Nga Agron Sejamini
Fituesja e përhershme e çmimeve në festivalin e këngës në RTSH
Diçka e çuditshme na ndodhi me Mefarete Lazen. Duke ditur se ishte fituese e çmimit të parë në Festivalin e 19-të të Këngës së Lehtë në RTSH, me "Shoqet ilegale" dhe e disa çmimeve të dyta e të treta me këngët "Nën kurorën e ullirit", "Nusja e maleve", "Gjuha jonë", "Udhët e atdheut na thërrasin", "Pragu i vegjëlisë" ...menduam se objekt i bashkëbisedimit tonë, do të ishte karriera e saj artistike. Por të linte biografia? Nëse do të duhet një dëshmi e plotë, për atë sistem totalitar, ku të tregohet se si talenti ka sfiduar biografinë, e kini gati! Është jeta e familjes dhe këngëtares shkodrane, Mefarete Laze...
Ne e njohim për shkodrane, dhe ajo krenohet me këtë të vërtetë, por realisht origjina e saj është sarandiote, madje, një rrënjë nga nëna, i shkon deri në Çamëri...
Gjyshin ia ka pushkatuar pa gjyq, regjimi komunist, jo si tradhëtar, por thjesht se ishte çifligar. Kështu, babai i Myfaretes, Syrjai, mbeti jetim qysh 12 vjeç. Kjo ishte fatkeqësia e një fëmijërie të vështirë, por duke u rritur, jeta iu bë edhe më e pa durueshme. Mjafton të përfytyroje atë persekutim të tmerrshëm që ndjeje në çdo hap, duke u parë si armik. Herë pas here, në familjen e tyre, vinin kontrolle nga shteti për t'u grabitur pasurinë, por edhe duke i kërcënuar se të gjithë do të përfundonin në burg. Një dhomë e Muzeut Historik të Sarandës, ishte vetëm me stendat e fisit të deklasuar Laze... Shansin për t'i shpëtuar kësaj skëtere, ishte kryerja e shërbimit ushtarak. Për fat, e caktuan në ekstremin tjetër të Atdheut, në Dajç të Shkodrës. Largësia me siguri që do t'i krijonte qetësinë për vazhdimësinë e jetës... Qetësia, por kurrë nuk shpëtoi nga varfëria. Tërhoqi krejt familjen, duke u mbështetur te bujaria e njeriut të mirë dhe të thjeshtë Ndoc Lorja, i cili i liroi një dhomë. Pas disa muajsh u shkëput nga Dajçi dhe u vendos në qytetin e Shkodrës. Fjalë pakët, serioz dhe gjithë vullnet përfundon shkollën e mesme ekonomike. Virtytet e lindura dhe frika për të mos gabuar asnjëherë, bënë që aftësitë e tij të binin në sy kudo që ai punoi. Por, pas disa vitesh, hija e biografisë i erdhi edhe në Shkodër. Edhe pse kishte njëzetë vjet që punonte si ekonomist, në vitin 1972, privohet nga të gjitha punët shtetërore. Ishte vetëm 42 vjeç. I thonë se mund të punonte, vetëm në fabrikën e tullave... Mes pluhurit dhe baltës për t'i siguruar familjes bukën e gojës. Një ditë, dikush i thotë në mirëbesim, të bëj kujdes se shumë shpejt mund ta arrestojnë dhe ta fusin në burg... Ia dinte marifetet atij sistemi. Edhe pabesinë ia kishte provuar, kur para portës i vranë babanë... E dinte, çdo të thoshte të jetonin fëmijët pa baba, familja me hijen e keqe të armikut të partisë dhe të popullit... Ishte i mënçur ai burrë! Të rriteshin me babë ishte fat, por të përfundonte në burg, ata do të mbeteshin jetim sa edhe fisi e shoqëria do të distancohej... Kur ishte si kokrra e mollës dhe në kulmin e moshës për punë, takon doktor Sandrin dhe siguron një raport mjekësor, për aftësi të kufizuara fizike... Lë përfundimisht punën, por nuk e lanë kurrë shqetësimet shpirtërore dhe ato ekonomike. Kështu disa vjet, derisa u largua nga kjo jetë, në vitin 1985. Vdekja e tij nuk pati diagnozë mjekësh. Diagnoza e vetme ishte ajo e rregjimit: Biografia dhe mërzitia e shkëputën para kohe nga familja... Të deklasuar janë trajtuar vërtetë, por të respektuar dhe të vlerësuar kanë qenë në Shkodër këta jabanxhinj të ardhur nga Saranda. Kultura dhe natyra shkodrane u kishte krijuar ngrohtësinë dhe afrimitetin e merituar. Pëshëprimë ishte shprehja e tyre e përditshme. Këta janë ata zotërinjtë që nuk i do Enveri... por oshëtimë bujarie dhe dashurie ndjehej në shpirtin e pjesëtarëve të familjes Laze. Mbahet mend ende në kujtesën e shkodranëve, ajo ceremoni mortore që iu bë Syrjait. Qindra vetë që përcillnin një njeri të nderuar, të thjeshtë, të respektuar dhe aspak të përçmuar. Finesa shkodrane, i jepte shuplakën e rradhës sistemit që dalëngadalë po jepte shpirt...
