VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Kryeministri Berisha tha dje në Peqin se vendet e reja të punës janë kryefjala e programit elektoral të PD

                                                                                      

E Premte, 05.03.2024, 07:21pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
POLITIKË
 
Kryeministri Berisha tha dje në Peqin se vendet e reja të punës janë kryefjala e programit elektoral të PD
E Mërkurë, 06.10.2009, 07:41am (GMT+1)

Shndërrimi i Shqipërisë në kantierin më gjigant të ndërtimit për krijimin e vendeve të reja të punës do të jetë objektivi më madhor i qeverisë. Gjatë një takimi me qytetarët e Peqinit kryeministri Berisha theksoi se, në katër vitet e ardhshme Partia Demokratike parashikon punësimin e mbi 160 mijë qytetarëve shqiptarë. "Në mbi 100 hidrocentrale që nisin ndërtimin apo janë në ndërtim e sipër, në 6 parqe të mëdha industriale, në dhjetëra resorte turistike, në mijëra dhe mijëra kilometra rrugë që do të asfaltohen në mbarë vendin, punësimi juaj do të jetë kryefjala e programit tim të ardhshëm", u tha kreu i ekzekutivit mijëra qytetarëve të Peqinit në një miting madhështor në qendër të qytetit. Duke shprehur kënaqësinë për pjesëmarrjen në këtë takim madhështor me qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, kreu i ekzekutivit theksoi se emri i Shqipërisë nuk ka qenë kurrë ndonjëherë më lart se sa është sot. "Ne takohemi së bashku si qytetarë të një vendi që ka aplikuar për anëtar të Bashkimit Europian. Ne takohemi së bashku në një qytet, i cili në katër vite me dhjetëra dhe dhjetëra projekte, ka ndryshuar më shumë se kurrë në historinë e tij", theksoi Berisha, duke nënvizuar se këto katër vite në Peqin qeveria e Partisë Demokratike në datën 3 korrik të vitit 2005, investoi në rrugë kombëtare, në rrugë fshatrash, në shkolla, ujësjellës dhe kanalizime 15 miliard lekë, çka do të thotë dhjetëra herë më shumë se sa qeveria e mëparshme. "Dy vjet më parë këtu në Peqin, përveç aksit kombëtar nuk kishte rrugë të asfaltuara, ndërsa sot janë asfaltuar apo janë në asfaltim e sipër, 50 kilometra rrugë. Janë ndërtuar nga e para apo janë rindërtuar 15 shkolla, ujësjellësa, kanalizime, kanale vaditëse", theksoi kreu i ekzekutivit, duke nënvizuar se janë ndihmuar një numër i konsiderueshëm fermerësh në projektet e tyre dhe janë dyfishuar në mbarë Peqinin dhe Shqipërinë pensionet e fermerëve dhe janë rritur këto pensione nga 50 deri në 70 përqind për pensionistët e qyteteve. "Unë sot vij këtu tek ju me zotimin tim solemn, se në këtë rreth do të asfaltohet çdo rrugë e çdo fshati kudo që ai ndodhet. Në këtë rreth, qeveria e ardhshme do të furnizojë me ujë të pijshëm 24 orë, çdo familje të Peqinit dhe të mbarë Shqipërisë", theksoi më tej numri një i ekzekutivit.

 

Fitorja e të djathtës në Evropë, mbështetje e fortë për projektin evropian të PD

 

