Mëngjesi atë ditë të enjte ishte i freskët nga shiu që kishte spërkatur rrugët
e pluhurosura të Tiranës. Do shkoja drejt një destinacioni të panjohur por
mjaft të trumbetuar, ma përshkruanin si perlë shqiptare. Skraparllinjtë
krenoheshin vitet e fundit me këtë bukuri të natyrës, megjithëse e gëzonin prej
shekujsh. Duhej të vinin disa të huaj të na thoshin se "ju shqiptarët këtu
keni Koloradot e Europës". Kanionet e Osumit qe kryefjala e këtij mëngjesi
të qetë por të bukur. Blerina Ago, udhëheqësja e ekipit që do të vizitonte
kanionet, na u afrua te dera e autobusit e duke na buzëqeshur ëmbël, u
prezantua. Ne gazetarët vijuam diskutimet fare pa u shqetësuar. Papritur biseda
rrodhi drejt rendit të ditës.
Nuk shkëputeshim dot nga politika, listat e
deputetëve kishin dalë dhe ne nuk mund të mos komentonim herë me tone të larta
dhe herë me dakordësi mendimin e kolegut duke tundur kokën. Blerina sakaq na
dëgjonte duke mos u përfshirë në diskutimin tonë të pavend. Befas nuk u
përmbajta dhe ia shpreha gëzimin që ndjeja Blerinës, se, do shikoja dhe provoja
lundrimin në lumin Osum, mes kanioneve shekullore dhe të mahnitshme që deri atë
mëngjes i kisha parë vetëm në fotografi. Asaj i erdhi buzëqeshja dhe duket se u
futëm në temën ku ajo ishte eksperte. E pyetëm për gjithçka na duhej dhe morëm
përgjigje koncize. Ishte vajzë nga Berati, megjithëse dialekti më tingëllonte
ndryshe. Gjithë këtë etje për të marrë vesh për kanionet dhe rafting-un që
zhvillohet atje, ma zbehu kolegu skraparlli. Me një shpërfillje dhe jo shumë entuziast,
na parashtroi se është rritur aty dhe se i kishte parë edhe më parë, duke mos u
dhënë rëndësinë apo përshkrimin e duhur për ne vizitoret që shkonim për herë të
parë. Megjithëse e dija se do ta kishim udhëheqësin e grupit tonë për të na
treguar histori dhe ngjarje për atë zonë. Autobusi i linjës u ndez.
Ndezja
nënkuptonte se duhej të hipnim që të nisnim udhëtimin. Lamë pas Tiranën e
zhurmshme, po ashtu edhe Durrësin me kanale dhe rrugë në ndërtim e sipër...
Kaluam pranë Lushnjës dhe prisja rrugën që e dija se ishte lënë në mëshirë të
fatit. Këtë e kisha dëgjuar nga deputetë të zonës, të cilët kërkonin të
kushtëzonin votimin e buxhetit të vitit 2013 për ndërtimin e asaj rruge. Por
ajo që pashë ishte disi më e zbutur se fotot e zmadhuara që tregoheshin në
foltoren e Kuvendit. Dhe kjo se, pak ditë më parë, në një fshat të Beratit
kishte qenë vetë ai..., kryeministri. Inauguroi një rrugë fshati duke kaluar nga
një rrugë nacionale e shkatërruar. Paradoks shqiptarësh. Iu afruam Beratit. Qytet me vlera dhe me histori...
Doja ta shihja sa më parë. Por plani duket se ishte ndryshe. Qëndruam në Unazën
e jashtme të Beratit, aty ku na prisnin dy furgonë dhe disa makina 4x4 me të
cilat do të shkonim në Skrapar. Federata Shqiptare e Rafting-ut kishte në
makina pajisjet dhe ato çfarë do të na duheshin për këtë aventurë dhe emocion
të veçantë. Kaluam përmes Beratit. Asgjë nuk pamë. Shoferi e kishte marrë me
nxitim, e kishte rrugë të përditshme. Për atë ishte punë, për ne kuriozitet.
