VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Berisha çon në këmbë qytetarinë shkodrane dhjetëramijë në shesh për vijimin e ndryshimit

                                                                                      

E Premte, 05.03.2024, 10:27pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
POLITIKË
 
Berisha çon në këmbë qytetarinë shkodrane dhjetëramijë në shesh për vijimin e ndryshimit
E Premte, 06.12.2009, 11:49am (GMT+1)

 

 

 

Dhjetramijëra qytetarë të Shkodrës pritën dje në një miting madhështor kryeministrin Berisha duke rikonfirmuar mbështetjen e padiskutueshme për përsëritjen e fitores së thellë të marsit të vitit 1992. Duke përshëndetur përzemërsisht të gjithë shkodranët, kryeministri Berisha u përcolli atyre mesazhin e fitores ndërsa i ftoi të bashkohen me projektin jetik për Shqipërinë europiane. Kryeministri shprehu bindjen se Shkodra, ashtu si dhe mbarë Shqipëria, nuk do të ndalin hapat e zhvillimit, pasi edhe katër vite projekte të tjera madhore dhe jetike presin realizimin e tyre nga kjo qeveri. Duke e cilësuar këtë miting si një nga mitingjet më madhështore të mbajtura në qytetin verior të Shkodrës, kryeministri Berisha ka shprehur falenderimet dhe mirënjohjen e tij të thellë për të gjithë mbështetjen që qytetarët e Shkodrës i kanë dhënë Partisë Demokratike në vite. "Kam ardhur këtu me qindra herë, por ky është takimi më madhështor që ne zhvillojmë në këtë shesh. Ju sot nuk keni dalë për Sali Berishën, se ai është miku juaj, por keni dalë për Europën, për Shkodrën europiane, për Shqipërinë europiane, për vokacionin tuaj, për besimin tuaj", u shpreh kreu i ekzekutivit. Kryeministri vlerësoi se, suksesi i Shqipërisë në këto katër vite, përveçse është meritë e qeverisë, është njëkohësisht edhe meritë e qytetarëve shqiptarë dhe e përkushtimit të tyre. Kryeministri vlerësoi se në katër vitet që vijnë qeveria do të dhjetëfishojë investimet për Shkodrën, duke e shndërruar atë në një metropol jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë Ballkanin. "Është nderi i madh për mua të përulem para jush me mirënjohje të thellë, me respektin më të madh për mbështetjen e jashtëzakonshme që ju i dhatë demokracisë shqiptare dhe Partisë Demokratike. Shkodra në Shqipëri, në Ballkan, në Europë është vizioni i demokracisë. Gëzimi ynë sot, në këtë takim me ju, është më i madh se kurrë, sepse sot takohemi së bashku, pasi një prej ëndrrave tuaja më të mëdha, ëndërr për të cilën ju sakrifikuat më shumë se kushdo tjetër, u bë realitet. Shkodra në NATO, Shqipëria në NATO, kjo ishte ëndrra jonë, që së bashku e shndërruam në realitet, por që pa qëndresën tuaj, pa mbështetjen tuaj ky horizont do të ishte më larg se kurrë", tha kryeministri. Katër vite, u shpreh ai, me besimin tuaj të madh, me shpresat tuaja si energji e pashtershme, ne ia dolëm ta ndryshojmë Shkodrën, ia dolëm ta ndryshojmë Shqipërinë. Këto katër vite, vijoi ai, ne, së bashku, ia dolëm të lartësojmë më shumë se kurrë emrin dhe dinjitetin tonë si shqiptarë, emrin e Shqipërisë. "Shqipëria u bë anëtare e Aleancës më të fuqishme të lirisë që kohërat kanë njohur. Shqipëria aplikoi për anëtare në Bashkimin Europian, djepin e vokacionit tonë perëndimor. Shqipëria ia doli të dalë në krye të Europës për rritjen ekonomike. Shqipëria ia doli të renditet e dyta në botë për suksesin klimës së biznesit. Shqipëria ia doli që reformat e saj të marrin firmën, çertifikatën e vendeve më të zhvilluara të Europës. Kjo është meritë e juaja, meritë e përkushtimit tuaj ndaj vlerave të Shkodrës e mbarë Shqipërisë", tha kryeministri. Më tej, ai vlerësoi se këto katër vite, në këtë qytet dhe qark janë bërë dhjetëra e qindra investime, duke garantuar se katër vitet që vijnë qeveria 10 herë më shumë do të investojë në Shkodër, 10 herë më shumë do investojë në mbarë Shqipërinë. "Shkodra do të shndërrohet në një metropol të fuqishëm, në madhështinë e shpirtit të saj. Shkodra do të ketë infrastrukturën rrugore të qytetit, të qarkut, kombëtare dhe ndërkombëtare, nga më të rejat e më modernet të Europës. Më 18 qershor, ne inaugurojmë rrugën Shkodër-Hani i Hotit, së shpejti do të inaugurojmë Velipojë-Ulqin, së shpejti rrugën Koman-Fierzë, së shpejti Bypass e Shkodrës dhe unazën e liqenit tuaj madhështor, do ta bëjmë unazën më të bukur, që do të llamburisë ditë e natë nga dritat", tha kryeministri.

