VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Kryeministri Berisha kërkoi votën e qytetarëve të Kombinatit për horizontin e ri të integrimit

                                                                                      

E Shtunë, 05.04.2024, 12:20am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
POLITIKË
 
Kryeministri Berisha kërkoi votën e qytetarëve të Kombinatit për horizontin e ri të integrimit
E Djelë, 06.14.2009, 07:42am (GMT+1)

 

 

 

 

Mijëra banorë të Kombinatit bashkohen me projektin e Partisë Demokratike për Shqipërinë europiane. Në një atmosferë entuziaste, kryeministri Berisha përshëndeti përzemërsisht banorët e Kombinatit, duke vlerësuar se Shqipëria këto katër vite ia doli me reforma të thella, të shtohet në vendin lider për investime të huaja, të dyfishojë rrogat dhe pensionet, të nxjerrë 400 mijë shqiptarë nga varfëria. Kryeministri shprehu nderimin e tij për mbështetjen e jashtëzakonshme që banorët e Kombinatit i dhanë Partisë Demokratike katër vite më parë. Kryeministri Berisha theksoi se, ky besim dhe kjo votë u shndërrua në realizimin e njërit prej projekteve më madhore të të gjitha kohërave dhe të kombit shqiptar, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ai theksoi se kjo mbështetje u shndërrua në lartësimin e emrit të Shqipërisë më shumë se kurrë në historinë e saj. Në vijim, kryeministri theksoi se Shqipëria, është vendi që me gjithë problematikën e saj, në kohën e krizës më të rëndë botërore qëndron në krye të rritjes ekonomike. Ai vlerësoi se, Shqipëria është vendi që në katër vite u rendit i dyti në botë për klimën e biznesit, më i miri në rajon, në dhjetëshen më të mirë në botë për luftën kundër korrupsionit. "Sot jam këtu tek ju për të kërkuar besimin tuaj, votën tuaj për një mandat të dytë. Ua kërkoj këtë votë jo për ato që realizuam në mandatin e parë, por për horizontin e ri që së bashku do të kapim në mandatin e dytë, 2009-2013. Ju ftoj të bashkohemi për të vazhduar ndryshimin, për të realizuar brenda vitit të parë të mandatit të dytë lëvizjen e lirë të shqiptarëve pa viza në mbarë Europën. Ju bëj thirrje të vazhdojmë ndryshimin për të bërë Shqipërinë vendin e infrastrukturës rrugore më moderne në rajon dhe në Europë. Për të furnizuar shqiptarët 24 orë me ujë kudo që ndodhen, për të mbështetur biznesin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave tona rurale. Ju ftoj ju të vazhdojmë ndryshimin për të punësuar shqiptarët, puna dhe punësimi do të jenë kryefjalë e mandatit tim të dytë", vijoi më tej kryeministri.

 

Tirana nuk do të votojë më për Nehat Kullën apo Kokëdhimën

 

Kryeministri Berisha shprehu sërish dje gatishmërinë e mazhorancës për ndryshimin e ligjit, që do t`i lejonte Ramës kandidimin edhe duke mbajtur postin e kryetarit të Bashkisë. Por kreu i qeverisë tha se, Tirana nuk voton më për Ramën, pasi sa herë votoi atë, votoi për Nehat Kullën apo Koço Kokëdhimën. "Vëre zoti Rama veten në listë, në qoftëse fiton jep prapë po deshe dorëheqjen dhe bëhu kryetar Bashkie, ose sille ligjin dhe po të votojmë, sille të ndryshojmë ligjin. Po e di ti se, kur të votoi ty Tirana, votoi Nehat Kullën, votoi lepujt e tu që të vijnë mbrapa. Kur të votoi ty Tirana, votoi Koço Kokëdhimën, që merr së bashku me ty të gjitha tenderat e kryeqytetit. S'të voton ty Tirana, s'të voton ty Shqipëria, prandaj nuk del në listë ti", u shpreh kryeministri gjatë një takimi madhështor me banorët e Kombinatit. Më tej, kreu i qeverisë theksoi se socialistët nuk i bashkon asgjë me Edi Ramën. "Ai nuk ju do ju, ai do 99-shat e tij, me të cilët bën pazaret e fëlliqura të lejeve të ndërtimit. Kurse me Sali Berishën ju lidh projekti europian, ju lidhin rrogat e pensionet më të larta se 6 vende të tjera të Bashkimit Europian, ju lidh krijimi i 160 mijë vendeve të punës, ju lidh lëvizja e lirë brenda vitit të parë, ju lidh besimi i madh që ka Europa dhe bota tek Sali Berisha dhe tek Partia Demokratike", u shpreh më tej kreu i ekzekutivit. Kryeministri vlerësoi se, këto katër vite kanë qenë vite të pothuajse të dyfishimit të ardhurave për frymë në këtë vend. "Ktheni sytë tek Edi Rama dhe mendoni pse nuk del në krye të listës tuaj, të dashur socialistë. Ka frikë nga Tirana. E di se Tirana do të jetë fundi i tij politik, e di se Tirana do t'i japë duart njëherë e përgjithmonë njeriut që mban peng planin e rregullimi të kryeqytetit vetëm e vetëm për t`u prerë gjoba pronarëve të Tiranës", theksoi më tej kryeministri. Ai shtoi më tej se, asgjë nuk i lidh socialistët e thjeshtë me njeriun që ka shndërruar kryesinë aktuale të PS-së në 99-sha dhe shpk, me njeriun që nga 500 leje ndërtimi 70% i merr për vete dhe me Eftimët dhe Shkrelët e tij. "Ai është njeriu që nuk dorëzon projektin për ndërtimin e unazës së madhe, por e konsideron si plaçkën e oborrit të tij. Çfarë ju lidh ju, qytetare dhe qytetarë të Tiranës me njeriun që ka vendosur Tiranën në klubin e katër vendeve më të korruptuara të planetit për lejet e ndërtimit. Çfarë ju lidh ju qytetarë të Tiranës me njeriun që nuk vë dot veten në listë për t'u provuar sërish përpara jush", u tha më tej Berisha qytetarëve të Kombinatit.

 

Rama e shndërroi PS-në në klubin e njerëzve antikombëtarë

 

Kryeministri theksoi se Partia Socialiste, nën drejtimin e Edi Ramës, është shndërruar në klubin e njerëzve që votojnë kundër çdo ligji që mbron interesat kombëtare, sepse ajo vazhdon të jetë e lidhur ngushtë me të kaluarën e errët komuniste. "Edi Rama festoi dje 18-vjetorin apo 70-vjetorin e partisë së tij. E vërteta historike është se ajo parti, 18 vjet më parë, parti e krimeve më monstruoze, ndërroi vetëm emrin. Por e vërteta tjetër është se në këto 18 vjet, ajo parti ia doli të anëtarësohet në Internacionalen Socialiste. Kurse që kur e mori Edi Rama dhe e shndërroi në klubin e 99-shave, partia e tij voton kundër çdo ligji, sepse do të shkuarën. Partia e tij voton kundër rritjes së rrogave, kundër rritjes së pensioneve, voton kundër aplikimit për vend anëtar në Bashkimin Europian, voton kundër Gjykatës Kushtetuese", tha kryeministri. Ai dënoi ashpër faktin se, Rama ende nuk ka sjellë në Këshillin e Rregullimit të Territorit planin e rregullimit urbanistik të Tiranës. Kryeministri e cilësoi 18-vjetorin e PS si një nga përvjetorët më të trishtë që mund të bëjë një parti.

