E Djelë, 04.28.2024, 11:47pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
KUJTIMET E KOMUNISTES SË RADHËVE TË PARA DHE TË PERSEKUTUARËS SELFIXHE BROJA CIU - SI U VRA QEMAL STAFA DHE DY INTERNIMET NË DIKTATURË

E Martë, 05.21.2013, 08:00am (GMT+1)




Selfixhe Broja (Ciu) në moshën 20-vjeçe dalë gjatë studimeve në Firence

Një vajzë që e kishte dashur aq shumë lirinë, saqë poezitë e tregimet preferonte t'i nënshkruante Kolombia-Pëllumbesha, nuk e kishte menduar kurrë se pikërisht lirinë do t'ia dhunonin. Lindur në një familje të kamur gjirokastrite, ku kultura e arsimimi konsideroheshin pa dyshim "pajë", shoqe fëmijërie dhe pene me Muzine Kokalarin, Selfixhe Ciu nuk mund të ishte nga ato vajza që rrinë në prapaskenë. Gazetat "Drita", "Populli", revista "Bota e Re", "Diana" etj., do të bëheshin skena e ideve të saj në mesin e viteve '30. Pushtimi fashist i Shqipërisë që do ta gjente pikërisht me studime në Itali, në Firence, do të ndikonte dukshëm në idetë e saj. Edhe pse mund të kishte zgjedhur të bënte një jetë të qetë, larg andrallave, pse jo në Firencen e artit, Selfixheja, së bashku me të shoqin, Xhemalin, kthehen në Shqipërinë e pushtuar, vendosen në Shkodër e hapin një librari, që e quajtën "Shkëndija". Shumë shpejt do të bëheshin ndër 200 anëtarët e parë të Partisë Komuniste. E ndoshta pikërisht këtu do të nisë edhe kalvari i jetës së çiftit Broja. Si një ndër organizatoret e demonstratës së 22 shkurtit të vitit 1942 në Shkodër, ajo do të arrestohej, ndërsa i shoqi do të kalonte në ilegalitet. Kryeministri i asaj kohe, Mustafa Kruja, kishte vendosur dënimin kapital për vajzën gjirokastrite, por fati e deshi që ajo të dilte shumë shpejt nga burgu. E ndërkaq ajo kishte humbur disa prej miqve të saj më të mirë, Qemal Stafën, Vasil Shanton... E sikur çdo përpjekje e saj të shumëzohej me zero, pushteti i ri komunist do të sillej po aq ashpër me Selfixhenë. Prej vitit 1947, familja e saj do të njihte dy herë internimin, në fillim në Kurvelesh e më tej në Gradishtë të Lushnjës e po aq edhe rehabilitime. Pas rehabilitimit të parë, i shoqi, Xhemali, i shkolluar në Francë, do të ishte një nga themeluesit e Teatrit Popullor, të cilin do ta drejtonte për gati dy dekada. Të gjitha këto Selfixhe Ciu Broja, me një stil të shkathët prej gazetari, i ka lënë si dëshmi në librin "Tallazet e jetës". Burgosja, shoqëria me Musine Kokalarin, Drita Kosturin, Qemal Stafën, Vasil Shanton..., përjashtimi nga partia, internimet, letrat dërguar ish-shoqes së luftës Nexhmije Hoxhës, e cila nuk iu përgjigj kurrë, më pas Mehmet Shehut e shumë kujtime të dhimbshme vijnë përmes këtij libri kujtimesh, sot që Selfixhe Ciu Broja nuk jeton më.

Kopertina e librit "Tallazet e jetës"