 

Rama, frikë t'u kërkojë votën shqiptarëve në krye të listës, fshihet pas karriges së Bashkisë

 

Kryeministri Berisha theksoi dje nga mitingu madhështor i PD në qytetin e Shkodrës se, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka frikë t'u kërkojë votën qytetarëve shqiptarë duke qenë në krye të listës së socialistëve. Duke ironizuar takimin elektoral të kryesocialistit Rama dy ditë më parë po në këtë qytet, kryeministri tha se Shkodra më shumë se cilido qytet tjetër do ta ndëshkojë me votën e saj rëndë kryetarin e PS-së, i cili kundërshtoi në Parlament ligjin për kompensimit e të përndjekurve, ligjin për hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit e një sërë ligjesh të tjera jetike për vendin. "Këtu ishte edhe kreu i Partisë Socialiste. Më lejoni t'i adresohem me këto fjalë. Shkodra, zemrën e ka të hapur, Shkodra ka pluralizmin politik dhe vlerat e demokracisë të shenjta. Shkodra është e gatshme të të falë ty edhe votën në Parlament kundër ligjit të dënimit të krimeve të komunizmit. Shkodra është në gjendje të të falë ty edhe votën kundër ligjit në Parlament për kompensimin e të përndjekurve, por Shkodra ka një kusht me ty: respekto atë që dje ti citove nga Hil Mosi, oksidentalizmin e Shkodrës. Shkodra, zoti Rama, të kërkon ty të dalësh në krye të listës së deputetëve të tu, të mos u kërkosh shqiptarëve votën, kurse vetë të fshihesh prapa karriges së kryetarit të Bashkisë. Zoti Rama, mos ki frikë, kërkojua votën, por vëre veten në krye të listës, sepse ky është detyrimi i fundit që ti mund të përmbushësh, përndryshe fundi yt është i njëjtë me të etërve të tu", tha kryeministri. Zoti Rama, tha kryeministri, ti i recitove Shkodrës Hil Mosin dhe i servire Shkodrës Tom Doshin. Ti recitove Patër Gjergjin dhe Luigj Gurakuqin, por do të çosh në Parlament kryetrafikantin. Nuk ke të ardhme, ky është paralajmërimi im serioz! "Së fundi, me Shkodrën do të flasë vetë Shkodra. Unë nuk jam njeri që urrej. Urrejtja në shpirtin tim nuk ekziston. Ti më urren, por më nderon, sepse e vërteta është që atë që u bëra etërve në '92 bashkë me ju, ua bëmë bijve të tyre në 2005, se tani po ngrihen etër e bij dhe sërish do ua përsërisim bëjmë në 2009. Ky është zotimi im për ty, zoti Rama. Ndaj më urre sa të duash, se ky fat të pret", tha kryeministri. Duke i përshëndetur edhe njëherë vëllazërisht të gjithë shkodranët, kryeministri bëri thirrje për ta shndërruar 28 qershorin në ditën e madhe të fatit të bekuar, në ditën e ëndrrës më të bukur të Shkodrës, në ditën e nderimit të lumenjve të sakrificave mbinjerëzore të këtij qyteti për liri e dinjitet, në ditën e shtëpisë më të bukur të fëmijëve, në ditën e Shkodrës europiane, në ditën e Shqipërisë europiane.