 

Biznesi, gjeneratori i projektit të qeverisë për punësimin

 

Projekti i qeverisë për të rritur punësimin në vend do të ketë si gjenerator kryesor të tij biznesin. Në këtë kuadër, ai ka vlerësuar se vetëm 6 muajt e fundit qeveria ka firmosur e kanë nisur e do të nisin punimet në sipërmarrje gjigante, një investim prej 5.6 miliard euro. Ai ka vënë në dukje se vetëm hidrocentralet që kanë nisur të ndërtohen dhe do të ndërtohen, do të mund të punësohen mbi 60 mijë qytetarë shqiptarë. Gjithashtu, kryeministri shtoi se në 6 parqet e mëdha industriale të vendit do të krijohen mbi 40 mijë vende pune. Ai theksoi se dhjetëra mijëra vende pune të tjera do të krijohen me ndërtimin e porteve gjigante, aeroporteve, boshteve më të shkurtra, rrugëve të vendit, ujësjellësave e kanalizimeve. "Ne që e bëmë Shqipërinë vendin me taksat më të ulëta në Europë, ne do ta bëjmë Shqipërinë vendin më të suksesshëm për biznesin në Europë. Demokratë, të pa parti, socialistë dhe të të gjitha bindjeve, ju bëj një thirrje vëllazërore: bashkohuni me ne në projektin tonë të madh, të Tiranës europiane, të Shqipërisë europiane. Bashkohuni me ne, sepse ky projekt nuk është thjesht çështje e një partie, ky projekt është projekti i shpirtit, mendjes dhe zemrës të çdo shqiptari. Si projekti më i bukur për begatinë e tij, për punësimin e tij, për shkollimin e fëmijëve të tij, për punësimin e fëmijëve të tij, për shërbimet shëndetësore, për infrastrukturën moderne", tha kryeministri.

 

Leskaj e Balla në Strugë, përcillen me "Shqipëria po ndryshon"

 

Kandidatët e Partisë Socialiste, të cilët janë mbërthyer në një fushatë mashtrimesh dhe mohimesh të arritjeve të qeverisë po marrin në çdo qytet apo fshat të vendit përçmimin dhe përbuzjen jo vetëm për alternativën që përfaqësojnë, por për mënyrën e pacipë me të cilën po përpiqen të mashtrojnë qytetarët. Në një takim me socialistët e Gjirokastrës, kandidatët e PS-së, Arta Dade dhe Ethem Ruka, janë munduar që t`i bindin ata se qeveria e Partisë Demokratike nuk ka bërë asgjë për këtë qark, por kanë marrë një përgjigje që ata nuk e prisnin kurrë nga mbështetësit e partisë së tyre. "Për 15 vjet me radhë, ne kemi votuar të majtën dhe në 15 vjet nuk ka patur asnjë investim në fshatin tonë. Sapo erdhi PD-ja në pushtet na ndërtoi rrugën", u shpreh një banor i fshatit Picar të Gjirokastrës në reagim të deklaratave të Dades se, qeveria e djathtë ka lënë në harresë këtë zonë. Në të njëjtat pozita të sikletshme po e vënë veten kandidatët e PS-së në çdo qytet, fshat apo komunë të vendit, ku ata po përpiqen të mbulojnë me velin e mashtrimit investimet e dukshme të qeverisë. Por fryma e ndryshimit të Shqipërisë ka filluar të ndjehet edhe jashtë kufijve të saj dhe më shumë nga të gjithë këtë e kanë kuptuar kandidatët e PS-së, Valentina Leskaj dhe Taulant Balla, të cilët të cfilitur nga fushata e mashtrimit nëpër fshatrat e Elbasanit kanë mbajtur frymën në Strugë për të pirë kafe. Pasi janë çlodhur në një nga lokalet luksoze të Strugës, kandidatët e PS-së janë përcjellë nga pronarët e lokalit me kolonën zanore të fushatës së Partisë Demokratike "Shqipëria po Ndryshon", e cila është kthyer në një hit muzikor jo vetëm brenda vendit, por edhe në Maqedoni dhe Kosovë ku jetojnë shqiptarë.

 

Kryeministri shprehu bindjen se shqiptarët kanë vendosur të rikthejnë madhështinë e 22 marsit `92

Edi Rama bllokoi nismën për kthimin e Paskuqanit në bashki

 

Kryeministri ftoi dje të gjithë banorët e Paskuqanit dhe të mbarë Shqipërisë për t'u bashkuar me projektin e Shqipërisë europiane. Kryeministri Berisha u bëri thirrje gjithashtu qytetarëve që t'i bashkohen kësaj qeverie për të vijuar më tej rritjen e pagave dhe pensioneve, për të ndërtuar rrugë e shkolla të reja dhe për të nisur një sërë projektesh të reja jetike, që do ta ndryshojnë Shqipërinë më shumë se kurrë ndonjëherë. "Ju bëj thirrje të mos i jepni asnjë votë Edi Ramës. Socialistë të Paskuqanit, në rast se mendoni për një moment do ta gjeni veten 10 herë më afër me Sali Berishën, sesa me Edi Ramën. Në qoftë se Edi Rama, për hir tuaj, do të donte Paskuqanin, do t'i bashkonte votat me ne që ju të bëheshit bashki. Asnjë votë për të. Të bashkohemi së bashku në projektin tonë europian, të bashkohemi së bashku për rritjen e madhe të rrogave dhe pensioneve, për asfaltimin dhe ndërtimin e rrugëve të tjera, për shkolla moderne, për lëvizjen tonë të lirë në mbarë Europën, për përgatitjen e Shqipërisë në mandatin tonë të dytë për anëtare të BE-së", tha kryeministri. Duke iu referuar zgjedhjeve të 28 qershorit, kryeministri theksoi se shqiptarët kanë vendosur të rikthejnë 22 marsin. Kryeministri bëri apelin e tij që të gjithë qytetarët të pajisen sa më shpejt me letërnjoftimet elektronike, ndërsa theksoi se me anë të këtyre dokumenteve shqiptarët për herë të parë do të votojnë me dinjitet. "Ju bëj thirrje secilit prej jush. Këto ditë, verifikoni me çdo njeri të dashur tuajin, me çdo mik, me cilindo që njihni, në i kanë marrë apo jo letërnjoftimet. Merrini letërnjoftimet dhe të votojmë me dinjitet, të votojmë si qytetarë europiane, me dokumentet më moderne, të votojmë për t'i dëshmuar Europës dhe botës se zgjedhjet e lira janë përkushtimi ynë absolut, se ne me demokracinë dhe vlerat e saj duam të bashkohemi me ju, se ne nuk kërkojmë prej askujt asgjë që nuk na takon, por jemi të zotë e të aftë të ndërtojmë në këtë vend shoqërinë demokratike, jemi të zotë e të aftë ta zhvillojmë këtë vend", tha kryeministri. Më tej, ai vlerësoi se katër vitet që vijnë, qeveria do të krijojë 160 mijë vende të reja pune. Në këtë kuadër, ai theksoi se kanë filluar të ndërtohen ose do të ndërtohen 104 hidrocentrale, 6 parqe industriale e dhjetëra e dhjetëra fabrika, uzina e vepra të tjera të rëndësishme, në të cilat do të punësohen 160 mijë shqiptarë. "Edhe një herë ju bëj thirrje të bashkohemi. Ju bën thirrje që 28 qershorin ta shndërrojmë në festën e madhe të besimit tonë tek njëri-tjetri, tek vetja, tek Shqipëria", vijoi më tej kryeministri.