Çalonin nga biografia fëmijët e Syrja Lazes, por jo nga përparimi dhe mbarësia. Edhe djali edhe dy vajzat shkëlqenin në mësime. Por, Mefaretja si për ironi të fatit, filloi të bëjë edhe emër e të përmënd mbiemër kur ishte vetëm 9 vjeç. Zoti, asaj i kishte falur si dhuratë për këtë jetë, zërin. Mësuesja e fillores, Sllavka Gjyrezi, i thotë mësuesit të muzikës, Lec Balca, që jepte mësim në tetëvjeçare, dëgjoje një herë atë nxënësen time, se ka një zë brilant. Nuk kaluan pak muaj dhe atë zë që e pëlqyen dy mësuesit e saj, e duartrokiti një Shkodër e tërë. Mefaretja përfaqësoi qytetin, në Festivalin Kombëtar të Këngës për Fatosa e Pionierë. Ishte vetëm në klasën e katërt. Kalonin vitet dhe ajo fitonte mjeshtërinë, shtonte sukseset, duke nderuar edhe shkollën në të gjitha përfaqësimet lokale dhe kombëtare. Të krijohet përshtypja sikur zëri i saj i fuqishëm, kishte shurdhuar edhe biografinë. Në klasën e tetë, interpreton në festival, këngën "Në vend të letrës". Juria i jep çmimin e parë. Sukses i jashtëzakonshëm. Mes këtyre emocioneve, kur të gjithë gëzonin, si një fantazëm rrishfaqet ajo...biografia. Ishte traditë që natën e tretë, të këndohej edhe kënga fituese. U këndua, por jo nga Mefaretja. Atë e interpretoi vetëm kori. Dhe akoma më e dhimbshme ishte fakti, se Mefaretja nuk ishte as në sallë. Atë mbrëmje, i ati e kishte penguar vajzën që të shkonte në Festival, pasi kishte "kuptuar" që e bija, nuk e kishte zërin të mirë. Por nuk ishte kjo e vërteta. Pak orë më parë, Robert Prenushi, drejtori i orkestrës, kishte takuar të atin e Mefaretes dhe i tregon për ligësinë e shokëve të Partisë që kishin vendosur, të shmangnin daljen e saj përsëri në skenë.
- Bëj çmos, dhe mos e dërgo sot gocën në festival se do të vritet shpirtërisht! - i kishte thënë Roberti me keqardhje, duke rrezikuar me atë veprim jo pak fëmijët e vet...
Të dy motrat, Lumturia gjimnazin dhe Mefaretja shkollën tetëvjeçare e përfundojnë me rezultate të shkëlqyera. Dëshira e të dyjave, të vazhdonin shkollimin. Për ditë kalonin nga komiteti, atë fundgushti, dhe për minuta të tëra, lodhnin sytë nëpër e listat e afishuara. Por më kot! Emri i tyre, nuk ishte asnjëherë. Arsyeja dihej. Kalojnë ditët e para të shtatorit dhe kur bashkëmoshatarët e tyre, dikush edhe me përparim më të dobët, vijonin mësimet, gocat e Syrja Lazes mbyteshin nga marazi... Për fat, Shkodra në atë kohë kishte në krye të Komitetit, një bir të saj.