 

Punësimi dhe ulja e varfërisë, kryefjala e standardeve europiane

 

Kryeministri Berisha vlerësoi se në katër vitet e ardhshme projekti i qeverisë për një Shqipëri europiane përfshin kapjen e standardeve më të larta të jetesës, punësimin dhe uljen e varëfrisë. Në këtë kuadër, kryeministri theksoi se qeveria ka gati projektin për punësimin e 160 mijë punonjësve të rinj shqiptarë, duke nënvizuar se në mandatin e dytë qeveria do të kalojë gjashtë vende anëtare të BE për mirëqenien dhe nivelin e lartë të jetesës. "Shpirti juaj krijues, shpirti juaj punëtor e ndryshoi Shkodrën në katër vite. Mijëra e mijëra sipërmarrje të vogla e të mesme janë hapur në qytetin tuaj, mijëra kantiere të tjera janë dhe do të hapen. Ju, qytetare e qytetarë të Shkodrës, keni qenë europianë në shpirt, në zemër, në kulturë dhe në çdo gjë, në shekuj e mijëvjeçarë. Sot, për të realizuar ëndrrën tonë, vendin që meritojmë mes kombeve të zhvilluara të Europës, na duhet zhvillim, zhvillim dhe vetëm zhvillim. Unë jam këtu për t'ju dhënë ju fjalën se Shkodrës e qarkut të saj do t'i japim infrastrukturë të plotë europiane, se Shkodra dhe qarku i saj do të ketë ujë 24 orë, se Shkodra do të jetë një nga epiqendrat kryesore turistike të Shqipërisë dhe Ballkanit, se Shkodra do të jetë epiqendër kryesore e vendit për dijen e shkencën", tha kryeministri. Katër vitet që vijnë, u shpreh ai, qytetare e qytetarë të Shkodrës, ju premtoj se do të bëj që ju të paguheni në paga e pensione më mirë se qytetarët e gjashtë vendeve anëtare të BE-së. "Kryefjala e Shkodrës europiane, e Shqipërisë europiane është dhe do të mbetet punësimi juaj. Jam sot për t'u zotuar se në dy parqet e mëdha industriale të Shkodrës dhe Koplikut, se në dhjetëra e dhjetëra vepra të tjera industriale, në hidrocentralet e shumta të këtij qarku, në rrugë e autostrada, në bizneset në Shkodër e Shqipëri do të punësohen 160 mijë qytetarë shqiptarë. Fermerëve të mrekullueshëm të Shkodrës iu garantoj se qeveria ime do të subvencionojë çdo projekt të tyre nga vera 'Kallmet' tek ulliri, nga vreshtat tek bimët e arave. Ju, fermerë të Shkodrës e mbarë Shqipërisë do të takoheni me Europën si fermerë europianë. Ky është zotimi ynë", vijoi më tej kryeministri.

 

Pajisja me letërnjoftime, përmbushja e një detyrimi solemn për të qenë europian

 

Kryeministri Berisha u bëri dje thirrje mbarë qytetarëve shqiptarë që të pajisen sa më shpejt me letërnjoftimet e reja elektronike për të përmbushur kështu një detyrim madhor e solemn në arritjen e standardeve europiane. Kryeministri Berisha shprehu bindjen e tij se zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë zgjedhjet më të lira në të gjithë historinë e vendit. "28 qershori po vjen. Më 28 qershor, shkodranët, shqiptarët do të rikthejnë lavdinë elektorale të 22 marsit '92. Sot, më shumë se kurrë, sepse sot ne jemi vend anëtar i NATO-s, sepse sot ne kemi ritmet më të mëdha të ndryshimit, sepse sot ne shkojmë të sigurtë drejt Shkodrës europiane, drejt Shqipërisë europiane. Ndaj, thirrja ime vëllazërore për ju të gjithë është të merrni letërnjoftimet e reja, si dëshminë moderne e teknologjisë më të lartë e identitetit tonë, barazohemi kështu me qytetarët e vendeve më të zhvilluara", tha kryeministri. Në emrin tuaj, u shpreh ai, të të gjithëve që jeni në këtë shesh, në emër të mbarë shqiptarëve, ju drejtoj një thirrje vëllazërore të gjithë zgjedhësve shqiptarë, të të gjitha bindjeve, socialistë e të tjerë, bashkohuni me ne, se Europa, projekti ynë europian ka vend për të gjithë, projekti ynë europian ju do ju të gjithëve, se ëndrrën tonë europiane duam ta ndajmë me çdo shqiptar, se ëndrra jonë nuk ka kthim, ajo është ëndrra më e bukur dhe fisnike e çdo shqiptari dhe e kombit shqiptar.

