E Djelë, 05.19.2024, 02:31am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
BASHKIM SHEHU - PAST PRESENT CONTINUOS: HIJET E SË KALUARËS NË LIGJËRIMIN PUBLIK
Shehu - KOMUNISTËT FITUAN, POR U KTHYEN NË BANDË VRASËSISH

E Premte, 05.16.2014, 03:19pm (GMT+1)


"Komunistët fituan luftën, por u kthyen në bandë vrasësish"Duke mos dashur të japë leksione ex cathedra, shkrimtari Bashkim Shehu u ndal dje (në takimin për ligjë-rimin publik) në dy aspekte: i pari, trajtimi i periudhës së komunizmit nga media e shkruar, dhe i dyti, zombifikimi i Enver Hoxhës. Në pjesën e parë, ai kritikon praninë në media të ish-persekutorëve komunistë, ndërsa në pjesën e dytë, ai duket se jep një lloj qëndrimi, sa i takon rivlerësimit të figurave historike, kur thotë se "lufta (nacionalçlirimtare) u përdor politikisht si një mit që legjitimonte diktaturën e fitimtarëve". Titulli në origjinal i fjalës së tij ishte: "Past present continuous: hijet e së kaluarës në ligjërimin publik"

Fjala e plotë e Shehut:

Para së gjithash, duhet të them se pozita e një shqiptari që vjen nga jashtë për të folur për problemet e Shqipërisë është një pozitë e vështirë. Është e vështirë në kuptimin se kjo mund të tingëllojë sikur po jep leksione ex cathedra. Nga njëra anë, ekziston detyrimi për të ushtruar sensin kritik. Nga ana tjetër, është rreziku që, duke ushtruar sensin kritik, t'i përngjaj një personazhi të "Kolonisë penale" të Kafkës, udhëtarit të huaj, duke i njohur vetes një status epërsie me qenë se vij nga jashtë. Dhe aq më tepër ka rrezik të tingëllojë kështu pikërisht ngaqë në të vërtetë nuk jam i huaj. Po vazhdoj duke shpresuar se kjo situatë është e kapërcyeshme.

Tema për të cilën do të flas, ajo e hijeve të së kaluarës apo e inercive të së kaluarës në ligjërimin publik në Shqipëri, është shumë e gjerë dhe nuk mund të shterohet me një kumtesë të shkurtër. Do të prek vetëm dy aspekte.

ASPEKTI I PARË konsiston në trajtimin e periudhës së komunizmit nga media e shkruar. Do të sillja si shembull pozitiv një artikull të Uran Butkës mbi raprezaljet që pasuan bombën e hedhur në ambasadën sovjetike më 1951: i bazuar në fakte të dokumentuara, dhe të shoqëruara me komente analitike që përftojnë kontekstin e duhur për atë ngjarje tepër domethënëse. Faktet kanë kuptim vetëm brenda kontekstit, ngulmonte Wittgenstein-i. Krejt e kundërta shihet në një numër të madh botimesh të shtypit për atë periudhë të historisë së vonë. Rasti më paradigmatik është ai i riprodhimit të protokolleve të farsave gjyqësore. I paraqiten publikut të sotëm pa asnjë kontekstualizim dhe pa asnjë shpjegim vlerësues. Ose jo, shpjegimet vlerësuese gjenden edhe në të tilla botime, por janë ato që kanë dhënë pushtetarët e asaj kohe me gojën e prokurorëve dhe gjykatësve të atyre proceseve.

Nxjerrja e ngjarjeve nga konteksti historik shfaqet edhe nëpërmjet sensacionalizmit. Ngjarjet e së kaluarës paraqiten si sensacione të ditës. Kjo bie ndesh me natyrën e historisë, ngase momentet e historisë marrin kuptim vetëm si pjesë të një rrëfimi që ka vazhdimësi, të një rrëfimi ku ngjarjet e ndryshme faktike janë të lidhura mes tyre në mënyrë të atillë që i bën të shpjegueshme qoftë si shkaqe dhe pasoja, qoftë si korrelacione që u japin fakteve cilësinë e faktorëve ndërveprues. Modaliteti i sensacionit është fragmenti, ngjarja e shkëputur, e veçuar si superngjarje ekskluzive me një shkëlqim që të verbon, si metangjarje absolute që errëson gjithçka tjetër. Modaliteti i historisë është pikërisht e kundërta: është ndriçimi i ngjarjeve nëpërmjet njëra-tjetrës. Ose, për t'iu përshtatur hapësirave të ngushta që ofron një gazetë e përditshme, është kontekstualizimi nëpërmjet komenteve dhe intepretimeve autoriale që sintetizojnë njohjen e historisë gjerësisht.