Fitorja e thellë e partive të qendrës së djathtë për zgjedhjet e Parlamentit Evropian dy ditë më parë nënkupton një mbështetje të madhe të Partisë Demokratike tek institucionet vendimmarrëse të Bashkimit Evropian. Gjatë takimit me qytetarët e Peqinit, kryeministri Berisha theksoi se, për të gjithë shqiptarët kjo fitore nënkupton se qeveria e Partisë Demokratike do të ketë miq dhe mbështetës të fuqishëm në Bruksel dhe në Evropë për projektin madhor të integrimit. "Evropa pardje në mëngjes u gdhi pothuajse e tëra blu. Partitë simotra të Partisë Demokratike korrën një fitore të thellë historike. Për ju, për mua, për të gjithë shqiptarët kjo do të thotë miq të mëdhenj, mbështetës të fuqishëm, në Bruksel, në Evropë, për Peqinin evropian, për Shqipërinë evropiane. Evropa e kuptoi se vota majtas është votë mbrapa, është votë bosh. Ndaj dhe ju ftoj që të gjitha votat t'ia jepni dhjetës, Partisë Demokratike, Peqinit evropian, Shqipërisë evropiane", tha më tej kreu i ekzekutivit. Ai garantoi se, brenda vitit të parë të mandatit tjetër qytetarët e Peqinit dhe mbarë Shqipërisë do të lëvizin pa viza në mbarë Evropën. Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve të Peqinit të marrin pjesë masivisht në votime më shumë se asnjëherë tjetër dhe të votojnë për Shqipërinë evropiane. "28 qershori ju fton të merrni pjesë në votime më shumë se asnjëherë tjetër, të votoni për Shqipërinë evropiane, të votoni për Peqinin evropian, të votoni dhjetën, Partinë Demokratike. Dhjeta është fati, është më e mira, është fitorja. Ndaj dhe unë ju ftoj që të merrni të gjithë kartat e identitetit, pasaportat, duke i dëshmuar vetes, njeri-tjetrit, por edhe mbarë Evropës se ne kemi dinjitetin, kemi mençurinë, kemi vullnetin, për t'u bërë qytetarë të vërtetë evropianë", theksoi kreu i ekzekutivit.

Vetëm me këtë qeveri qytetarët shqiptarë do të kenë standarde jetese, ashtu si vendet anëtare të Bashkimit Europian

 

Dy ditë më parë Evropa u gdhi blu. Më 29 qershor Shqipëria do të gdhihet blu

 

Kryeministri Berisha e cilësoi fitoren e të djathtës në zgjedhjet parlamentare europiane si një ogur të mirë për Shqipërinë, e cila në zgjedhjet e 28 qershorit do t'i bashkohet fitores europiane. Kryeministri theksoi se, vetëm me këtë qeveri qytetarët shqiptarë do të kenë standarde jetese, ashtu si vendet anëtare të Bashkimit Europian. "Unë do ta mbyll këtë fjalë, duke ju përshëndetur edhe një herë vëllazërisht, duke u zotuar përpara jush se për mua këto katër vite do të jenë vendimtare që ju të ndiheni qytetarë evropianë, do të jenë vendimtare që qytetarët e këtij rrethi të kenë rrugë evropiane, të kenë furnizim me ujë evropian, të ketë rroga dhe pensione evropiane, të kenë punësim evropian, të shfrytëzojnë pasuritë e rrethit të tyre të mrekullueshëm për të mira materiale për vete dhe për mbarë shqiptarët. Vitin e parë të mandatit tonë të dytë, premtimi im solemn në këtë shesh është lëvizja e lirë për ju dhe për mbarë shqiptarët. Dy ditë më parë, Evropa u gdhi blu. Më 29 qershor, Shqipëria do të gdhihet blu. Ne duam me vete çdo njërin prej jush. Dua që së bashku të vazhdojmë ndryshimin. Më 28 qershor, votoni numrin 10, votoni Partinë Demokratike, 10 është më e mira, 10 është shansi, 10 është e vërteta", tha kryeministri.

 

Berisha përcjell mesazhin e fitores së 28 qershorit në qytetin e Librazhdit

 

