E Premte, 05.10.2024, 03:02am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
INTERVISTË-PRESS
 
FATOS HOXHA - TA SHPËTOJMË PD-në NGA KTHETRAT E PENGMARRËSVE (Intervistë)

E Premte, 09.26.2014, 07:55am (GMT+1)



TIRANE - Fatos Hoxha, ish deputeti i PD-së, aktualisht anëtar i Këshillit të saj Kombëtar apelon për ndarje përfundimtare nga të korruptuarit, trashëgimia e keqe dhe ata që i cilëson si pengmarrësit e piratët e PD-së. Hoxha hedh teza të forta se si mund të shkohet drejt kësaj, ndërsa akuzon një grup njerëzish në këtë parti, të cilët e duan PD-në sipas tij të marrë peng, të vogël, të rrudhur, të pafuqi e të mjerë. Ai njeh potencialin e figurës së kreut aktual të PD-së, Lulzim Basha, dhe vendosjen e saj në shërbim të PD-së. Por ish-deputeti demokrat për "Gazeta Shqiptare" flet për një kategori tjetër, që sipas tij, janë bashkë dhe janë kundër PD-së. "Ata janë "˜pengmarrës' dhe "˜piratë'. Kongresi nuk mund të jetë bashkimi, por duhet të jetë ndarja; ndarja nga trashëgimia e keqe, nga politikat e dështuara, nga modeli i keqqeverisjes dhe qeveritarët e korruptuar, ndarja nga korrupsioni, klientelizmi, keqpërdorimi i shtetit, kultura e pandëshkueshmërisë, nga penetrimi i krimit në politikë dhe kapja e shtetit", shprehet Hoxha për "GSH".

Z.Hoxha, Partia Demokratike mbledh kongresin këtë fundjavë. Që kur PD doli në opozitë, ju jeni rreshtuar në kritikët e rreptë brenda saj dhe të zotit Basha. Sa e besoni thirrjen e tij për t'u bërë të gjithë bashkë në këtë Kongres?
Pa ju bezdisur, me duhet të bëj së pari një saktësim: kam qenë kritik (i rreptë po të doni) i të këqijave të qeverisjes sonë, kur PD ishte në qeverisje, jo kur PD doli në opozitë, sepse më dhimbsej qeverisja dhe ndjeja dëmin që po i shkaktohej PD-së nga qeveritarët tanë. Kam vazhduar të kritikoj të këqijat që po na shoqërojnë në opozitë, sepse më dhimbset PD-ja dhe ndjej dëmin që na vjen nga e keqja që nuk po na ndahet. Jam shprehur publikisht dhe jam deklaruar mbështetës i zotit Basha, sepse kam njohur potencialin e figurës së tij dhe kam kërkuar publikisht që ai ta vendosë këtë potencial në shërbim të interesit të PD, jo të klaneve apo individëve, që në një mënyrë ose një tjetër e duan PD të marrë peng, e duan të vogël, të rrudhur, të pafuqi, e duan të mjerë. Kritika ime nuk është kundër Bashës dhe PD, por është pro PD dhe kryetarit të saj. Nëse ka politikisht një gjë që urrej më shumë dhe që jam i gatshëm të ngrihem kundër me të gjitha mjetet dhe mundësitë është imagjinata se dikush ose diçka mund të dëmtojë PD-në. Partia Demokratike është anija e demokratëve të Shqipërisë në oqeanin e trazuar të politikës shqiptare, është mjeti i vetëm që mund të na nxjerrë në "breg" dhe që mund të na shpëtojë nga "mbytja". Të gjithë, jo vetëm "pengmarrësit" apo "piratët"! Nëse anija rrezikon të përplaset pas shkëmbit, apo të ikë në fund të oqeanit, i takon të gjithë ekuipazhit t'i bjerë kambanave të alarmit dhe të nxitojë për ta mbajtur mbi ujë. Jo të thotë: "Hesht, se këtë punë e di kapiteni!". Ose ca më keq akoma: "Pa merak, se na ruan shpirti vigjilent i ish-kapitenit!". Detyra e demokratëve është të përveshin mëngët, të punojnë, të ngrenë zërin, të grinden, të thërrasin, të paralajmërojnë, deri ditën që anija "të ankorohet" e të dalë në breg. Këtë gjë kam bërë prej së paku tri vitesh dhe do vazhdoj ta bëj, pavarësisht se "pengmarrësit" apo "piratët" nuk e kanë qejf zhurmën. Do vazhdoj ta bëj edhe nëse do më akuzojnë se "po bëj opozitën e opozitës". Opozitën e qeverisë, mirë ose keq, e bën grupi parlamentar. Detyra ime dhe e demokratëve të tjerë është të bëjmë këtë që na takon. Ndryshe nuk e ringremë dot partinë, nuk e shëndoshim dot, nuk i kthejmë dot forcën, energjinë, gjallërinë, nuk ia heqim nga kthetrat "pengmarrësve" dhe "piratëve", nuk ua kthejmë dot demokratëve.

