VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Kryeministri inauguron fillimin e rrugës Divjakë-Pushimi i Shoferit në Lushnjë

                                                                                      

E Premte, 05.03.2024, 08:13pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
POLITIKË
 
Kryeministri inauguron fillimin e rrugës Divjakë-Pushimi i Shoferit në Lushnjë
E Enjte, 06.11.2009, 09:08am (GMT+1)

 

Kryeministri Berisha garantoi dje qytetarët e Myzeqesë se, brenda vitit 2010 e gjithë ultësira bregdetare, përfshi dhe Korçën nuk do të kenë asnjë rrugë të paasfaltuar në fshatra dhe qytete. Kreu i qeverisë inauguroi fillimin e punimeve për sistemimin dhe asfaltimin e rrugës Divjakë-Pushimi i Shoferit në Lushnjë dhe më pas zhvilloi një takim me qytetarët e Divjakës. Rruga me gjatësi 27 kilometra kap një vlerë prej 1.1 miliard lekësh. Projekti i rrugës është i konceptuar me të gjithë elementët e një rruge të standardeve më moderne. Duke shprehur bindjen për fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit, Berisha u tha qytetarëve të Divjakës se, kurrë nuk është takuar më krenar dhe më ballëlart me ta se sa sot, duke e vënë theksin në realizimin e premtimeve të dhëna katër vite më parë. "Dëshiroj të shpreh kënaqësinë time, që në këto katër vite ne ia dolëm t'i faktojmë njëri- tjetrit, t'i faktojmë miqve tanë kudo në botë, që me mundin dhe me djersën tonë, ne kemi ndryshuar Divjakën dhe po ndryshojmë Shqipërinë. Në këto katër vite, ne ia dolëm që me reforma të thella dhe me përkushtim të madh ta bëjmë Shqipërinë aplikante për vend anëtar në Bashkimin Evropian, ia dolëm të përmbushim standarde dhe kritere, që brenda vitit e parë të mandatit tonë të dytë të lëvizim të lirë në mbarë Evropën", u shpreh kryeministri, duke nënvizuar se në katër vite u bë e mundur rritja më e madhe e rrogave dhe pensioneve më shumë se çdo vend tjetër në Evropë, duke parakaluar dy vende anëtare të Bashkimit Evropian. "Ia dolëm së bashku të asfaltojmë në Divjakë dhe në mbarë Shqipërinë 5900 kilometra rrugë, të përfundojmë së shpejti gjigandin e veprave të ndërtimit, korridorin e shqiptarëve, rrugën Durrës - Morinë, korridorin e fluksit të madh të njerëzve dhe të turizmit drejt Durrësit, Divjakës, Vlorës, drejt Lezhës dhe mbarë Shqipërisë. Sapo inauguruam fillimin e punimeve të rrugës Divjakë-Pushimi i Shoferit, prej 27 kilometrash", theksoi Berisha.

 

Mandati i dytë do të jetë mandati i turizmit

 

Mandati i dytë do të jetë mandati i turizmit, një sektor ky që do të jetë përparësia e të gjitha përparësive zhvillimore të programit elektoral të PD-së. Gjatë takimit me qytetarët e Divjakës, kryeministri Berisha tha se, në vitin 2004 Shqipëria pranoi gjithsej 300 mijë vizitorë, ndërsa në vitin 2008, Shqipëria pranoi 2 milion e 700 mijë vizitorë. Ai shprehu bindjen se, gjatë mandatit tjetër Shqipëria do të jetë destinacioni turistik më i shpeshtë, më i bukur dhe më i rëndësishëm në të gjithë rajonin. "Ne kemi investuar në katër vite në ultësirën bregdetare, nga Velipoja në Ksamil, në zonën turistike bregdetare 700 milion euro në rrugë, në kanalizime, në ujësjellës, në autostrada, në termocentrale, në nëncentrale, në parqe energjitike dhe investime të tjera", u shpreh kreu i qeverisë, duke nënvizuar se katër vitet e mandatit të dytë ultësira bregdetare, zona turistike e vendit, do të ketë mbrojtje të plotë dhe totale nga të gjitha ndotjet, do të ketë infrastrukturën më moderne në Evropë. Katër vitet që vijnë, u shpreh më tej Berisha, ne do të shtrijmë infrastrukturën drejt maleve. "Ky vend, ju garantoj unë ju, se pasuritë e tij përrallore janë më të mëdha se të Zvicrës, e cila ka ndërtuar lumturinë dhe është bërë e famshme për punën e njerëzve të vet, por edhe për turizmin e saj të klasit më të lartë e më të zhvilluar. Ne kemi malet, por edhe brigje prrallore, në të cilat do të mund të kënaqet çdo pushues nga e mbarë bota. Divjaka do të jetë epiqendra e zhvillimit të turizmit", garantoi kryeministri Berisha. Ai theksoi se, mandati i dytë është përcaktues për Shqipërinë europiane dhe Divjakën europiane. "Unë jam këtu për t'u zotuar para jush, qytetarëve të Divjakës, se qeveria ime do të bëjë të gjitha investimet në derdhjen e Shkumbinit dhe kudo tjetër, në mënyrë që ju të renditeni në krye të preferencës për turizmin rajonal, evropian dhe botëror", theksoi më tej ai. Gjithashtu, kreu i ekzekutivit u premtoi fermerëve të Divjakës se, qeveria do të mbështesë fuqishëm prodhimet e tyre dhe do të financojë çdo projekt për nxitjen dhe mbrojtjen e produketeve të tyre.

