea dhe transformimi i shpirtit individual dhe kolektiv që përjetojnë emigrantët. Këtu qëndron forca e Jorgjit", konstaton Dr. Alpion, duke mbitheksuar gjithashtu se: "Të rrëfesh transformimet e shpirtit të njeriut apo të një morie personazhesh në letërsi është një sfidë me vete; të analizosh dhe të bëhesh zëdhënës i shpirtit të një populli dhe kombi të tërë është një angazhim të cilin shumë krijues e marrin përsipër por vetëm pak e realizojnë me sukses".

Mision dhe vizion sa i vështirë po aq edhe i dlirë, të cilit Gëzimi ia jep hakun e merituar përmes një anafore poetike të latuar mirë e gjithë kuptimësi:

"Si një Homer i verbër, autori e fashit prezencën e tij fizike.

Ai është i kudondodhur.

Ai është çdo njëri në çdo cep të Shqipërisë ku fillojnë rrëketë e njerëzve që si një ortek me shpejtësi marramendëse shndërrohen në një magmë të papërmbajtshme.

Ai është në çdo kamion, taksi dhe tren që ka për destinacion Portin e Durrësit.

Ai kacaviret në litarin e anijes si mijëra të rinj e të moshuar, gratë shtatzëna dhe viktimat anonime që i përpin deti.

Ai shoqëron mijëra bashkëpasagjerë në stadiumin-kafaz të barit por në të njëjtën kohë nuk e "braktis" gjysmën tjetër të ngujohet në portin e qytetit që ngjan më tepër me një kopësht zoologjik".

Një kontrast tepër i madh mes asaj që përpunonte Naim Frashëri në vizionin dhe në misionin e tij: Parajsa dhe Fjala Fluturake, apo nga ajo që shkruante edhe Faik Konica, Princi i Gjuhës Shqipe (siç e ka quajtur me të drejtë Gijom Apoliner); Shqipëria Kopësht Shkëmbor i Evropës Juglindore. Po ja që rrokullisja e ngjarjeve e ka bërë një qytet të saj si një kopësht zoologjik. I tillë shpaloset realiteti i hidhur në roman.

Sa kohë ziliqare, nëpër të cilat shpesh pikon gjak e pikon shi, nga sytë e tu e nga kurmi yt Mëmë Shqipëri...

Dr. Gëzim Alpion e vë theksin tek ndërgjegjësimi i autorit se: "roman ii tij nuk është "˜argëtues' ". Në roman.:" tragjikja binjakëzohet me komiken", nënvizon Alpion. Ai e di se humori mund ta njeh për atdhe Anglinë fjala vjen, kurse këngët e vajtueshme të drunit të zgavruem me lahutë e çifteli, e njohin për atdhe Shqipërinë, prandaj kur Dr. Alpion thotë me të drejtë se: "Humori bëhet bashkudhëtari më i besueshëm i këtyre qenieve pa fat që braktisin veten në dorë të një fati që nuk i dihet fundi", ai të përkujton pa dashje thënjen e njohur të Bajronit: Qeshem se s'mund të qajë...

Duke ia shquar meritën romancierit, Dr.Alpion tërheqë paralele mes autorit dhe shkrimatrëve të kalibrit botëror: "Ndjekja nga policia nëpër rrugët e Barit e autobusit të drejtuar nga Nidha është një nga skenat më të arrira tragjiko-komike në letërsinë bashkëkohore shqiptare, e denjë për penën e Servantesit. Në Evropën e lirë të ëndërruar me çiltërsinë e të miturve, refugjatët kriminalizohen vetëm se ëndërrojnë të ndërtojnë një jetë më të mirë". Ai tërheqë gjithashtu paralele mes "kick-writing" të Kerouac-it: "në romanin e tij të parë ky autor regjistron në prozë dhimbjen njerëzore me intensitetin që vihet re në "˜Guernica' të Pikasos".

Gjitahshtu, Dr.Alipon e thekson dështimin moral të Perëndimit, të cili autori e ka dhënë me mjeshtëri përmes personazhit të Dante Kalogjerit:

"Puthja e pllakave të sheshit qëndror në Tiranë, i cili kujton se më në fund, mbërriti në qytetin e lindjes Peruxhia, është nja nga skenat më të arrira të ironisë dramatike që kam lexuar ndonjëherë. Ky moment simbolizon braktisjen e dytë të Dantes nga Italia dhe ri-bashkimin e tij në patrian e adoptuar.

Amnezia Dantes është një bekim i trishtueshëm ndërsa amnezia e shtetit Italian e dënueshme."