- Shoku Bilal! Unë pata një fat që mos e pastë kush! Pse duhet të dënohen edhe fëmijët?
Zyrtari i lartë, harroi Partinë dhe në emër të njerëzillikut dhe fisnikërisë, i prekur thellësisht si prind, premton dhe më pas mban fjalën e dhënë. Me një muaj vonesë, motra fillon Institutin Pedagogjik dhe Mefaretja shkollën e mesme të muzikës "Preng Jakova", në Shkodër. Nuk kishte se si të mos u linte edhe një porosi babai i tyre: "Mos e harroni kurrë emrin e Bilal Parucës!".
Ndoshta nuk ishte momenti, për ta shkëputur nga ai rrëfim prekës i jetës së saj, por si për t'i testuar shkallën e mirënjohjes, e pyesim nëse e takuat ndonjëherë Bilalin! Jo thjesht se ishte një amanet, por sepse është pjesë e karakterit të tyre, ky njeri i mirë nuk u zbeh kurrë nga kujtesa e fëmijëve të familjes Laze. Nuk e takuan ndonjëherë pas asaj të mire që u bëri, jo se nuk dëshironin, por nuk kishin mundësi. Në të shumtën e rasteve edhe nga meraku se mos i prishnin punë... Por gjithçka që arrinin në jetë, një pjesë të suksesit ia dedikonin edhe atij shkodrani fisnik dhe njerëzor. Kulmi i karrierës së Mefaretes, ka qenë shpallja fituese e Festivalit të 19-të të këngës në RTSH. Të nesërmen, mezi priste të kthehej pranë familjes dhe bashkëqytetarëve të vet, të gëzonte triumfin. Por tjetër gjë i shkoi ndër mendje. Bashkë me të vëllanë, filluan të interesoheshin se ku e kishte shtëpinë Bilal Parruca, i cili prej kohësh kishte ardhur me banim në Tiranë. Dhe e gjejnë atë shkodran të nderuar, në një kafe, pranë "21 dhjetorit". I hidhen në qafë dhe e përqafojnë si babanë e tyre... Emocionet që ai i kishte përjetuar qysh mbrëmë, duke ndjekur suksesin e saj, sot para saj iu kthyen në lot dhe fjalët të ngrohta: - Na nderove moj bijë! Unë bëra diçka që më takonte, por mbrëmë këtë nder, t'i ia shpërbleve mua dhe Shkodrës njëqind fish!
Natyrshëm, kjo arritje e madhe të bënte të besoje se do të shpërndahej edhe mjegulla e të ardhmes së Mefaretes. Por nuk ishte e lehtë. Pas mbarrimit të shkollës së mesme, me të nuk u ndoq praktika e njohur. Në vend që ta emëronin mësuese muzike e degdisin në Hajmen. Ishte një fshat që banohej nga të internuarit. Mes tyre tani do të ishte edhe Mefaretja si punonjëse e kulturës. Madje dhe pagesa e saj bëhej me ditë pune. Ndërkohë që ëndërron vazhdimin e shkollës së lartë. E ku do ta ndjente veten më të plotë dhe më të sigurtë se sa në fushën e muzikës. Mësuesi i kantos, i nderuari Ferit Bala e takon me pedagogun e Institutit të Arteve, të madhin Ramiz Kovaçi. Artisti i Popullit dallon menjëherë zërin e shkodranes që spikat në atë shtrirje të përsosur dhe me diafragmë të lindur. Me atë frymëmarrje të jashtëzakonshme natyrale ajo nuk kishte nevojë për asnjë ushtrim plotësues. Filluan nga përgatitjet, dy herë në javë, duke shpresuar që të fitonin konkursin që do të zhvillohej në prag të fillimit të sezonit. Konkurimi i saj, detyruan edhe dy anëtaret e jurisë, Nina Mulën dhe Shpresa Nishanin, që t'i shmangeshin seriozitetit dhe autoritetit pedagogjik, për të përqafuar e puthur shkodranen e talentuar. Por Mefaretja nuk mundi të ulej kurrë në këtë auditor të dëshiruar... Rebelimin dhe dëshpërimin e dy pedagogëve të saj, e shojti një rreth i kuq që organizata e Partisë, i kishte vënë emrit të saj. Por nuk mund ta ndalonte kush në udhën e këngës. Këtë shënjtëri dhe mbarësi e kishte dhuratë ashtu sikurse thamë më lart, nga