Torturat në burgun e Tiranës dhe vizita e papritur e Vasil Shantos

E arrestuar në demonstratën antiqeveritare në Shkodër, pas një izolimi në qeli dhe në burg, si dhe dhjetë ditë në spital, në pavijonin e kirurgjisë, hetuesia më kaloi në vartësi të Gjykatës Ushtarake të burgut të Tiranës. Duke qenë në gjendje shëndetësore kritike, si pasojë e goditjeve në demonstratën e 22 shkurtit 1942 dhe trajtimit antihuman të komisariatit të policisë, im atë, me leje të posaçme të drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Zef Kadareja, angazhoi një makinë ku, e shoqëruar prej një marshalli italian dhe një karabinieri shqiptar, më përcolli për në Tiranë. Rruga nga Drejtoria e Burgut te të ndarat e grave qe e shkurtër. Gardiania, që këtë punë e kryente si çdo punë tjetër, kur u gjend para portës së hekurt, nxori prej xhepit çelësat e lidhur me një zinxhir të trashë dhe e çeli atë me një ndjenjë sikur të hapte derën e shtëpisë para një vizitoreje të zakonshme. Si e mbërthyer te pragu i derës, s'po çlirohesha dot nga përshtypja e asaj kërkëllime të kobshme që shpërndau rrotullimi i çelësit në bravë, aq sa ndjeja sikur ai rrotullim po më gërryente si turjelë. Aty për aty mu morën mendtë, pa arritur të mbahesha te doreza e derës, humba ekuilibrin dhe rashë pothuaj pa ndjenja. Kur u përmenda, hodha vështrimin rreth e qark, e vetëdijshme për mjedisin ku ndodhesha, një grua m'u avit, më kapi prej krahu dhe më tërhoqi pas vetes.

-S'ke pse alivanosesh moj zonjë e madhe, nazet e ojnat leni ke shpija, se këtu nuk të shkojnë. Këtu morrat dhe krimbat do të të bahen miq, se edhe ti si unë me njëqindenjë vjet do dënohesh. Zotnillëku s'të hyn në punë. Dhe, duke zbërthyer jakën e asaj rrecke që e mbështillte, më afroi para sysh rreshtin e morrave që nxinin mbi atë bardhësi të dyshimtë. Në atë guvë të tmerrshme, terri, lagështia dhe era e jashtëqitjes sikur po më merrnin frymën. Ndërsa minjtë sa një mace më vërtiteshin rreth e qark e s'kisha si t'u shpëtoja. Kur më nxirrnin s'andejmi, e mësuar me errësirën, rrezatimi i dritës m'i lëbyrte sytë aq tepër, sa qeshë e shtrënguar të ecja symbyllazi.

Selfixheja me bashkëshortin Xhemalin dhe Qemal Stafën, dalë në Firence

Në qelinë ngjitur me timen ndodhej Naim Gjylbegu (njëri prej pesë Heronjve të Vigut), i cili herë pas here më jepte sinjal te muri. I akuzuar rëndë, dhe atë e kaluan në vartësi të Gjykatës Ushtarake në Burgun e Tiranës, së bashku me katër shokë të tjerë, në të njëjtën ditë me mua.
Në burg, ndërmjet të burgosurave të panjohura, papritur u ballafaqova me shoqen time të luftës, Makbule Haxhihasani, e shoqe e Hulusi Spahisë, për shkak të të cilit po paguante ndëshkimin si në kohë të satrapit, ashtu edhe tani. Madje, pagoi haraç edhe foshnja e tyre si shkak i rrethanave të krijuara...

Një ditë, gardiania çeli portën e thirri: Selfixheja në takim! Dhe unë sakaq u gjenda aty. Mirëpo paraqitja e atij vizitori me pamje malësori më befasoi. "Kush ishte?! Po aty për aty, nën refleksin e syve të tij të ndritur, njoha shokun e çmuar, Vasil Shanton. Si u përshëndetëm përmallshëm, duke ditur rrethanat e tij si ilegal, i kërkuar dhe i gjurmuar këmbëngulshëm nga forcat fashiste, nuk mund të mos i tërhiqja vërejtjen për këtë guxim të rrezikshëm, që mund t'i kushtonte jetën. Por, Vasili, i qetë dhe pa e ndarë buzëqeshjen, më tha se nuk ishte hera e parë që po sfidonte fashistët. Ndërkohë, pasi orari i lejes skadoi, Vasili na dorëzoi një shportë të madhe me disa lloje frutash dhe na la lamtumirën me atë shprehje të tij të veçantë dashurie, shpresë e inkurajimi më tepër se fjala.