Sa ironi e madhe e fatit, qoftë edhe për një personazh romani, madje edhe me emrin e poetit të madh, të cilin autori duket se nuk e ka zgjedhur rastësisht! Dantja i ka puthur pllakat e sheshit qendror në Tiranë, ashtu siç e ka puthur tokën e Shqipërisë edhe Papa Gjon Pal i II-të, kur pat mbërritur në Aeroportin e Rinasit...

Ironi e fatit apo kontrast i shenjtë?!...

Vihen kështu ballë për ballë, madje për të satën herë, edhe përmes tablove të një romani, ajo që Alpion e quan me të drejtë "Dështimi moral i Perëndimit" dhe qëndresa e forca morale dhe shpirtërore e shqiptarëve të detyruar për të emigruar, për të satën herë në historinë e tyre.

Pasi që i ka bërë një analizë të hollë, romanit në fjalë, Dr.Alpion konstaton me të drejtë se:' Ëndrrat treten në mëmngjes' është padyshim romani më i arrirë për eksodin e shqiptarëve në fund të shekullit njëzet. Dhe jo vetëm i shqiptarëve. Ky roman simbolizon tragjedinë e miliona njerëzve fatkeqë për të cilët mërgimi sshpresdhënës kthehet në një llahtar pa fund".

Do me thënë, e veçanta bëhet e përgjithshme, ndërsa Evropa për shqiptarët sikur edhe më shumë mbetet buzëqeshja enigmatike e Mona Lizës, të cilës shqiptari sikur i drejtohet me fjalët e Dramës "˜Gjaku i Arbrit' të dramatutgut Fadil Kraja:

Hije qofsh, zë, femër a krahëror pa zemër?!...

Ndërsa konstatimi që jep Dr.Alpion është tepër i drejtë dhe më se i qartë:

"Ndryshe nga shteti Italian, që vihet në lëvizje "˜për të bërë diçka' për refugjatët ngaqë e "˜zë turpi' si rezultat i jehonës senzacionaliste që i bën ekzodit media italiane që i filmon fatkeqët shqiptarë nga helikopterët "˜deri në fyerje', apo ngaqë duan të evitojnë ndonjë "˜vërejtje' që mund t'u vijë nga Komuniteti Evropian, zemërgjërësia e shqiptarëve të varfër por zemërbardhë në 1943 motivohej thjesht nga shpirti i civilzuar i një kombi i cili nuk ka lejuar kurrë që padrejtësitë historike t'i mjegullojnë ndjenjën e përgjegjësisë së shenjtë për njerëzit në nevojë, përfshirë edhe hallexhinjtë fqinj që ndonjëherë janë sjellë si barbarë me ne".

Por Dr. Alpion nuk harron dot as mirësinë e njerëzve të thjeshtë, të cilëve shqiptarët u mbeten mirënjohës:

"Në fillim të viteve 1990 ishin njerëzit e thjeshtë në Greqi dhe Itali që ndihmuan popullin tonë të "˜dezertuar' ndërsa policia greke dhe karabinieria italiane i ndiqte refugjatët shqiptarë siç ndiqen kafshët nga gjahtarët e pashpirt".

Ballë për ballë, për të satën here gjatë historisë: Shpirti i civilzuar i një kombi dhe dështimi moral i Perëndimit (siç shprehet me të drejtë Dr. Gëzim Alpion) karshi detyrimit kundrejt këtij kombi. Prandaj kishte të drejtë Ndre Zadeja kur thërriste: Ty të thërras, o e tepruemja duresë shqiptare...

Po nuk është vetëm kaq sfondi ku e hedhë dritën, si autori ashtu edhe Dr. Alpion. Eksodi i gushtit 1991, tranzicioni, demokracia e brishtë si dhe klasa politike, janë disa prej aspekteve që ndërthuren, direkt apo indirekt, si në roman ashtu edhe në realitetin e vrazhdtë të jetës shqiptare:

"Të shkruash për eksodin e Gushtit 1991 në një kohë kur plagët, brengat dhe kujtimet janë akoma të freskëta dh veçanërisht në një kohë kur demokracia në Shqipëri shpesh duket si një "˜lindje' e stërgjatur dhe e mundimshme, aq sa ndonjëherë duket se do të rezultojë në një "˜dështak', si dhe t'i kujtosh popullit tonë të lodhur në shpirt nga rrumpalla e tranzicionit që duket se nuk ka fund, vuajtjet që hoqi gjatë dhe pas regjimit komunist është jo sadizëm por dëshmi e kurajos intelektuale të autorit dhe e besimit që ai ka në aftësitë e tij krijuese. Mbi të gjitha, ky roman shqetësues është prove e bindjes së Jorgjit në forcën ripërtëritëse të shpirtit të kombit shqiptar, të njeriut i cili përngjan me një feniks që ringjallet çdo herë që flakët e historisë shkrumbëzojnë përpjekjet e tij të stërmundimshme për të mbijetuar".