 

Qeveria do ta shndërrojë Paskuqanin në një nga bashkitë më të zhvilluara

 

Në mandatin e dytë qeverisës, mazhoranca e djathtë do të bëjë realitet një ëndërr të hershme të banorëve të Paskuqanit, atë që PS për tetë vite me radhë përbalti dhe përbuzi, shndërrimin e kësaj zone në një nga bashkitë më të zhvilluara në vend. "Para së gjithash, dëshiroj t'ju përshëndes vëllazërisht. Ju falenderoj për këtë pritje vëllazërore. Së bashku me ju, me punën, mundin dhe djersën tuaj, me mbështetjen e fuqishme të qeverisë do ta shndërrojmë Paskuqanin në një prej bashkive më të zhvilluara të vendit. Socialistët nuk i dhanë votat për shndërrimin tuaj në bashki, por kësaj here do të mbledhim aq shumë vota sa nuk do të ketë nevojë për votat e tyre", tha kryeministri. Ai shprehu mirënjohjen e tij të thellë për mbështetjen që i është dhënë Partisë Demokratike dhe qeverisë në katër vitet që shkuan. Kryeministri konstatoi kënaqësinë e tij për ndërtimet që janë bërë në këtë zonë, ndërsa theksoi se kodrat e kësaj zone janë shndërruar në rajonin ndër më të bukurin të Tiranës dhe Shqipërisë. Gjithashtu, kryeministri ka vlerësuar se në katër vite, në Paskuqan, qeveria investoi 24 herë më shumë, sesa ata të cilët kanë mashtrime, mashtrime dhe vetëm mashtrime. Ai shtoi se në katër vite, qeveria investoi mbi 1 miliard e 100 milion lekë (të reja), investoi në rrugë Paskuqan-Kamëz, Paskuqan-Varreza, Paskuqan-Kodërkuqe. Kështu, kryeministri vlerësoi se Paskuqani po merr të gjithë infrastrukturën moderne që meriton, në shkolla, ujësjellës, në shërbimin shëndetësor, në rrjetin elektrik. Kryeministri vlerësoi se, në katër vitet që vijnë në këtë bashki nuk do të ketë pëllëmbë rrugë të paasfaltuar. "Katër vitet që vijnë, ju do të keni ndërtimet më moderne. Katër vitet që vijnë, Paskuqani do të shndërrohet në një nga zonat më të kushtueshme të vendit", vijoi më tej kryeministri.

 

Taksa e infrastrukturës nuk do të rëndojë mbi qytetarët

 

Qeveria nuk do të lejojë që taksa e infrastrukturës të rëndojë mbi qytetarët shqiptarë. Kryeministri Berisha theksoi dje se, qeveria nuk do të lejojë për asnjë moment që kjo taksë të rëndojë qytetarët, duke theksuar se do të përdoret çdo mënyrë për t'i lehtësuar sa më shumë ata. Duke iu referuar vendimit të sapomiratuar të qeverisë për legalizimet dhe përdorimin e letrave me vlerë, kryeministri tha se ky proces do të ndikojë pozitivisht në zgjidhjen e problemeve të të gjithë qytetarëve që kanë ndërtesat e tyre për t'u legalizuar. "Legalizimi po ecën. Para dy ditësh vendosa të hap tregun e letrave me vlerë. Hapja e tregut të letrave me vlerë është interesi i 800 mijë shqiptarëve, që i kanë marrë ato dhe që pas rebelimit u përpoqën t'ua shndërrojnë në letra pa vlerë. Tani ato bëhen letra me vlerë. Tregu i letrave me vlerë ndihmon edhe të gjithë banorët, të gjithë qytetarët që legalizimet t'i bëjnë me një çmim edhe më të arsyeshëm. Këto ditë më kanë informuar se edhe taksën e infrastrukturës juve jua rëndojnë shumë. Nuk do të pranoj asgjë të rënduar mbi supet e qytetarëve. Shteti nuk bazohet mbi peshën e tij të rëndë mbi supet e qytetarëve. Përkundrazi, shteti është i detyruar të lehtësojë qytetarët. Këto katër vite kanë qenë vite, në të cilat çdo banor i kësaj bashkie ka ndjerë ndryshimin, ka ndjerë interesin direkt të qeverisë", tha kryeministri. Ai theksoi se të gjithë atyre që e kanë ndjerë këtë ndryshim, që i besojnë këtij ndryshimi, qeveria u kërkon vetëm votën. Kryeministri theksoi se të gjithë ata, të cilët janë të bindur se katër vitet që shkuan ishin vitet e dyfishimit të pensioneve, të dyfishimit të rrogave të mësuesve dhe të infermierëve, vitet e investimeve të mëdha në infrastrukturë, vitet e anëtarësimit në NATO, vitet e Shqipërisë në prag të lëvizjes së lirë, PD i fton për ta votuar, për të realizuar kështu ëndrrën historike të shqipërisë europiane. Më tej, kryeministri theksoi se projekte të mëdha do të zhvillohen në këtë zonë dhe projekti i parë do të jetë lidhja e Paskuqanit me Tiranën. Kryeministri theksoi se, do të ndërtohen një seri urash që janë në projekt. "Ju e dini që socialistët të gjithë investimin e bënë në dy këmbë ure. Do të ndërtojmë bulevardin gjatësor të Tiranës, do të vazhdojmë rritjen e pensioneve, pensionet e fermerëve do të barazohen me pensionet e qytetit. Në rritjen e pensioneve dhe rrogave ne do të lëmë mbrapa qytetarët e 6 vendeve anëtare të Bashkimit Europian", vijoi më tej kryeministri.