Selfixheja me të shoqin, Xhemal Broja

Dënimi kapital nga Mustafa Kruja dhe miqësia me Musinenë e Drita Kosturin

Puna e shoqeve aty në burg shtrihej në disa drejtime. Radhazi, shoqja ime e ngushtë që prej fëmijërisë e gjatë kohës së letrave, Musine Kokalari, e mbrujtur me pikëpamje atdhetare socialdemokrate, kur vinte për të më vizituar, në mënyrë legale dhe ilegale, nuk linte pa më sjellë libra sipas porosive që i bëja, të cilat viheshin në përdorim edhe të ndonjë shoqeje të interesuar. Lidhur me vizitën e Musinesë, nuk mund të mos përmend gjendjen e saj shpirtërore kur i rastiste të vërente të rejat që mbushnin oborrin e burgut, një entuziazëm të papërshkrueshëm. Në këtë rast të dhënë, sytë e Musinesë flakëronin nga gazmendi.

Gjatë qëndrimit në burg isha informuar se kryeministri Mustafa Kruja këmbëngulte që të më jepej dënimi shembullor, siç i ishte shprehur mjekut të familjes, H. Haxhit, në rastin e ndërhyrjes së tij.

-Më thoni të hap dyert e burgut për tërë të burgosurit, por për atë jo dhe jo.
-Po fundja s'është veçse një femër, për më tepër e sëmurë..., i kishte thënë mjeku.
-Ju thoni s'është veçse një femër, por ajo është mishërim i rebeles! Më vjen keq që nuk i përgjigjem pozitivisht kërkesës suaj, por duke pasur parasysh se nënçmimi i kundërshtarëve na ka dëmtuar jo pak! Interesohuni të informoheni mirë mbi punën e tyre, mbi luftën e tyre, mbi qëndrimin përballë torturash, në hetuesi, në gjyq, apo në burg, deri përpara trekëmbëshit.
-Jam mjek dhe mik i ngushtë i familjes së saj, aq sa ç'jam edhe i juaji. Por më duhet të pohoj se femrën në fjalë, qysh fëmijë, duke qenë shëndetligë, e kam kuruar si bijën time. Duke qenë se ju vetë jeni prind, do t'ju lutesha të gjenit ndonjë variant me peshë ndëshkimore më të lehtë, si p.sh. internim në ndonjë fshat.
-Të mbrojturën tuaj,- theksoi ai, me një nënqeshje djallëzore, do ta dërgojmë në një kamp përqendrimi. Dhe, të jeni i sigurt, se kjo masë lehtësimi ju dedikohet juve, mbasi unë ia kisha bërë benë asaj për një ndëshkim shembullor.

Në burg organizuam një kurs për infermiere që drejtohej prej studentes në Mjekësi, Drita Kosturit, dhe një kurs tjetër kundër analfabetizmit të drejtuar prej meje. Nga ana tjetër, me udhëzim së larti, u krijua kursi, ku shoqe jugosllave të mësonin shqip dhe shqiptaret serbisht. Por kjo iniciativë nuk dha rezultate pozitive. Paralelisht morëm përsipër përpunimin e leshit për nevojat e partizanëve ose të burgosurve, si tjerrje e thurje etj. Gjithashtu i angazhuam për larjen dhe arnimin e teshave të shokëve të burgosur që i kishin familjet larg.

Në muajin shkurt 1943, gardiania solli shkresën për lirimin tim. Në fakt, prindërit më patën vënë në dijeni se tashmë lirimi im ishte çështje ditësh, sidomos pas raportit mjekoligjor. Në periferi të Tiranës më përcollën në një bazë të njohur për të kaluar natën, ndërsa të nesërmen në mbrëmje, një shok i ngarkuar nga partia më çoi në një bazë më të sigurt. Aty u takova me Gogo Nushin dhe, si vendosëm të shkoja në Shkodër, ku ndihej nevoja për një shoqe të përgatitur, ramë dakord që pas një jave të nisesha. E maskuar me tualetin dhe veshjen e një zonje mondane, zura vend krah një majori të krekosur, për të larguar çdo hije dyshimi te të pranishmit. E etur për popullin, për njeriun, për shokun e jetës që të shkrirë te njëri-tjetri do të punonim për realizimin e ëndrrave të lirisë së vërtetë, të humanizmit. Me këtë melodi të shpirtit përshëndeta Shkodrën dhe të ardhmen që na priste.