Po flisni për "pengmarrës" dhe "piratë". Kush janë ata? Shumë të paqarta dhe evazive duken këto metafora që po përdorni...
Përkundrazi, mua më duket se çdokush në PD e di se kush janë "pengmarrësit" e "piratët". "Pengmarrësit" janë të gjithë ata që po e pengojnë PD të funksionojë sipas rregullave, ata që nuk duan forumet, ata që përbuzin statutin, ata që nuk lenë partinë të lëvizë e kryetarin të drejtojë. "Piratët" janë ata që nuk kanë lidhje me PD (nuk kanë pasur kurrë), por që çuditërisht kanë marrë në dorë "timonin" e partisë, po na përcaktojnë rrugën që duhet të ndjekim, po na caktojnë politikat dhe po na përfaqësojnë publikisht. Demokratët i njohin me emër e mbiemër, si të parët dhe të dytët. Unë vetë i kam denoncuar në media me dhjetëra herë, me emër dhe mbiemër. Sot po preferoj të përdor metaforën, sepse sot që PD ka ngjarjen e vet të madhe, së paku për katër ose pesë vitet e ardhshme, ata nuk mund të trajtohen si individë. Ata janë kategori, janë bashkë dhe janë kundër PD. Prandaj duhet të trajtohen si të tillë: "pengmarrës" dhe "piratë".

Po thoni se jeni kundër Kongresit, sepse ky është Kongresi i "pengmarrësve" dhe "piratëve"?
Po ndjek linjën e pyetjes suaj të parë: Sa e besoni thirrjen e kryetarit Basha për t'u bërë të gjithë bashkë në këtë kongres? Për këtë arsye më duhet të them se interesi i demokratëve të Shqipërisë, interesi i PD dhe interesi i kryetarit Basha nuk kanë asnjë pikë takimi me interesin e "pengmarrësve" dhe "piratëve". Prandaj ata nuk mund të bëhen bashkë. Prandaj është iluzion dhe naivitet përpjekja për të mbajtur bashkë gjëra që nuk mund të rrinë bashkë, sepse nuk mund të pajtohen, se nuk e duan e nuk e durojnë dot njëra-tjetrën. Në këtë kuptim, moto e këtij Kongresi nuk mund të jetë "bashkimi", por duhet të jetë "ndarja", ndarja nga trashëgimia e keqe, nga politikat e dështuara, nga modeli i keqqeverisjes dhe qeveritarët e korruptuar, ndarja nga korrupsioni, klientelizmi, keqpërdorimi i shtetit, kultura e pandëshkueshmërisë, nga penetrimi i krimit në politikë dhe kapja e shtetit. Mbështetësit më të mëdhenj të këtyre fenomeneve janë "pengmarrësit" dhe "piratët". Në të kundërt, interesi i PD kërkon që bashkimin ta kërkojmë te morali, përkushtimi, modestia, përulësia, vlerat njerëzore, shërbimi ndaj qytetarëve dhe parimet e shtetit ligjor. Pa bërë ndarjen nuk ka ringritje! Pa ringritje nuk ka shpresë! Kaq e thjeshtë është analiza, kaq e thjeshtë përgjigja. Por të bësh ndarjen nuk do të thotë të bësh gjithshka. Ndarja është vetëm fillimi, është guri i themelit. Që guri i themelit të vihet në vendin e vet, të jetë i fortë e të mbajë një ngrehinë të madhe si PD duhen edhe disa kushte të tjera. Të domosdoshme, të paevitueshme!