 

Kryeministri ftoi qytetarët e Kamzës pavarësisht bindjeve politike të mbështesin projektin e Shqipërisë europiane

Berisha: Mbështetja e vetme e Edi Ramës sekserët e lejeve të ndërtimit

 

Kryeministri u bëri dje thirrje socialistëve të Kamzës që t'i bashkohen projektit të Shqipërisë europiane të përfaqësuar nga Partia Demokratike. Ai theksoi se, Partia Demokratike është forca politike që mbron interesat e qytetarëve, ndërsa nënvizoi se në kampin socialist të vetmit mbështetës të Edi Ramës janë 99-shat dhe sekserët e lejeve të ndërtimit. Kryeministri theksoi se, projekti i qeverisë për Shqipërinë europiane nuk është aspak një projekt politik, por një projekt i identitetit kombëtar. "28 qershori po afron. Unë kam një thirrje vëllazërore për të gjithë socialistët e Kamzës; bashkohuni me ne, sepse ju me Sali Berishën ju bashkon dashuria për Shqipërinë, me Sali Berishën ju bashkon anëtarësimi në NATO, me Sali Berishën, ju bashkojnë investimet e pamata në Kamëz, me Sali Berishën ju bashkon ëndrra europiane që do të bëhet realitet. Le ta lëmë Edi Ramën me 99-shat e tij, se përveç tyre, që i përdor si sekserë për lejet e ndërtimit, nuk do njeri. Ne ju duam juve. Ndaj më 28 qershor, pavarësisht nga bindjet politike, bashkohuni me ne", u shpreh kreu i qeverisë. Ai tha se katër vitet që vijnë, janë vitet, gjatë të cilave kjo qeveri do të ndërtojë Kamzën europiane, Shqipërinë evropiane. "Kamza europiane, Shqipëria europiane do të thotë para së gjithash shqiptarët në punë. Ndaj vij sot tek ju për të kërkuar votën tuaj në mënyrë që së bashku të krijojmë 160 mijë vende pune të reja, në katër vitet që vijnë. Janë të kontraktuara investimet prej 5.6 miliard euro në mbi 104 hidrocentrale, në porte gjigande që punësojnë 30 deri në 40 mijë qytetarë, po hapim 6 parqe industriale në vend, ku do të punësohen dhjetëra e mijëra të tjerë", u shpreh kreu i ekzekutivit në një miting madhështor në Kamëz. Ai theksoi se këto zgjedhje janë zgjedhje për ëndrrën më të bukur, për ëndrrën europiane. Ne, u shpreh ai, që shndërruam në realitet ëndrrën atlantiste të shqiptarëve dhe anëtarësuam Shqipërinë në NATO, ne do të shndërrojmë në realitet edhe ëndrrën europiane, do të anëtarësohemi në BE. "Jam sot këtu për t'ju dhënë ju fjalën, se brenda vitit të parë të mandatit të dytë ju do të lëvizni të lirë pa viza në mbarë Europën", u tha kryeministri mijëra qytetarëve të Kamzës.

 

Armiqtë e legalizimit në krye të Partisë Socialiste

 

Çështja e legalizimeve është dhe do të mbetet një nga prioritet e qeverisë së Partisë Demokratike deri në momentin e zgjidhjes së saj. Kryeministri Berisha garatoi banorët e Kamzës se, ky problem do të zgjidhet, ndërsa evokoi vendimin e marrë në mbledhjen e fundit të qeverisë ku u vendos hapja e tregut të letrave me vlerë në sajë të zgjidhjes sa më të shpejtë të çështjes së legalizimeve. Kreu i qeverisë u kujtoi banorëve të Kamzës, se armiqtë që me çdo kusht kanë bllokuar mbarëvajtjen e këtij procesi, drejtojnë sot Partinë Socialiste. "Armiqtë e legalizimit, që janë gjithmonë në krye të Partisë Socialiste, bënë çdo gjë që të minonin ligjin e legalizimit, por ata dështuan. Dy ditë më parë, qeveria ime vendosi të hapë tregun e letrave me vlerë për çështjen e legalizimeve. Dua t'ju informoj gjithashtu, se edhe dorën e rënduar mbi taksën e infrastrukturës nuk kam ndërmend ta duroj. Unë do të jem në anën tuaj", tha kryeministri, duke shprehur përkushtimin e qeverisë për të zhvilluar zgjedhjet më të lira dhe të ndershme që janë shënuar ndonjëherë në historinë e kombit shqiptar. Nga Kamza, kryeministri u bëri thirrje qytetarëve të mbarë vendit për të aplikuar e për t'u pajisur me letërnjoftimet e reja elektronike për të përmbushur kështu një detyrim madhor jo vetëm të qeverisë, por edhe të vetë popullit shqiptar. "Edhe një herë ju bëj thirrje të merrni të gjithë letërnjoftimet e reja. Ju ftoj të gjithë ju, që jeni në këtë shesh të trokisni në derën e çdo miku, ta verifikoni në e ka marrë apo jo letërnjoftimin e ri, dëshminë më moderne të identitetit tonë, t`i marrim ato për të barazuar veten me qytetarin e vendeve më të zhvilluara, t`i marrim ato, sepse kanë me dhjetra e dhjetra përdorime dhe ju do të jeni dëshmitarë të kësaj. Por t'i marrim ato edhe për të votuar me një dokument modern, për t'i treguar Europës dhe botës, se kush janë dokumentet tona, ja sa të përkushtuar jemi ne për zgjedhje të lira", u shpreh kryeministri. Ai theksoi se, më 28 qershor në Kamëz dhe në Shqipëri janë me qindra e qindra vëzhgues të huaj zgjedhjesh që vijnë nga dhjetra e dhjetra vende mike. "Është në nderin e tij për t'u dëshmuar atyre maturinë, pjekurinë, zhvillimin dhe qytetërimin demokratik. Duke ju dhënë juve fjalën se do të financoj çdo projekt të kësaj bashkie, ju ftoj të votoni vetëm 10-ën. 10-ta jeni ju, 10-ta është Kamza, 10-ta është Partia Demokratike. 10-ta është Shqipëria. 10-ta është Europa", përfundoi fjalën e tij kreu i qeverisë.

 

Investimet në Kamëz 24 herë më të larta se gjatë qeverisjes së PS

 

