Organizatat
që mbrojnë të drejtat e gazetarëve në Kosovë, me rastin e Ditës
Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, thanë se si mediat, ashtu edhe
gazetarët, përballen me probleme e sfida të mëdha.
Zekirja Shabani, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, tha se kërcënimet ndaj gazetarëve në Kosovë, kanë tendenca të rritjes.
"Janë 24 raste vitin e kaluar, kur gazetarët pësuan gjatë
kryerjes së detyrës, u kërcënuan dhe u sulmuan fizikisht. Vetëm këtë vit
kemi 6 raste të dhunës ndaj gazetarëve".
"Kjo tregon se të bërit gazetari në Kosovë, nuk është aspak e
lehtë dhe ne nuk jemi plotësisht të lirë në punën tonë. Kjo për shumë
arsye. Duke filluar nga gjendja e rëndë financiare, me të cilën
përballen mediat në vend, mungesa e funksionimit të rendit dhe ligjit,
si dhe presionet e grupeve të interesit nga politika e biznesi", tha Shabani.
Ai shtoi se një numër i madh i gazetarëve punojnë në media pa kontrata pune dhe paguhen jo dinjitetshëm për punën që bëjnë.
Organizata "Freedom House", ka publikuar të mërkurën raportin e
përvitshëm për lirinë e shtypit në botë, i cili mbulon 199 vende dhe
territore.
Kosova ka shënuar përkeqësim në lirinë e mediave, krahasuar me një vit më parë.
Kosova, sivjet, zë vendin e 100-të, krahasuar me pozitën numër 98 që ka mbajtur vitin e kaluar.
Ndryshe, në konferencën e organizuar nga Instituti i Mediave të
Kosovës, me temën "Liria e shprehjes në mediat e Kosovës", u tha se si
pasojë e ndjeshmërisë së temave që i trajtojnë gazetarët, ata shpesh
kërcënohen.
Publicisti Halil Matoshi, konsideron se kjo ditë Kosovën nuk e gjen në një gjendjen çfarë do të duhej të ishte.
"Sa i përket lirisë së shtypit, ne kemi probleme edhe si media
edhe si profesionist. Nuk është e rrugës që gjithmonë të akuzohet vetëm
pushteti përkatësisht Qeveria, sepse sot, në kushtet e globalizmit, në
kushtet e reja, në të cilat po jetojmë, shumë më të dëmshëm për lirinë e
shtypit janë oligarkët, ata që japin para dhe reklamuesit, ata që e
blejnë hapësirën reklamuese në media, sesa vetë pushteti faktik", konstatoi Matoshi.
Kurse, Belul Beqaj, profesor në Universitetin e
Prishtinës, i pranishëm në debatin e organizuar nga Instituti i Mediave
të Kosovës, tha se mënyra se si po barten mesazhet nga mediat, bën të
mendohet se mediat janë të ndikuara nga politika.
Ai tha, po ashtu, se politika mediale duhet të ketë synim lirinë dhe interesin publik dhe në veçanti sundimin e ligjit.
Mjerisht, theksoi Beqaj, mediat në përgjithësi kanë ikur nga fokusi i interesit të publikut.
"Mediat po përdoren si mjete të ballafaqimeve të klaneve dhe
grupeve të interesit, që kanë si pasojë disiplinimin e heshtur,
kontrollin, manipulimin me mjetet, duke krijuar portale dhe tabloide
partiake, të cilat janë shndërruar në pararojë të pushtetit", vlerësoi Beqaj
Beqaj shtoi se mediat në Kosovë, nuk mund të jenë të hapura dhe të
pavarura kur partitë politike dhe politikanët janë të mbyllur.
"Kemi probleme me nxitjen e transparencës së pushtetit, avancimit
të demokracisë dhe luftës së korrupsionit. Më shumë ka njohuri pushteti
për të gjithë ne, për jetën tonë private, sesa që kemi ne njohuri për
çështjet e interesit publik, për të cilat duhet të na japin përgjegjësi
apo llogari. Kjo është situata që e kemi ne sot", potencoi Beqaj.
Në Kosovë thuhet se ekzistojnë shoqata, unione dhe asociacione për
mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve, por në mungesë të funksionimit të
duhur të tyre, sot nuk dihet se sa është numri i gazetarëve të
përjashtuar padrejtësisht nga puna.rel