Ish kryetari i Partisë Demokratike Eduart Selami, pritet të kthehet në Shqipëri
së shpejti për të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit si
deputet i Partisë Demokratike. Zoti Selami ka mbi 15 vjet që është
shkëputur nga pjesëmarrja në politikë në Shqipëri dhe pritet të ballafaqohet me
një mjedis të ri, e shumë të ndryshëm politik nga ai që ka lanë në mes të
viteve '90 kur ishte ende aktiv me politikën shqiptare.
Zëri i Amerikës: Në këtë studio ku jeni ftuar si analist, sot ju po vini si një
politikan i mundshëm i së ardhmes. Para se të kalojmë tek kjo sfidë e re
për ju, doja të merrja fillimisht mendimin tuaj mbi njoftimet e këtyre dy tri
ditëve të fundit, për gjendjen e ambasadës së Shqipërisë këtu në Uashington. Si
mendoni ju, a mund të lihet një ambasadë në gjendje të tillë?
Eduard Selami: Nuk i kam parasysh detajet por mendoj se këto janë probleme që
do të adresohen në mënyrë profesionale, në mënyrë institucionale në Shqipëri.
Theksoj se nuk i njoh detajet.
Zëri i Amerikës: Zoti Selami, të kthehemi tek planet tuaja, a mund t'i
konfirmoni njoftimet se ju do të jeni në listat e PD-së dhe do të konkuroni në
qytetin e Tiranës?
Eduard Selami: Jam kontaktuar nga kryetari i Partisë Demokratike z. Berisha dhe
kam pranuar me kënaqësi që të kandidoj në emër të Partisë Demokratike. Për
hollësitë unë mendoj se është akoma shpejt për të folur, por ky është momenti
dhe unë do nisem për të kontribuar në emër të Partisë Demokratike. E quaj një
nder të veçantë të kontribuoj në atë parti, të cilës unë gjithmonë i kam
përkitur dhe i përkas.
Zëri i Amerikës: Pra, deri tani dihet që ju do të kandidoni për Partinë
Demokratike por ende nuk dihet zona në të cilën do të kandidoni.
Eduard Selami: Unë personalisht nuk kam shkuar kaq larg në këtë drejtim, ky është
një vendim i marrë nga strukturat, por unë jam kontaktuar nga kryetari i PD-së
z. Berisha dhe kjo është e mjaftueshme për mua për të dhënë kontributin tim në
një fushatë elektorale të cilën unë e quaj të rëndësishme, sepse është një
fushatë e cila jo vetëm do të mbështesë çka është arritur, por është një
fushatë që do ta përshpejtojë ecjen e Shqipërisë përpara. Mendoj që në mënyrë
jo vetëm të mençur por edhe shumë pozitive, Partia Demokratike megjithëse ka
bërë shumë për Shqipërinë përsëri do që të bëjë më shumë dhe shikon
përpara.
Zëri i Amerikës: Zoti Selami, ju jeni shkëputur prej një kohe të gjatë nga
Shqipëria, dhe mund të argumentohet se nuk i njihni sa duhet problemet e
atjeshme. Ashu siç sapo u shprehët edhe për këtë problem të fundit të ambasadës
shqiptare këtu në Uashington. Përse duhet që një banor i zonës ku ju do të
kandidoni të votojë për ju?
Eduard Selami: Unë mendoj që Shqipëria dhe ligji elektoral në Shqipëri është
pak më ndryshe. Ju vini me mentalitetin e këtushëm amerikan që për 200 vjet
këtu duhet të jesh banor në një vend që të mund të kandidosh. Vende të ndryshme
këtë e kanë të ndryshme. Por kjo ka qenë edhe arsyeja që unë kam shmangur
kandidimin në nivele lokale. Kjo është më e mprehtë dhe më e domosdoshme.
Ndërsa në nivelin e përgjithshëm, të parlamentit Shqipëria është akoma një
republikë parlamentare nuk mund të gjykohet me mendimi e këtushëm. Atje është
më ndryshe dhe çdo njeri ka mundësi për të kontribuar dhe kontributi është më i
gjerë dhe me një frymë më të përgjithshme sesa në nivelin lokal.
Zëri i Amerikës: Pra ju e shikoni rolin tuaj në të ardhmen më tepër si një rol
ndihmese brenda parlamentit sesa për zonën që do të përfaqësoni?
Eduard Selami: Patjetër që në rradhë të parë i takon zonës, kjo nuk diskutohet.