Zoti. Shfaqej herë pas here biografia, por në të shumtën e herëve atë e ka sfiduar talenti i Mefarete Lazes. Kështu, ndodhi kur fitoi konkurimin për të interpretuar në Festivalin Kombëtar në RTSH. Që në debutimin e parë u marros Agim Prodani pas zërit të saj. Dhe nuk kishte gabuar në atë përzgjedhje, sepse këngëtarja e re shkodrane doli e para. Aq duhej për të siguruar vazhdimësinë e konkurimit dhe të fitimit të çmimeve. Aq sa "zinin radhë" kompozitorët për t'i dhënë këngë Mefaretes, pasi me të një çmim do të ishte i sigurtë. Zëri i saj i mrekullueshëm, detyroi të mëdhenjtë, Tish Daia dhe Pjetër Gaci, që të merrnin udhën për Shkodër... Këtë radhë jo vetëm për t'u çmallur me qytetin e lindjes, por edhe për t'i bërë ftesën këngëtares së re, që të ishte pjesë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Nuk dëshironte që të zhgënjehej e bija, ndaj, duke i falenderuar mysafirët e nderuar, babai i Mefaretes, ju lut që ajo të qëndronte në Shkodër. Se para zërit, në gjithë ato turne që ansambli bënte jashtë Atdheut, vendoste biografia. Shkodra që e mbështeste dhe inkurajonte pati edhe privilegjin ta gëzonte...
Veç këngës, e dashuruar edhe me lulet...
Për disa, Mefarete Laze është e njohur vetëm si këngëtare e suksseshme. Por e vërteta është se ajo gëzon po aq respekt te bashkëqytetarët e vet edhe si edukatore e brezit të ri. Ajo ka nxjerrë nga bankat e shkollës breza të tërë nxënësish, të edukuar dhe të përgatitur, në udhët e jetës që ata kanë zgjedhur. Pasioni dhe talenti i Mefarete Lazes është ndjerë edhe si ideatore dhe organizuese e shumë aktiviteteve kulturore-artistike, në qytetin e Shkodrës. Por ajo që ka lënë mbresa të pashlyeshme, në kujtesën e shkodranëve, është ideja e organizimit të festës së luleve. Sëbashku me dy kolegët e saj, Isa Alibali dhe Ridvan Karakaçi, më 6 maj 2006, rringjallën një traditë të kahershme. Në Kalanë e Shkodrës atë ditë, u organizua aktiviteti i titulluar "Mes lulesh në një ditë maji". Ky panair shumëngjyrësh lulesh ftonte kultivuesit e qytetit të shpalosnin para qindra vizitorëve, llojet e shumta të luleve. Brez pas brezi banorët e Shkodrës kanë arritur të krijojnë lloj-lloj lulesh me tipare të veçanta në formë, ngjyrë e aromë. Lulëzimi i tyre, është ndjerë në të gjithë muajt e vitit. Enkas për këtë manifestim të bukur qytetarie dhe kulture, u botua edhe një botim special, me ngjyra, ku pasqyroheshin të gjitha llojet e luleve që rriten në këtë trevë. Mënçuria dhe serioziteti i ideatorëve, kishte ecur edhe më shumë... Emocione dhe shije këtij aktiviteti i dha edhe pjesëmarrja e dhjetra piktorëve që objekt të punimeve të tyre artistike kishin lulen. Mosha e këtyre autorëve, fillonte nga fëmijët e kopështit dhe përfundonte në pjekurinë e piktorëve profesionistë dhe të afirmuar. Por lulja ka qenë edhe objekt frymëzimi që ka zbukuruar dhe fisnikëruar jetën e njerëzve. E dëshmon këtë edhe qëmtimi dhe botimi i 150 këngëve shkodrane që u kushtohen luleve. Njëzet prej tyre u kënduan atë ditë, nga këngëtarët më në zë të qytetit... Tradicionalisht, shkodranët 6 majin e kanë quajtur Shën Gjergj, si ditën e luleve, ditën e pranverës, të rringjalljes së natyrës dhe jetës së njerëzve, si një ditë pagane gjithë përfshirëse. Por, nga 6 maji 2006, kjo festë ka fituar një ngjyrim tjetër emocional dhe është e shumëpritur nga qytetarët. Meritë për këtë ka edhe Mefaretja...