Po.

Këtij kombi ia kanë prerë edhe tokat e edhe kokat. Ia kanë prerë kokat si në Komisonin e Festës në Manastir (500 sosh, të krerëve më të zotë, të cilët i hëngrën me të pabesë), në Masakrën e Çamërisë nga Gjenerali Napoleon Zevra, ushtria e të cilit çau në mënyrën më barbare edhe barkun e lehonave çame; e në Masakrën e Tivarit (përmbi 4500 vetë), e madje edhe kur të tjerët na thanë: Rrezikzi kush lind shqiptar, ky komb nuk ra e nuk u shua që nuk u shua.

Dr.Alpion të përkujton thënjen lapidare e tepër transparent të shkrimtarit të shquar Ismail Kadare: Në rrugën e hordhive të çmendura gjithmonë është dashur të çohet dikush, dhe historia na ka zgjedhur ne...Vitet e dasmës dhe të gjjakut i mësuan Arbrit ate që nuk ia mësuan vitet e pesëvjeçarëve të parmendës dhe të ullirit...

Dr.Gëzim Alpion, si njohës i mirë, si i kulturës dhe letërsisë së Perëndimit, ashtu edhe i kultures e i letërsisë së Lindjes, si dramaturg dhe akademik, si vrojtues i hollë i padrejtësive jetësore dhe kombëtare, si kritik dhe si shkrimtar, si njohës i thellë i raporteve mes mediave dhe shoqërisë, si ligjërues universitar dhe si eseist i shquar, si orator dhe si autor i një vargu librash që kanë zgjuar interesim, si njohës i thellë i jetës dhe veprës së Nënë Terezës, jo rrallë i kthehet letërsisë shqipe dhe vrojtimeve e parathënieve, si fjala vjen për Ismail Kadarenë, Visar Zhitin, Thanas Jorgjin etj, ndërsa në tribuna e në shkrime ka mbrojtur me këmbëngulje personalitetin e Ismail Qemalit e të Faik Konicës, ashtu si dhe letërsinë dhe kulturën shqiptare nga ndërhyrjet dhe etiketimet e padrejta dhe joshkencore, por edhe çështjen e Kosovës bashkë me çështjen shqiptare, në shkrime dhe auditore të shumta.

E bukura dhe poetikja e Parathënjes që Dr. Gëzim Alpion i ka bërë Romanit të Thanas Jorgjit, veç nga ajo që u tha më lart, e për shkak të aktualitetit qëllimisht u shkëputën pjesë të shumta, qëndron në përmbylljen që mund të merret si një zemërthirrje tepër kuptimplote:

"˜Ëndrrat Tetën në Mëngjes' është një anti-Kështjellë kadareane. "˜Kështjellarët' e Jorgjit u zbuan nga Evropa të cilën nuk shkuan ta zaptonin. Zbimi i tyre ua treti ëndrrat. Por shpirti i tyre i lënduar u bë më i mençur. Ata mësuan, se të gjithë ne që jemi në mëgrim, se "˜El Dorado' jonë është trualli amëtar të cilin më tepër e kemi nëpërkëmbur ne se të huajt."

Dhe jo vetëm kaq:

"Ndoshta klasa politike shqiptare do ta kuptojë këtë fakt të hidhur një ditë. Më tepër se lexuesi i thjeshtë, romanin e Jorgjit duhet ta lexojnë me vëmendje politikanët shqiptarë që janë në pushtet apo që aspirojnë për të në mënyrë që eksode si i Gushtit 1991 t'i përkasin historisë. Shpresojmë në shpresë."

A ka dhe a duhet se si të thuhet më bukur?!

Shqipëria një Dhembje Shpirti.

Poenta është e qartë, do me thënë të mos harrojmë se çfarë na ka ndodhur, në mënyrë që të mos na përsëritet historia. Nga ky këndvështrim, edhe autori i romanit, ashtu si dhe autori i parathënies së romanit, e nënvizojnë ate që e ka përsëritur shpesh Ismail Kadare: Të mos harrojmë, e që në të vërtetë është vet vazhdimësia e Zemërthirjes Historike të Gjon Buzukut: Kujtesa është Bekim, Harresa është Mallkim. Këtë vetëdijësim, sa moral po aq edhe intelektual e thellësisht fisnik dhe detyrues, e hasim fjala vjen edhe në romanin e Visar Zhiti: "˜Funeral i Pafundmë', apo edhe në romanin e fundmë të Reshat Kripës: "˜Sekreti i varrit të vetmuar'. Historia na ka ardhur e tillë, sa pasardhësit e atyre që e përfytyruan dhe e projektuan Shqipërinë si një vend ku do të sendërtoheshin idealet e lirisë, të barazisë dhe të mirëqenies, nuk mund të rrijnë indifferent ndaj realitetit që na i ka gërryer zemrat dhe që na i ka vra mendjet tona. Nuk do mend pra, se këta pasardhës fisnikë e gjithë modesti, pasardhës të atyre që hapën shtigje në letrat shqipe e në kulturën shqiptare, do të preferonin më parë që të shkruanin romane për tema më të lumtura, por neurasteninë e tyre krijues, ashtu si dhe ndërgjegjen e tyre morale e kombëtare, nuk i lë të qetë krimi makabër i padrejtësive dhe i shëmtive historike, që aq mizorisht ka ra mbi fatin tonë dhe mbi të ardhmen tonë.