Dhjetëra mijëra qytetarë të Librazhdit pritën dje në një miting madhështor kryeministrin Berisha, i cili prezantoi projektin e Shqipërisë evropiane për katër vitet e ardhshme. Duke i përshëndetur përzemërsisht qytetarët e Librazhdit, kreu i qeverisë theksoi se pas katër vitesh emri i tyre lartësohet më shumë se kurrë ndonjëherë, sepse tashmë ata janë qytetarë me të drejta të plota të NATO-s dhe qytetarë të një vendi që është aplikant për kandidat në Bashkimin Evropian."Përshëndetje të përzemërta dhe vëllazërore për ju qytetare dhe qytetarë të Librazhdit të pranishëm në këtë shesh, por edhe gjithë banorëve të këtij rrethi. Ju jap përshëndetjet më të përzemërta dhe ju falenderoj për këtë pritje vëllazërore. Shpreh kënaqësinë dhe krenarinë tonë të përbashkët të takohemi sot këtu si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, të takohemi sot këtu si qytetarë të një vendi, i cili ka aplikuar për të qenë anëtar në Bashkimin Evropian", u shpreh kryeministri. Kryeministri vlerësoi se ky takim vjen në një kohë që pas katër vitesh, qeveria ia doli që me përkushtim të përbashkët të mundësojë që Shqipëria të qëndrojë për dy vjet rresht në krye të rritjes ekonomike në Evropë. Kryeministri vlerësoi se në katër vite, qeveria falë përkushtimit të saj arriti të dyfishojë rrogat e mësuesve, të dyfishojë rrogat e infermierëve, pensionet e pensionistëve në mbarë fshatrat shqiptare, ia doli të rrisë pensionet në qytet me 50-70 përqind. Ai vlerësoi se, me këto reforma qeveria ia doli ta bëjë Shqipërinë të respektuar, të begenisur, të përfillur në Evropë dhe në mbarë botën. "Jam sot këtu për t'ju premtuar ju projektin tonë të ri të përbashkët, projektin e Librazhdit evropian, projektin e Shqipërisë evropiane. Ky projekt është një projekt shumë konkret. Me këtë projekt, qeveria ime do të bëjë që Librazhdi dhe mbarë Shqipëria të kenë infrastrukturën rrugore që meritojnë. Ndaj dhe jam këtu për t'u zotuar se do të asfaltojmë çdo rrugë të këtij rrethi, rrugën Librazh-Orenjë- Peshkopi, rrugën Qukës-Qafë Plloçë, sikundër dhe çdo komunë të këtij rrethi do ta lidhim me rrugë të asfaltuar me rrugët kombëtare", vijoi kryeministri. Ai shprehu garancinë se, çdo fshat i këtij rrethi do të lidhet me rrugë të asfaltuara me qendrat e komunave, në çdo shtëpi qeveria do të garantojë ujë të pijshëm 24 orë. "Librazhdas evropianë dhe shqiptarë evropianë do të thotë para së gjithash dhe mbi të gjitha, kushte evropiane jetese. Librazhdas evropianë dhe shqiptarë evropianë do të thotë punë dhe punësim", tha kryeministri, ndërsa garantoi se në katër vitet që vijnë qeveria do të punësojë 160 mijë punonjës, duke ulur kështu varfërinë në vend. "Vetëm në rrethin tuaj janë në ndërtim e sipër apo do të ndërtohen rreth 80 hidrocentrale. Në hidrocentralet, në të gjithë Shqipërinë do të punësohen mbi 60 mijë qytetarë. Në rrugët, në infrastrukturën, në turizëm, në parqet industriale do të punësohen dhjetëra e mijëra qytetarë", vijoi më tej kryeministri.

 

Shqiptarët nuk do ta falin aferën e rëndë të qytezës Rama Delijorgji

 