 

"Qeveria do të subvencionojë inputet dhe naftën për sipërfaqen e mbjellë, si dhe do ju ndihmojë juve që të ndiheni fermerë evropianë, do të rrisë pensionet tuaja sa ato të qytetit. Në katër vitet e ardhshme, Divjaka, Shqipëria, me rrogat dhe pensionet do të parakalojë jo dy, por gjashtë vende të Bashkimit Evropian", garantoi numri një i ekzekutivit.

 

Rama po përpiqet të krijojë koalicionin e bojkotit, koshi i plehrave të historisë destinacioni i tij

 

Edi Rama po mundohet të krijojë koalicionin e bojkotit, po qytetarët shqiptarë do të votojnë si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, të lirë dhe me maturi politike. Duke e vlerësuar këtë fushatë zgjedhore si një festë të vërtetë, kryeministri Berisha shprehu bindjen se, shqiptarët kanë vendosur të rikthejnë vitin `92, lavdinë e tyre elektorale. "Por, një njeri, i cili duket se nuk e ka as gramin e fundit të moralit politik dhe njerëzor do të bojkotojë zgjedhjet. Dhe, ky është Edi Rama. Edi Rama po përpiqet të krijojë koalicionin e bojkotit. Unë dua t'i them këtu para jush, se ne do të votojmë në të drejtën tonë, do të votojmë si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, do të votojmë të lirë, do të votojmë me maturi politike. Por, në qofte se t'i vendos që për karrigen të bojkotosh zgjedhjet, koshi i plehrave të historisë të pret, se ne do të fitojmë", u shpreh kreu i qeverisë në një takim madhështor në Divjakë. Më tej, kreu i qeverisë tha se, Rama ka mbetur në komplekset e lustraxhiut të bustit dhe në labirinthet e atyre, për të cilët vota ishte plumb për armikun. "T'i, Edi Rama, tregon se ke mbetur në komplekset e lustraxhiut të bustit, ke mbetur në labirinthet e atyre, për të cilët vota ishte plumb për armikun. Ty, Edi Rama, të ka mbetur ora tek baballarët e t'u. Por, unë të them edhe një herë këtu, që mos i llogarit hesapet gabim, sepse me ty dhe pa ty, shqiptarët do t'i bëjnë zgjedhjet, sepse me ty dhe pa ty do të bëjmë zgjedhjet më të mira, sepse me ty dhe pa ty, do të ndërtojmë Shqipërinë evropiane. Merr çdo vendim", u shpreh kryeministri, i cili u ndal më pas në paradoksin socialist, ku kryetari hedh partinë në garë dhe vetë fshihet pas karriges së Bashkisë. "A keni parë apo keni dëgjuar ndonjëherë ju të dashur qytetarë, i pyesni edhe socialistët në botë, që kryetari i partisë kryesore opozitare ta nisë partinë në zgjedhje dhe vetë të fshihet nën karrigen e lejeve të ndërtimit të Bashkisë? Këtë turp nuk e ka bërë kush kurrë, këtë turp nuk ia lejon vetes asnjë politikan. Madje, këtë turp nuk e kanë bërë as edhe në vendet gjysmë demokratike, pasardhësit e klikave komuniste", theksoi kryeministri, duke i kujtuar Ramës se ka edhe 24 orë afat që të vendosë emrin në listë dhe të kandidojë. "Nëse t'i do ta bësh sot, bëje. Ne do të shkojmë në zgjedhje. Po të jap afat 24 orë dhe nesër, në qoftë se do, të ndryshojmë ligjin dhe vihu në krye të listës. Shqiptarët të lexojnë ty lakuriq siç je. Shqiptarët nuk do të të pyesin, ata do të shkojnë në zgjedhje", u shpreh kryeministri. Më pas, ai u bëri thirrje qytetarëve të Divjakës dhe të gjithë shqiptarëve, që të aplikojnë për pajisjen me dokumentat e reja të identitetit, të cilët i barazojnë ata me qytetarët e vendeve më të zhvilluara të Evropës, sepse është teknologjia më e avancuar. "Letërnjoftimi i ri është dëshmia e identitetit tonë që do të ketë dhjetëra e dhjetëra përdorime, sikundër do të përdoret në zgjedhjet e ardhshme. Dhe, nuk ka gjë më të bukur, më qytetare, më të përgjegjshme se sa ne t'i faktojmë të gjithë vëzhguesve që vijnë nga mbarë Evropa dhe bota, se ne votojmë me dokumentat me moderne, më të sigurta, më të mirat në Evropë", u shpreh më tej numri një i ekzekutivit gjatë takimit me qytetarët e Divjakës. Kryeministri e cilësoi 28 qershorin si ditën e ëndrrës europiane, ditën e projektit evropian dhe të ardhmes evropiane. "Me 28 qershor votoni që të gjithë Partinë Demokratike, votoni 10-ën. Ju jeni dhjeta, ju jeni më e mira. Votoni veten tuaj, votoni Divjakën, votoni Shqipërinë", u tha kryeministri mijëra qytetarëve të Divjakës.