Selfixheja me të motrën dhe dy vajzat

Përjashtimi nga radhët e Partisë Komuniste

Ishte 23 mars i vitit 1946. Punoja në drejtorinë e Arsim-Propagandës pranë Ministrisë së Bujqësisë. Na u njoftua që atë mbrëmje do të bëhej një mbledhje partie e jashtëzakonshme, me një të deleguar të Komitetit Qendror. Kur i deleguari filloi të lexojë qarkoren, të gjithë mbanin frymën. Vështrimet e të pranishmëve u fiksuan mbi mua. Selfixhe Broja me akuzat: ambicioze, urren shoqet e udhëheqësve, i përket borgjezisë, është prekur për çështjen e xhaxhait, inaktive. Të gjitha akuzat godisnin si çekan në vetëdijen time. Pasojat më tej ishin të ditura...

Internimi i parë dhe letra drejtuar Nexhmije Hoxhës

Ishte 15 janari i vitit 1947. Forcat e Sigurimit kishin rrethuar shtëpinë dhe nëpërmjet mureve të komshive shpërthyen portën dhe ngjitën shkallët duke zhurmuar me çizmet dhe trokëllimën e armëve. Kisha edhe vajzën, Sashenkën, me të cilën bashkërisht përjetuam vuajtjet dhe vështirësitë e atij udhëtimi drejt kampit të internimit në Kurvelesh.

Aty na gjetën edhe prindërit e tim shoqi, që erdhën dy javë pas mbërritjes tonë. Të shtyrë në moshë, të tronditur nga kjo goditje e rëndë dhe e papritur, ende pa iu shlyer nga kujtesa persekutimi familjar gjatë luftës për çlirim, të telendisur nga një instancë te tjetra, për t'iu akorduar leje për të na takuar, të rraskapitur nga udhëtimi i gjatë e i vështirë, mezi po mbaheshin në këmbë. Pas mynxyrës sonë, ata ishin orvatur të takonin ish-shokun tonë, Tuk Jakova, autoritet me peshë, për të marrë vesh shkakun e kësaj mase të fundit, që ishte marrë ndaj nesh dhe pozitës sonë në përgjithësi. Ai u ishte përgjigjur se, përveç masës si "elementë antiparti", s'dinte asgjë tjetër rreth motivacionit të internimit. Dhe disi ngrysët, në mënyrë konfidenciale qe shprehur: "Për mendimin tim, rasti i internimit të tyre në atë humbëtirë do t'i favorizojë për t'i shpëtuar ndonjë mase të pariparueshme".

Pas kësaj përgjigjeje, me humbjen e besimit për ta ndjekur çështjen në rrugë ligjore, si prindërit e Xhemalit, ashtu edhe familjarët e mi, qenë të mendimit t'i drejtoheshin ish-shoqes sime, Nexhmije Hoxhës, me të cilën nëpërmjet aktivitetit revolucionar disavjeçar patëm krijuar edhe intimitet familjar. Sado të papajtueshëm me këtë propozim, këmbëngulja e tyre e dëshpëruar na theu. Letrën, me anën e së cilës i kërkonim të na bënte të ditur motivacionin e masës, ia çuam dorazi. Por, bashkëshortja-bashkëpunëtore e diktatorit, e transformuar në hije, nuk mori mundimin të na përgjigjej. Madje, pati hezituar edhe për të marrë letrën. Ditët në internim ngryseshin mes vuajtjeve dhe punës së përditshme të krahut. Por, pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, na u njoh pafajësia.

Hakërrimi i Haxhi Lleshit

Rreth tre muaj pas kongresit zhurmëmadh të partisë, u thirrëm në Tiranë. Na punësuan në sektorin e artit e të kulturës. Atmosfera e krijuar pas atij kongresi, ku u godit sektarizmi, prioritet i organeve të Sigurimit, e kryesisht politika në marrëdhëniet me Jugosllavinë, zgjoi shpresa duke na çuar në kthesë të mbarë. Ndërkohë, në atë të ashtuquajtur "rehabilitim", marrëdhëniet tona me partinë qenë ende të pazgjidhura. Ndonëse nuk bëmë asnjë përçapje në këtë drejtim, Xhemalit iu imponua të aprovonte anëtarësimin në parti nën kushtet më absurde. Me mua u ndoq një taktikë më e precizuar. E thirrur në komisionin e revizionizmit, Haxhi Lleshi që e kryesonte, më komunikoi: "Çështja jote lidhur me anëtarësimin në parti do të mbetet e hapët derisa partia të formojë bindjen për qëndrimin tënd. Ndërkaq, ti nuk duhet të humbasësh besimin te partia, e cila nuk do të kursehet të të japë dorën. A ke gjë për të thënë?"