Punësimi, rritja e pagave e pensioneve dhe lëvizja e lirë do të jenë disa nga prioritetet madhore të qeverisë së Partisë Demokratike për katër vitet në vijim. Gjatë një takimi madhështor me banorët e Kamzës, kryeministri Berisha theksoi se, nëse mandati i parë qeverisës shërbeu për të shtruar bazën e një Shqipërie tjetër e të ndryshuar, katër vitet që vijnë do të jenë vitet e Shqipërisë europiane, vitet e mirëqenies së çdo qytetari shqiptar. Ai theksoi se, qeverisja e djathtë do t'u ofrojë qytetarëve shqiptarë standardet më të larta të jetës. "Vij me kënaqësi tek ju, në këtë fushatë elektorale, pasi, me punë të përbashkët, kemi shndërruar në realitet premtimet e mëdha të katër viteve më parë. Së pari, takohemi këtu si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s. Së dyti, këto katër vite në Bashkinë tuaj janë investuar 24 herë më shumë se katër vitet e mëparshme të qeverisë socialiste. Në katër vite, në Bashkinë e Kamzës janë investuar rreth 6.5 miliard lekë, janë ndërtuar me dhjetra e dhjetra kilometra rrugë, është ripërtërirë tërësisht sistemi energjitik, janë ndërtuar shkolla dy herë më shumë se në Bashkinë e Tiranës, janë ndërtuar 7 shkolla të reja dhe janë meremetuar 8 të tjera. Kamza ka modernizuar shërbimet ndaj jush", tha kryeministri. Ai shprehu garancinë se, në katër vitet që vijnë, këto investime do të shumëfishohen dhe se Kamza do të jetë një nga bashkitë më të zhvilluara të vendit. Këto katër vite, tha kryeministri, qeveria dyfishoi pensionet për të gjithë fermerët shqiptarë, duke i rritur ato 50 deri në 70 përqind për pensionistët e tjerë. Gjithashtu ai shtoi se, këto katër vite u dyfishuan rrogat e mësuesve, mjekëve dhe infermierëve. Kryeministri garantoi se, në katër vitet që vijnë çdo pensionist shqiptar do të paguhet më mirë, se pensionistët e 6 vendeve anëtare të BE-së. Por gjithashtu, kryeministri theksoi se, konsolidimi dhe modernizimi i infrastrukturës është zotimi solemn i kësaj qeverie, si dhe finalizimi i legalizimit dhe shpejtimi i procesit.

 

Kryeministri Berisha fton të majtët të mbështesin projektin për Shqipërinë europiane

Rama zhgënjeu socialistët, u kërkon votën duke u fshehur poshtë karriges së Bashkisë

 

Kryeministri Berisha i bëri thirrje dje socialistëve në mbarë vendin t'i bashkohen projektit të Shqipërisë europiane, duke nënvizuar se projekti i këtij mandati katërvjeçar nuk është partiak, por në mbrojtje të interesave të qytetarëve. Në një takim madhështor me mijëra qytetarë të Prrenjasit, kreu i qeverisë theksoi se programi elektoral i Partisë Demokratike ka vetëm një qëllim pas NATO-s: anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Ndërsa e cilësoi Partinë Demokratike si mburojën e interesave më të mira të të gjithë shqiptarëve, kryeministri Berisha ironizoi qëndrimin e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, duke theksuar se elektorati i majtë ndihet i zhgënjyer sepse lideri i tyre mungon në garë. Partia Demokratike, u shpreh më tej Berisha, e kërkon votën e saj duke u parashtruar shqiptarëve Shqipërinë Europiane; nga ana tjetër, Rama u kërkon votën shqiptarëve, duke u fshehur pas karriges së Bashkisë. "Këtu, në emrin tuaj, ju drejtoj një thirrje vëllazërore socialistëve të Prrenjasit, Librazhdit dhe mbarë Shqipërisë, le të bashkohen me ne. Le të bashkohen, sepse ky projekt i këtij katërvjeçari nuk është projekt partiak, por është ëndrra e çdo shqiptari për të parë veten, fëmijët e tyre, vendin e tyre në Europë, është projekti europian, se e meritojnë të gjithë shqiptarët pavarësisht nga bindjet e tyre politike. Pyeteni veten se te kush besoni më shumë për realizimin e këtij projekti. Ne i dhamë provat tona, ne e anëtarësuam Shqipërinë në NATO dhe e sollëm Shqipërinë si një vend që aplikoi për anëtarësimin në Bashkimin Europian", tha kryeministri, duke vlerësuar se Europa sot është më blu se kurrë në historinë e saj, miqtë e Partisë Demokratike dhe të Sali Berishës në Bruksel, në Berlin, në Paris, në Romë dhe kudo përbëjnë një garanci të madhe për projektin europian. "Ndaj, le të bashkohemi bashkë, sepse kryetari juaj nuk ka marrë përsipër t`iu udhëheqë ju, kryetari juaj ju kërkon votën, por për vete fshihet dhe nuk e vë emrin në listë. Dy javë rresht i kërkova që të mbledhim Parlamentin dhe e bëra këtë gjë për t`ju nderuar ju, të nderuar socialistë, nuk e bëra për atë. Por ai nuk pranoi. Në qoftë se ju do të votoni për ne, unë iu garantoj se do të votoni para së gjithash për rrogat dhe pensionet tuaja, për shërbimin shëndetësor modern, për arsimimin europian të fëmijëve tuaj, për lëvizjen e lirë pa viza që në vitin e parë të mandatit tonë të dytë", tha kryeministri. Gjithashtu, ai shtoi se vota për PD do të thotë votë për infrastrukturën europiane moderne të Prrenjasit, Librazhdit dhe mbarë Shqipërisë, votë për projektet e të gjithë fermerëve të Prrenjasit, Librazhdit dhe mbarë Shqipërisë të financuara nga qeveria. "Pra, ju do të votoni për ëndrrën më të bukur tonën, të fëmijëve tanë, të kombit shqiptar, do të votoni për Shqipërinë në Europë. 28 qershori po vjen, unë iu ftoj të votoni 10-ën. 10-a është nota e mundit dhe e djersës suaj, e moralit dhe e karakterit tuaj, e dashurisë suaj për fëmijët, për njëri tjetrin, për vendin, kombin. 10-a është më e mira, është e vërteta. Votoni 10-ën, votoni Partinë Demokratike dhe keni votuar për Prrenjasin europian, për Shqipërinë europiane", u tha kryeministri qytetarëve të Prrenjasit.

 

Berisha: Do të ulim me 5 vjet moshën e pensionit të minatorëve

 

