UNIVERSITETI I PRISHTINËS MERR EMRIN 'HASAN PRISHTINA'
E Shtunë, 09.29.2012, 09:01am (GMT+1)
PRISHTINË - Bordi drejtues i Universitetit të Prishtinës, në mbledhjen e së
premtes, ka marrë vendim që Universiteti i Prishtinës do të quhet
"Universiteti Hasan Prishtina".
Vendimi i Bordit është marrë me propozim të Senatit të Universitetit të Prishtinës
edhe me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Hasan Prishtina lindi më 1873 në Vushtrri, ndërsa vdiq më 14 gusht 1933 në
Selanik. Në Stamboll u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë, përkatësisht në
Fakultetin e Shkencave Politike Juridike.
Ishte patriot e demokrat revolucionar i shquar që luftoi për lirinë e
pavarësinë e atdheut, për demokratizimin e jetës së vendit, për çlirimin e
Kosovës nga zgjedha serbomadhe dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar.
Në vitet 1908-1912 u zgjodh tri herë deputet në Parlamentin osman si
përfaqësues i Vilajetit të Kosovës në Prishtinë, të cilin e përdori si tribunë
për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Kjo periudhë e viteve,
për atdhetarin e madh Hasan Prishtina, do të jetë vendimtare në kthesat
historike kombëtare të popullit shqiptar. Ai do të bëhet njëri ndër
protagonistët kryesor që do të godiste fuqishëm themelet e Perandorisë Osmane
në tokat shqiptare, por edhe ta largonte atë përfundimisht nga Shqipëria.
www.voal-online.ch
|