JEB BUSH DHE GARA PRESIDENCIALE
E Premte, 12.19.2014, 10:08pm (GMT+1)
Ish- guvernatori i Floridës, Jeb Bush mori një hap të rëndësishëm drejt garës presidenciale të vitit 2016. Ai njoftoi përmes faqeve të tij në Facebook dhe Twitter se ka në plan të shqyrtojë mundësinë e kandidaturës për Partinë Republikane. Vendimi përfundimtar nga ana e tij për të hyrë në garë pritet vitin e ardhshëm. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone njofton nga Uashingtoni:
Në njoftimin e tij, Jeb Bush tha se kishte diskutuar për mundësinë e një kandidature për Shtëpinë e Bardhë me familjen e tij muajin e kaluar gjatë festës së Falenderimeve dhe kishte vendosur të shqyrtonte me seriozitet pjesëmarrjen në garë, në muajt në vazhdim.
Nëse ai vendos të kandidojë, zoti Bush do të konsiderohej një nga të preferuarit për emërimin e Partisë Republikane, nëse hyn në garën e kandidatëve brenda partisë republikane , që priten të jenë të shumtë për vitin 2016.
Zoti Bush diskutoi mundësinë e një fushate presidenciale në një intervistë të kohëve të fundit me stacionin televiziv WPLG.
"Unë nuk kam ndryshuar. Unë besoj tek reformat, kur gjerët nuk funksionojnë dhe besoj tek një rol i kufizuar i qeverisë dhe besoj se liria është ajo që vë në lëvizje një vend të suksesshëm. Dhe në këtë kuptim, është kritike të rregullohet një sistem jofunksional imigracioni".
Qëndrimi i ish-guvernatorit Bush për reformën në imigracion ka shkaktuar kritika nga konservatorët në Partinë Republikane, disa prej të cilëve do të jenë konkurrentët e tij në garën republikane, nëse ai vendos të kandidojë.
Zoti Bush tha se beson se votuesit kërkojnë një kandidat që ka ide të mëdha.
"Mund të realizosh gjëra të mëdha nëse e përgatit terrenin në fushatë dhe vazhdon nga ajo pikë. Nëse hyn në garë me ide të mëdha dhe pastaj u qëndron këtyre ideve dhe të jepet mundësia të shërbesh për t'i zbatuar ato dhe ta bësh një gjë të tillë me pasion dhe vendosmëri, mund të sjellësh ndryshimin që na duhet sot në Shtetet e Bashkuara".
Në sondazhin e fundit nga McClatchy-Marist për kandidatët e mundshëm presidencialë republikanë, zoti Bush radhitej i dyti me një mbështetje prej 14 për qind, pas kandidatit të vitit 2012 Mitt Romney, mbështetja e të cilit ishte 19 për qind.
Njoftimi i zotit Bush ka gjasa që të shkaktojë një reaksion zinxhir mes republikanëve të tjerë që po shqyrtojnë mundësinë e kandidimit në vitin 2016 dhe mund t'i bëjë disa prej tyre që të përshpejtojnë palnet për të shpallur kandidaturën.
John Fortier është një analist Qendrën për Politika Dypartiake në Uashington.
"Republikanët do të kenë kandidatë të shumtë nga krahë të ndryshëm të partisë dhe është disi e paqartë se si dikush mund të spikasë në një garë të tillë apo se cili prej tyre do të shfaqet".
Emri i Jeb Bushit njihet në shkallë kombëtare dhe ai ka dhënë prova për aftësinë e tij për të mbledhur fonde. Por ai nuk ka bërë një fushate që nga viti 2002 dhe kandidatura e tij vjen në një moment kur Partia Republikane është bërë më konservatore.
Jeb Bush fitoi dy mandate si guvernator i Floridës me ndihmë nga votuesit hispanikë dhe republikanët mund të duan një kandidat që të tërheqë grupe më të larmishme votuesish në elektoratin e vitit 2016, që do të përfshijë një numër në rritje hispaninkësh dhe aziatiko-amerikanësh. Presidenti Obama përfitoi nga mbështetja e hispanikëve në zgjedhjet e vitit 2008 dhe 2012.
Strategjisti republikan Ëhit Ayres thotë se aftësia e zotit Bush për të tërhequr votat e hispanikëve, mund të jetë një plus në zgjedhjet e vitit 2016.
"Ne siguruam një të tretën e votave hispanike. Na duhet që të tërheqim më shumë hispanikë dhe aziatikë. Një gjë e tillë është fakt dhe është një sfidë që duhet ta përballojmë me sukses nëse duam që një republikan të zgjidhet president".
Përvec Jeb Bushit, mes kandidatëve republikanë mund të jenë guvernatori i Nju Xhersit, Chris Christie, ai i Teksasit Rick Perry, senatori i Kentakit Rand Paul, ai i Teksasit Ted Cruz dhe guvernatori i Luizianës Bobby Jindal.
Një kandidaturë e mundshme e zotit Bush paraqet mundësinë e një gare tjetër Bush-Clinton, që të sjell në mendje garën e vitit 1992 kur Bill Clinton fitoi ndaj Presidentit George H. W. Bush, të atit të Jeb Bushit.
Gruaja e ish-presidentit Clinton, ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton, ka shanse të mëdha të fitojë kandidaturën e Partisë Demokrate nëse vendos të hyjë në garën e vitit 2016.
www.voal-online.ch
|