Funerali, varreza, varrezat masive etj, janë disa prej temave bosht në letrat e sotme shqipe. Kërkimi i eshtrave të ushtarëve Italianë, të rënë në Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri, nga një general Italian, qe bërë tema e romanit të njohur të Ismail Kadaresë. Kurse prapë, edhe në fund të shekullit njëzet, e madje edhe në fillim të shekullit njëzet e një, shkrimtarët shqiptarë do të shkruajnë romane dhe shkrime të tjera të shumta, por këtë rradhë për eshtrat dhe varrezat masive të shqiptarëve, për varrim-zhvarrimet e varrezat masive, të cilat i tejkalojnë përmasat e miteve dhe legjendave. Ato janë një realiet i hidhur i ankthit të jetës sonë kombëtare dhe shoqërore, dhe ato i kanë shkaktuar krimet macabre, kur fqinjët shovenë i morrën shqiptarët autoktonë nga tokat e në tokat e tyre stërgjyshore, duke i vrarë dhe masakruar çnjerëzisht dhe barbarisht, duke i djegur dhe pjekur fshehurazi, prandaj këtij ankthi, këtij makthi të pafund shkrimtarët shqiptarë me ndërgjegjen e tyre të prekur thellë, do t'u qasen sa e sa herë në shkrimet e tyre. E paradoksi është përsëritur prapë tinëzisht: Dikur shqiptarët ishin të ndarë në pesë shtete, e Shqipëria ishte i vetmi shtet në Europë që kufizohej me tokat shqiptare. Sot tokat shqiptare kufizohen me varrezat masive?! Këto varreza i kanë shkaktuar elaboratet e Akademive dhe Shkencave që kanë përpunuar dhe përpunojnë platforma shoveniste, si ajo e Ilia Gareshaninit: Naçertanja, e Vlladan Gjorgjeviqit: Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha, e Vasa Çubrilloviqit, e Nikolla Pashqit, e Ivo Andriqit, e Aleksa Shantiqit, e Aleksandër Rankoviqit, e Dobrica Qosiqit e Sllobodan Millosheviqit, platform politike të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Serbisë, me bazën tek Francuska 7...

Prandaj Harresa është Mallkim, prandaj Kujtesa është Bekim, na mëson Gjon Buzuku që prej pesë shekujsh.

Do me thënë, Kujtesa dhe Shpresa, Shpresojmë në Shpresë, kjo është Firma, ky është Firmamenti, që si një pe i kuq koinativ del në rrjedhën e shekujve, e ku shpirti i kombit prapë merr flatra shqiponje e ngjitet lartësive, madje edhe kur plagët e trupit akoma i kullojnë gjak.

Shpirtra të Bardhë të Shqipërisë Mëmë, apo siç do të thoshte Zef Serembe: Arbëria matanë detit, na kujton/ se të huaj jemi tek ky dhe. Apo siç thoshte Naimi i Frashëllinjve: Atje dita është tjetër ditë, dhe nata tjetër natë. SIç thoshte Çajupi: Atje ku është balta më e ëmbël se mjalta. Dhe më në fund, ashtu siç do të thërriste një poet arbëresh: O i shekujve shpirtbardhë, o shqiptar!

Vëmendja Intelektuale i thërret për të satën herë Vëmendjes Shtetërore:

Dy Shtete e Tri Universitete Shtetërore...

Vetëdija për Shqipërinë dhe për shqiptarët është vetëdije për ardhmërinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Forca Mendore e Rilindjes Kombëtare Shqiptare e mundi Portën e Lartë dhe Patriarkanën Greke, sepse Forca e Intelektit ngadhënjen mbi Forcën e të Padrejtit: Greqia e Pushtuar e mundi pushtuesin e pagdhendur...

Forca ngadhënjehet nga drejtësia, se ka Perëndi edhe për Shqipëri, ja të vdesim ja të rrojmë, është e jona Shqipëria, thoshte Plaku i Urtë e Burri i Fortë i Vlorës Trime, Ismail Qemali.