Mbi 51.3% e të anketuarve mendojnë se vendi po ecën në drejtimin e duhur me reformat e ndërmarra

Sondazhi: Partia Demokratike fituese me 44% të votave në Qarkun e Fierit

Partia Demokratike rezulton fituese e zgjedhjeve parlamentare të qershorit në Qarkun e Fierit me 44% të votave kundrejt 43% që shprehen se do të votonin për Partinë Socialiste. Sipas një sondazhi të publikuar mbrëmë nga Qendra për Studime Humanistike, Gani Bobi, Partia Demokratike rezulton fituese dhe në Qarkun e Fierit, i konsideruar ky si një bastion i majtë. Sipas të dhënave të sondazhit paraprak, mbi 44% e të anketuarve që do të hedhin votën në zgjedhjet e 28 Qershorit mbështesin Partinë Demokratike kundrejt 43% që mbështesin Partinë Socialiste. Konkluzionet e anketës flasin për një tendencë në rritje të mbështetjes ndaj Partisë Demokratike në këtë qark, i cili më parë ka votuar të majtën. Kjo dëshmon tkurrjen që po pëson Partia Socialiste e Ramës edhe në ato zona ku ajo ishte më e votuar. Në sondazhin e dhënë për Qarkun e Fierit janë pyetur 2000 qytetarë me një shpërndarje proporcionale në të gjitha Bashkitë dhe komunat e këtij Qarku. Nga ky sondazh shumica e qytetarëve të Qarkut Fier kanë vlerësuar punën e kryeministrit Berisha në mandatin që po mbyllet, duke e vlerësuar atë si një kryeministër të suksesshëm. Po kështu 51.3% e të anketuarve mendojnë se vendi po ecën në drejtimin e duhur me reformat e ndërmarra. Prirja e sondazhit është një dëshmi e mbështetjes së kursit të reformave që qeveria e kryeministrit Berisha ka ndërmarrë dhe ka realizuar jo vetëm për Qarkun e Fierit, por për të gjithë Shqipërinë. Kjo rritje e mbështetjes ndaj Partisë Demokratike është e logjikshme, duke patur parasysh evenimentet historike që vendi ka përjetuar gjatë këtyre katër viteve përsa i përket procesit të integrimit të vendit. Por ajo që duket se ka patur një ndikim të qartë në orientimin e të anketuarve janë investimet e shumta dhe reformat e përgjithshme të qeverisë. Gjithashtu, sondazhi ka konfirmuar se një sërë problemesh që në vitin 2005 renditeshin si shumë problematike, aktualisht janë të papërfillshme në jetën e përditshme të qytetarëve. Ky rezultat pritet të thellohet në zgjedhje, pasi pas pak ditësh pritet të përurohen një sërë investimesh që do të zgjidhin nevojat e këtij qarku, për punësim, infrastrukurë dhe mirëqenie. Qendra për Studime Humanistike "Gani Bobi" është e njohur po aq në vitin 2005. Besueshmëria e sondazhit të publikuar nga "Gani Bobi" u konfirmua menjëherë me shpalljen e rezultatit zyrtar nga KQZ. Marzhi i gabimit llogaritej vetëm 2 përqind. Eksperienca përsëritet në përballjen lokale të 2007. Shqipëria është vetëm një nga vendet ku "Gani Bobi", në bashkëpunim me kompaninë e njohur amerikane "Penn Shon Berland" zhvillojnë sondazhe. Kosova dhe Bosnja janë gjithashtu disa prej vendeve, ku sondazhet e publikuara nga kjo qendër njohën publikun dhe partitë, me fituesit, ende pa u shpallur rezultatet zyrtare.