Debati filloi mes nesh..., po ashtu edhe gropat e para. Dy fotografë
profesionistë në një furgon. Bashkë me të përfaqësues të Ministrisë së
Kulturës. Një grua që e kisha pas, filloi komentet gjithë naze. 'Ta dija, nuk
vija. Kjo rrugë qenka e tmerrshme". Ndërsa shoqja e saj, rreth të 50-tave,
fliste me zë të lartë dhe me një gegnishte të fortë, që vinte fuqishëm deri në
veshët tanë me pahir. Shpesh krahasonte vendin nga vinte dhe rrugët e asaj
krahine me rrugët që përshkonim me furgon me nxitim e sipër. Shënonte ora rreth
12:00; vapa nisi, por edhe retë ishin të mbushura me zemërim saqë disa herë ia
behte ndonjë pikë shiu në xhamin e parë të furgonit tonë të palarë. Fotografi
i parë nisi fotot dhe debatin me shoferin beratas. "Po ti freno pak o burr
i dheut, se këto pamje janë të bukura, duam t'i fotografojmë", dhe herë
pas here thoshte: "Eh Shqipëria ime". Ndërsa shoferi, me qetësinë e
tij ia kthente: "po pse ere, sa herë të shikosh ndonjë gjë të bukur ti do
ndalojmë ne? Ne nesër vemi kështu si thua ti". Makina gulçonte nga gropat
e shumta; shoferi, i vendosur për të mos e ulur shpejtësinë.... Pasoja erdhi
shumë shpejt: dy grave nisi t'u trazohej. Teksa ndaluam paksa për të marrë
ajër, fotografët nisën shkrepjet. U nisëm sërish... Filloi diskutimi për Enver
Hoxhën. "T'i kishte investuar paratë që bëri bunkerët për Shqipërinë, sot
do të ishim më të zhvilluar", - tha dikush aty pranë. Fotografi që kisha
afër filloi të tregonte histori që kishte përjetuar si emigrant vite më parë.
Iu afruam Poliçanit. Rruga vijonte e dëmtuar deri në palcë. Diskutimi, më tej u
zhvendos për fabrikën e demontimit të armëve. Ndërsa gjatë gjithë rrugës
shikoje pllaka guri të paketuara që ishin gati për t'u shitur. Dukeshin si një
ushtri e shpartalluar, çdo 1 kilometër kishe vende që shiteshin, ndërsa mali
nga nxirreshin ishte bërë si hoje bletësh nga shfrytëzimi pa kriter. "Ky
biznes, - foli fotografi, - është mjaft fitimprurës. Por duhet të jesh në
pushtet që ta bësh, se ndryshe nuk ia del dot. Komandanti e ka këtë zonë si
tokë të babës së tij, bën ç'të dojë", - tha skraparlliu-gazetar që kishim
në furgon. Sakaq, copat e gurëve që kishin dalë tepër nga prerjet uniforme që
kërkonin klientët kishin mbushur anët e rrugëve. Dikush në furgon tha se
"një person me krah, në malin e shpartalluar që askush nuk e bën publik
problemin, mund të nxjerrë deri në 20 mijë lekë të ardhura në ditë, por është e
vështirë mbartja deri në rrugën kryesore".
Donim të ndalonim. Shoferi
vijonte ritmin duke na përkundur gjithnjë e më shumë në atë rrugë të vështirë e
me kthesa, por sigurisht, edhe me gropa shoqëruese të pandashme. Ndaluam në
Bogovë. Me të zbritur mësova për Zalon e zonës. Historia ishte e thjeshtë: Zalo
'mashtronte' bashkëfshatarët dhe u merrte të ardhura, me argumentin se i hidhte
te një nga vendet e shenjta që ndodhej në atë zonë. Duket se ky argument që
dëgjova ishte i 'vërtetë'. Një ndërtesë 3-katëshe me mbishkrim u shfaq bukur
para nesh. Zalon na e paskëshin nxjerrë edhe disa emisione televizive për këtë
të pabërë, para do kohësh, dhe tani njihej si 'Zalua i emisionit'. Në Bogovë,
fjala e parë e kamerierëve-pronarë ishte kukureci, përsheshi dhe mishi i
qengjit. Nuk kishim si të mos provonim kukurecin te Zaloja, me lokalin fare
pranë Osumit. Ndërtesa e Zalos ishte e bukur dhe me stil. Investimi vazhdonte.
Nga uji i bollshëm i Bogovës furnizohej gjithë Berati, tubacionet e shtrira
dukeshin prej së largu. Ora kishte shkuar rreth 13:30. Ishim vonë për në vendin
ku do të niseshim për të bërë Rafting, në Hambull. Me ne në furgon erdhën dhe
disa djem, të cilët do të ishin mësuesit tanë gjatë udhëtimit me gomonet me
ngjyra, por për këta instruktorë të certifikuar vonë e mësuam. Padurimi nisi të
shtohej; disa e kishin nga lodhja, disa nga përzierja. Një tabelë e kuqe me
mbishkrimin "LSI" u shfaq përpara nesh. Ishte hyrja për në Çorovodë.
