Nuk të ndjeva kur ti ike,
Vjeshtë a, pranverë ish?
Sa të gjata ishin vitet,
I gjatë e dimri në Ziçisht.
Ishe këngë, ishe i bukur,
Ishe zjarr edhe stuhi...
Zemrën ankthi ma ka tkurur,
Vallë kur do kthehesh përsëri?
Bëhem erë e nuk të gjej dot,
Fërshëllej korieve e në grataçiela.
Nuk të zemërohem nëse harbon,
Fshehur meje me femra të tjera.
Më mbeti në dorë kapistra jote,
Samari tënd më mbiu në shpinë.
Kryq e tërthor i rrashë kësaj bote,
Që ti mos provoje skllavërinë...
Hajt, mos më dil krejt nga zemra,
Mos më ler cung vargun një shekull.
Braktisja fashon gëzime e brenga,
E dheu s'ka për t'i tretur!..