 

 Qeveria miraton disa shtesa dhe ndryshime në sektorin e energjisë

Qeveria miratoi nw mbledhjen e djeshme disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për sektorin e energjisë elektrike. Sipas këtyre ndryshimeve,

 

"Çertifikata e gjelbër", një dokument zyrtar me kohë të kufizuar të vlefshmërisë, e transferueshme veçmas fizikisht nga energjia elektrike ose nxehtësia e gjeneruesit, të cilin e çertifikon, që vërteton prodhimin e një sasie të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme të energjisë apo nga një metodë e kombinuar prodhimi, në të cilën jepen data dhe vendi i prodhimit, centrali gjenerues dhe pronari. "Çertifikata e garancisë së origjinës", një dokument zyrtar i patransferueshëm, që vërteton prodhuesin, sasinë e energjisë elektrike dhe të nxehtësisë së prodhuar nga burimet e energjive të rinovueshme, centralin elektrik dhe kapacitetin e tij. Kualifikon centralet prodhuese të ushqyera nga burime të rinovueshme të energjisë, si dhe çertifikon energjinë e prodhuar prej tyre me "Çertifikatën e garancisë së origjinës" dhe "Çertifikatën e gjelbër", çka do të shërbejë për plotësimin e detyrimit të shprehur në pikën 1, të nenit 3, të këtij ligji; harton dhe miraton rregulla dhe procedura të veçanta për kualifikimin e centraleve prodhuese, që përdorin burime të rinovueshme të energjisë, si dhe për çertifikimin e energjisë së prodhuar prej tyre me "Çertifikatën e garancisë së origjinës" dhe "Çertifikatën e gjelbër", ku përcaktohen kategoritë e centraleve dhe afatet e vënies së tyre në punë, për përfitimin e çertifikatave të origjinës dhe çertifikatave të gjelbra; formula dhe koeficientet llogaritës të sasisë së energjisë elektrike të prodhuar, që përfiton "Çertifikatën e origjinës" dhe "Çertifikatën e gjelbër", në funksion të kapacitetit të instaluar dhe të teknologjisë së së përdorur; vlera nominale e çertifikatave e shprehur në MWh; elemente të tjera të nevojshme për përshtatjen e procesit të kualifikimit dhe të çertifikimit të energjisë së rinovueshme me atë të vendeve, me të cilat nënshkruhen marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të procedurave të kualifikimit dhe të çertifikimit.

 

Burimet e energjive të rinovueshme

 

Prodhuesit e pavarur të energjisë elektrike, nga burime jo të rinovueshme energjie, me fuqi të instaluar mbi 50 MW, janë të detyruar të prodhojnë dhe/ose injektojnë në sistemin elektroenergjetik energji elektrike, në masën jo më pak se 3 përqind të prodhimit të tyre të përgjithshëm vjetor të vitit pararendës nga centrale prodhuese, që përdorin burime të rinovueshme të energjisë, të çertifikuara nga ERE-ja me "Çertifikatën e gjelbër", me vlefshmëri 15-vjeçare, sipas përcaktimit që do të bëjë ERE-ja, për këtë qëllim, por që të jënë vënë në punë pas datës 02.11.2000. Për periudhën 2009-2012 kuota e përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, do të rritet çdo vit me 0.75 përqind. Detyrimi i mësipërm është i përmbushur nëse ata blejnë sasi të njëjta të energjisë elektrike nga prodhues të tjerë ose nga operatori i sistemit të transmetimit. Në këtë rast, detyrimi vlerësohet i përmbushur, kur ERE-ja ose institucionet simotra të vendeve nga importohet energjia elektrike kanë një proces të ndërsjellë certifikimi për prodhimin, nga burimet e energjive të rinovueshme. Këshilli i Ministrave autorizohet të ndërmarrë nisma, nxitëse dhe mbështetëse, për ndërtimin e centraleve, që shfrytëzojnë energjitë e rinovueshme për prodhimin e energjisë elektrike, që do të konsumohet tërësisht brenda vendit. Për centralet prodhuese të energjisë elektrike, që përdorin burime të rinovueshme energjie të lidhur në rrjetin e shpërndarjes, prodhimi i të cilave është i destinuar për mbulimin e nevojave të klientëve tariforë dhe që nuk përfitojnë çertifikatën e gjelbër, Këshilli i Ministrave, në bashkëpunim me ERE-në, miraton metodologjinë e llogaritjes së tarifave (feed-in tariff) të shitblerjes së energjisë që prodhojnë."