Çdo deputet ka zonën si detyrim të parë. Për mua do të jetë një nder të dal
përpara kudo. Por Tirana është edhe një arsye më shumë sepse unë popullit të
Tiranës i dedikoj dhe jetën time personale. Nëse nuk do të kishin dalë
qytetarët e Tiranës, lëvizja e Dhjetorit që shembi komunizmin unë e kam patur
bindje dhe e kam nuk do të kishte marrë ato përmasa që mori, nuk do të ishte
bërë e mundur. Do të ishte dashur një kohë më e gjatë. Shumë thonë se i erdhi
koha, por koha flet edhe për Korenë e Veriut, koha flet edhe për Kubën, koha në
vetvete nuk bën gjë. Ky ka qenë gjithmonë mendimi im dhe kjo është një arsye më
shumë.
Zëri i Amerikës: Zoti Selami, mjedisi politik në Shqipëri, ndryshe nga ai që ju
jeni mësuar të shikoni këtu në Amerikë këto vitet e fundit, është tejet i
ashpër. Lufta politike madje i kalon caqet e një beteje normale, një rivaliteti
normal politik, duke u personalizuar dhe shpesh me një fjalor shpesh të
përshtatshëm. Imazhi juaj ka qënë ai i një politikani të moderuar. A jeni i
shqetësuar për mbijetesën tuaj në një mjedis kaq të ashpër politik në Shqipëri?
Eduard Selami: Nuk shqetësohem fare. Një parantezë të vogël: (Mjedisi politik)
është shumë i ashpër për atë që lexon vetëm gazetat, por nuk është kështu kur
futesh në Shqipëri. Shqipëria është shumë herë më e bashkuar dhe shqiptarët
janë shumë herë më të bashkuar në jetën e tyre të përditshme. Ky është mendimi
im. Kuptohet që lufta politike ashpërsohet, por nëna më tha një fjalë shumë të
mënçur. Më tha: "Më përpara kanë qenë me plumba dhe me fjalë. Tani kanë ikur
plumbat, kanë mbetur vetëm fjalët." Dhe unë këtë lloj këmbimi do ta pranoja në
çdo kohë. Do të vazhdoj të ruaj gjithmonë profilin e një njeriu që vë
Shqipërinë dhe interesat e Shqipërisë në rradhë të parë, përmbi interesat e
ngushta partiake dhe jam shumë krenar që jam në Partinë Demokratike, sepse PD
ka bërë shumë për Shqipërinë. Ka rrëzuar komunizmin, e ka futur Shqipërinë në
këtë drejtim ku Shqipëria sot merr shumë se më parë. Gjërat nuk janë të
përsosura, ka akoma vend... dhe kjo është një arsye më shumë për të votuar
Partinë Demokratike sepse megjithëse ka bërë kaq shumë përsëri shikon përpara,
përsëri mendon për një Shqipëri të përparuar, për një Shqipëri të zhvilluar,
për një fuqi rajonale, duke patur parasysh përmasat e saj.
Zëri i Amerikës: Si do t'i përgjigjeshit ju akuzave të bëra ndaj Partisë
Demokratike nga pala tjetër, të cilat thonë se gjatë këtyre tetë vjetëve,
përveç elementit normal pra, të paturit një lodhje në qeverisje janë vënë
re një sërë faktorësh si acarimi i korrupsionit, qeverisja e vendit nuk ka qenë
siç duhet, ekonomia ndodhet në krizë dhe thotë opozita një lloj qëndrimi
autoritar i kryeministrit Berisha, qoftë edhe brenda Partisë Demokratike që nuk
i funskionojnë strukturat. Si do t'i përgjigjeshit ju këtyre vërejtjeve që i
bëhen PD-së?
Eduard Selami: Opozita këtë detyrë ka dhe kuptohet që kaq afër sa është
fushata elektorale zëri do të ngrihet edhe më shumë. Ajo çka e rrëzon këtë më
mirë se çdo gjë tjetër është realiteti shqiptar dhe ata që do të jenë përgjigja
më e mirë do të jenë shqiptarët me votën e lirë, të cilët unë mendoj se do të
zgjedhin përsëri Partinë Demokratike, sepse është një parti që shikon përpara,
ka një platformë më të mirë, ka rrugëzgjidhje, ka program më të qartë, nuk
është negative, nuk është thjesht vetëm destruktive por shikon përpara.
Probleme ka patur dhe ka, dhe probleme gjithmonë do të ketë. Madje kjo është
demokracia, gjithmonë shkohet përpara, zgjidhet një problem del një problem
tjetër. Ne kemi një fat, një fat i rrallë, duke qenë vend i fundit sepse rruga
e ecjes përpara është gjetur, për më tepër për Shqipërinë që është futur në
rrugën e integrimit në BE dhe është pranë këtij procesi. Kritikat unë them se
në këtë rast nuk bëhen thejsht për t'u ndrequr puna por bëhen për kontrast, se
ashtu ecën jeta dhe lufta
politike.