 

 

 

Kryeministri inaguron rrugën transballkanike investim 725 milionë lekë, PS në 8 vjet nuk shtroi asnjë metër

Berisha: Katër vitet e ardhshme, vitet e zhvillimit më të fuqishëm të Vlorës

 

Një tjetër premtim i qeverisë "Berisha" shndërrohet në realitet. Rruga transballkanike me gjatësi 2.5 km dhe vlerë 725 milion lekë në qytetin e Vlorës i shtohet tashmë listës së gjatë të projekteve madhore që janë realizuar nga qeveria e Partisë Demokratike në katër vitet e mandatit të saj të parë. I pranishëm në inaugurimin e këtij investimi të rëndësishëm, kreu i ekzekutivit e cilësoi këtë rrugë si një arterie jetike për qytetin e Vlorës, pasi, sipas tij, kjo rrugë e mbron qytetin nga qarkullimi i mjeteve të rënda, që kushtëzohet nga porti. Në vlerësimin e tij, kryeministri shtoi se rruga është ndërtuar sipas të gjitha parametrave moderne, bashkëkohore, duke e bërë atë të lakmueshme për çdo metropol. "Është një eveniment jashtëzakonisht i rëndësishëm për qytetin e Vlorës, një autostradë ndër më të gjerat, në Shqipëri, mos më e gjera në vend. Rruga është e gjatë 2,5 km, por është një arterie jetike për Vlorën, pasi e mbron qytetin nga i gjithë transporti i rëndë që diktohet nga porti", tha kryeministri. Më tej, kreu i qeverisë theksoi dy aspektet e kësaj rruge, njëra ishte ajo e socialistëve, të cilët e premtuan, por nuk e realizuan dhe aspekti tjetër ishte i kësaj qeverie, e cila premtimin e saj e shndërroi në realitet brenda një kohe të shkurtër. "Kjo rrugë ka dy aspekte, socialistët e premtuan, prenë shirita dhe mashtruan, ndërsa ne e premtuam dhe e ndërtuam. Unë kam besim të madh se çdo qytetar i Vlorës di të bëjë dallimin, nën kthjelltësinë e diellit", u shpreh Kryeministri, ndërsa uroi qytetarët e Vlorës që ta gëzojnë këtë bulevard të mrekullueshëm, të cilit i është lënë në mes edhe traseja për ujësjellësin. "Bulevardi i jep Vlorës një nga aspektet më madhështore të saj. Gjërat e mëdha bëhen me një rend", tha kryeministri. Ai vlerësoi se Vlora sot ka bulevardin, ka parkun energjetik, parkun industrial, ka universitetin modern, do të ketë dhe aeroportin. Kështu, ai vuri në dukje se katër vitet që vijnë janë vitet e zhvillimit të fuqishëm, janë vitet e zhvillimit më të fuqishëm të Vlorës, ndoshta më të fuqishëm se të çdo qyteti tjetër, në Shqipëri, në brigjet e deteve, sepse këtu nis porti gjigant. Kryeministri theksoi se, porti do të bëhet dhe ky është vendim absolut, i pandryshueshëm, me koncesion apo fonde të buxhetit, porti do të bëhet dhe Vlora do ta ketë atë. "Rruga që inauguruam do të ketë çdo gjë ultramoderne. Kjo është një rrugë e lakmueshme për çdo metropol. Edhe ndërtimet anash saj janë vërtetë të bukura. Ndërtimet në Vlorë kanë një meritë se i janë përmbajtur ndërtimeve të qyteteve bregdetare dhe e zbukurojnë atë, duke i dhënë pamjen e një qyteti të mrekullueshëm", vijoi më tej kryeministri.