 

Kryeministri garantoi se qeveria do t`u japë fund të gjitha abuzimeve që janë bërë në emër të pushtetit me çështjen e pronave

Kompensimi fizik e monetar i pronarëve sipas vlerës së tregut

 

Qeveria e Partisë Demokratike në mandatin e saj të dytë do të vazhdojë kompensimin monetar e fizik të pronarëve sipas vlerës së tregut. Duke folur në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha garantoi pronarët se megjithë vështirësitë që mbart procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave, qeveria shqiptare nuk do të përdorë vlerë tjetër, përveç asaj të tregut, për kompensimin monetar apo fizik të tyre. "Edhe njëherë, dua t'i rikthehem çështjes së pronës dhe pronarëve. Duke njohur vështirësitë shumë serioze të këtij procesi një gjë duhet t'i garantoj pronarëve të këtij vendi, se unë personalisht dhe qeveria ime, aktualja dhe ajo që do të vijë me votën e lirë të shqiptarëve, nuk do të përdorë ndonjëherë vlerë tjetër përveç vlerës së tregut për kompensimin monetar apo fizik të tyre", tha kryeministri. Gjithashtu, ai shprehu garancinë se në këtë mënyrë, qeveria i jep fund të gjitha abuzimeve që janë bërë në emër të pushtetit, në këtë drejtim, duke theksuar se çdo gjë do të shpërblehet me vlerën e tregut. "Në këtë kontekst, çdo lloj shpifje apo trillimi që përhapin ata që ua kanë marrë edhe centimetrin e fundit të tokës vëllezërve të vet, duke shfrytëzuar pushtetin, janë të tëra të pavërteta. Unë do të qëndroj deri në fund për vlerën e tregut. Çdo gjë do të shpërblehet me vlerën e tregut", garantoi kreu i qeverisë shtresën e pronarëve.

 

Kryeministri theksoi se rikthimi i letrave me vlerë është shlyerje e një detyrimi ndaj mbi 1 milionë shqiptarëve

Legalizimet, 80 % e shumës mund të paguhet nëpërmjet letrave me vlerë

 