Zëri i Amerikës: Zoti Selami në këtë studio në të kaluarën ju keni ardhur
shpesh si analist. Kjo është një përgjigje juaja, mbi një pyetje mbi
korrupsionin në Shqipëri:
Eduard Selami, në vitin 2010: "...Lufta kundër korrupsionit duhet të shkojë
paralel me forcimin e institucioneve. Sa kohë që nuk ka forcim të
institucioneve nuk mund të ketë luftë kundër korrupsionin në mënyrë të
suksesshme. Dhe për mendimin tim personal, anëtarësimi në NATO i Shqipërisë, që
unë kisha shpresë se do të përshpejtonte funksionimin e demokracisë, më provoi
të kundërtën. Demokracia shqiptare sot është më pak e suksesshme, se sa dy vjet
më përpara. Ka hapa mbrapa në çdo vend, por unë mendoj që kjo është shqetësuese
për mua. Dhe në këtë pikë, sa kohë që ka dobësim të institucioneve, ka lulëzim
të korrupsionit. Unë jam dakort me analizën që Partia Demokratike e ka humbur,
si të thuash, të drejtën e saj morale në luftën kundër korrupsionit dhe në këtë
pikë, pa dyshim, faji është i elitës drejtuese."
Zëri i Amerikës: Intervista është zhvilluar në vitin 2010, dhe sot gjendja e
korrupsionit në Shqipëri, nuk është përmirësuar madje është keqësuar sipas
statistikave. Kur i dëgjoni këto komente tuaja të para dy vjetëve, cili është
reflektimi juaj sot?
Eduard Selami: Reflektimi im është që unë i qëndroj - ka qenë një bisedë për të
parë se sa shpejt ka ecur Shqipëria pas anëtarësimit në NATO dhe unë kam
folur për një kohë të caktuar, për një moment të caktuar. Ishte vetëm një vit
mbrapa; unë për nga natyra dua që gjërat të ecin më shpejt, dhe gjithmonë ka
vend për më shpejtë. I qëndroj mendimit që forcimi i institucioneve ecën
paralel me luftën kundër korrupsionit. Nuk jam me mendimin tuaj që sot problemi
i korrupisonit është më i acaruar se sa më përpara. Nga informacionet dhe
statistikat që unë kam është që është më mirë, është një proces që ka qenë dhe
do të jetë, është një proces që shoqëron fillimet e çdo vendi, çdo ndryshimi
demokratik në botë. Ka qenë këtu më përpara (në SHBA shënim i redaksisë), sot
ky është një nga vendet më të pastra, dhe kjo ka ecur paralelisht me forcimin e
institucioneve sepse ajo çka perceptohet si korrupsion - të mos keqkuptohemi ,
nuk është mbrojtje - shpesh herë është edhe mungesa e kuadrit ligjor; pastaj ka
probleme edhe me zbatimin e ligjit... Unë mendoj se atëherë atë kritikë e
kam shprehur për të përmirësuar e për të shpejtuar punën; unë mendoj që është
në rrugë të drejtë dhe sot situata është më e mirë se çka qenë; ka vend për
përmirësime dhe këto përmirësime do të vazhdojnë.
Zëri i Amerikës: Përse zgjodhët këtë moment për t'u kthyer në Shqipëri?
Eduard Selami: Nganjëherë të zgjedh momenti, nganjëherë zgjedh ti momentin; unë
mendoj që ky është një moment kthesë për Shqipërinë, mendoj që Shqipëria është
në një ëpikë kyçe, ku një fitore e Partisë Demokratike do t'a përshpejtojë edhe
më tej progresin e Shqipërisë, dhe unë kam bindjen që nëse Partia Demokratike
humbet kjo do të jetë humbje për të gjithë shqipëtarë. Duke ndjerë këtë thirrje
të brendshme që unë e kam ndjerë edhe në vitin 1990, unë vendosa për t'u
afruar; njëkohësisht me kontaktet që kam patur dhe me z. Berisha dhe me ekipin
që ai ka, kam ndjerë një frymë mirëkuptimi, kam ndjerë një patriotizëm, një
dëshirë të tyre për të ndihmuar Shqipërinë, dhe programi i tyre është një
program që mendoj se i shërben Shqiërisë dhe jam shumë krenar e mezi pres që
t'i bashkohem.