Samiu i Frashëllinjve në Programatikën e Tij Monumentale: Shqipëria ç'ka qenë, ç'është dhe ç'do të bëhet, sa bukur ka thënë, që paste bekimin aty ku ka rënë: Nëse Kryeministri i një vendi vete dhe e merr një vezë nga katundi, atëherë ministrant e tij vejnë dhe marrin të gjitha pulat e fshatit... Prandaj, një ditë Vetëdija Kombëtare për të Ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, do të ngritet edhe përmbi korrupcionin, edhe përmbi ekzodet massive, edhe përmbi fenomenin e hsëmtuar e të plagës që na ka kulluar e kullon gjak gjakmarrjes, do të ngritet se s'bën, madje do të ngritet në përmasat monumentale në të cilat Geteja i Madh, Zeus ii Vajmarit, ua tha gjermanëve: Jo Gjermaninë ta çojmë në Amerikë, por Amerikën ta sjellim në Gjermani...

Së këndejmi prandaj edhe mund të themi se fjala vjen, për Zhan Baptist Pokëlen Lily -Molierin francezët kanë thënë me të drejtë se fama e tij nuk ka nevojë për ne, ne kemi nevojë për famën e tij. Për Balzakun: Nëse shuhet Franca e shpëtojnë librat e tij nuk ka ndohur asgjë. Nëse do të ndodhte e kundërta, atëherë është një tragjedi. Për mjeshtrit dibranë, turqit kanë thënë: Nëse shaktërrohet Stambolli e shpëtojnë mjeshtrit dibranë, ata e ndërtojnë përsëri. Uniteti i ideve është më i fortë se uniteti i shteteve, ka shkruar Samiu, që sa bukur ka thënë, o Zot, e pastë bekimin aty ku ka rënë.

Urdhërat e Ndërgjegjës Kombëtare duhet të na vijnë për Krerë dhe të na bindin për Ushtarë, lëshonte kushtrimin e tij prej zemrës së zjarrtë, Poet i Pushkëve të Bardha, Shkodrani i Mençur e Shqiptari i Madh, Pashko Vasa. Kurse Ismail Qemali linte Porosinë e Tij të Madhe: Djemtë e mi, nuk bëra ndonjë pasuri të ju lë trashëgim, po ju lë amanet një Shqipëri. Lamtumirë!

E Jeronim de Rada ua bënte të qartë të gjithëve: Edhe sikur të na falni të gjithë botën, ne nuk i tradhtojmë interest e kombit bij të të cilit jemi.

Shtëpia Mbretërore e Anglizë ka Mbishkrimin: Zoti dhe Drejtësia Ime, Luigji i II kishte Mbishkrimin: Kush e prek, therret (dhe Emblema e tij kishte një tufë me therra); Margarita e Austrisë: Është një grindje të cilën është vështirë ta shpjegosh: Shtetet e Bashkuara të Amerikës: Prej shumë shteteve, vetëm një; Konfederata e Zvicrës: Një për të gjithë, të gjithë për një; Kardinali Rishelje: Mos braktis lartësitë; Akademia e Shkencave të Parisit: Gjej e perkryej; Akademi Franceze: Përjetësisht; Akademi Mbretërore e Madridit: Pastro, fikso dhe jep shkëlqim: Bertrand: Virtyti me jep ate që bukuria nuk ma jep; Gryphius (botues i shekullit XVI, në Lion): Me virtytin si udhëheqës e fatin për shok....

Pra, le të zgjedhim Një Mbishkrim Për Parlamentin Shqiptar - një Tribunë dhe një Tempull të Demokracisë së Mirëfilltë Shqiptare.

Një apo edhe më shumë, varësisht se sa demokratik të jetë Parlamenti dhe se sa demokratë të mirëfilltë do jemi ne. Fjala vjen, ate që tha Naimi: Shqipëri të qofsha falë, të kam mëmë e më ke djalë; Ti Shqipëri më ep nder, më ep emrin shqiptar, zemrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr. Apo edhe ate që e tha Fishta: Kurrë Shqypni me t'harrue s'kam, edhe n'vorr me t'përmend kam. Ate që e shkroi Tribuni Demokrat, Luigj Gurakuqi: Ndër kundërshtime s'duhet me u ligshtue, mjerë ai që s'mundet me qëndrue. E pse jo edhe ate që e tha dhe e bëri me pushkë e me pendë Hilë Mosi: Ah Shqypni mos thuej mbarova, se djemt tu ende janë gjallë, n'kambë asht çue e rrept Kosova, e ban luftën ballë për ballë.