Një dukuri e afërt me këto që u përshkruan është ajo e përzgjedhjes së njerëzve që shprehen për të kaluarën komuniste të Shqipërisë, nëpërmjet intervistash apo artikujsh, apo edhe botimesh in extenso të librave të tyre nga gazetat. E kam fjalën te ish-persekutorët e niveleve të ndryshme, që nga pushtetarët e dikurshëm deri te ndihmësxhelatët e dikurshëm. Natyrisht, përveç njëfarë nderimi që shfaqin një pjesë e gazetarëve ndaj ish-pushtetarëve për nga mënyra se si i pyesin këta të fundit gjatë intervistave, nuk mungojnë gjykimet e persekutorëve dhe të ndihmësxhelatëve të dikurshëm për viktimat e tyre. Kjo nuk ndodh në të gjitha gazetat, por kam përshtypjen se në disa gazeta nga më të rëndësishmet, kur është fjala për diktaturën, prania e personazheve të llojit të lartpërmendur është mbizotëruese ndaj pranisë së viktimave apo të atyre që janë të prirur për empati ndaj viktimave. Thashë, kjo është një përshtypje e imja, dhe nuk kam të dhëna statistikore për ta mbështetur, nëse një gjë e tillë mund të mbështetet ose të kundërshtohet statistikisht. Po sidoqoftë në Shqipërinë e sotme ekziston një mendim aspak margjinal se, për historinë, ata që kanë vuajtur nuk duhet të kenë zë, sepse, pikërisht ngaqë kanë vuajtur, janë të mbushur me mllefe dhe, prandaj, nuk mund të jenë objektivë. Ndërkaq, shqetësimi për objektivitetin sikur harrohet ca si shpesh kur flasin për historinë shkaktarët apo ndihmësshkaktarët e vuajtjeve dhe simahorët e puthadorët e dikurshëm të tyre.

Mund të lindë pyetja: ç'kanë të bëjnë këto me integrimin europian? Mendoj se kanë të bëjnë pikërisht ngaqë procesi i integrimit europian, i filluar të nesërmen e Luftës së Dytë Botërore, ka në themelet e tij një "jo" të prerë ndaj tmerreve të së kaluarës, një "kurrë më". Dhe një "jo" e prerë ndaj së kaluarës nuk do të thotë që të mbyllen sytë ndaj saj, por që e kaluara të jetë vazhdimisht në sytë e kujtesës. Për ta plotësuar këtë përgjigje, po i referohem Habermas-it, për të cilin shqetësimi më i madh moral është "pakthyeshmëria e vuajtjeve të së kaluarës - padrejtësia që u është bërë njerëzve të pafajshëm, që janë keqtrajtuar, poshtëruar dhe vrarë - ndërsa njeriu nuk ka fuqi për ta ndrequr këtë". Dhe, me një konotacion thellësisht imperativ, shton: "shpresa e humbur e ringjalljes" shpesh ndihet si "një zbrazëti e madhe". Nisur nga ky mendim i Habermas-it, duhet të themi se, ngaqë nuk i zhbëjmë dot padrejtësitë e së kaluarës, të paktën të bëjmë drejtësi në kujtesën tonë kolektive.