Qytet i ndërtuar sa pranë Osumit, po aq edhe në kodrën-mal përbri. Papunësia
duket qartë. Fotografi fiksoi në aparat në katin e 4-rt të një pallati, 5 gra
dhe një burrë, që rrinin në të njëjtin ballkon me gjysmën e trupit jashtë
ndërtesës. Ndërsa kolegu ynë na kujtoi një këngë për Çorovodën. Teksti i
shkëputur nga konteksti ishte: "Çorovoda anës lumit, pi raki dhe futja
gjumit".
Më tej ndalesa e radhës ishte një vend që banorët e zonës e
cilësonin të shenjtë. Ishte teqeja që mbante emrin "Gjurma e Abaz Aliut",
ndërsa 20 metra më tutje ishte "Vrima e Nuses". Kjo e fundit kishte
një histori domethënëse. Një nuse e re, e cila udhëtonte me kalë nga një fshat
në tjetrin, nuk dëshironte të martohej me burrin që i kishin gjetur dhe rrugës
u hodh nga kali dhe sipas legjendës u hap shkëmbi dhe e përpiu... Ajo përfundoi
e vdekur në lumin Osum. Kjo histori jo pak e trishtë, të paktën kështu na u
shpjegua nga djemtë e zonës që iu bashkuan udhëtimit tonë, por edhe nga kolegu
nga Skrapari. Kanionet u shfaqën magjishëm para nesh. Përnjëherësh vërshuam
drejt zonës së ndaluar, drejt humbëtirës, për të parë fundin dhe ngjyrat që
ofronte ajo pjesë e kanionit shekullor. Kanionet rrinin lavdishëm para nesh,
fotot nuk reshtnin, as pasthirrmat e gëzuara të kujtdo që i shikonte për herë
të parë. Rruga prej aty kishte filluar të rikonstruktohej, ose më saktë, të
shtrohej rishtazi, falë edhe lobimit të bërë për zhvillimin e kësaj zone në
Kryeministri nga ata që ushtrojnë rafting dhe ata që duan që kanionet të jenë
pasuri e brezave të ardhshëm. Makinat që punonin na hapën rrugën për të kaluar.
Duket se e kishin me nxitim. Pak minuta më vonë mbërritëm te zona nga e cila
duhej të nisnim udhëtimin me 'gomone' në Osum. 13 kilometra do të ishte
rafting-u që do të ushtronim me 5 gomone dhe me veshje të sigurta në plot
kuptimin e fjalës.
U pajisëm me mjetet që duhej të kishim për vozitjen dhe
rrëmimin dhe gjithë ankth prisnim nisjen. Zamoja nis prezantimin. Ishte
presidenti i Federatës Shqiptare të Rafting-ut. E kishte përvetësuar këtë sport
aventure në emigrim para do vitesh dhe kishte vendosur të kthehej në
vendlindjen e tij, me kanione, dhe e kishte parë lumin Osum, më se përshtatshëm
për këtë sport. Zamoja na shpjegoi të gjitha teknikat, por edhe rreziqet që
duhej të dinim. Me rëndësi ishte puna në grup. Rrëmimi nëpër Osum do të bëhej
me urdhër të instruktorit të certifikuar ose mësuesit, si na pëlqente ta
thërrisnim si grup. Aty mësuam se Shqipëria kishte një skuadër kombëtare
Rafting-u. Europiani i radhës do të zhvillohej në Bosnjë dhe shpresat ishin të
mëdha për një vend nderi. Zamoja mblodhi grupin e tij dhe u dha këshillat për
çdo manovër apo lundrim ku lumi ishte mjaftueshëm i mbushur me ujin e
përrenjve, që shiu i kishte egërsuar një ditë më parë. Fillimi i udhëtimit nisi
me disa britma që skuadra e profesionistëve lëshoi para hipjes në gomone. Pak
metra larg nesh, një ekskavator dhe një makinë e tonazhit të rëndë. Krahas
rrëmimit që do të bënim ne me lopata në Osum, ata po rrëmonin me kovën modeste
të ekskavatorit ato pak inerte që lumit i kishin ngelur në atë zonë. Situatë e
trishtë... Gomonet nisën lundrimin njëra pas tjetrës. Instruktori nis urdhrat,
paraaaa... stoppp... mbrapa, tani fort.... Nisëm të qeshnim. Erdhëm për rafting, por
nuk e menduam kështu. Nuk donim urdhra edhe për një lundrim turistik, por shumë
shpejt kuptuam se situata duhej të merrej seriozisht.