Kryeministri Berisha theksoi se aferat skandaloze korruptive të ndërtimit të një qyteze me 52 pallate në qendër të kryeqytetit nga kryebashkiaku Rama, në bashkëpunim të ngushtë me një nga shkaktarët kryesorë të tragjedisë së Gërdecit, Mihal Delijorgji, do të ndëshkohen nga qytetarët shqiptarë më 28 qershor. Po ashtu, kryeministri ka theksuar se përbaltja që Rama u ka bërë të gjitha proceseve jetike të vendit do të fundoset me humbjen e tij në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, në të cilat PS garon pa kryetar. "Zoti Edi Rama u thotë shqiptarëve se do të votohem, sepse jam votuar në 2007. Po, zoti Rama, por nga viti 2007 e këtej ke mbledhur aq zhul sa as ujët e Shkumbinit nuk ta lan dot. Po, zoti Rama, sepse nga 2007 je ti dhe vetëm ti që rezulton t'u kesh dhënë Eftimëve të tu 70 përqind të lejeve të Bashkisë. Këtë, zoti Rama, nuk e bën as djali i Kim Young Il, kryetari i Bashkisë së Phenianit. Vërtet ke marrë votat me çertifikatat e falsifikuara në vitin 2007, por nga 2007 dhe këtej shqiptarët nuk ta falin ty, tiranasit nuk ta falin ty, sepse ti ditën kur Shqipëria do të merrte ftesën për anëtarësim në NATO, i mashtrove ata dhe u the se Shqipëria nuk do të marrë ftesën. Shqiptarët nuk ta falin ty qytezën Rama-Delijorgji, 52 pallate në qendër të Tiranës. Si mendon ti, se shqiptarët do t'i pranojnë këto standarde? Jo, zoti Rama, kurrën e kurrës", tha kryeministri. Shqiptarët, vijoi, nuk mund të ta falin kurrë ty kërkesën që iu bëre kancelarive të huaja, duke u thënë mos e pranoni Shqipërinë se do të prishë zgjedhjet. Gjithashtu, kryeministri theksoi se shqiptarët nuk mund t'ia falin Edi Ramës dhunimin që i bëri Kodit të Vdekjes. "Ndaj, harroje 2007. Fitove me çertifikata, por në qoftë se je burrë dil në shesh. Urdhëro të të votojnë dhe ta provosh veten përballë shqiptarëve. Megjithatë, vëllezër dhe motra, ne do t'i japim edhe 48 orë afat dhe në qoftë se ai kthen mendjen, do ta vendosim në listë", tha kryeministri duke e cilësuar kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, si një burracak të vërtetë, i cili nga frika e humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit fshihet poshtë tavolinës së Bashkisë që drejton. Kryeministri theksoi se, një politikan e ka për detyrë të respektojë rregullat, duke u futur në garë për të pranuar si fitoren, ashtu edhe humbjen. "Nga Librazhdi kam një thirrje për kryetarin e Partisë Socialiste. Zoti Rama, ne shqiptarët po bëjmë 19 vjet në pluralizëm. Ne nuk e dinim se çfarë ishte liria, por ne e filluam dhe tani po e ndërtojmë atë. Në 19 vite pluralizëm, nga fëmija tek më i moshuari, e kanë mësuar se rregullat e garës tregojnë që kryetari i partisë duhet të udhëheqë listën e deputetëve, të jetë në krye të partisë për votim, sepse ky është një standard evropian. Jo vetëm shqiptarë, por në mbarë botën nuk ekziston dhe nuk ka ekzistuar kurrë rasti që kryetari i partisë të mos vendosë emrin e tij në listë. Zoti Rama, unë të bëj thirrje që ta vendosësh emrin në listë dhe të siguroj se me urgjencë do të mbledhim Parlamentin të ndryshojmë ligjin. Dil në ballë të listës. Edhe një herë e them sot se politikani, cilido qoftë ai, e ka për detyrë të pranojë si fitoren ashtu edhe humbjen, e ka për detyrë të ndjekë rregullat e ndershme të lojës", tha kryeministri. Më tej, ai tha se është i gatshëm që brenda dy ditëve të miratojë ligjin, i cili lejon kryetarin e PS-së të futet në garën elektorale. "Për këtë qëllim, do të të jap 48 orë afat. Uroj që të të mbushet mendja. Në të kundërt, ti e fakton veten se për ty vendi, qytetarët, liria nuk kanë asnjë vlerë përpara karriges tënde, se ti je një burracak i vërtetë që ke frikë nga humbja dhe futesh nën tavolinën e Bashkisë", tha kryeministri.

 

Pajisja me letërnjoftime për të votuar me maturi të plotë demokratike

 