 

 

Vlorë, segmenti rrugor është realizuar me fondet e qeverisë shqiptare, me vlerë 7 milion euro

"Transballkanikja", investimi më i madh në 20 vite në qytetin bregdetar

 

Ndërtimi i segmentit rrugor "Transballkanikja", i realizuar me fondet e qeverisë shqiptare, me një vlerë prej rreth 7 milion euro, përbën investimin më të madh dhe më të rëndësishëm në të paktën 20 vjet, në infrastrukturën rrugore të qytetit të Vlorës. Kjo rrugë, me gjatësi prej 2.8 km, me katër korsi dhe ndarje në mes, me gjerësi prej rreth 35 metra, tashmë ka përfunduar. Pavarësisht plotësimit me disa aksesorë, rruga është vënë në funksion. Mijëra automjete, veçanërisht ato që vijnë nga Tirana, Durrësi, Fieri, Berati etj, me drejtim për në plazhet e jugut të vendit, deri në Sarandë, që dikur përshkonin bulevardin kryesor, tashmë qarkullojnë përgjatë saj, duke lehtësuar ndjeshëm trafikun e mbingarkuar, fluksi i të cilit në periudhën e verës, arrin në nivele maksimale. Prefekti i Qarkut të Vlorës, Hasan Halili, është shprehur për ATSH-në se, "vënia në funksion e këtij segmenti ishte një premtim i qeverisë për qytetin, që u bë realitet". "Transballkanikja" krijoi një dimension tjetër për Vlorën, në funksion të rikonceptimit të qytetit, drejt një shtrirjeje në hapësirë, me kahje nga perëndimi. "Është një element më shumë edhe në drejtim të plotësimit të performancës së Vlorës, si një qytet tipik mesdhetar, duke ju përshtatur dhe njëkohësisht stimuluar, një arkitekturë funksionale", shprehen arkitektët. Por ndërtimi i kësaj rruge e ka shndërruar zonën në të dy krahët e saj, në një hapësirë shumë të preferuar për firmat e ndërtimit. Këtu kanë nisur ndërtimet, apo kanë përfunduar procedurat dhe janë në proces dhjetëra pallate apo objekte të tjera banimi. Vetëm për vitin e kaluar, KRRT-ja e Bashkisë miratoi 70 leje për ndërtimin e pallateve e objekteve të tjera në të dy krahët e rrugës "Transballkanikja.

 

"Transballkanikja" është pjesë e ndryshimeve të mëdha që po përjeton qyteti i Vlorës gjatë viteve të fundit. Ky emërtim i rrugës e ka origjinën dekada më parë dhe lidhet me funksionin e saj si një urë lidhëse mes portit dhe hyrjes së qytetit, ku lëviznin automjetet e tonazheve të ndryshme, që transportonin ngarkesa në anijet e ankoruara apo anasjelltas. Ky segment, i cili konsiderohet edhe si pjesë e unazës, për nga rëndësia vjen pas bulevardit Vlorë-Skelë. Këto dy rrugë, që shkojnë paralel me njëra-tjetrën, përfaqësojnë dy elementët referues urbanistikë për qytetin e Vlorës. Ato kanë përcaktuar dhe përcaktojnë profilin e Vlorës moderne. Prandaj dhe "Transballkanikja" konsiderohet edhe një nga simbolet e qytetit. Pas rindërtimit në të kanë reflektuar impulset e një transformimi esencial dhe ajo ka nisur të shndërrohet në një destinacion për mjaft biznese, godina shumëkatëshe banimi, por edhe institucione zyrtare. Dhjetëra biznesmenë vlonjatë kanë transferuar dhe kanë zhvendosur qendrën e aktivitetit të tyre përgjatë këtij segmenti. Në të dy krahët e rrugës janë instaluar firma të njohura në nivel lokal e më gjerë, si kompania IMS e prodhimit dhe tregtimit të mobiljeve, e shitjes së autoveturave e pajisjeve elektroshtëpiake. Po ashtu, përgjatë rrugës është ndërtuar godina moderne e Gjykatës së Apelit, që përfundoi një vit më parë, me financimin e Komisionit Evropian, Zyra e Punës, Inspektoriati Shtetëror i Punës, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Qendra e Trajnimit Profesional. Një numër godinash shumëkatëshe banimi, të ndërtuara vitet e fundit, me fasadë e rifiniturë bashkëkohore, plotësojnë tablonë e këtij mjedisi, që po formësohet në vazhdimësi. Ndërtimi i rrugës përbën edhe elementin kryesor, që gjithçka në këtë pjesë të qytetit, të marrë trajtat e një mjedisi urban me profil perëndimor. Përmes saj, jo vetëm që ridimensionohet sistemi i trafikut të automjeteve, por krijohet një arterie tjetër tregtare, si dhe vendoset një lidhje e natyrshme mes këtij segmenti, hyrjes së autostradës Fier-Vlorë. Por ky segment krijon edhe një lidhje të natyrshme mes dy pjesëve të qytetit të Vlorës, që dikur ndaheshin në mënyrë artificiale mes njëra-tjetrës. Tashmë, lagjet "24 Maj" dhe "1 Maj"("Çole"), bëhen pjesë integrale e qytetit. Koncepti i dikurshëm i këtyre lagjeve periferike dhe të papreferuara për një pjesë të qytetarëve, tashmë pothuajse është zhdukur.