Ujëvara e parë e
magjishme bëri të ndalnim lopatat kur mësuesi na thoshte "përpara"...
Dolëm në një breg dhe nisëm soditjen e bukurisë së parë mes kanioneve, që
kishin lartësi që varionin nga 50-100 metra. Ky sport ushtrohej nga muaji
shkurt dhe deri në muajin qershor. U realizua dhe demonstrimi i parë, ku
tregohej se nëse një prej anëtarëve të skuadrës binte në lumë, instruktori me
litarin që e mbante gati të vinte në ndihmë, megjithëse jeleku që kishim veshur
ishte mëse i sigurt. Ujëvara e dytë, akoma më e lartë dhe më mbresëlënëse.
Sërish ndaluam. Ora ecte, ne nuk lëviznim, vetëm vlerësonim bukuritë që kemi
dhe nuk i njohim. Në mesin e udhëtimit tonë ishte dhe surpriza më e bukur. Uji
qetësohej dhe futej në një hulli shkëmbinjsh të ngushtë. Thellësia e ujit
arrinte 12 metra, gjerësia e kalimit të gomoneve të kushtueshme ishte nga 1.5
deri në 1.8 metra, ndërsa lartësia e kanionit, rreth 100 metra. Përrallore!
Gomonet u renditën njëra pas tjetrës dhe nisën të bëheshin një lokomotivë e
vërtetë. Nisi kënga. 'Neve jemi grupi i parë që bëjmë rafting në Skrapar...
Ne
jemi skuadër me zemër, kapitenen e kemi femër (Blerina Ago). Përreth 15 minuta
kanioni i ngushtë dhe i thellë ishte streha jonë. Zërat oshtinin duke krijuar
një kor harmonik që lajmëronte dhe njoftonte për Koloradot e Europës, të lashtë
më shumë se 3 milionë vjeçarë. Ndihemi të mikluar nga kjo bukuri, që duket
sikur e zbuluam ne të parët. Euforikë, por të paqtë, ecim përpara ku mësuesi na
tregon çdo objekt prej guri që me kalimin e kohës kishte marrë forma të
përafërta me shumë gjëra që hasim përditë, si sanduiçi, kupola e kishës,
krokodili, syri vëzhgues, por edhe ujëvara e shampanjës. Brezat duhet të ndihen
me fat për këtë dhuratë, gjithmonë nëse ne do të dimë t'i ruajmë nga dëmtuesit
me kollare që duan të bëjnë hidrocentrale. Në përfundim të 13 kilometrave bëmë
bilancin e kohës. Kishim kaluar rreth 5 orë vozitje dhe soditje nëpër kanion.
Mësuesi më në fund dha vlerësimin. 'Femrat janë më mirë se ju', na tha ne
meshkujve, ndërsa njërit prej djemve në gomonen tonë iu drejtua me të qeshur:
"Ti e mbaje lopatën si lugë supe". Kjo shkaktoi të qeshura dhe mjaft
freski, por udhëtimi sapo kishte mbaruar. Shkëmbi që lajmëronte përfundimin e
udhëtimit na lejoi të hidheshim dhe të kridheshim në ujërat, megjithëse të
turbullta, por çudibërëse të Osumit. Kthimi në Berat, makth më vete. Vozitja
dhe përkundja nisi, por këtë herë jo në ujë, por në makinë, nga rruga
shkatarraqe dhe e lodhshme. Berati i përgjumur shfaqej magjishëm, me drita të
forta, por pak njerëz. Kalaja madhështore ofronte shumë. Ajo çfarë pamë të
nesërmen ishte mrekullia me të cilën ky qark krenohej. Kalaja dhe muzeu
"Onufri", me afreske dhe piktura të Onufrit e të bijve, të bënin ta
doje edhe më shumë Shqipërinë tonë të panjohur. Destinacioni i çdo shqiptari
nuk ka si të mos jenë një herë në jetë Koloradot e Europës dhe krenaria që të
ofron Kalaja e Beratit. Shqipëria ofron shumë, varet se çfarë duam ne. Nise
udhëtimin tënd nga Shqipëria jote. www.albrafting.com; klikoni dhe do të gjeni
gjithçka për këtë guidë turistike, të sigurt dhe plot adrenalinë.