Profesor Agron Fico në NJu Jork, duke komentuar lidhur me librin e tij "˜Profesor në Tri Kontinente' (themelues i Katedrës së Gjuhës Shqipe në Kinë e në Miçigan), me të drejtë thoshte se: Diaspora shqiptare mendjen dhe zemrën e ka në Shqipëri, në Kosovë e në mbarë diasporën shqiptare. Një reference e qartë me Koto Hoxhin, i cili kur u vizitua në Burgun Famëkeq të Jedi Kullës, nga njëra prej Motrave Qiriazi, i tha asaj: Me të vërtetë vetëm trupin e paskam të burgosur, por shpirtin të lirë.

E tillë ka qenë rruga e Mendësisë së Shqipërisë: Një popull i vrarë do të ishte më fatzi,/po qe se nuk vriteshin poetët e tij. Kjo thurje kaq e bukur dhe po kaq lapidare e poetit Xhevahir Spahiu (në librin "˜Rreziku') e sintetizon gjithë historinë e atyre që vunë ballin dhe krahët për ta bërë Shqipërinë. Një qëndrese dhe një misioni të tillë, Shqiponja e Gjuhës Shqipe "˜Petro Nini Fjalëflamuri', siç e ka quajtur me të drejtë në vjershën që i ka kushtuar atij poeti Koçi Petriti, la testamentin e tij që është aktual edhe sot: Edhe njëqind herë të biem, të njëqind e njëtën duhet prapë të ngritemi. Ndërkaq, Papa Kristo Negovani ua thoshte edhe më qartë: "˜Bejlerë, vritmëni, por mblidhmani gjakun, se do t'u duhet bijve tuaj ta shkruajnë gjuhën shqipe.

E tillë ka qenë rruga e intelektualëve, e dijetarëve dhe e atdhetarëve shqiptarë. Në një tipizim të tillë për Ismail Qemalin, në poezinë e tij "˜Ismail Qemali në Kancelaritë e Europës, poeti Xhevahir Spahiu e nxjerrë të gjallë përpjekjen atdhetare të Plakut të Vlorës: "Hynte dhe dilte kancelarive plaku/Orakull/Europa/Akull./ Është vendi im,/Një krah shqiponje ikën prej Drinos,/Tjetri tej Drinit/Shkon gjaku gjer në bark të kalit/Shami të zeza lidh liria./Po ti kush je?/Jam historia". Kjo më kujton dy strofat e një poeti të Rilindjes, Jorgo Dude Babe, të cilat Skënder Luarasi i shquante në Monografinë e tij "˜Ismail Qemali': "Plak i gjorë, plak i mjerë,/ ku do vete, ku do bjerë?/ Nëpër pellgje me shëllira,/ nëpër baltëra, nëpër shira./Që kur të bëri mëma djalë,/që kur erdhe në jetë,/ shpirtin e mbajte zjarr të vale,/dhe kokën gjithmonë përpjetë."

Krenaria e të qenunit shqiptar i ka rritur, i ka ushqyer, i ka brumosur, i ka frymëzuar, i ka gatuar dhe i ka formuar Breznitë Orëmira, me dashurinë për atdheun e për kombin, për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Në librin e tij për Adem Demaçin, studiuesi i zellshëm Shkëlzen Gashi e risjellë pohimin e AlbPrometheut të Kosovës: "Nana Nazife ia jep bekimin e vet: Puno për nanën shqypni biro, jo për nanën Nazife, se nana Nazife një ditë ka me dekë, e nana Shqipni nuk des kurrë" (Shkëlzen Gashi: Adem Demaçi, Biografi, faqe 38). Këto fjalë pra ia ka lënë trashëgim e Ëma e Adem Demaçit, Nazife Demaçi, të Birit të Saj, Adem Demaçit, pasi ky kishte dalë prej burgut në vitin 1963. Kësaj Nëne Bujare dhe Fisnike, kohët ia provuan fjalët e saj profetike.

Po ky autor, në faqen 7 të të njëjtin libër të botuar në Prishtinë, e risjellë para lexuesit faktin se: "Mësuesi Kolë, jashtë programit mësimor, u spjegon nxënësve për historinë e popullit shqiptar, ndërsa ara tij mësuesja Vezire- Mësuesja e Adem Demaçit, çdo mëngjes pa e nisë mësimin, u kërkon nxënësve ta fillojnë ditën me Himnin Kombëtar dhe fill mbas tij me këngën që thotë: Po çka je o djalë i bardhë/besa-besë unë jam shqiptar/se Shqipnia ma tha nji fjalë/më ke nanë e të kam djalë".. .