Me investime të shumta qeveria po e kthen Orikumin në identitet

Gjatë vizitës së tij në Qarkun e Vlorës, kreu i ekzekutivit shqiptar inauguroi edhe unazën e re të Orikumit, investim me vlerë 1,2 milion dollarë. Në vlerësimin e tij për zonën e Orikumit kryeministri theksoi se, kjo zonë është një bizhu në brigjet e Shqipërisë, ndërsa vuri në dukje se qeveria me investimet e saj po e kthen Orikumin në identitet. "Ky është Orikumi që po ndërtojmë, Orikumi një bizhu e vërtetë në brigjet e Shqipërisë, i cili po kthehet në identitet, një qendër e fuqishme evropiane. I tillë ka qenë që në kohëra dhe i tillë po bëhet", tha kryeministri. Por, përveç këtij projekti, kryeministri inauguroi edhe përfundimin e punimeve për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare "Balill Prelari" së bashku me shtesën e re të shkollës, investim me vlerë 43 milion lekë. Kryeministri vlerësoi mjediset e reja dhe bashkëkohore të mësimdhënies, si dhe theksoi njëkohësisht se kjo shkollë e pajisur me laboratorë të ndryshëm dhe kabinet modern informatike, do të përballojë më së miri, sipas standardeve evropiane, nevojat për shkollim të fëmijëve të zonës. Gjatë takimit me nxënësit, kryeministri u shprehu atyre garancinë se shumë shpejt, ata do të kenë mundësi të navigojnë në internet, jo vetëm në shkollë, por edhe në shtëpitë e tyre.

 

 

Kryeministri tha se kjo qeveri do të mundësojë anëtarësimin në BE njësoj siç mundësoi anëtarësimin në NATO

Berisha: PD, miq dhe mbështetës të Shqipërisë europiane në të gjitha kryeqytetet e kontinentit

 

Në një takim entuziast me mijëra banorë të qytezës së Orikumit, kryeministri Berisha vlerësoi se Evropa, tashmë krejtësisht e djathtë është përkrah synimit të Partisë Demokratike për ta bërë Shqipërinë evropiane. Duke iu referuar fitores së thellë të së djathtës për zgjedhjet e Parlamentit Europian, kreu i ekzekutivit theksoi se tashmë në kryeqytetet më të rëndësishme të kontinentit Shqipëria e drejtuar nga Berisha dhe Partia Demokratike ka miq të mëdhenj që mbështesin fuqimisht projektin europian të së ardhmes së shqiptarëve. "Evropa, tre ditë më parë u gdhi blu. 24 vende të Evropës votuan për partinë, simotra të PD. Në Bruksel, Berlin, Paris, Romë e kudo kemi miqtë tanë të mëdhenj, miq që e duan Shqipërinë dhe shqiptarët, miq që i besojnë Sali Berishës dhe do ta ndihmojnë atë, për projektin evropian të së ardhmes së Shqipërisë", është shprehur kryeministri. Ai e ka cilësuar këtë moment jetik e të rëndësishëm, pasi në këtë moment firmoset për projektin e Orikumit evropian dhe të Shqipërisë evropiane. Kryeministri tha se, Shqipëria nuk duhet të ndahet në këtë fazë, por duhet të bashkohet në këtë udhëtim, pasi kjo është ëndrra më e bukur e shqiptarëve dhe e të gjithë fëmijëve shqiptarë. "Le të ecim ne, besimin duhet ta vendosni aty, ku ai justifikohet. Jemi ne që e bëmë Shqipërinë anëtare të NATO-s, jemi ne, të cilët bëmë që Shqipëria të dalë në krye të rritjes ekonomike në Evropë. Jemi ne që bëmë të pranohet aplikimi për vend anëtar në Bashkimin Evropian", tha më tej kryeministri. Duke i përshëndetur përzemërsisht banorët e Orikumit Berisha vlerësoi inaugurimin e dy projekteve të qeverisë në këtë qytet, duke theksuar se vitet që vijnë investimet do të jenë edhe më të mëdha. "Shpreh kënaqësinë e madhe që sot, së bashku me ju, këtu në Orikum inauguruam unazën e këtij qyteti, inauguruam shkollën e rindërtuar dhe me një shtesë, e cila përballon standarde evropiane, nevojat për shkollim të fëmijëve tuaj, shkollë e pajisur me kabinet informatike dhe me të gjitha standardet moderne evropiane", tha më tej kreu i qeverisë duke vënë në dukje se këto katër vite për qytetin e Orikumit kanë qenë vitet e ndryshimit të madh. Kryeministri vlerësoi se çdo ditë e më shumë është përmirësuar infrastruktura e këtij qyteti turistik duke theksuar se Orikum qeveria në katër vite ka investuar dhjetëra e dhjetëra herë më shumë sesa qeveria socialiste. "Unë po vij këtu nga Vlora. Në Vlorë inauguruam rrugën transballkanike, ndoshta rruga më e gjerë e Shqipërisë, e cila i jep Vlorës pamjen e një metropoli të vërtetë, rrugë dinjitoze, për çdo metropol evropian", tha kryeministri duke shtuar se gjatë këtyre katër viteve në Orikum qeveria investoi në unazën e qytetit 1,2 milion dollarë, Shëtitoren e Radhimës 48 milion lekë, rrugën e Dukatit 60 milion lekë, shëtitoren e Dukatit të Ri 67 milion lekë, shëtitoren e Orikumit 60 milion lekë, në hyrjen e Orikumit 43 milion lekë, në rikonstruksionin dhe shtesën e shkollës "Balil Prelari" 43 milion lekë, në ndërtimin e ambulancës së plazhit të Radhimës 36 milion lekë. Gjithashtu, kryeministri ka vënë në dukje se në parkun eolik të Karaburunit do të investohen 1,2 miliard euro, në ujësjellësin e qytetit 16 milion euro. Gjithashtu, ai theksoi se është përfunduar plani rregullues i një sërë projektesh të tjera, që do ta shndërrojnë Orikumin në një qytet me standarde evropiane.