Kryeministri Berisha garantoi dje nga qyteti i minierave, Prrenjasi, se qeveria në mandatin e dytë qeverisës do t'i kushtojë një vëmendje të veçantë statusit të minatorit, duke siguruar rritjen e pensionit të tyre, si dhe uljen e moshës së pensionit të tyre në pesë vjet. "Ju jeni një qytet minierash dhe industrie mineralesh. Unë jam i vetëdijshëm për problemet madhore të krijuara nga rënia e sistemit minerar, por unë vij prapë këtu që t'iu premtoj dy gjëra minatorëve të Prrenjasit dhe të mbarë Shqipërisë: Sali Berisha do të ulë me 5 vjet moshën e pensionit të tyre. Unë jam gati dhe kërkoj mirëkuptimin tuaj për këtë: më kërkoni rritje pensionesh por jo statuse, sepse statuset nuk shkojnë me pensionet dhe unë do t'jua rris pensionet tuaja", tha kryeministri, ndërsa theksoi se reforma europiane e pensioneve nuk lejon statuset brenda saj, lejon rritje pensionesh dhe qeveria do t'i rrisë ato, lejohet ulja e moshës dhe qeveria do ta ulë atë. Më tej, kryeministri vuri në dukje premtimin e tij për dyfishimin e pensioneve të fermerëve, duke garantuar se edhe në mandatin e dytë qeverisës rritja do të vijojë më tej. " Unë u premtova fermerëve shqiptarë se do të dyfishoj pensionet e tyre dhe unë e mbajta fjalën. Unë iu premtoj fermerëve të Prrenjasit dhe të mbarë Shqipërisë se në katër vitet që vijnë, pensionet e tyre do të barazohen me ato të qytetit. Unë nuk mund të pranoj fshat të dorës së parë dhe shqiptar të dorës së dytë. Jemi vëllezër, kemi derdhur lumenj djerse dhe do të përpiqemi të shpërblehemi gjithmonë e më shumë. Unë i garantoj minatorët e Prrenjasit se unë do të rris në mënyrën më të fuqishme pensionet e tyre", tha kryeministri. Gjithashtu, ai garantoi të gjithë pensionistët shqiptarë se në katër vitet që vijnë, pensionet e tyre do të jenë më të mëdha se pensionet e qytetarëve të 6 vendeve anëtare të Bashkimit Europian. "Garantoj qytetarët e Prrenjasit dhe të mbarë Shqipërisë, se nuk do të ketë qytetar në këto rrethe të Shqipërisë, që të marrë nën dy dollarë në ditë, qoftë ndihmë ekonomike apo cilado qoftë ajo pagesë. Ne do të vazhdojmë rritjen e rrogave, duke parakaluar jo dy vende të Bashkimit Europian, siç kemi bërë deri tani, por 6 vende anëtare të Bashkimit Europian", tha kryeministri.

 

Punësimi, kryefjala e programit qeverisës të Partisë Demokratike

 

Punësimi do të jetë një nga prioritet absolute të qeverisjes së Partisë Demokratike për katër vitet e mandatit të dytë qeverisës. Kreu i qeverisë theksoi dje gjatë takimit me banorët e Prrenjasit se, në katër vitet e ardhshme qeveria do të ndërtojë me mijëra kilometra rrugë, ujësjellës e kanalizime. Ai tha se në mandatin e dytë, përveç Hec-eve që kanë nisur do të nisë ndërtimi i qindra hidrocentraleve të reja, ndër të cilat do të ndërtohen gjashtë parqe industriale nga më të mëdhatë në të gjithë Mesdheun. "Kryefjala e programit tim do të jetë punësimi, punësimi dhe vetëm punësimi. Në Librazhd dhe në mbarë Shqipërinë në katër vitet e ardhshme do të ndërtohen mijëra kilometra rrugë, qindra e qindra ujësjellës e kanalizime. Në Librazhd dhe në mbarë vendin do të ndërtojmë qindra hidrocentrale, do të ngrihen 6 parqe industriale ndër më gjigantët në Mesdhe. Por nga ana tjetër, ju jeni një trevë shumë e pasur në minerale, mos mendoni ju se mineralet e humbasin vlerën, absolutisht jo. Kriza botërore ekonomike është në kalim e sipër, ndaj tregu i tyre do të jetë një nga tregjet më kryesore të botës dhe ata që do të përfitojnë do të jenë zonat minerale të vendit", tha kryeministri, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të Prrenjasit të mbështesin vijimin e reformave si alternativa e vetme për zhvillimin dhe prosperitetin e vendit. Duke iu referuar arritjeve të katër viteve të fundit, ai tha se me anë të reformave të ndërmarra qeveria ia doli që për katër vite të ndryshojë emrin e Shqipërisë, duke e bërë atë anëtare me të drejta të plota në NATO, aplikante për të qenë kandidate e Bashkimit Europian, si dhe të renditet e dyta në botë për klimën e favorshme të biznesit. "Ju përshëndes vëllazërisht dhe shpreh nderin dhe kënaqësinë që takohemi së bashku sot në këtë shesh si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, takohemi së bashku si qytetarë të një vendi që ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Europian, takohemi së bashku si qytetarë të një vendi që me përpjekje, sakrifica dhe punë ia doli këto katër vite të ndryshojë për mirë emrin e vet, të dalë në krye të rritjes ekonomike në Europë, të renditet e dyta në botë për klimën e biznesit dhe më e mira në Ballkan për luftën kundër korrupsionit dhe në dhjetëshen më të mirë në botë për këtë luftë", tha kryeministri, duke nënvizuar se falë reformave, Shqipëria ia doli të dyfishojë pensionet për 200 mijë pensionistë shqiptarë, të dyfishojë rrogat e ulëta të shqiptarëve, të dyfishojë rrogat e mësuesve, infermierëve, mjekëve dhe të nxjerrë nga varëfëria mbi 400 mijë qytetarë shqiptarë.

 

Berisha qytetarëve të Prrenjasit: Hallet tuaja janë detyrimi im madhor

 

Hallet dhe problemet e qytetarëve janë në axhendën e përditshme të kryeministrit Berisha. Gjatë takimit me qytetarët e Prrenjasit, kreu i qeverisë theksoi se arritjet historike të katër viteve të fundit nuk e kanë penguar dhe nuk do ta pengojnë kurrë që të shohë hallet, dertet dhe problemet e tyre të përditshme. "Ato janë detyrimi im madhor, ato janë axhenda ime e përditshme, por tek ju, tek puna juaj, tek përkushtimi juaj unë gjej frymëzimin më të madh. Kur po vija për këtu, tek ju pashë më shumë se kurrë vila dhe shtëpi të reja të ndërtuara, absolutisht detyrimi im ndaj jush shumëfishohet", tha kryeministri. Ai garantoi se qeveria, pa asnjë dallim politik do të financojë çdo projekt të pushtetit vendor, që ka si synim të tij rritjen e cilësisë së jetesës së qytetarëve shqiptarë. "Unë zotohem në këtë shesh se kryetarit tuaj të Bashkisë, pavarësisht i çfarë force politike është, Këshillit tuaj Bashkiak do t'i financojë çdo projekt të këtij qyteti. Zoti kryetar i Bashkisë, më sill urgjent projektet e nevojshme, sepse na ndajnë partitë, por na bashkon qytetari i Prrenjasit, na bashkojnë kushtet e jetesës së tij. Ne do të financojmë në këtë zonë, Rrajcë dhe në fshatrat përreth të gjitha projektet për infrastrukturën më moderne. Do të financojmë vaditjen, qoftë edhe me pika e fushës së Domosdovës, ujësjellësin e Rajës dhe të gjithë ujësjellësit e kësaj zone", tha kryeministri.