PD ka nevojë urgjente të rigjejë rregullat e partisë, të rigjejë statutin, t'i përbetohet atij. Kjo nuk bëhet me retorikë boshe, nuk bëhet me grupe pune, nuk bëhet me koordinatorë, nuk bëhet me improvizime antistatutore, nuk bëhet me amendamente. Kjo bëhet me zbatim rigoroz dhe pa kompromis të të gjitha rregullave të statutit. Kjo bëhet duke njohur dhe respektuar forumet, bëhet me gjithëpërfshirje, me debat dhe vendimmarrje. Rregullat janë ato që e bëjnë një forcë politike. Rregullat e bëjnë PD. Kjo është aq e vërtetë sa ç'është e vërtetë e kundërta e saj: mungesa e rregullave e zhbën një forcë politike. Mungesa e rregullave e zhbën PD. Më lejoni ta ilustroj këtë që po them me ngjarjen e madhe që presim: 1. Kuvendi Kombëtar (kongresi i partisë, për ju të medias) mblidhet me propozim të kryetarit të partisë dhe me vendim të Këshillit Kombëtar ose të kryesisë (neni 34 i statutit, paragrafi 6). Të eliminosh Këshillin Kombëtar dhe kryesinë dhe ta shndërrosh kryetarin e partisë nga organ propozues në organ vendimmarrës do të thotë të delegjitimosh ngjarjen dhe të cenosh vendimmarrjen e kongresit. 2. Kuvendi mund të mblidhet në kongres vetëm nëse jo më pak se gjysma e anëtarëve të tij zgjidhen me procedurë rigoroze zgjedhjeje, në numër të përcaktuar sipas kritereve të rrepta politiko-elektorale, nga kuvendet e degëve të PD (neni 34 i Statutit, paragrafi 2/a dhe paragrafi 3). Kuvendet e degëve nuk kanë zgjedhur asnjë anëtar për Kuvendin Kombëtar, nuk kanë mandatuar asnjë përfaqësues. Pa përfaqësues të zgjedhur e mandatuar nga kuvendet e degëve, me votë të lirë e të fshehtë, sipas statutit, nuk formohet dot kuorumi. Kuvendi nuk merr dot vendime. Nëse i merr, atëherë ato janë ligjërisht absolutisht të pavlefshme. Këtë fakt nuk e ndryshojnë dot as 7 mijë pjesëmarrës, as 70 mijë. E ndryshojnë vetëm gjysma plus një e pjesëmarrësve të mandatuar nga kuvendet e degëve me zgjedhje dhe votim sipas statutit. Forume të ngritura mbi akte absolute të pavlefshme. Ato janë një fatkeqësi e madhe për PD, sepse nuk kanë legjitimitet, nuk ushtrojnë dot as autoritet, as pushtet, por mbi të gjitha sepse mund të na qëllojë që gjatë rrugës, gjatë mandatit katërvjeçar të organeve të dala nga kongresi i ri, cilido anëtar qejfmbetur me forumet e reja drejtuese të dala nga kongresi, cilido "pengmarrës" apo "pirat", apo, pse jo, ish-kryetari i bërë pishman, të kërkojnë gjyqësisht konstatimin e pavlefshmërisë absolute të akteve të kongresit dhe t'i çojnë të gjitha organet drejtuese në shtëpi ose minimalisht t'i mbajnë përjetësisht "peng" nën këtë kërcënim. Prandaj janë të rëndësishme rregullat. Ato janë forcë, janë dinjitet, janë liri. Prandaj ky kongres pa rregulla, jo legjitim dhe i pavlefshëm nuk bëhet dot ogur i mirë për demokratët, nuk bëhet dot gur themeli.

Kjo do të thotë se ju do ta bojkotoni Kongresin edhe pse, si anëtar i Këshillit Kombëtar, keni të drejtë e pjesëmarrjes në të?