Qytetarët shqiptarë që do të legalizojnë objektet e tyre do të kenë të drejtë që 80% të vlerës së tyre ta paguajnë me letra me vlerë, përveç taksës së infrastrukturës, e cila është kompetencë e qeverisjes vendore. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, kryeministri Berisha ka vënë në dukje se letrat me vlerë të emetuara nga qeveria në vitet '95-'96, të cilave iu është zgjatur afati i përdorimit para tre vitesh, janë një detyrim madhor dhe i padiskutueshëm i qeverisë ndaj qytetarëve shqiptarë. Duke iu referuar taksës së infrastrukturës, kreu i qeverisë tha se kjo është një taksë e vendosur me pëlqim të përbashkët me bashkitë dhe komunat e vendit dhe mbetet e paprekur. Kështu, kryeministri theksoi se përveç kësaj takse, qytetarët që do të legalizojnë objektet do të kenë të drejtë që 80% të vlerës ta paguajnë me letra me vlerë. "Sot, unë do të trajtoj një problem të veçantë që ka të bëjë me letrat me vlerë. Letrat me vlerë të emetuara nga qeveria ime në vitet '95-'96 dhe të zgjatura afatet e përdorimit të tyre sërish nga qeveria ime, para tre vitesh janë një detyrim madhor dhe i padiskutueshëm i imi ndaj qytetarëve shqiptarë, sepse unë kam qenë President i vendit në fuqi ekzekutive, kur kam miratuar dhe urdhëruar emetimin e tyre. Kemi vendosur që i tërë procesi i legalizimit përveç taksës së infrastrukturës, e cila është taksë e qeverisë vendore dhe unë nuk kam ndërmend që të ngushtoj dhe as të ndërhyj në kompetencën e tyre, por as edhe t'u ngushtoj atyre burimet e të ardhurave. Ajo është një taksë e vendosur me pëlqim të përbashkët me bashkitë dhe komunat e vendit dhe mbetet e paprekur. Pra, përveç kësaj takse, qytetarët që do të legalizojnë objektet do të kenë të drejtë që 80% të vlerës ta paguajnë me letra me vlerë", u shpreh Berisha gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë. Përsa u përket qytetarëve të cilët e kanë paguar vlerën 100%, qeveria është e gatshme t'i rimbursojë ata me 80% të vlerës, të cilën ata do ta paguajnë me letra me vlerë. Më tej, kreu i ekzekutivit vlerësoi se në këtë mënyrë, hapet për letrat me vlerë një nga tregjet më të fuqishëm të vendit, i cili bazohet në legalizimin e 500 mijë objekteve. "Në këtë mënyrë, ne hapim një treg ekzakt 4 deri në 6 herë më të madh sesa vlera e letrave me vlerë", u shpreh kryeministri. Ai shtoi se me këtë proces, qeveria shkon drejt shlyerjes së detyrimit që qeveria ka për më shumë se një milion shqiptarë. "Ne, shkojmë drejt shlyerjes së detyrimit që kemi ndaj më shumë se 1 milion shqiptarëve dhe kam shumë kënaqësi që çelim këtë treg dhe shlyejmë këtë detyrim", tha kryeministri, ndërsa kërkoi nga Ministria e Financave dhe Ministria e Punëve Publike përgatitjen e gjithë kuadrit të nevojshëm ligjor, që ky vendim të hyjë në fuqi sa më parë.

 

Shqipëria, superfuqi energjetike në rajon, qeveria jep me konçesion ndërtimin e 27 hec-eve

 

Qeveria po i jep jetë çdo ditë e më shumë projektit të saj për shndërrimin e Shqipërisë në një superfuqi energjetike në mbarë rajonin. Jo më larg se dje, në mbledhjen e radhës së qeverisë janë miratuar kontratat e konçesionit për ndërtimin e 27 hidrocentraleve në Shkodër, Bulqizë, Librazhd dhe Gramsh. Sipas këtij vendimi, në rrethin Shkodër do të ndërtohen 11 hidrocentrale ku gjashtë prej tyre do të ndërtohen në Lumin Shalë. Përkatësisht në rrethin e Shkodrës do të ndërtohen në theth, Grunas, Ndërhysë, Lekaj, Breglumi, Vajvishte, Shala 1, Shala 2, Shala 3, Shala 4 dhe Shala 5. Ndërkohë që rrethi Bulqizë përfshin ndërtimin e 10 HEC-ve. Përkatësisht, në lumin Zalli i Okshtunit, i cili derdhet në lumin Drini i Zi, u miratuan kontratat e konçesionit për ndërtimin e 10 HEC-eve, "Borovë", "Sebisht nr.2", "Prodan nr.4", "Prodan nr.5", "Okshtun nr.6", "Okshtun Ekologjik", "Ternova nr. 7", "Lubalesh nr 9", "Lubalesh Ekologjik", "Gjoricë nr 10". Në Librazhd u miratua kontrata e konçesionit për ndërtimin e hidrocentralit "Spatharë", duke shfrytëzuar ujërat e burimit Gurra e Bardhë. Ndërsa në rrethi e Gramshit, komuna Kukur u miratua kontrata për dhënien me konçesion të ndërtimit të 5 hidrocentraleve, përkatësisht Kukur 1, Kukur 2, Kukur 3, Kukur 4 dhe Kukur 5.