Në një digresion të këtillë, ish President ii Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton, në Kujtimet e tij "˜Jeta Ime', shkruan: " E pyeta Craig për mundësinë që harta gjenetike do të lejonte terroristët të prodhonin gene sintetike, t'i rigjallëronin viruset ekzistuese apo t'i ndërthurnin ato me një tjetër virus vdekjeprurës edhe më të dëmshëm. Craig tha se ato gjëra ishin të mundshme dhe më tha të lexoj romanin e ri të Richard Preston, The Cobra Event. Kur e lexova librin isha i befasuar që citimet e Preston përfshinin më shumë se njëqind shkenctarë, ushtarakë, ekspertë inteligjence dhe zyrtarë në administratën time. Iu kërkova disa anëtarëve të kabinetit tim dhe Newt Gingrich ta lexonin".

Ta lexonin.

Këtë e kërkon Mendësia Intelektuale, ajo Mendësi që dikur me të drejtë thërriste: Djalëri shqiptare lexo Lasgush Poradecin, pastaj vdis.

Poenta është pra më se qartë, kërkohet sinqerisht të lexohet roman i Thanas Jorgjit nga klasa politike shqiptare, sidomos nga klasa politike shqiptare, të cilës Dr. Gëzim Alpion ia rekomandon jo krejt rastësisht.

Zonja dhe Zotërinj të poltikës parlamentare shqiptare, lexojeni fjala vjen: Kujtimet e Ismail Qemalit, Një Shkurtim Kujtimesh për Kryengritjen Shqiptare të vjetit 1912 të Hasan Prishtinës, Pasqyrën e Ditëve të Përgjakshme të Risto Siliqit, Kryengritja Shqiptare të Mihal Gramenos, Vuejtjet dhe Veprimet e mia për Shqypninë të Nikolla Ivanajt, Memorjet e Visar Dodanit, Programatikën Monumentale të Sami Frashërit: Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet?; Veprën e Naimit, të Fishtës a edhe të Hilë Mosit...dëshmi të gjalla të kryeprotagonistëve që me mish e me shpirt punuan dhe luftuan për një Shqipëri të mosvarur, të lirë, demokratike e të përparuar, kombëtarisht dhe shoqërisht.

Pra: Shpresojmë në Shpresë.

Shpresojmë në Shpresë, Shqipëri.

Shpresojmë në Shpresë Shqipëri, në veçanti kur si në shekujt e shkuar, mjerisht edhe në këtë millennium të ri nuk prajnë, duke shkuar madje aq larg sa edhe Skëndërbeun (KryeKomandantin e Përjetshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare)na e quajnë Jorgji, kur fyejnë padrejtësisht Nënë Terzën e synojnë ta përvetësojnë me çdo kusht, kur fyhen heronjtë e kombit, kur në Kosovën e Pavarur i hiqet emri shkollës fillore Azem Bejtë Galica në Besianë, kur hiqet Emblema e Lidhjes Shqiptare të Prizerenit nga ndërtesa e Kuvendit Komunal në Prizeren (e kur dihet fare mire se me Lidhjen Shqiptare të Prizerenit janë të lidhura të gjitha zhvillimet dhe veprimet politike, hisorike, ushtarake e kulturore të kombit shqiptar); kur dyshohet akoma për varreza masive si në Koshare, Livo,, Buteli, Medvegjë, Peruçac, Bellaqevc, Rudnicë, Rashkë, Andrijevicë; kur akoma nxjerrin avull shpirtrat e shqiptarëve të karbonizuar në furrënaltat e Maçkaticës, Surdullicës e Batajnicës, kur pa u mbyllur akoma mirë një gropë që dyshohet si varrezë masive, hapet tjetra e mbyllet pa u ditur mirë sa a ka pasur a nuk ka pasur eshtra shqiptarësh; kur përjashtohen ekspertët shqiptarë në pjesëmarrje të hetimit të varrezave masive, e kur akademitë e vendeve fqinje ballkanike ngrejnë tezat dhe kezat e tyre shovene e skribene, kur ngrejne akuza e sajojnë shpifje ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Komandantëve të Saj, kur ekstremistët grekë këndojnë këngët në të cilat kërcënojnë të presin shqiptarët si berra, kur serbët vijnë të kremtojnë humbjet e tyre në Gazimestan e thërrasin të vrasin prapë shqiptarë, kur vihen mbi tavolinat e paqes së përgjakshme opcionet ogurzeza për këmbime dhe shkëmbime territoresh, herë për detin në jug e herë për tokën në veri, kur tallen me të drejtën tonë dhe kur qëllimisht dhe tinëzisht përbuzin krenarinë tonë të ligjshme të të qenuit shqiptar, kur qëllimisht shkelen e denigrohen figura të shquara të atdheut e të kombit, kur lihet në mëshirën e fatit e të mjerimit një familje si e Petro Markos apo edhe Familja Popa e cila qe ndër të parat çau rrethimin e ferrit komunist, kur bust i poetit që e sfidoi aq bukur mjerimin social, Millosh Gjergj Nikollës Migjenit hidhet mes plehrash, kur lihen anash nga ndihma e shtetit familjet e vigajve të letrave shqipe si Lasgush Poradeci e Mitrush Kuteli, kur bien kokat e shqiptarëve e kur sërish e padrejtësisht lakmohen tokat e shqiptarëve, kur kronikat e zeza për vrasje e vetvrasje shqiptarësh prekun thellë zemrat tona, mendjet tona dhe ndërgjegjën tonë e cila na thotë thellë, tepër thellë se edhe ata janë mish nga mishi ynë e gjak nga gjaku ynë...