Pasi unë kam bërë kërkesë për anëtarësi, nuk e konceptoj ballafaqimin me këtë komision. Megjithatë, për t'iu përgjigjur pyetjes suaj, mund të them vetëm kaq: "Nëse partisë nuk i kanë mjaftuar provat e zjarrit të rrugës sime revolucionare disavjeçare, do të ishte humbje kohe ta kërkoja këtë bindje në kushtet e sotme. Ju faleminderit!"

Duke i kthyer krahët atij Komisioni formal, nëpërmjet monologut të brendshëm përcaktova bindshëm se ndryshimi i pozicionit tonë ishte i sipërfaqshëm dhe se në përgjithësi fryma e rehabilitimit ishte thjesht një manovër kamuflimi e vazhdimësisë diktatoriale.

Internimi i dytë dhe letra Mehmet Shehut

Në pasditen e 14 dhjetorit 1966, aktivistë të bllokut na lajmëruan se të nesërmen do të zhvillohej një mbledhje e posaçme në bllokun tonë dhe se duhet të merrnim pjesë patjetër. Duke qenë se në mjedisin intelektual pati pëshpëritje indinjate rreth kësaj ngjarjeje në përgjithësi e në veçanti për ne të dy, qoftë për reputacionin si luftëtarë të vijës së parë për çlirimin nga okupatori, qoftë për konsideratën si njerëz me parime të shëndosha morale e qytetare, gjithashtu për kontributin e dhënë si letrarë dhe angazhimin në mbarëvajtjen e sektorit të artit e të kulturës përgjithësisht, për të kamufluar blofin e paparashikuar, dy tri-ditë para ngjarjes, në një konferencë provokuar me intelektualë, i dërguari i Komitetit Qendror, Manush Myftiu, midis problemesh të tjera rreth ngjarjes në fjalë u shpreh në këtë mënyrë: "Nëse Xhemal Broja desh të ndiqte të shoqen, ne s'i kemi ndonjë faj"! Kjo deklaratë e një personaliteti të dorës së parë s'kish si të mos zinte vend në atë  mjedis, por edhe në përhapjen më gjerë. Na dhanë masën e sigurisë sërish, duke na internuar për pesë vite në Gradishtë të Lushnjës.

Në përfundim të masës pesëvjeçare të internimit, ndërsa po prisnim lirimin, na u komunikua përsëritja e pesëvjeçarit të dytë. Ky komunikim na tronditi pa masë për pezmin tonë. Në vend të lutjes konform rregullash të afirmuara i drejtuam ministrit të Brendshëm, Mehmet Shehu, një letër proteste të mirëfilltë. Le të dilte ku të dilte! Pa pikë shprese përfitimi, për çudinë tonë, pas dy javësh na u komunikua lirimi, me të drejtë kthimi në Tiranë.


Planet qe kishim bere me Qemalin para se te vritej

Më 5 maj 1942, tek isha tretur në një përhumbje meditimi, dëgjova krisma armësh dhe, aty për ty, në hapësirën tej dritares vura re lëvizje të pazakonta patrullash. "Mos kishte ndonjë arratisje shokësh prej atyre që ndodheshin të shtruar në spital, apo ishte kryer ndonjë aksion?", mendova e shqetësuar. Ndërkohë, u duk në derë mareshali i zonës dhe, si shkëmbeu bisedë vesh më vesh me rojën, me një shprehje kënaqësie, që të dy ngulën vështrimin drejt meje.