Jo pak të vështirë, e pati të pranohej edhe për... nuse
Ja di për nder, asaj rruge të gjatë një orëshe që bënte gati çdo ditë, nga Shkodra për në Velipojë dhe kthim. Zakonisht në atë autobuz që mbushej vetëm me mësues, karriket e para i zinin më të vjetrit në moshë. Por, fundi që bashkonte të rrinjtë ishte edhe më i përshtatshëm për të kënduar dhe bërë humor. E sinqertë, e pastër dhe gaztore do të ishte përherë Mefaretja. Pas disa muajsh, ajo emërohet në shtëpinë e pionierit në qytet. Shkëputet me dhimbje nga kjo shoqëri e ngushtë. Gjithsesi, një pjesë e tyre herë pas here vinin dhe e takonin. Por mes tyre, ndjeu se mësuesi i fiskulturës, Zeneli, nuk po mungonte asnjë ditë. Para se ta dallonte te ai atë ndjesi, e kuptoi në vetvete... Kështu, mes tyre lindi dashuria. Familja e djalit, ishte një familje e nderuar dhe intelektuale. Të katër fëmijët e saj, kishin mbaruar shkollën e lartë. Vetë Zeneli, ishte me emër në Shkodër si trajner i pasionuar dhe i suksseshëm basketbolli. Por jo i tillë, në përballjen me familjen, kur u tha se kishte rënë në dashuri me Mefareten. Veçanërisht, këtë lajm e përjetoi keq nëna e Zenelit. Ja tha në sy të birit, që me këtë nuse nuk e bashkon asgjë. E para, biografia ishte si mos më keq. E dyta, artiste nuk e kishte dëshiruar asnjëherë nusen e djalit. Të mos harrojmë se, bëhet fjalë për 30 e ca vjet më parë, kur paragjykimet dhe konceptet ishin ulur këmbëkryq, në botkuptimin e shqiptarëve. Dhe e treta e keqe, ishte prishur radha... Zeneli që ishte i katërti i fëmijëve, nuk rrespekton radhën, por del i pari për t'u martuar. Më shumë se sa të parën, nëna e dëshpëruar, nuk kapërcente dot këto të tjerat. E në këtë "betejë" të lavdishme, shkëlqeu më shumë nga të gjithë, Zeneli që nuk u thye për asnjë moment! Por dalëngadalë edhe ëmbëlsia, fisnikëria dhe komunikimi i nuses, i bëri ditët më të qeta... Emri i saj përmendej në familjet shkodrane me krenari, respekt dhe mirënjohje. Ndërkohë, ajo familje që kishte lindur dhe rritur këtë vajzë, kishte fituar respektin e qytetarisë shkodrane. Edhe tani, Mefaretja, nuk e beson atë fillim të vështirë. Natyrisht, më pas, në atë familje mbizotëroi harmonia dhe mirëkuptimi. Nusja doli edhe më e mirë se sa mund të dëshirohej nga ajo vjehërr.
- Nuk kanë parë çerdhe dhe kopësht me sy vajzat e mija, thotë gjithë kënaqësi e krenari Mefaretja. Në mungesat e mija, shumë herë edhe me ditë e javë, ato kanë shijuar dhe ndjerë ngrohtësinë e gjyshes së tyre.
E gjen këtë dashuri dhe mirënjohje edhe në emrin e Resanës, vajzës së madhe. Ia ka vënë Mefaretja emrin, duke bashkuar gërmat e para të vjehrrit dhe vjehrrës, Rexhepit e Sanijes. Janë të rralla nuset që i hyjnë atij bashkimi emrash...
Resana sapo ka mbaruar studimet e larta në Stamboll dhe është emëruar në BKT në Tiranë. Ndërsa, Erida, vajza e dytë e tyre vazhdon shkollën për frëngjisht... Gëzojnë dhe krenohen prindërit në mbarësinë e vajzave të tyre. Tashmë, edhe për një arsye tjetër që nuk patën fatin e keq të nënës së tyre. Udhës së tyre, tashmë u paraprin liria e dëshiruar dhe e shumëpritur. Sidomos nga Mefaretja...