Për lexuesin tuaj kjo pyetje është e parëndësishme, por unë juve jua kam borxh përgjigjen. Unë jam një njeri që karrierën time politike e kam pasur të lidhur vetëm me PD. Nëse mund të kem një angazhim politik në të ardhmen, atë e shoh të lidhur vetëm me PD, ose minimalisht, në të mirë të anëtarësisë së saj dhe të demokratëve, pjesë e të cilëve jam. Ky është qëndrim i palëkundur. Nga ana tjetër, kulmin e karrierës sime politike unë e kam pasur si anëtar i Komisionit të Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë, atij komisioni, të cilin ish-kryetari i partisë e asgjësoi pa gjyq, në pabesi dhe pa brerje ndërgjegje, ditën që nxori nga kushedi se ku listën e kandidatëve të grupit të ri parlamentar, sipas tij, "listën më të mirë në historinë e PD", që "çuditërisht" na solli humbjen më të thellë në histori. Si anëtar i Komisionit të Ligjeve ndaj me kolegët e mi një CV të admirueshme kontributi dhe meritash në shërbim të Kushtetutës, ligjit, parlamentarizmit dhe shtetit ligjor. Këtë CV ne e kemi arritur sepse respektin ndaj ligjit e kemi pasur parim dhe jo fjalë goje. Nëse sot unë bëj thirrje t'u kthehemi rregullave, t'i kthehemi statutit e ta mbrojmë atë, këtë nuk e bëj për fjalë goje, por sepse e nderoj dhe e respektoj këtë parim. Unë sot e di me siguri se PD dhe kryetari Basha veç humbje kanë nga një kongres antistatutor. Unë e di si është imponuar ky kongres dhe kush e ka përgjegjësinë. Jo më kot ju fola për "pengmarrësit" dhe "piratët". Kur lidershipi në PD të çlirohet prej tyre, me siguri që do mbajë publikisht të njëjtin qëndrim që po mbaj unë sot. Deri atëherë është detyrë politike e imja që të shprehem dhe të paralajmëroj rrezikun. Nëse distancimi nga veprimtaria i shërben këtij qëllimi, kjo nuk më zhyt aspak në dilemë. Është minimumi i detyrimit ndaj partisë sime.
VALTINA MADANI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Emrat e shqiptarëve përmbysin pretendimet e historianëve serbëSKËNDER GASHI - KUR U BËMË MYSLIMANË, ISHIM ORTODOKSË, NUK ISHIM KATOLIKË (09.25.2014)
SHPALIME PËR EVROPËN E BASHKUAR DHE SHQIPTARËT, PREJ GJENEZËS E DERI SOT (IX)Nga BRAHIM IBISH AVDYLI (09.25.2014)
VIZITA E PAPA FRANÇESKUT NË SHQIPËRI U NDERUA EDHE NË MËRGATËN SHQIPTARE!Nga ASLLAN DIBRANI (09.25.2014)
ARENAT E LUFTËS PËR MBIJETESË NUK PO PËRFUNDOJNË KURRËVështrim nga SKËNDER MULLIQI (09.25.2014)
URIME NË AMSHIM BIJA IME(Në 43 vjetorin e lindjes së Shqipes)Poezi nga AGIM GASHI (09.25.2014)
UNAZA E RE, E MADHE, E PLAVË-GUCISËNga RAMIZ LUSHAJ (09.24.2014)
FOTO EKSKLUZIVE - JOSIF BAGERI NË MESHËN E PARË NË GJUHËN SHQIPE NË DURRËSNga ARBEN LLALLA (09.24.2014)
GJAKOVA I THOTË MIRËSEVJEN 'NERMIN VLORËS' (09.24.2014)
MANIFESTIMI TRADICIONAL'ORA E MALEVE' –ROZHAJË, 20SHTATOR 2014 (09.24.2014)
NJË LIBËR ORIGJINAL I CILI FLET PËR KONTRIBUTIN E MËRGATËS SONË NË GJERMANINga AGIM GASHI (09.24.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Maj 2024  
D H M M E P S
      1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31  
 
::| Hot News
SA MBRAPA KA MBETUR UEFA... MJAFT U PËRKËDHEL SERBIANga OWEN GIBSON, The Guardian
KADARE - NUK IU JAP RËNDËSI XHUXHËVE DHE SPIUNËVE
Intervistë ekskluzive e shkrimtarit Ismail Kadare dhënë Vehbi Bajramit, botues i gazetës “Illyria” në New YorkISMAIL KADARE - DOKTRINA ANTISHQIPTARE E SERBËVE DO PËRMENDUR, SEPSE DOKTRINA KA MBETUR GJER MË SOT E PADËNUAR
DOLI NË QARKULLIM LIBRI I RI POETIK I ELIDA BUÇPAPAJT "RAPSODI E GOLGOTËS SË TRANZICIONIT"
PËRSHËNDETJA E PRESIDENTIT OBAMA NË RASTIN E 70 VJETORIT TË ZËRIT TË AMERIKËS
TRUPAT AMERIKANE NË KOSOVË NUK E ZVOGËLOJNË NUMRIN DERI NË MESIN E VITIT TË ARDHSHËM
Intervistë dhënë gazetës IllyriaISMAIL KADARE: Krimet serbe nuk mund të lihen në harresë në emër të paqësimit të gadishullitIntervistoi: Vehbi BAJRAMI

 
VOAL
[Shko lart]