Tani mund ta besojmë historinë e gjuhës shqipe në lidhje me ilirishten, duke e
vendosur atë në aspektin indoevropian, në kuadër të grupit veriperëndimor. Kjo
deklaratë e bërë nga albanologu amerikan, Eric Hamp, në kuadër të konferencës
së organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike, është shoqëruar për herë të
parë dhe me etimologjinë e disa fjalëve krahasuese. Etimologjia e fjalës thika
- gjendet tek fjala e latinishtes siko, po ashtu fjala thupra - e krahasuar me
fjalën latine sibina.
Realisht ky ka qenë lajmi më i fundit edhe për vetë shkencën tonë gjuhësore, ku
studiuesit shqiptarë të sotëm janë gjendur përballë kësaj befasie, duke e
vendosur padyshim në ato fenomene që me plot gojën mund të quhen risi, edhe në
këtë rast për shkencën tonë gjuhësore. Duhet shënuar se për profesor Hamp është
një nënvizim i veçantë, se ka në natyrën e punës së tij - mendimin që është
vazhdimisht në zhvillim.
E nis leksionin me një nderim të albanologut Holger Pedersen, e më pas thotë...
"Imagjinoni: Danimarka, një vend që në tërësinë e vet numëron më pak banorë se
Chicagoja, i ka dhënë shqipes dhe rolit të saj të pakrahasueshëm në familjen
indo-europiane nëntë gjuhëtarë të kalibrit ndërkombëtar". Hamp i quan të nëntë-
"Great Danes", duke nisur me Rasmus Rask-un, zbuluesin e vërtetë të ligjit të
Grimit, që ky i fundit vetëm se e publikoi para Raskut danez. U tërheq
vëmendjen gjuhëtarëve historikë shqiptarë që "gjithnjë i referohen Pedersenit
duke e cituar gabim sikur të kish thënë se kishte dy dhe jo tre laterale (bashkëtingëllore
anësore) në indoeuropianishte...kam frikë se nuk e lexojnë Pedersenin në
origjinal...thjesht i referohen njëri pas tjetrit gabimit që ka bërë i pari i
atyre që e kanë cituar..."- shton pastaj. "Po nuk dua të bëj listën me emra...s'ka
rëndësi"- thotë pastaj. Pastaj nis e lidh logjikisht tezën e tij duke sjellë
shembuj nga fjalë të mbledhura në 80 fshatrat arvanitas të Beotisë, ku ka bërë
ekspedita gjuhësore në vitet 50-60. Mban mend e përmend çdonjërin fshat, bashkë
me moshat dhe karakteristikat e folësve që ka intervistuar...me një shqiptim
perfekt të të folmeve, e me një keqardhje prej ati që humb bijtë e vet, madje
edhe më shumë, kur thotë..."Në vitet 50-60 ishin 570 ngulime të shqipes në
Greqi...I kam numëruar një nga një...veç nuk pata kohë fizike të regjistroja më
shumë se 80 ngulime"...dhe fytyra i pritet e duket pezmi i tij i thellë... "tani
thuajse kanë vdekur të gjithë...folësit që intervistova unë ishin në të
gjashtëdhjetat. Duhet të kenë vdekur, megjithëse prapë mund të gjenden folës të
mbijetuar." Politika i intereson pak. Se si e pse janë zhdukur kaq "˜me nxitim'
arvanitasit e Greqisë, se ç'rol kanë politikat greke në këtë, nuk është puna e
tij...Veç gjuha i intereson...ajo e gjalla. Dhe lehtësisht, sikur t'i referohej
rrugës që bën çdo mëngjes nga shtrati tek tavolina e punës, vizaton në ajër me
gisht hartat e udhëve nga fshati në fshat në ndjekje të fjalës shqip, prej
shkrepave të malësive greke, malazeze, atyre dalmate, serbe, kosovare e
maqedonase, duke mbyllur rrethin brenda Ballkanit. Po kështu bën me fshatrat e
tjerë të shqipes arbëreshe në Itali, i vizaton në ajër, duke shmangur male e
lumenj që i kanë zënë dikur rrugën, por që i ka shmangur, sepse përtej e priste
fjala.
Cilësitë e metodës shkencore të Hampit? -Empirik, rigoroz në ligjësitë e
fonetikës dhe gramatikës historike, i përpiktë në imtësi dhe i palodhur në
kërkim të konfirmimit pa fund të çdo zbulimi në kuadrin e gjerë gjuhësor, i
paepur e konsistent, me integritet shkencor të palakueshëm. Kur Hampi flet, të
krijohet ideja se jeton në gjithëkohë e gjithëhapësirë, të duket vetja i
përjetshëm. Nis me një formë foljore të fshatrave arbëreshë Cerzeto e
Vaccarizzo Albanese, që jehohet nga arvanitika e fshatit Mandres dhe Magoula,
dhe krejt natyrshëm dhe logjikshëm kalon në format e hetitishtes, anatolishtes,
e mesapishtes. Nuk ka kufij mes vdekjes dhe jetës në gjuhë apo shoqëri për
Hampin. E gjitha është komunikim njerëzor i pandërprerë, domethënë gjuhë e
përdorur dhe gradualisht e ndryshuar, e gjitha është vazhdimësi. Dhe ndoshta
veç sipas kësaj filozofie, rindërtimi i miliona fijeve të shkëputura mes mëmës
indo-evropiane e gjuhëve bija do ishte i mundur. Dhe kur ka përfunduar së
përshkruari në detaj rrjetin fantastik që lidh Lindjen me Perëndimin, dhjetëra
gjuhë të vdekura me ato që sot lulëzojnë apo po humbasin, kombe folësish miq e
armiq, Hampi thotë: "Albanian is a personal love of mine. Albanian is the
pinion on which Balkan linguistics all rests. Albanian is what is the fundament
of Balkan Sprachbund." (Shqipja është dashuri personale e imja. Është strumbullari
rreth së cilës sillet gjithë gjuhësia ballkanike. Është themeli i sprachbundit
ballkanik). E pastaj shton se "Sllavishtja e vjetër dhe gjuhët balltike"”edhe
lituanezët do binin dakord, u pëlqen apo jo"”janë si binjakë. Por këta binjakë
nuk do mund të rrinin bashkë pa trinjakun e tyre, shqipen."
