Në sfondin e zhvillimeve të ditëve të fundit në Ukrainë komentatorët e
mediave perëndimore kërkojnë një gjuhë të qartë sanksionesh të ashpra
ndaj Moskës. Po ashtu ato nxjerrin në pah edhe rolin e veçantë të
Gjermanisë në konfliktin e Ukrainës.
Gazeta «Neue Zürcher Zeitung am Sonntag» komenton në numrin e saj të së dielës rolin e Gjermanisë në krizën në Ukrainë:
«Në krizën në Ukrainë Gjermania ka edhe një herë rol drejtues
ndërkombëtar dhe po e luan mirë atë. Berlini drejton aleancën
perëndimore kundër dëshirave ekspansioniste të presidentit rus Vladimir
Putin. Kjo aleancë e përbërë nga fajkoj në Uashington dhe njerëz që e
kuptojnë Putinin në Evropë arriti, që falë presionit të përbashkët ndaj
Moskës, të liroheshin vëzhguesit e OSBE-së që mbaheshin peng. Por e
gjitha kjo nuk mjafton për ta ndalur përshkallëzimin e dhunës në
Ukrainë. Qeveria ukrainase u shpreh dje për herë të parë për "luftë". Në
rast se Perëndimi mund ta ndalojë këtë, atëhere kjo arrihet me saksione
të ashpra ekonomike kundër të gjithë atyre që vazhdojnë të luajnë me
mendjelehtësi me zjarrin. Sanksione më të forta ndaj Moskës do t'i
dhëmbin shumë këtij vendi. Dhe meqenëse Berlini drejton aleancën kundër
Putinit, masa të tilla nga Berlini do të kishin një efekt të veçantë
sinjalizues.
Gazeta konservatore britanike «The Sunday Times» e komenton me këto
fjalë strategjinë e Perëndimit ndaj Rusisë në konfliktin e Ukranës:
«Edhe në rast se presidenti Putin është i gatshëm ta ndajë Ukrainën me
dhunë, gënjeshtra dhe manovra subversive, Perëndimi mund t'i shkaktojë
Rusisë dëme të rënda ekonomike. Në tremujorin e parë të këtij viti
largimi i kapitalit nga Rusia u vlerësua në shumën 60 miliardë dollarë
dhe rubla si dhe bursa e Moskës kanë pësuar humbje. Por ekziston rreziku
që kriza të përshkallëzohet dhe t'i kapërcejë kufijtë e një lufte të
thjeshtë për pushtet mes shteteve. Perëndimi duhet të heqë patjetër dorë
nga qëndrimi i tij deri tani i shkujdesur dhe të zhvillojë një politikë
të qartë për t'u përballur me agresionin."dw