Kryeministri Berisha u bëri thirrje dje nga qyteti i Librazhdit të gjithë qytetarëve shqiptarë që të pajisen sa më shpejt me letërnjoftimet e reja elektronike, në mënyrë që në zgjedhjet e 28 qershorit të votohet me maturi të plotë demokratike. "28 qershori po vjen dhe mbarë Shqipëria është në festë. Shqiptarët po i presin me padurim këto zgjedhje për t'i dëshmuar njeri-tjetrit, Evropës dhe mbarë botës se ne votojmë me maturi të plotë demokratike, ne votojmë siç na ka hije, votojmë si qytetarë të lirë, votojmë si qytetarë të Aleancës së Atlantikut të Veriut, si qytetarë që shpresojnë dhe janë të sigurt për projektin e tyre evropian. Prandaj, thirrja ime vëllazërore për të gjithë ju është t'i merrni letërnjoftimet e reja. Merrini ato, sepse me këto letërnjoftime ne barazohemi me qytetarët e vendeve më të zhvilluara të Evropës. Merrini ato, sepse ato kanë me dhjetëra e dhjetëra përdorime dhe shërbime për ju. I merrni ato edhe për të shkuar ballëlart më 28 qershor në këto zgjedhje, për të votuar me dokumentet më moderne", tha kryeministri. Këtë thirrje kryeministri e drejtoi edhe për të gjithë qeveritarët vendorë në Shqipëri, për militantët e të gjitha forcave politike për të ndihmuar çdo qytetar që të marrë letërnjoftimin e ri. Ndër të tjera, kryeministri theksoi se kushtet evropiane të jetesës sigurisht lidhen me rrugët e reja, lidhen me ujin e pijshëm 24 orë, lidhen me shkolla më të mira për fëmijët, lidhen me punësimin, me shërbimin shëndetësor, por ato lidhen edhe me taksat dhe me pensionet tuaja. Në këtë kontekst, kryeministri garantoi se në katër vitet që vijnë qytetarët shqiptarë, qytetarët e Librazhdit dhe të mbarë këtij vendi do të kenë rroga dhe pensione më të mira se në gjashtë vende anëtare të Bashkimit Evropian. Më tej, kryeministri shprehu një nderim të madh për fermerët shqiptarë dhe në veçanti për fermerët e Librazhdit. "Kudo që unë kaloj në këtë rreth nuk gjej një pëllëmbë tokë të papunuar dhe kjo është merita juaj. Ky është frymëzim i madh për mua në punën time. Dhe, unë ju jap fjalën në këtë shesh se qeveria ime do të financojë me grante çdo projekt të fermerëve të këtij rrethi për nxitjen e prodhimeve tuaja. Unë ju garantoj se do të financojmë çdo projekt tuajin për vaditje, për agrobiznes dhe do të bëjmë çdo gjë që tokat tuaja të japin prodhimet më të mira. Në vitin 2013, pensionet tuaja do të jenë të barabarta me pensionet e qytetit", vijoi më tej kryeministri.

 

Kryeministri u prezanton shoqatave të biznesit objektivat fiskalë të qeverisë për katër vitet e ardhshme

Berisha: Mandati i dytë, turravrapi i përmirësimit të klimës së biznesit

 

Kryeministri Berisha u prezantoi dje përfaqësuesve të grupeve dhe shoqatave të biznesit objektivat fiskalë dhe ekonomike të qeverisë në katër vitet e ardhshme. Duke shprehur garancinë për katër vitet e mandatit të dytë në përmirësimin e ndjeshëm të klimës së biznesit në drejtim të konkurrencës së lirë dhe të ndershme, kreu i qeverisë tha se katër vitet që vijnë do të jenë vitet, në të cilat ky vend do të vazhdojë turravrapin e tij në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit, në drejtim të një konkurrence më të lirë e më të ndershme me të gjithë potencialin e tij. "Ky është në të vërtetë aspekti më i vështirë i kësaj gare. Këto katër vite ne kemi transformuar klimën e biznesit", tha kreu i ekzekutivit. Duke bërë një bilanc të masave që ka marrë qeveria në katër vite në kuadër të mbështetjes ndaj biznesit, Berisha vlerësoi se gjatë këtyre viteve qeveria e shndërroi Shqipërinë në vendin me barrën fiskale më të ulët në Europë. Ai vuri në dukje instalimin e "One Stop Shop" për regjistrimin e biznesit, i cili u zbrit nga 42 ditë në gjysëm ore. Gjithashtu, kreu i ekzekutivit e vuri theksin në heqjen e takimeve të mundimshme dhe jo rrallë depersonalizuese me taksambledhësit, duke i vendosur taksat në shërbimin on-line. Kryeministri vlerësoi se këtë vit Shqipëria është vendi i vetëm në botë, asnjë vend tjetër nuk është 100 përqind elektronik në prokurime si Shqipëria. Ai vlerësoi se është rritur shumë pjesëmarrja në garë, duke shtuar se statistikat e fundit tregojnë se në çdo garë elektronike mesatarja është 5-6 pjesëmarrës dhe sërish do të rritet e do të përmirësohet. "Unë ju garantoj se shumë shpejt të gjitha blerjet e kësaj qeverie, edhe ato të vogla, të gjitha ankandet do të zhvillohen në mënyrë elektronike. Transparencë e plotë. Ne kemi bërë një lëvizje të madhe të rëndësishme, në drejtim të heqjes së liçencave dhe lejeve dhe ju siguroj se ka qenë një proces shumë i mundimshëm. Pasioni i burokratit për liçencat është patologjik. Ju nuk mund të imagjinoni sa betejë është bërë, sa mbledhje dhe sa përcaktime për t'i nxjerrë ato nga duart e burokratëve", tha numri një i ekzekutivit. Më tej ai vlerësoi inaugurimin e Qendrës Kombëtare të Lejeve dhe Liçencave, pasi është hequr dy të tretat e tyre. Kryeministri theksoi se, kjo përbën një arritje shumë të madhe për Shqipërinë, me kusht që të shndërrohet në histori suksesi. "Sot, qendra ka ditën e parë, por unë ju garantoj se do të bëjmë çdo përpjekje që ta shndërrojmë atë në një histori të vërtetë madhore suksesi. Ju siguroj se së shpejti do të krijojmë Qendrën Kombëtare, sportelin unik për energjinë. Në mënyrë që ju të mos rendni javë e muaj të tëra pas kësaj apo asaj lejeje, ju siguroj se parimi 'heshtja është miratim' do të tejshkojë të gjithë veprimtarinë e kësaj administrate", garantoi kreu i qeverisë përfaqësuesit e biznesit.