Ahhh...shënimet komplekse, të mbishtresuara, të kapërthyera e të ndërlidhura me
shenja fonetike, simbole komplekse, shigjeta e paranteza dyshimesh interesante
të Hampit, janë një tjetër mesele shumë e veçantë...E kam provuar kur doja t'i
botoja një artikull mbi numërorët themelorë në gjuhët indoeuropiane...sa djersë e
mund për t'i deshifruar e riprodhuar elektronikisht dorëshkrimet e tij, tamam
ashtu siç i donte i pakomprometueshmi Hamp...ahhh "hundorësia e asaj zanoreje
është ndryshe në atë fshat dalmat, dhe kjo lloj "ë-je" është rreth 1/10 e
sekondës më e gjatë se ajo e shembullit të mëparshëm, dhe këto ndryshime duhen
dëshmuar saktësisht në simbolet fonetike, përndryshe nuk bëjmë shkencë por
mashtrojmë"...E pastaj, kur i kërkova të më jepte në bibliografi të shkrimit që
kish përgatitur, burimin bibliografik për Buzukun, Matrangën, Bogdanin dhe
Kristoforidhin, ca i fyer e ca i irrituar më tha: "Këto nuk duhet të jepen në
bibliografi. Çdo shqiptar, edhe po ta zgjosh nga gjumi, duhet ta dijë këtë
informacion. Do ishte e tepërt të shkruheshin."... Por do duhet një tjetër shkrim
për këto.
Albanologu 88-vjeçar, që ka kryer studimet e Harvardit, duke mbrojtur
disertacionin e tij për të folmen e arbëreshëve të Vakaricës, që mbetet edhe
sot studimi më i gjerë përshkrues fonetik, qysh prej '54-ës, merr pjesë në këtë
konferencë, duke prezantuar veprën e tij më të fundit "Studime krahasuese për
shqipen", botuar nga Akademia e Shkencave në Prishtinë. Ky botim voluminoz ka
hyrë në Bibliotekën e Qendrës së Studimeve Albanologjike, redaktuar dhe
përgatitur nga studiuesi Rexhep Ismajli, njëkohësisht dhe përkthyesi i veprës
së bashku me emra të tjerë akademikësh, pjesëmarrës në përkthim. Ndërsa vetë
Hamp i munduar nga pleqëria, por jo nga fenomeni i një albanologu që për gjysmë
shekulli nuk rresht së nxjerri nga ilirishtja fjalë krahasuese që e çojnë në
bllokun e gjuhëve të vjetra ilire, ku hyn dhe mesapishtja. Kjo është teza e
tij, që siç duket bashkë me jetën e këtij albanisti amerikan, do të mbyllë edhe
kapitullin e debateve mbi shqipen. Ndërsa ai po i afrohet gjithnjë e më shumë
rrënjës, duke zbuluar përditë fjalë si befasia që na dha dje Hamp, ku studiuesi
Rexhep Ismajli tregon dimensionin e një etimologu të klasit ekstra në botë.
Profesor Eric Hamp edhe një herë sot iu kthye çështjes së gjuhës shqipe,
natyrisht nga pozita e një indoevropianisti duke e vendosur atë në aspektin
indoevropian, në kuadër të grupit veriperëndimor të gjuhëve indoevropiane, në
aspektin ballkanik pastaj, pak më vonë, janë faza më të vona këto, në lidhje me
ilirishten dhe me bllokun e gjuhëve të vjetra ilire ku hyn dhe mesapishtja.
Për prejardhjen e shqipes nga ilirishtja ka shumë. Ka një histori prej
shekullit XVIII nga Johan Lehman Tunman dhe pastaj në botën e sotme, pas Çabejt
kemi Cimochowski dhe autoritete të tjera, të gjithë këta që janë marrë me
albanologjinë në një farë mënyre janë në këto rrjedha të të menduarit. Profesor
Hamp ka këtë avantazh se depërton shumë më thellë në interpretimet paraindoevropiane
dhe të gjitha këto lidhje i bën bashkë.
Ka shkruar rreth 4000 artikuj shkencorë gjatë jetës së vet.Ajo që i intereson
ende më shumë se gjithçka është gjurmimi i dialekteve maleve e fshatrave mes të
folmeve arbëreshe e arvanitase, e pastaj kthimi nëpër salla leksionesh ku e
ftojnë papushim, duke derdhur me një përpikmëri detaji gati monstruoze, thesin
e tij të pafund të dijes. Njohuritë e tij në dialektetet e humbura të Europës
që rrallë i interesojnë kujt, si në shqipet e ndryshme, gjuhët e vdekura ose
gati të vdekura mes skocezëve, galëve, e bretonëve, dhe bukuria në lidhjen që
Hamp u bën dialekteve të gjalla me dhjetëra gjuhë të vdekura dhjetëra mijëra
vjet të shkuara, por që ai i njeh dhe përdor lehtësisht, janë mahnitëse.