 

Qeveria 500 mln euro investime vetëm për Qarkun e Vlorës

 

Investimet e bëra në qarkun e Vlorës në katër vitet e fundit kalojnë shifrën e 500 milionë eurove, një fakt ky që hedh poshtë pretendimet e opozitës për lënie në harresë të këtij qarku. Duke prerë shiritin e investimeve kolosale në këtë qark, kryeministri tha se kjo është Vlora, të cilën qeveria e ka harruar, duke ironizuar qëndrimin e përfaqësuesve të PS-së. "Ky është Orikumi, të cilin e ka harruar qeveria ime. Kjo është Vlora, të cilën e ka harruar qeveria ime, që në katër vjet ka bërë që në Qarkun e Vlorës të investohet, jo më pak se 500 milion euro. Për ne, turizmi është potenciali më i madh i këtij kombi dhe vendi, është potenciali i të gjitha potencialeve, është potenciali që ne do të na shkëpusë në mënyrë përfundimtare nga e kaluara e hidhur dhe do të na çojë drejt begatimit dhe prosperitetit", tha kryeministri. Më tej, ai vlerësoi se vetëm për burimet energjetike, për rrjetin elektrik, për stacionet dhe nënstacionet, Qarku i Vlorës ka marrë mbi 200 milion euro investime. "Kush të dojë le t'i numërojë, është nënstacioni i Babicës, rreth 30 milion euro, janë nënstacionet përveç Vlorës, mbi 70 milion euro, TEC i Vlorës 110 milion euro, unaza elektrike e jugut rreth 25 milion euro, rikonstruksioni i HEC-it të Bistricës, pra siç e shikoni, të gjitha këto nuk janë të padukshme. Nuk po ndalem këtu, në rrugët që flasin vetë, rruga nga Levani në Vlorë, nga Mifoli në Konispol, janë mbi 260 km rrugë të ndërtuara ose në ndërtim", tha kryeministri, ndërsa theksoi se ky është Qarku i harruar i Vlorës, të cilin një grusht i vogël përpiqen me çdo kusht të mbjellin përçarje, të shpifin dhe të trillojnë. "Shqiptarët, thonë ata, mendojnë se 'fluturoi, fluturoi', por ata që shprehen në këtë mënyrë fluturojnë, se shqiptarët janë tokësorë", vijoi më tej kryeministri.

 

Shqipëria evropiane është Shqipëria turistike, moto e qeverisë

 

"Shqipëria evropiane është Shqipëria turistike", u shpreh dje kryeministri Berisha nga qyteza turistike e Orikumit në Vlorë. Duke theksuar se kjo është motoja e kësaj qeverie, kryeministri vlerësoi se Shqipëria në vitin 2004 ka pritur si vend 300 mijë vizitorë ndërsa në vitin 2008 ka pritur 2,7 milion vizitorë falë nxitjes dhe investimeve të qeverisë ndaj turizmit. Kreu i ekzekutivit garantoi se në katër vitet që vijnë çdo rrugë, rrugicë, fshat i këtij bregu do të asfaltohet, do të urbanizohet me të gjitha standardet evropiane. "Nëse Shqipëria, në vitin 2004 priti 300 mijë vizitorë, vitin që kaloi vetëm Saranda priti 300 mijë vizitorë. Në qoftë se në vitin 2008 Shqipëria priti 2,7 milion turistë, jam këtu për t'u zotuar se në vitin 2013 vetëm qarku juaj do të presë 2,7 milion turistë. Ky është qëndrimi ynë, sikundër katër vitet që vijnë ne do të hedhim bazat e një turizmi tjetër shumë të rëndësishëm, turizmit malor", vijoi më tej kryeministri. Gjithashtu, ai shtoi se qeveria do të investojë për shtrimin e infrastrukturës drejt Tomorrit, Çajupit, Alpeve të Shqipërisë, drejt Lurës. "Ky vend ka një potencial të paimagjinueshëm turistik. Zvicra është bërë e famshme për malet e saj, Shqipëria do të bëhet e famshme për malet dhe brigjet e saj. Po, vëllezër, na e ka dhuruar Zoti dhe le të nxjerrim prej tyre të gjithë të mirat që na takojnë. Në emër të fëmijëve tanë, por dhe në emër të brezave që nuk i nxorën dot, për shkaqe që dihen, ne do ta bëjmë Shqipërinë turistike, vendin më të preferuar, në rajon dhe më gjerë, për turistët nga e mbarë bota", vijoi më tej kryeministri.

 

Javën e parë të mandatit të dytë qeveria gati ligjin për tokën në pronësi

 

Kryeministri Berisha garantoi dje se qeveria në javën e parë të mandatit të dytë do të miratojë ligjin për tokën në pronësi. Kryeministri vuri në dukje përpjekjet e së djathtës për të kaluar këtë ligj dhe, nga ana tjetër, bllokimin e herë pas hershëm që i ka bërë Partia Socialiste. Gjithashtu, kryeministri garantoi se qeveria do të subvencionojë fermerët për mbjelljen e 3 mijë ha ullinj në Qarkun e Vlorës. "Fermerë të Orikumit, Dukatit, Tragjasit, Radhimës dhe fshatrave përreth, ju keni meritën e madhe, sepse keni identifikuar rreth 3000 ha tokë për ullishte. Jam këtu për t'u zotuar se qeveria ime do të subvencionojë tërësisht mbjelljen e 3 mijë ha ullishte në këtë vend, sikundër disa qytetarëve, të cilët janë zemërthyer sepse nuk kanë marrë tokën në pronësi, dua t'u them se unë fjalë nuk lë. E kam bërë dekretin në vitin '96, dikush ka bërë një vepër të papërgjegjshme me dekretin, e bëra prapë ligjin, sërish u gjetën tre vetë, që me shprehjen popullore, ta dridhnin në Parlament. Sot, unë ju jap fjalën se në javën e parë, të mandatit të dytë, ai ligj do të votohet në Parlament. Unë nuk lëviz nga fjala ime, sepse atyre u takon. Dhe unë kam bindje të thellë, nuk mund t'i lemë ata", tha kryeministri, ndërsa vuri në dukje se ata janë qytetarë të këtij vendi dhe kanë të drejtë të kenë siguri për jetën e tyre, shtëpitë e tyre, familjet e tyre. Ky rrugëtim i yni, tha kryeministri, është një garë dhe në këtë garë ne nuk do të mund të quhemi qytetarë evropianë, nëse ju nuk mund të keni rrugë të asfaltuara atje ku jetoni, nëse nuk do të keni ujë 24 orë atje ku jetoni, nuk do të keni shkolla moderne për fëmijët tuaj, por gjithashtu nëse nuk do të keni dhe dokumentin e identitetit, dëshminë e identitetit, të standardit evropian. "Ne na duhen edhe disa kohë, edhe ky mandat, që të barazohemi me furnizimin me ujë, kurse sot secili prej nesh mund të ketë dëshminë e identitetit të tij, të standardeve më të larta në Evropë dhe në botë. Ju bëj thirrje, merrini ato, se është dhe ndjenjë krenarie që të shkojmë në ditën e zgjedhjeve para gjithë Evropës dhe të tregojmë se me çfarë votojmë ne", vijoi më tej kryeministri.

 

Letërnjoftimet, shndërrimi i zgjedhjeve në histori suksesi në dorën e qytetarëve

 