ASPEKTI I DYTË që dëshiroj të prek në lidhje me ligjërimin publik për të kaluarën e afërt historike është zombifikimi i Enver Hoxhës. Është një transformim riciklues që ndodh në psikikën e disa politikanëve dhe të disa historianëve dhe që projektohet së andejmi në ligjërimin publik, përherë e më tepër kohët e fundit. Është një abrakadabra mendore që, në formën e saj të racionalizuar (në kuptimin frojdian të kësaj fjale), tingëllon pak a shumë kështu: "Vërtet që periudha e diktaturës ka qenë e keqe, ndonëse ka pasur edhe disa të mira, por nuk mund të mohohet kurrsesi epopeja e Luftës Nacionalçlirimtare dhe, duke qenë se Enver Hoxha ka qenë udhëheqësi i saj, nuk mund të mohohet krejtësisht figura e Enver Hoxhës". Pra, hapi i parë është ndarja e dy periudhave, hapi i dytë është ndarja e Enver Hoxhës më dysh, si të ishte viskonti i librit të Italo Calvino-s, dhe njëra prej dy gjysmave është e mirë, dhe pastaj hapi i tretë është ringjitja e dy gjysmave, ashtu si në një truk prej cirku teksa iluzionisti ndan më dysh me ndonjë shpatë një njeri të futur në kuti dhe e nxjerr nga kutia të gjallë e të pacenuar. Dhe ringjitja e dy gjysmave është e pashmangshme, qoftë dhe vetëm për hir të asaj që quhet "kompleksitet i figurave të mëdha historike", përveç që në këtë ringjitje duket se ndihmojnë edhe disa të mira që i atribuohen gjysmës së keqe, sikurse shkollat, shëndetësia, veterinaria, apo sovraniteti kombëtar. Po le të ndalemi pak te gjysma e mirë, te Lufta Nacional-Çlirimtare. Jo më kot një historian i tillë si Hobsbaëm-i e konsideron rezistencën shqiptare si një nga më të rëndësishmet në shkallë europiane, dhe jo më kot britanikët i çonin ndihmat e tyre më të shumti te partizanët. Po ndërkaq nuk duhet të harrojmë se drejtimi politik i Luftës Nacional-Çlirimtare ka qenë i orientuar qysh në fillimet e saj, më 1942, në funksion të vendosjes së një pushteti me një parti të vetme, pra në funksion të vendosjes së një diktature komuniste. Rrjedhojë e asaj strategjie janë ekzekutimet e kundërshtarëve jashtë Partisë Komuniste dhe brenda saj qysh në atë kohë. Le të kujtojmë se Enver Hoxha nuk ka qenë ushtarak, por ka qenë drejtuesi politik i luftës. Dhe le të kujtojmë një vlerësim që ka bërë në prag të çlirimit Sejfulla Malëshova, një nga udhëheqësit komunistë. Kemi qenë të suksesshëm ushtarakisht, thotë pak a shumë, por jo politikisht dhe, po të vazhdojmë kështu, do të katandisemi në një bandë vrasësish. Dhe në të tillë u shndërruan vërtet, Enver Hoxha dhe të gjithë shokët e tij, pikërisht pse vazhduan rrugën e nisur. Ndërkaq, midis dimensionit ushtarak dhe atij politik të Luftës Nacional-Çlirimtare ka pasur një raport të caktuar: lufta u përdor politikisht si një mit që legjitimonte diktaturën e fitimtarëve. Dashur pa dashur, në këtë mënyrë e përdorin disa politikanë dhe disa historianë sot kur e identifikojnë me udhëheqjen e Enver Hoxhës.