 

Miratohet tarifa 1 euro për dhënien në përdorim të kullotave e livadheve shtetërore

 

Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave u miratua vendimi "Për miratimin e tarifave të përdorimit të kullotave dhe livadheve për kullotje dhe kositje", duke e ulur atë sipas kategorive nga 2-4 herë. Vendimi ka si qëllim miratimin e tarifës nën 1 euro për dhënien në përdorim të kullotave dhe livadheve shtetërore, për kullotjen e bagëtive dhe kositje bari, duke synuar lehtësimin e blegtorëve shqiptarë. Nga aplikimi i kësaj tarife, do të përfitojnë drejtpërsëdrejti komunat, bashkitë, si dhe sektori shtetëror i administrimit të kullotave, si dhe subjekte private që kontraktojnë çdo vit marrjen me qira të kullotave shtetërore e që janë të interesuar për rritjen e treguesve cilësorë të administrimit të tyre.

 

Qeveria vendim për uljen e varfërisë

 

Kryeministri Berisha ka shprehur dje grancinë se në katër vitet e ardhshme në mbarë vendin nuk do të ketë më asnjë qytetar shqiptar nën nivelin e 2 dollarëve në ditë. Në këtë kuadër, që në mbledhjen e djeshme të qeverisë u miratua vendimi "Për caktimin e nivelit bazë të së ardhurës nga papunësia". Vendimi i miratuar në zbatim të ligjit "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, rrit ndjeshëm nivelin bazë të së ardhurës nga papunësia. Rritja që barazon të ardhurën nga papunësia me 50% të pagës minimale në shkallë vendi, bëhet në kuadër të përshtatjes së legjislacionit shqiptar me atë ndërkombëtar. Kryeministri Berisha u shpreh se brenda katër viteve nuk do të ketë më asnjë qytetar shqiptar nën nivelin e 2 dollarëve në ditë.

 

Vlorën shpallet zonë e lirë ekonomike

 

Një tjetër vendim i rëndësishëm i miratuar dje në mbledhjen e qeverisë ishte vendimi për shpalljen "Zonë ekonomike" me statusin "Zonë e lirë" një territor me sipërfaqe 478.14 ha në Vlorë. Ky vendim ka si qëllim krijimin e klimës sa më tërheqëse për thithjen e investimeve të huaja dhe vendase, duke ndikuar në nxitjen e zhvillimit ekonomik të kësaj zone. Zona do të jepet me konçesion të formës "BOT".

 

Rritet pagesa mujore për kategorinë e të verbërve

 

Pagesa mujore e personave me statusin e të verbërit do të rritet, duke shkuar në 9800 lekë në muaj. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave u miratua vendimi për rritjen e pagesës mujore të personave me statusin e të verbërit. Ky vendim rrit pagesën për personat që kanë statusin e të verbërit dhe të kujdestarëve të tyre nga 8700 lekë në muaj, që është aktualisht, në 9800 lekë në muaj. Gjithashtu, vendimi parashikon indeksimin e kësaj pagese çdo vit me rritjen e pagës minimale në shkallë vendi. RD

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Bashkohen subjektet politike demokristiane (06.11.2009)
Emigrantët mund të kthehen për votimet (06.11.2009)
Kryeministri inauguron fillimin e rrugës Divjakë-Pushimi i Shoferit në Lushnjë (06.11.2009)
LDK në proces të reformimit të gjithanshëm (06.10.2009)
Kryeministri Berisha tha dje në Peqin se vendet e reja të punës janë kryefjala e programit elektoral të PD (06.10.2009)
Opozita bashkohet rreth datës së zgjedhjeve (06.09.2009)
Ramë Manaj: LDK do të vazhdojë të jetë artikuluese e fuqishme e interesave të popullit (06.09.2009)
LDK mbetet pasqyrë e një elite të përgjegjshme politike në Kosovë (06.09.2009)
Sot në Prishtinë i zhvillon punimet Konferenca njëditore e Lidhjes Demokratike të Kosovës mbi orinetimet strategjike të kësaj partie (06.09.2009)
Kryeministri Berisha pret shiritin e fillimit të punimeve për projektin më të madh hidroenergjitik në Evropë (06.09.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
KONFERENCË PËR SHTYP E KRYEMINISTRIT BERISHA DHE KRYEMINISTRIT BERLUSKONI
Berisha: Jemi Kina e vogël e Evropës, investoni (ANSA)
Dekorohen protagonistë të 20 shkurtit

 
VOAL
[Shko lartë]