Kryeministri Berisha u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që të aplikojnë për t'u pajisur me letërnjoftimet e reja elektronike, duke i cilësuar ato si dokumentet me sigurinë më të lartë identifikimi në Evropë. Kryeministri theksoi se qytetarët shqiptarë e kanë vetë në dorë që t'i shndërrojnë këto zgjedhje në një histori të vërtetë suksesi. "Tani, u bëj thirrje socialistëve të Orikumit, Vlorës dhe mbarë Shqipërisë. Historia është histori dhe në momente historike, si qytetarë, nga ne kërkohet që të jemi në lartësinë e saj. Ndaj thirrja ime vëllazërore për ju qytetarë të Vlorës dhe të mbarë Shqipërisë, këto ditë që kanë mbetur, janë ditë vendimtare, për një proces me të cilin ne barazojmë veten me qytetarët e Britanisë së Madhe, Francës dhe vendeve më të zhvilluara. Këto janë letërnjoftimet", tha kryeministri. Ne, tha ai, votojmë me letërnjoftimet më moderne, të teknologjisë më të lartë, të prodhuara deri më sot në Evropë. Por, vijoi kryeministri, në Evropë nuk shkohet me xhepa bosh, ndaj dhe ne kemi dyfishuar pagat e mësuesve, mjekëve, infermierëve, kemi dyfishuar pensionet minimale të të gjithë fermerëve të Shqipërisë, kemi rritur pensionet në qytet 50 deri në 70% dhe kemi dalë para dy vendeve anëtare të BE-së, për paga dhe pensione. "Sërish nuk do të rrimë këtu. Në katër vitet që vijnë do të dalim para 6 vendeve anëtare të BE-së. Sa herë ju të votoni Sali Berishën, keni votuar për rrogat tuaja, për pensionet tuaja, për mirëqenien tuaj, sikundër nuk do të ketë qytetar shqiptar që do të marrë më pak se dy dollarë në ditë, që është pragu i varfërisë. Në mënyrë kategorike do të jetë një nga standardet më të shpejta që do të vendosim", vijoi më tej kryeministri.

 

Patozi: Largohem nga politika nëse PD nuk fiton në zonën e Vorës

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, deklaroi në emisionin "Opinion" se nëse PD-ja nuk i fiton zgjedhjet në zonën e Vorës, ai do të japë dorëheqjen nga funksionet politike që mban. Në debatin në "Opinion" ishin përballë njëri-tjetrit kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike, Astrit Patozi e Ardian Kollozi dhe dy kandidatë të Partisë Socialiste, Fatmir Toçi e Eltar Deda. Patozi, deputet i zonës së Vorës gjatë katër viteve të fundit deklaroi gjatë emisionit se Partia Demokratike do të fitojë në këtë zonë për vetë investimet që kjo forcë ka bërë gjatë 4 viteve që qeveris vendin. "Deklaroj në mënyrë solemne se në rast se PD nuk fiton zgjedhjet në zonën e Vorës, ku përfshihet edhe Gërdeci, atëhere unë deklaroj publikisht se do të jap dorëheqjen nga politika", tha Patozi. Deklarata e nënkryetarit të PD erdhi pas një sërë insinuatash që kandidatët për deputetë të PS-së hodhën në debat, ku aluduan se disa drejtues të PD-së paskan ndryshuar zonat e kandidimit se nuk ishin të sigurtë në zonat ku kishin kandiduar më parë. Në të vërtetë, në zonën ku ka kandiduar nënkryetari i PD, Patozi, PD i ka fituar të gjitha betejat elektorale gjatë nëntë viteve të fundit. Edhe pak muaj pas tragjedisë së Gërdecit, në zgjedhjet për kryetarin e Komunës së Kasharit, PD fitoi me një rezultat mjaft të thellë në krahasim me rivalët e saj. "Dua t'u kujtoj se në zgjedhjet në zonën e Kasharit, e cila ndodhet vetëm pak metra larg nga Gërdeci, PS humbi thellësisht zgjedhjet, duke u renditur jo forcë e dytë politike, por forca e katërt politike", tha Patozi. RD

 
www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
LDK në proces të reformimit të gjithanshëm (06.10.2009)
Kryeministri Berisha tha dje në Peqin se vendet e reja të punës janë kryefjala e programit elektoral të PD (06.10.2009)
Opozita bashkohet rreth datës së zgjedhjeve (06.09.2009)
Ramë Manaj: LDK do të vazhdojë të jetë artikuluese e fuqishme e interesave të popullit (06.09.2009)
LDK mbetet pasqyrë e një elite të përgjegjshme politike në Kosovë (06.09.2009)
Sot në Prishtinë i zhvillon punimet Konferenca njëditore e Lidhjes Demokratike të Kosovës mbi orinetimet strategjike të kësaj partie (06.09.2009)
Kryeministri Berisha pret shiritin e fillimit të punimeve për projektin më të madh hidroenergjitik në Evropë (06.09.2009)
Është prezantuar koalicioni i vëzhguesve vendës (06.08.2009)
Berati i bashkohet marshimit të fitores: Boshti i Jugut, projekti infrastrukturor madhoir i mandatit të dytë (06.06.2009)
Lëvizja e lirë, punësimi, infrastruktura, fshati, arsimi, pagat, pensionet dhe shëndetësia, prioritetet e PD (06.05.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
KONFERENCË PËR SHTYP E KRYEMINISTRIT BERISHA DHE KRYEMINISTRIT BERLUSKONI
Berisha: Jemi Kina e vogël e Evropës, investoni (ANSA)
Dekorohen protagonistë të 20 shkurtit

 
VOAL
[Shko lartë]