 

Rreth orës 10 të ditës së djeshme kortezhi me trupin e pajetë të të riut Zeka iu drejtua varrezave të fshatit Qerret

I jepet lamtumira e fundit Artan Zekës, e kishte mbajtur edhe me bukë vrasësin

 

Në mjediset e banesës së të ndjerit Artan Zeka, aktivistit të djathtë, i cili u vra mëngjesin e së premtes në Qerret të Shijakut, janë kryer homazhet e fundit. Rrugët që shkeli njeriu i mirë Zeka ishin mbushur si asnjë herë tjetër me njerëz, që kishin ardhur nga të katërta anët e Shqipërisë. Krahas familjarëve dhe miqve para trupit të pajetë të 32-vjeçarit, kanë nderuar përfaqësues të Partisë Demokratike, anëtarë të kabinetit "Berisha" dhe deputetë të Kuvendit. Rreth orës 10 të ditës së djeshme kortezhi me trupin e pajetë të të riut Zeka iu drejtua varrezave të fshatit Qerret, ku dhe u zhvillua ceremonia mortore. Njeriu i mirë Zeka mori ndëshkimin makabër nga një dorë kriminale, që nuk njihte mirënjohjen. Djali i dajës së të ndjerit Zeka, Mirian Krasniqi, pohon se viktima i ka dhënë disa herë miell pa para për shkak të varfërisë kriminelit Balla. Krasniqi kujton virtytet humane të Zekës, i cili i kishte falur shtatë thasë me miell për shkak se njeriu që i mori jetën nuk kishte t'i paguante. Tre fëmijët e Zekës, djali Igli dhe vajzat Aida dhe Orieta nuk e meritonin të rriteshin jetim kur fati i kishte dhuruar atyre një baba të mrekullueshëm, të palodhur dhe të respektuar në të gjithë fshatin. Artan Zeka ishte një njeri i ndershëm, që merrej me një aktivitet privat dhe nuk merrej me fjalë lart e poshtë nëpër fshat. Ishte një njeri i ndershëm si të dy prndërit e tij, babai Zaimi dhe nënë Sheridja. Ai kishte një pasion politik, që ishte Partia Demokratike, që ai e quante partinë e lirisë dhe të idealeve të mëdha. Zeka shërbeu sa ishte në këtë botë në Komunën Katundi Ri si shofer i kryetarit të Komunës. Në ceremoninë mortore të Zekës ishin të pranishëm një numër i konsiderueshëm njerëzish, ku binin në sy dy nënkryetarët e Partisë Demokratike, Topalli dhe Patozi, ministri i Transporteve Sokol Olldashi, ministri i Arsimit, Fatos Beja, ministri i Mbrojtjes Gazment Oketa, deputetët Xhaferri dhe Metalla. Të pranishëm në lamtumirën e Zekës ishin të gjithë kryetarët, nënkryetarët dhe sekretarët e të gjithë grupseksioneve të Partisë Demokratike në Durrës. Grupseksioni ku bënte pjesë prej vitit '97 i ndjeri Zeka nuk do ketë më në përbërje të tij njeriun vizionar dhe idealist, që politikën nuk e shihte si mjet për t'u pasuruar, por si një rrugë zhvillimi. Artan Zeka do t'i mungojë bashkëshortes Irma, e cila ndau me të kënaqësinë e të ndjerit prindër. Zeka do t'i mungojë Qerretit, të cilin nuk e braktisi asnjëherë dhe kur ishte në kushte të vështira ekonomike. Në fjalën e lamtumirës, e cila u mbajt nga kandidati për deputet i Durrësit Ferdinand Xhaferi, u theksua urtësia, përkushtimi, dinjiteti i të ndjerit Zeka. "Vdekja e Tanit është shumë e rëndë, sepse ai ishte vetëm 32 vjeç. Vdekja e Tanit është shumë e rëndë, sepse tre fëmijët e tij nuk do ta shohin më babain e tyre të dashur. Vdekja e Tanit është shumë e rëndë, sepse baba Zaimi, nënë Sheridja dhe gruaja e tij Irma nuk do të ngushëllohen dot kurrë për humbjen e tij", tha Xhaferi në ceremoninë mortore. Artan Zeka u vra duke vendosur flamurin e Partisë Demokratike. Artan Zeka u vra për Shqipërinë europiane dhe u vra kur Shqipëria është shumë afër realizimit të ëndrrës së saj europiane. Ekstremizmi i majtë dhe barbar iu përgjigj me zjarrin e kallashnikovit flamurit të Partisë Demokratike dhe qëlloi për vdekje njeriun-flamur, që kërkoi të mbrojë dhe të përhapë simbolin e përparimit të Shqipërisë. Pak para se të mbyllej përgjithmonë në banesën e fundit Heroi i Demokracisë, kryesuesi i listës së PD në Durrës tha: "Vëllezër dhe motra! Artan Zeka më 28 qershor do të ishte një nga komisionerët e Partisë Demokratike. Artan Zeka më 28 qershor do të votonte për Partinë Demokratike. Artan Zeka do të votonte për të ardhmen e djalit të tij Iglit dhe të vajzave të tij, Aidës dhe Orjetës. Artan Zeka do të votonte për të ardhmen e tij dhe të bashkëshortes së tij, Irmës. Artan Zeka do të votonte për sigurinë dhe qetësinë e prindërve të tij. Artan Zeka do të votonte për të ardhmen e sigurtë të të gjitha familjeve shqiptare. Ne i sigurojmë të gjithë familjarët e Artanit, ne sigurojmë të gjitha familjet shqiptare se në Shqipërinë e NATO-s e ardhmja europiane nuk vritet dot me plumba. Në Shqipërinë e NATO-s bijtë ekstremistë nuk mund të bëjnë dot atë që bënë baballarët e tyre për 50 vite. Ligji do të bjerë me forcën më të madhe mbi vrasësin e Artanit dhe mbi këdo që mund të jetë fshehur pas tij. Ne do të jemi përkrah familjes së Artan Zekës kudo dhe kurdoherë. Ne krenohemi me ty shoku, miku dhe vëllai ynë Artan Zeka, Dëshmor i Demokracisë! Qofsh i paharruar!".

 

Asnjë prej krerëve socialistë në ceremoninë e varrimit të familjes Zeka

 

Njëqind e pesëdhjetë metra distancë ajrore ndajnë banesat e dy familjeve Zeka dhe Balla, në fshatin Qerret të Komunës Katund i Ri në Durrës, aty ku ndodhi vrasja. Në njërën kishte pllakosur zija për 32-vjeçarin e vrarë, Artan Zeka, i cili la jetimë tre fëmijë, dy vajza një djalë. Kurse në banesën tjetër të kriminelit Skënder Balla po thurren trillime, sipas të cilave vrasja nuk është bërë për motive politike. Sipas investigimit të bërë, rezulton se vrasësi është krushqi me njërin prej kandidatëve për deputet të PS, çka e bën lidhjen me socialistët më të fortë. Burracaku Balla deklaron se nuk është simpatizant i Partisë Socialiste, ndërkohë që njihet si një nga aktivistët me të mëdhenj të kësaj partie. Autori i vrasjes së Artan Zekës, 45-vjeçari Skënder Balla, i arrestuar si autor i vrasjes të një aktivisti të Partisë Demokratike teksa po vendoste flamuj dhe postera të partisë së tij, është i dyshuar edhe për një vrasje të ndodhur në vitin 2003, bënë të ditur burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit. Instikti vrasës i kriminelit Balla është shprehje e qartë e strategjisë që ndjek e majta për zgjedhjet. Kujtojmë se partitë e majta historikisht kanë pasur përkrahës kriminelë ordinerë me synimin e vetëm për të frikësuar qytetarët. Skënder Balla, 45 vjeç, banues në fshatin Qerret, është person me precedentë penal dhe dyshohet si autor i një vrasjeje ende të pazbardhur në vitin 2003. Ngjyrimi politik i vrasjes është i dukshëm se mediat të lidhura ngushtë me Ramën kanë vënë në plan të parë arsyen e vrasjes dhe kjo e dalë nga goja e kriminelit. Mediat e majta i bënë jehonë lajmit se Balla nuk ishte anëtar i Partisë Socialiste, gjë që banorët e fshatit e dijnë se është e kundërta. Bijtë e kuq të komunistëve nuk e kanë harruar dhunën dhe vrasjet ndaj kundërshtarëve. Po ashtu si baballarët e tyre, të cilët nuk i pranuan krimet e para viteve '90. Dora vrastare e kriminelit Balla do të marrë dënimin e merituar. Demokracia në Shqipëri është e pakthyeshme, falë dhe gjakut të heronjve të saj. Ndonëse Partia Socialiste është distancuar nga ngjarja, asnjë prej krerëve socialistë të Durrësit nuk kanë vizituar familjen Zeka për humbjen e rëndë të djalit të tyre.