-Na e mori të keqen një komunist nga të mëdhenjtë. Të mirinformuara, forcat tona rrethuan banesën ku ndodhej ai në shoqëri të një shoku dhe tri femrash të dorës së butë... mbasi duhet të japin dhe ato ndihmesën për fitoren e komunizmit, tha, jo pa një nënqeshje insinuante. Ndonëse e interesuar të informohesha më saktë, e revoltuar prej asaj shprehjeje denigruese në drejtim të shoqeve dhe të vetë idealit komunist, ktheva kokën në anën tjetër, për të mos ia pasur më parasysh atë fizionomi prej kapadaiu mendjelehtë. Por, ai, tejet i entuziazmuar, vazhdoi:

-Njëri syresh gjeti shteg dhe, në rrëmujë e sipër, ua mbathi këmbëve, femrat u dorëzuan, ndërsa komunisti me emrin Xhemal, pas një përpjekjeje të ashpër me forcat tona, mbeti i vrarë. Tani sapo e sollën në morg. Dhe ishte fare i ri, student, por në parti përfaqësonte pozitë të lartë, siç thonë.

Në vazhdën e tregimit të tij, theksimi i emrit Xhemal, në realitet Qemal, duke e lidhur atë emër me atë të tim shoqi, e goditur si prej një rrufeje, mendova për të... Pas një çast kthjellimi, m'u bë e qartë se shoku i rënë duhet të ishte Qemal Stafa, shoku dhe bashkëpunëtori im dhe i tim shoqi nga më të ngushtët. Kishim punuar e studiuar së bashku në vend dhe jashtë shtetit, sa herë patëm ndarë kafshatën e madje dhe shtratin me të. M'u fanit i gjallë. I mençur, i talentuar, studiues i përkushtuar, sa i zjarrtë, burrëror e i papërkulur si revolucionar, aq edhe i ndjeshëm, i dashur e i dhembshur me shokët. Dhe tani këtë ekzistencë të kompletuar, sublime, e kishte flijuar për lirinë, për popullin e atdheun. S'jetonte më! M'u shfaq parasysh një rast euforie i tillë, kur Qemali parashtroi planin e funksioneve që do të ushtronim pas përfundimit të studimeve. Im shoq dhe Qemali ndiqnin të njëjtin profil. Dhe buzagaz tha: "Për të qenë të pavarur, do të hapim zyrë të përbashkët avokatie, dhe Selfixhesë do t'i ngarkojmë sekretarinë. Proceset gjyqësore që do të marrim përsipër, do të jenë për mbrojtjen e punëtorëve e të fshatarëve në konflikt me padronët. Le ta bëjmë një provë deklamimi". (Panorama)


ERMIRA ISUFAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
WESTERWELLE NXIT KOSOVËN DHE SERBINË TË ZBATOJNË MARRËVESHJENShefi i politikës së jashtme të Gjermanisë Guido Westerwele tha se proceset integruese të Serbisë dhe Kosovës varen nga përparimi në terren (05.21.2013)
SHBA SQAROJNË SE SERBIA S'KA JURIDIKSION MBI PASURITË E KOSOVËSAmbasada amerikane në Prishtinë thotë se afaristëve nga SHBA-të u është sqaruar se Kosova është shtet sovran dhe Serbia nuk ka juridiksion mbi minierat e Trepçës (05.20.2013)
ARRIN REVOLUCIONI I SMARTFONËVE – DO TË RIKARIKOHEN NË 20 SEKONDARevolucioni i dedikohet një superkondesatori shpikur nga 18 vjeçarja amerikane Eesha Khare (05.20.2013)
VAJZAT QË BËNË HISTORI NË MAJËN E EVERESTIT (05.20.2013)
PRISHTINA DO TË KETË MOMUMENTIN E HOLOKAUSTIT (05.20.2013)
Radio Evropa e Lirë - JETA NËN DHUNË (05.20.2013)
ELVIN LUKU - TALK SHOW ËSHTË FYTYRA E MODERATORIT (05.20.2013)
KRYETARI I SHOQATËS SË KONSUMATORËVE ISLAM CANI FLET PËR VARFËRINË - 30% E FAMILJEVE SHQIPTARE USHQEHEN ME LISTËIntervistoi ERMELINDA HOXHA (05.19.2013)
VEPRIMTARIA ZONALE E SHOQATËS "DARDANIA"- JUBILEU I PAVARËSISË NË MANNHEIMFotoreportazh nga IDRIZ ZEQIRAJ (05.19.2013)
ËSHTË DANIMARKA NË KRYE TË FITUESVE TË FESTIVALIT EVROPIAN TË KËNGËS - EUROSONG (05.19.2013)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]