 

Kryeministri garanton se qeveria do të ketë përparësi miratimin e shpejtë të ligjit për Gjykatat Administrative

Rama, rast unik në botë që bllokon lejet dhe planin urbanistik të qytetit

 

Të turpshme i cilësoi dje kreu i qeverisë praktikat e ndjekura nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, në dhënien e lejeve të ndërtimit dhe bllokimin e planit urbanistik të kryeqytetit. Duke vlerësuar ligjin e urbanistikës që redukton kohën e dhënies së lejeve të ndërtimit në 45 ditë, kreu i qeverisë tha se u desh kjo ndërhyrje ligjore për të shmangur rastin unik të abuzimit me pushtetin, siç ishte ai në Bashkinë e Tiranës. Kreu i ekzekutivit i cilësoi praktikat e ndjekura nga Rama si mjete për të plotësuar interesat e ngushta vetiake. "E nisëm me lejet e ndërtimit dhe këtë jo si një akt kundërshtie apo karshillëku ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Jo, por sepse praktikat e tij janë unike në botë. Ka vetëm tre vende në botë që mbajnë lejen e ndërtimit 333 ditë. Nuk ka vend në botë që kryetari i Bashkisë t'i japë 70 përqind të lejeve dy kompanive, ndërkohë që janë 400 të tilla. Ju garantoj se nuk ka, madje as i biri i Kim Li Jungut, kryetar bashkie i Phenian-it, nuk e bën këtë. Edhe këtu u detyruam të ndërhyjmë me ligj, duke e zbritur në 45 ditë lejen e ndërtimit. Tani mbeten planet urbanistike. E konsiderojnë territorin plaçkë të tyre dhe kjo është e turpshme", tha kryeministri. Gjithashtu, ai theksoi se këto praktika nuk janë aspak serioze, në një kohë që Shqipëria është anëtare me të drejta të plota në NATO, si dhe aplikante për të qenë kandidate e Bashkimit Europian. Kryeministri tha se, qeveria do t`u japë fund këtyre abuzimeve, duke ngritur me shpejtësi në mandatin e dytë të qeverisjes Gjykatat Administrative. "Si mund të themi ne se po aplikojmë për në Bashkimin Europian, jemi anëtar i NATO-s dhe nuk bëjmë planin e rregullimit të territorit dhe këtë sepse duan ta ndajnë territorin në llokma. Por ju siguroj se kjo do të marrë fund. Ligje, ligje dhe zbatim me rigorozitet i tyre. Gjykata Administrative është jetike për ju. Në raportin burokrat-biznesmen, unë qëndroj në anën e biznesmenit. Unë jam i vetëdijshëm në çdo rast mbi arbitraritetet që ju imponohen nga burokratët. Por kjo nuk mjafton, duhet gjykata, duhen gjykatësit që t'i vënë 'kufirin tek thana' qeverisë dhe burokratit. Ne bëmë ligjin më të mirë të mundshëm dhe ai do të kalojë", i siguroi kreu i qeverisë përfaqësuesit dhe grupet e biznesit gjatë një takimi, ku prezantoi programin e qeverisë për biznesin në katër vitet e ardhshme. Ai garantoi se, ligji i parë që do të kalojë në mandatin e ardhshëm do të jetë ligji i Gjykatës Administrative. Gjithashtu, kryeministri në fjalën e tij u ndal edhe në fushën e konkurrencës, duke theksuar se qeveria ka bërë hapa të mëdha në klimën e biznesit dhe tani do të punojë me përkushtim të madh të rrisë në maksimumin e mundshëm, të ngrejë në zenit lirinë e konkurrencës në këtë vend. "Unë mendoj të kontraktoj një kompani. Për këtë, kam filluar përpjekjet për të kontaktuar babain e kësaj doktrine, profesorin e Harvardit, Paul. Ai do të vijë në Shqipëri dhe do të punojmë bashkërisht. Shqipëria do të bëhet vendi i konkurrencës më të lirë. Janë në investim e sipër apo do të investohen 15 miliard euro, por Shqipëria ka nevojë për 50 miliard euro. Shqipëria ka nevoja të pafundme. Ju e njihni më mirë. Ndaj ne nuk kemi asnjë instrument tjetër më të fuqishëm, sesa lirinë. Lirinë për ju, për veprimtarinë tuaj", tha kryeministri.

 

Investimet në shëndetësi e arsim do të jenë të çliruara nga një seri taksash

 

Disa sektorë të rëndësishëm do të jnë të çliruar nga taksat gjatë mandatit të dytë qeverisës të Partisë Demokratike. Duke folur gjatë një takimi me biznesin, ku paraqiti platformën e PD-së për mbështetjen e biznesit në katër vitet në vazhdim, kryeministri Berisha tha se qeveria do t`u kushtojë një vëmendje të veçantë investimeve. Ai theksoi se, parqet industriale detyrimisht do të jenë zona të sistemit të veçantë, ndërkohë që investimet në shëndetësi, investimet në arsim do të jenë të çliruara nga një seri taksash. Kryeministri theksoi se vitet që vijnë do të jenë vitet e përqendrimit total të qeverisë në zgjerimin dhe konsolidimin e lirisë së garës dhe konkurrencës. Ai tha se praktikat "një euro", e cila siç u shpreh kryeministri, pati nga ata që i panë me skepticizëm në fillim, janë operative çdo ditë. "Nuk e di nëse ka këtu, në sallë, ndonjë që ka përfituar prej tyre, por në Shqipëri ka shumë. Prandaj, ftoj biznesmenët të bëjnë dhe të paraqesin projekte. Ne u qëndrojmë plotësisht dhe tërësisht zotimeve tona. Do të ketë lëvizje preferenciale të sistemit fiskal. Katër vitet që shkuan, ne nuk bëmë lëvizje preferenciale, selektive dhe bëmë mirë, sepse i ulëm ato për të gjithë. Tani, disa sektorë e kanë më të domosdoshëm. Sikundër do të bëjmë çdo përpjekje për partneritetin publik-privat, që gjer tani në fushën e investimeve kryeson me epërsi të jashtëzakonshme në fushën e energjisë, në fushën e turizmit deri diku, akoma nuk ka marrë shpejtësinë e plotë në fusha të tjera", vlerësoi kreu i ekzekutivit. Ai nënvizoi më tej se qeveria do të studiojë, për këtë partneritet në të gjitha fushat e veprimtarisë ekonomike. "Qeveria beson, unë besoj dhe jam i bindur në qendrueshmërinë e ekonomisë shqiptare në këtë krizë. Unë nuk them se nuk ka pasur pasoja, por, absolutisht, jemi shumë larg vendeve në krizë përsa i përket aspektit të krizës. Ne kemi një rënie të eksporteve nga 5 deri në 8 përqind sipas muajit, por, nga ana tjetër, ne nuk kemi asnjë kokëdhimbje për buxhetin. Ne kemi të ardhura 8 apo 10 përqind më shumë sesa vitin e kaluar. Performanca jonë e përbashkët fiskale, pasi nuk është vetëm e qeverisë, por edhe e juaja, ecën normalisht. Unë besoj, sepse ne iu adresuam lirisë, më shumë se kushdo tjetër", vijoi më tej Berisha.