Shpresojmë në Shpresë, Shqipëri.

Prandaj nuka kam se si të mos shprehë respektin dhe admirimin, vlerësimin dhe lartësimin, si për romancierin Thanas Jorgji, ashtu edhe për akademikun Dr. Gëzim Alpion.

I pari, me titullin e romanit, titull i cili mund të merred edhe si një parodi e rialitetit të hidhur gjithëshqiptar, (realiett ky i cili fjala vjen edhe në kohën e Rilndasve u sfidua si i tillë në emër të një realiteti te ri, të njëmendësie të re, të cilën ata e dinin dhe e ndienin se patjetër do të vinte), më kujton thënjen e Poetit që shkroi Hymnin Kombëtar, Aleksandër Stavri Drenovës-Asdrenit, se: Ëndrrat dhe lotët s'venë kot në erë/, kanë edhe ato gjuhë të flasin një here (nga vëllimi i tij poetik "˜Ëndrra e Lot').

I dyti, jo vetëm me Poetikën e Vështrimit të tij, por edhe me veprën e tij letrare dhe akademike, më kujton shprehjen e romacierit të njohur botërisht, Paolo Kohello:

Luftëtar i Dritës.

Dritë e Diturisë përpara do na shpjerë. Kjo Thënje Lapidare e Naim Frashërit me të drejtë më në fund është vënë në muret e Ministrisë së Shkencës dhe Arsimit të Republikës së Shqipërisë.

Luftëtar i Dritës, sepse Mbretëria e Dritës e ka mundur dhe do ta mund gjithmonë Mbretërinë e Territ.

Perandoria e Shpresës e ka mundur dhe do ta mund gjithmonë, herët a vonë, Perandorinë e Harresës.

Kam kënaqësinë prandaj të them, se si njëri ashtu edhe tjetri, me shkrimet e tyre më kujtojnë Thënjen e Madhe të Volterit të Madh, të këtij biri të shekullit të dritës, se: Tiranitë e mëdha rrëzohen me vepra të holla.

Mbretëria e Artit, shkruante filozofi i madh Hegeli, është Mbretëri e Lirisë.

Kurse poeti romantik anglez, Xhorxh Gordon Bajroni, një i huaj që ka shkruar aq bukur dhe me aq pasion për Shqipërinë dhe shqiptarët, thoshte me të drejtë se: Fuqia e një fjale e ka fuqinë e një perandorie...

Si autori ashtu edhe akademiku, janë prandaj Luftëtarë të Shpresës:

Shpresojmë në Shpresë.

Apo siç na e la Porosinë e Tij të Madhe, Naimi i Madh:

Punë, Kurajo dhe Shpresë.

Dhe natyrisht, jo vetëm shpresë...

(Nga Libri: "Dr. Gëzim Alpion dhe Fuqia e Fjalës)

XHEMAIL ALI PECI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
DRITARE MBI BOTË - KËNAQËSIA TURKENga ORHAN PAMUK dhe MATTEO PERICOLI (08.02.2010)
ME POETIN ALEKSANDËR ESENINNga ROZI THEOHARI (08.01.2010)
MARRËZI TË ËMBLA NËN BUKOVILEProzë poetike nga RAIMONDA MOISIU (07.31.2010)
ZHAPIUTregim humoristik nga NAUM PRIFTI (07.16.2010)
NJË TAKSI PËR MACEN TIMETregim nga ALEKO LIKAJ (07.02.2010)
ZOGJTË PREJ LETRETregim nga PIRRO LOLI (06.27.2010)
VIZITA E JAKOMONITTregim nga NAUM PRIFTI (06.23.2010)
HAKËRRIM - KOHA E MASKARENJVE POR ATDHEU I SHQIPTARËVEPoezi nga ALI ASLLANI (1882-1966) (06.21.2010)
DHE ÇDO VIT KA NJË ÇAST TË SHKUTËR TRULLOSËS KUR NE NDALIM FRYMËN NË MES TË UDHËS SË GJATË PËR NË SHTËPIPoezi nga poeti bashkëkohor amerikan EDWARD HIRSCH (05.28.2010)
DIPLOMA UNIVERSITARETregim nga PIERRE-PANDELI SIMSIA (05.27.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 

 
VOAL
[Shko lartë]