 

 

Ngjarja

 

Të premten rreth orës 9 është qëlluar aktivisti i Partisë Demokratike, Artan Zeka. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Qerret të Sukthit, ku aktivisti i Partisë Demokratike është vrarë me armë zjarri nga militanti i Partisë Socialiste, Skënder Balla, për arsyen e thjeshtë se po vendoste disa flamuj të Partisë Demokratike, të cilët ishin hequr nga militantët e PS-së. Skënder Balla, militant i PS-së, i njohur si person me precedent penal, ka penguar Zekën të vendosë flamujt e Partisë Demokratike në një lokal të fshatit Sukth. Pas grindjes, 32-vjeçari Zeka është ulur në kafene, ndërsa Balla është larguar për në shtëpi për t'u kthyer me një armë automatike, duke qëlluar me breshëri në drejtim të tij. Ngjarja, sipas Policisë së Shtetit, ndodhi rreth orës 09.00 në qendër të fshatit, në afërsi të një lokali. Sipas investigimit të bërë rezulton se, vrasësi është krushqi me njërin prej kandidatëve për deputet të PS. Shtetasi Skënder Balla, person me precedent kriminal, është arrestuar 10 minuta pas kryerjes së krimit, ku i është sekuestruar dhe arma e krimit. Për këtë ngjarje janë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës të gjithë personat që kanë parë dhe kanë dijeni për ngjarjen. Mbi autorin rëndon akuza e "Vrasjes me paramendim" dhe "Mbajtje pa leje e armëve luftarake e municioneve", parashikuar nga nenet 78 e 278/2 të Kodit Penal. Strukturat për Hetimin e Krimit në Drejtorinë e Policisë Qarkut Durrës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës po punojnë për dokumentimin e ngjarjes së ndodhur në fshatin Qerret, si dhe të një ngjarjeje tjetër kriminale, ku dyshohet si autor shtetasi Skënder Balla. Ngjarja mjaft e rëndë është tregues i mentalitetit të krahut të majtë të politikës shqiptare, të cilët vazhdojnë të përdorin metodat e baballarëve të tyre. Drejtuesit dhe militantët e krahut të majtë të politikës shqiptare vazhdojnë përdorimin e metodave terroriste, dhunën e urrejtjen klasore të baballarëve të tyre ndaj shqiptarëve që kanë bindje të ndryshme politike nga ata.

 

Berisha viziton familjen e Zekës: Autori i krimit do të marrë dënimin më kapital

 

Kryeministri Berisha vizitoi dje familjarët e të ndjerit Artan Zeka, i cili humbi jetën ditën e djeshme si pasojë e një vepre kriminale nga një militant i Partisë Socialiste. Gjatë vizitës, shefi i qeverisë i shprehu ngushëllimet dhe tronditjen e tij për humbjen e djalit, prindit dhe njeriut të dashur. "Na ka tronditur thellë në shpirt sepse humbëm një djalë të mrekullueshëm, një prind të mrekullueshëm, një njeri jashtëzakonisht të përkushtuar, të dashur, të respektuar. E humbëm jo nga një aksident, e humbëm nga një dorë që qëlloi në emër të së shkuarës. Një dorë kriminale që nuk pajtohet me përpjekjet e shoqërisë shqiptare për të ardhmen", u shpreh kreu i qeverisë. Ai theksoi se kjo është forma më e shëmtuar e krimit, intolerancës dhe urrejtjes totale në një proces fisnik. "Jemi te lënduar që të gjithë në atë që besojmë, në atë që përpiqemi. Pavarësisht se secila forcë politike ka projektin e vet, por atë e ka për të gjithë shqiptarët, nuk e ka që të lumturojë një pjesë dhe të mjerojë një pjesë", tha shefi qeverisë. Duke iu referuar aktit, kryeministri Berisha u shpreh se personi në fjalë është një fanatik, ekstremist, që do të marrë dënimin më kapital, më të merituar, pasi ai ka goditur dhe lënduar gjithë shoqërinë. "Ne do të jemi me ju dhe me këta fëmijë sa të kemi forcën e mundshme. Kemi borxh të përjetshëm. Ai ra për vlerat mbi të cilat ne përpiqemi të ndërtojmë Shqipërinë, të ndërtojmë të ardhmen", vijoi kryeministri Berisha. RD

 
www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Berisha çon në këmbë qytetarinë shkodrane dhjetëramijë në shesh për vijimin e ndryshimit (06.12.2009)
Bashkohen subjektet politike demokristiane (06.11.2009)
Emigrantët mund të kthehen për votimet (06.11.2009)
Kryeministri inauguron fillimin e rrugës Divjakë-Pushimi i Shoferit në Lushnjë (06.11.2009)
LDK në proces të reformimit të gjithanshëm (06.10.2009)
Kryeministri Berisha tha dje në Peqin se vendet e reja të punës janë kryefjala e programit elektoral të PD (06.10.2009)
Opozita bashkohet rreth datës së zgjedhjeve (06.09.2009)
Ramë Manaj: LDK do të vazhdojë të jetë artikuluese e fuqishme e interesave të popullit (06.09.2009)
LDK mbetet pasqyrë e një elite të përgjegjshme politike në Kosovë (06.09.2009)
Sot në Prishtinë i zhvillon punimet Konferenca njëditore e Lidhjes Demokratike të Kosovës mbi orinetimet strategjike të kësaj partie (06.09.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
KONFERENCË PËR SHTYP E KRYEMINISTRIT BERISHA DHE KRYEMINISTRIT BERLUSKONI
Berisha: Jemi Kina e vogël e Evropës, investoni (ANSA)
Dekorohen protagonistë të 20 shkurtit

 
VOAL
[Shko lartë]