 

Qeveria do të vijojë politikën e uljes së taksave

 

Qeveria është e vendosur të respektojë politikën e saj të uljes së taksave. Në vijim të takimit me shoqatat e biznesit, kryeministri Berisha ka theksuar se qeveria do të ketë si qëllim të saj shndërrimin e Shqipërisë në vendin me barrën më të ulët fiskale në Europë. "Ne kemi vendosur taksën e sheshtë. Unë, në bindjen time më të thellë jam për taksat e ulëta. Në vitet '95-'96, ai sistem i dha Shqipërisë rritje dyshifrore ekonomike. Sërish vitin e kaluar, 9 muajt e parë të tij ishin dyshifrore. Ne prapë do të shohim në çdo aspekt ku mund të ulen ato. Por për taksën e sheshtë ka një studim jashtëzakonisht të rëndësishëm të Oksfordit, të publikuar vjet, i bërë në 800 mijë sipërmarrje, të monitoruara për 10 vjet rresht. Kur krahason taksën marksiste progresive, e cila synon të godasë kapitalistët dhe taksën e sheshtë, e cila synon të zgjerojë lirinë ekonomike, në kundërshtim flagrant me dogmën socialdemokrate, Oksfordi fakton se përfituesit kryesorë nga taksa e sheshtë janë direkt punëtorët, se për çdo dollarë të ulur të kësaj takse, 0.54 dollarë i kalojnë punëtorit ose pagë, ose shërbim, investim, zgjerim biznesit etj", tha kryeministri, ndërsa shtoi se kjo krizë ka krijuar një farë konfuzioni në botë, disa i rrisin taksat, disa i ulin, por siguroi se qeveria shqiptare do të vazhdojë t'i ulë ato. Unë, tha kryeministri, ju garantoj se ne do të vazhdojmë me uljen e tyre, ky është zotimi im. "Përsa kohë ju të votoni këtë forcë politike, kjo forcë politike do të mbetet forcë e qëllimit të taksave më të ulëta në Europë, forcë e qëllimit; barra burokratike më e lehtë në Europë. Duke përfunduar, ju siguroj se do të mbahet parasysh plotësisht çdo vërejtje apo sugjerim i juaji dhe në dialogun me ju, ne kemi faktorin më të rëndësishëm jo vetëm të hartimit, por edhe të korrigjimit të programit tonë, në mënyrë që ky vend të ecë me ritmet më të shpejta të mundshme", tha kryeministri.

 

Kryeministri Berisha garanton zgjedhje të lira e të ndershme

 

Kryeministri Berisha ka shprehur dje vullnetin e qeverisë shqiptare për të zhvilluar më 28 qershor zgjedhje të lira dhe të ndershme. Gjatë një takimi me ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar, të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, në Tiranë, Fiona McIluham, kreu i ekzekutivit e siguroi atë për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë. Gjatë takimit, kryeministri shprehu kënaqësinë për nivelin e marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe mirënjohjen për përkrahjen që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Shqipërisë për anëtarësimin në NATO dhe integrimin në Bashkimin Europian. Nga ana e saj, ambasadorja e siguroi kryeministrin Berisha se gjatë misionit të saj në Shqipëri, do të punojë për zgjerimin e forcimin e marrëdhënieve. Ajo vlerësoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, është një arritje e rëndësishme për vendin, por dhe një garanci më e madhe për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve. RD

 

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Opozita bashkohet rreth datës së zgjedhjeve (06.09.2009)
Ramë Manaj: LDK do të vazhdojë të jetë artikuluese e fuqishme e interesave të popullit (06.09.2009)
LDK mbetet pasqyrë e një elite të përgjegjshme politike në Kosovë (06.09.2009)
Sot në Prishtinë i zhvillon punimet Konferenca njëditore e Lidhjes Demokratike të Kosovës mbi orinetimet strategjike të kësaj partie (06.09.2009)
Kryeministri Berisha pret shiritin e fillimit të punimeve për projektin më të madh hidroenergjitik në Evropë (06.09.2009)
Është prezantuar koalicioni i vëzhguesve vendës (06.08.2009)
Berati i bashkohet marshimit të fitores: Boshti i Jugut, projekti infrastrukturor madhoir i mandatit të dytë (06.06.2009)
Lëvizja e lirë, punësimi, infrastruktura, fshati, arsimi, pagat, pensionet dhe shëndetësia, prioritetet e PD (06.05.2009)
Komisioni Amerikan i Helsinkit: Zgjedhjet test për në BE, kartat problem (06.04.2009)
Berisha: Shqipëria është shndërruar në vend të besuar për biznesin (06.04.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
KONFERENCË PËR SHTYP E KRYEMINISTRIT BERISHA DHE KRYEMINISTRIT BERLUSKONI
Berisha: Jemi Kina e vogël e Evropës, investoni (ANSA)
Dekorohen protagonistë të 20 shkurtit

 
VOAL
[Shko lartë]