Përsëri mund të lindë pyetja: ç'punë prish kjo për të ardhmen europiane të Shqipërisë? Ç'kanë të bëjnë këto dy gjëra? Përsëri do të përgjigjesha se kanë të bëjnë shumë, sidomos po të shohim diçka që po ndodh aktualisht në Europë. Është i shëmtuar, pa dyshim, fuqizimi i partive ksenofobe dhe raciste në një sërë vendesh europiane, po edhe më i shëmtuar është adoptimi ose imitimi qoftë dhe i pjesshëm i axhendës së këtyre forcave ekstremiste nga parti me pedigree të shquar demokratike. Sot thuhen për imigrantët dhe për grupe të caktuara etnike gjëra që deri pak dekada më parë ishte e papërfytyrueshme se mund të thuheshin. Ky ndryshim ka shkaqe shumëfishta, po një nga këto shkaqe duket se është zbehja e asaj kujtese imperative mbi të cilën filloi të ndërtohej Europa e re mbas Luftës së Dytë Botërore. Nëse nuk e kujtojmë dhe nuk e kuptojmë të kaluarën, ajo kthehet, në një mënyrë apo në një tjetër. Anëtarësia në Bashkimin Europian nuk është garanci që kjo të mos ndodhë. Shembulli fatkeqësisht më interesant është Hungaria, që ka pasur një tranzicion ku e ku më normal se i Shqipërisë, por sot është vendi më antiliberal në Europë (duke përjashtuar disa ish-republika sovjetike) dhe është një nga vendet ku racizmi ka më pak turp të shfaqet. Dhe është fatkeqësisht më interesanti ky shembull sepse pozicionimi ndaj së kaluarës nga një aktor politik qendror, nga Viktor Orbani dhe partia e tij FIDESZ, merr dy pamje të kundërta, që të dyja të gabuara. Pamja e parë është ajo e kohëve kur sapo ishte përmbysur komunizmi dhe kur FIDESZ-i ishte një parti liberale e sapodalë nga lëvizja studentore. Asokohe, e kaluara nuk ekzistonte për ta. Pozicionimi i tyre ndaj së kaluarës prirej të ishte i atillë që mund të formulohet kështu: ne jemi të rinj, ne jemi të papërlyer me të kaluarën dhe, prandaj, ne kemi të drejtën morale të themi se ç'duhet bërë me të kaluarën, dhe themi se për të kaluarën s'duhet folur. Pamja e dytë është e sotmja: Viktor Orbani e dënon të kaluarën komuniste për hir të ambicieve të tij për pushtet autoritar, si një kozmetikë e autoritarizmit të tij. E kaluara hakmerret duke u ricikluar në një formë tjetër. Kështu ndodh kur e kaluara dënohet për qëllime ngushtësisht partiake ose vetjake, e jo nga ai shqetësim për të cilin flet Habermas-i në lidhje me pamundësinë që të zhbëhen vuajtjet e njerëzve të pafajshëm dhe të ringjallen të vrarët. Shpërfillja e padrejtësive të së kaluarës dhe abuzimi politik me to janë dy anë të së njëjtës monedhë. Të një monedhe që, ashtu si ovulla për lundrarin e vdekjes, i vihet në gojë kufomës së idealeve demokratike për të përshkuar jo vetëm Akerontin, po edhe lumin Lete të harresës.

E ritheksoj, nuk pretendoj t'i jap mësime askujt. Për ta mbyllur, po kthehem te novela e Franc Kafkës me të cilën e fillova. Episodi i fundit i saj është ky: pasi kanë vizituar varrin e fshehtë të komandantit me mbishkrimin se do të vijë dita që ai të kthehet, udhëtari i huaj niset për t'u larguar dhe një vendas që sapo i ka shpëtuar një ndëshkimi i lutet që ta marrë me vete, po udhëtari refuzon. Unë jam edhe njëri, edhe tjetri.
FATMIRA NIKOLLI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ATDHEU THËRRETNga AGIM GASHI (05.16.2014)
MISTERI I KISHËS SË LAÇIT - ÇFARË IU NDODHI 32 USHTARËVE? (05.15.2014)
PDK DHE LDK NË KËRKIM TË PARTIVE PARTNERE (05.14.2014)
Der Standard, RAMA - NUK DUA TË PLAKEM NË POLITIKË, DO TË KEM NJË JETË TË TRETË (Intervistë) (05.14.2014)
Skicë“DJALI DHE TIGRI”, NË KLASËN E MËSUESE DAVËS…Nga MURAT GECAJ (05.12.2014)
PRONAT - HARTË E RE PËR ÇDO QARKMiratohet plan-strategjia për kthimin dhe kompensimin e pronave sipas direktivave të Gjykatës së Strasburgut. Hapat që do të ndiqen për të zgjidhur lëmshin e pronave   (05.11.2014)
RAPSODI DHE ARTISTI-MJESHTËR I VEGLAVE FOLKLORIKE ELMI AGUSHINga AGIM GASHI (05.11.2014)
MAJKO - KONFLIKTET E PRONËSISË I SOLLËN SHQIPËRISË RRETH 8000 TË VRARË NË 22 VITE (05.09.2014)
PËRSE NUK DUHET NDËRTUAR NË BREGDETNga NAIM BRATI, jurist, ekspert cunamesh (05.09.2014)
LETRA E PROFESORËVE - FYESE DHE E TURPSHMENga Prof. SEIT MANSAKU (05.08.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart]